Aishja , r.a., ka treguar se kur dikush sëmurej në familjen e të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., ai e vinte të ziejë një tenxhere me supë elbi deri kur i sëmuri të provonte njërën nga të dy përfundimet: shërimin ose vdekjen, dhe kërkonte nga ai që ta hante. Ai e kishte zakon të thoshte edhe këtë: “Ushqejeni me supë elbi njeriun tuaj të sëmur, sepse ajo e ringjallë dhe e freskon zemrën e tij, çliron nga streset, mërzitja dhe shqetësimet, si dhe pastron lukthin sikurse njeriu që e pastron fytyrën nga papastërtitë”.(1)
Mërzia dëmton trupin, e sidomos barkun, dhe, pa dyshim, mungesa e ushqimit kontribuon shumë në këtë drejtim. Supa prej elbit, së cilës i është shtuar mish, ndihmon në pastrimin e akumulimeve të panevojshme, qetëson trupin, forcon dhe mbron organizmin, zbut tendosjen, ekuilibron sekrecionet e trupit, freskon shpirtin dhe ndihmon të kthehet ekuilibri i organizmit (Cf. Planifikimi i dietës).
Supa e përgatitur me elb është më e ushqyeshme sesa lëngu i zier me kokrra elbi ose lëngu i elbit. Supa e elbit është e mirë për kollë dhe për zërin e vrazhdë. Ajo pengon zhvillimin dhe parandalon teprimet akute që shkaktohen nga ushqimi i parregullt dhe me pak kalori; ajo rrit sasinë e urinës së derdhur, pastron barkun, shuan etjen, ul temperaturën e trupit në sëmundjet që shoqërohen me temperaturë të lartë, rregullon obstruksionin (kapsllëkun) dhe përshpejton zbrazjen e zorrëve.
Për përgatitjen e kësaj supe duhet shtuar një pjesë të elbit me cilësi të lartë, të bluar mirë, dhe pesë pjesë ujë të freskët pranveror, pastaj i shtojmë kripë dhe mëlmesa të lehta sa për ta rregulluar shijen. Pastaj ena vihet në temperaturë mesatare dhe të gjithë këta përbërës zihen deri sa të mbetet një e pesta e sasisë së ujit. Pas kësaj hiqet elbi dhe servohet sipas nevojës (Shih gjithashtu: talbina)
Uji i zier i elbit, si duket, përshtatet me traktin digjestiv. Nëse elbi zihet plotësisht, atëherë përbërësit e tij kalojnë në traktin digjestiv dhe nuk ka ndonjë dobi të madhe prej këtij (resorbim joadekuat). Megjithatë, pirja e supës së përgattitur me elb të bluar dhe mish ndihmon resorbimin e shpejtë të përbërësve të tij ushqyes në organizmin e të sëmurit, vepron si purgativ i fuqishëm dhe është mjaft efikas në nxitjen e peristaltikës (punës) së zorrëve.
* Elbi përmban enzime që mundësojnë dhe lehtësojnë tretjen në lukth. Përdoret me sukses në shërimin e sëmundjeve inflamatore të lukthit dhe të zorrëve, shton oreksin, forcon organizmin e dobësuar, zvogëlon sasinë e kolesterinës në gjak dhe, në këtë mënyrë, parandalon procesin arterosklerotik. Përmban vitamina A, B1, E dhe P. Përdoret si bukë e shkëlqyer për diabetikët.*
1. Ibn Maxhxhe, 3445; Tirmidhi, 2040 – thotë se hadithi është hasen sahih; Ahmedi, 6/3.
* Shënim i përkthyesit në gjuhën shqipe.
MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përktheu nga boshnjakishtja
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi