Kurban Bajrami festohet në rrethana të veçanta për shkak të pandemisë COVID-19


Sot është festa e Kurban Bajramit. Myslimanët e tërë botës e shënojnë këtë festë me adhurim, lutje, tekbire e salavate. Festa e Kurban Bajramit sivjet në Kosovë është festuar në rrethana tepër të veçanta. Për shkak të rrezikut të përhapjes edhe më shumë të pandemisë COVID-19, dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka marr vendim që të pezulloj faljen e namazit të Kurban Bajramit si dhe për 10 ditë rresht pezullohen faljet dhe ritet nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës, por duke u thirrur ezani për secilën kohë. Me këtë rast Myftiu kishte mbajtur nj konferencë për medie dhe kishte sqaruar këtë çështje. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava nëpërmjet një konferencë për medie ka deklaruar se Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës duke e analizuar situatën e cila po mbretëron në Kosovë e goditur pamëshirshëm nga virusi COVID-19, edhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë u diskutua rreth këtij problemi që është prezent në mesin e qytetarëve tanë. “Andaj BIRK-u lajmëron të gjithë besimtarët të Republikës së Kosovës se pezullohet falja e Namazit të Bajramit dhe për 10 ditë rresht pezullohen faljet dhe ritet nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës”, ka thënë myftiuTërnava. Përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare, kanë bërë thirrje që si rezultat i situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, kjo festë të kalojë pa vizita familjare e tradicionale.
Por megjithëkëtë krerët fetare shtetëror kanë uruar për festën e Kurban bajramit.
“Në raste festash natyrisht që duhet dhe jemi të gëzuar e të lumtur, por kësaj here, pra për këtë Kurban Bajram, kemi ndjenja të përziera si asnjëherë më parë. Kështu ndihem unë dhe kështu ndihen edhe të gjithë besimtarët myslimanë kudo që janë, sepse megjithëse jemi në Ditën e Arafatit dhe megjithëse jemi në vigjilje te natës së Kurban Bajramit, për shkak të pandemisë që ka shkaktuar virusi Covid-19, këtë Bajram nuk po e presim ashtu siç do të dëshironim; sot Arafatit i mungojnë miliona haxhilerë nga e tërë bota, e edhe haxhilerët nga vendi ynë. Prandaj, ju ftoj të gjithëve që ta ruajmë karakterin festiv të festës, por në këtë kohë pandemie të kemi më shumë mirëkuptim, disiplinë, solidaritet, mbështetje e përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos për ata që po sprovohen më virusin Covid-19.”-ka thënë Myftiu Tërnava.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar qytetarët për festën e Bajramit, duke këkuar që kjo festë duhet të kalohet duke e ruajtur distancën dhe shëndetin e më të dashurve tanë. “Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram. E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë”-tha Presidenti Thaçi
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani duke uruar qytetarët e Kosovës shprehet se “Bajrami i ka gjetur qytetarët larg njëri-tjetrit,shkaku i pandemisë sot duhet që të urohet dhe festohet nga distanca.“Kjo nuk do të jetë pengesë për festë dhe urim që Bajrami i radhës të mund të kremtohet afër njëri-tjetrit dhe kur ditët e rënda si këto që po i kalojmë do t’i takojnë historisë”, është shprehur Osmani.
Kurse Kryeministri, Avdullah Hoti ndërkaq në urimin e tij shpreson që festat e ardhshme t’i festojmë në një situatë krejt normale, e pa pandemi.”Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë”-shtiu kryeministri Hoti.
Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në urimin e tij thotë: Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë. Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten.”Uroj që festën ta kaloni lumturisht, dhe të na sjellë të gjithëve fat e mbarësi për javët e muajt në vijim, sepse kemi nevojë. Por ju lutem, mbani distancë, përdorni maskat, kufizoni maksimalisht takimet e vizitat me persona jashtë familjes suaj. Bëjeni këtë sakrificë për familjen e fqinjët, për bashkëkombësit tuaj”-tha Kurti.
Ndërsa kryetari i PDK-së, Kadri Vesli uron qytetarët e Kosovës për festën e Kurban Bajramit duke thënë: Shumë nga ne, sot nuk do të mund t'i urojmë nga afër prindërit, familjarët, të afërmit, miqtë.Dhe as besimtarët nuk do të mund të falen në xhami. Është kohë tjetër kjo, kur jemi të obliguar t'i respektojmë masat dhe ta ruajmë njëri-tjetrin.Të tjerë, sot kanë dhimbje shumë të mëdha, sepse kanë humbur më të dashurit e tyre në betejë me Covid-19.Le të shpresojmë që kjo pandemi të kalojë sa më parë dhe me sa më pak vuajtje. Gëzuar Festën e Bajramit, me lutjen që ditë më të mira të vijnë për të gjithë dhe që secili të ketë paqe e begati”shprehet Veseli
Kurse Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji ka përgëzuar kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës Myftiun Naim ef.Tërnava dhe besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, dhe njëherit duke uruar edhe për fillimin e punimeve në ndërtimin e xhamisë së re në Prishtinë. “Fort i nderuar kryemyfti, edhe kësaj here rrethanat e jashtëzakonshme me Covid-19, imponojnë juve dhe besimtarëve të bashkësisë tuaj fetare, të festoni festën e Kurban Bajramit pa pasur mundësi të faleni nëpër xhami. Andaj lutemi që populli ynë dhe gjithë njerëzimi ta përballojë sa më lehtë këtë sëmundje të tmerrshme, që përditë e më shumë po shuan jetët e njerëzve dhe po shkakton vështirësi të mëdha shëndetësore.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)