Mbulesa dhe urtësia e saj

“O pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre”. (El Ahzabë, 59).”

Një nga parimet themelore të Islamit është se feja është dialog, të folurit me gjuhë, fe e zemrës, e cila manifestohet me pjesët e trupit. Mbulesa është një akt i bindjes ndaj Allahut xh.sh.. kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të bëjë ndonjë zgjedhje tjetër “E kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës”.(El Ahzabë, 36).
All-llahu xh.sh. na ka urdhëruar për çdo vepër të mirë dhe na ka ndaluar nga çdo vepër që është e dëmshme për ne. Po ashtu, Krijuesi i ka obliguar femrat, gratë myslimane, që të mbajnë mbulesë kur të dalin nga shtëpitë ose
kur ka burra të huaj në prani të tyre. Pa dyshim që në këtë urdhëresë ka urtësi, të cilat do t’i përmendim më poshtë. Sa i përket mbulesës si urdhër ndaj femrës, Allahu xh.sh. thotë: “O pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre”. (El Ahzabë, 59).
Kur ka zbritur ky ajet, ky verset i Kur’anit, gratë e Muhamedit a.s., gratë dhe bijat e myslimanëve e patën respektuar aq shumë, saqë qenë mbuluar menjëherë. Në atë kohë nuk kishte këso lloj shamish sikur ka sot, por ato shqyenin rrobat e tjera dhe mbuloheshin për të praktikuar urdhrin e Allahut xh.sh.. Kjo ishte dashuria e brezave të parë të Islamit për mbulesën. Ndërsa sot, siç duket, kjo dashuri është dobësuar në zemrat e grave, në zemrat e bijave myslimane. Vazhdimisht punohet për ta zbehur këtë urdhër të Allahut xh.sh., duke bërë reklama të llojllojshme, kinse janë modë e kohës kur po jetojmë, janë veshje civilizimi etj. dhe, fatkeqësisht, bijat tona po bëhen viktima të këtyre reklamave. Mbulesa është në pajtim me natyrshmërinë e njeriut dhe ndjenjat e tij, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat. Mbulesa përmban ndjenjën e turpit dhe përbën edhe tërheqje ose përmbajtje. E shfaqja e turpit është pjesë e fesë së njeriut, gjithashtu. Transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Turpi është pjesë e besimit”. (Buhariu), ndërsa në një hadith tjetër, Muhamedi a.s. thotë: “Turpi dhe besimi (imani) janë të pandarë. Nëse njëri ngrihet, ngrihet edhe tjetri”. Për sa i përket mbulesës dhe turpit, transmetohet një tregim nga Aishja r.a., Nëna e besimtarëve, e cila thotë: “Në shtëpinë në të cilën ishin varrosur Pejgamberi a.s. dhe babai im, Ebu Bekri r.a., hyja pa mbulesë, ngase aty ishte varrosur burri im, Pejgamberi a.s., dhe babai im, Ebu Bekri r.a.. Mirëpo, kur u varros edhe Umeri r.a., për Zotin, nuk kam hyrë më asnjëherë përveçse me mbulesë, ngase më vinte turp prej Umerit r.a.”.


Mbulesa islame siguri për femrën


Subhanallah, çfarë morali kishin gratë e brezit të parë të Islamit, e po ku janë myslimanet sot?
Sa shfaqet turpi në veshjet e nënave, grave, motrave, bijave tona? Moda e sotme dhe mënyra e veshjes, kanë për qëllim vetëm një gjë, sa më shumë të shfaqet bukuria e gruas, të përshfaqet statusi financiar dhe shoqëror. Vështirë që mënyra e sotme e veshjes mund të merret si mbrojtje e turpit të femrës, apo të pretendohet se mund të ketë ndonjë element për mbrojtjen e saj me një veshje të tillë. Megjithatë, për të gjithë besimtarët është e qartë se roli i veshjes për gratë dhe bijat myslimane është të sigurojë mbrojtjen e turpit të tyre. Përmes mbulesës, Allahu xh.sh. mbron nderin e femrës. Përmes mbulesës, Allahu xh.sh. e definon rolin e gruas, rolin e femrës myslimane. Ti je dikush me detyra të rëndësishme. Përmes mbulesës tregon synimin e orientimit dhe tregon se ke një qëllim. Ti je dikush me të cilën njerëzit, shoqëria merret seriozisht, sepse ajo që mban ti, “mbulesa” ka urtësitë e veta.


Urtësia e mbulesës


Mbulesa në Islam ngërthen shumë urtësi, nga të cilat do të përmendim këto:
1. Mbrojtja e nderit: Mbulesa është mburojë për ruajtjen e nderit, pengesë e sprovave dhe lajthitjeve.
2. Pastrim i zemrave. Thotë Zoti në Kur’an: “Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyret”. (El Ahzabë, 53). Edhe zemra ka nevojë për t’u pastruar ashtu siç ka nevojë trupi. Falënderojmë Zotin që nuk la të ndihet aroma e zemrave të papastra, se kush e di a do të kishim mundur të rrimë në mesin e shoqërisë sonë prej aromës së pakëndshme që do të dilte nga zemrat e papastra.
3. Moral i lartë: Mbulesa ofron mundësinë për moralin e lartë, nderin, turpin, xhelozinë, largimin nga fyerja dhe zbulimin.
4. Shenjë e ndershmërisë: Mbulesa është shenjë e dispozitave islame për të ndershmet, që aludojnë ndershmërinë e tyre dhe largimin e tyre nga çdo e keqe dhe dyshim. Vërtet që nderi është kurora e femrës dhe gruas. Çdo shtëpie që ka nder, veçse i shtohet lumturia.
5. Ndërprerës i shpresave dhe mendimeve të djallit të mallkuar: Mbulesa është parandaluese nga çdo e keqe dhe amoralitet. Është ndërprerës i shpresave të këqija dhe shikimeve të tradhtarëve.
6. Mbulesa ndalon shfaqjen e bukurisë, lakuriqësisë etj..
7. Mbulesa është mburojë kundër amoralitetit dhe dukurive të ndyta.
8. Ruajtje e xhelozisë: Ngase xhelozia ndalon shfaqjen e bukurisë dhe lakuriqësisë.
9. Është mbulim i vendeve të turpit: Ngase mbulesa i mbulon ato, e kjo është shenjë e devotshmërisë.
E kjo e fundit mbështetet edhe nga verseti i Kur’anit: “O bijtë e Ademit, Ne zbritëm për ju petk, që ju mbulon vendet e turpshme, dhe petk zbukurues, por petku i devotshmërisë është më i mirë”. (El A’rafë,26).
Mbulesa është një kujdesje për gratë dhe bijat e Islamit. Muhamedi a.s. ka thënë: “Ju këshilloj që të përkujdeseni mirë për gratë”. (Mutefekun alejhi).
Gjithashtu në një hadith tjetër Muhamedi a.s. thotë: “O Zoti im, me të vërtetë unë ngushtohem për të drejtat e dy të dobëtve: Jetimit dhe Gruas”. (Nesaiu dhe Ibn Maxhe).
Me keqardhje po them se dikush, me të vërtetë, po shkel nderin e gruas; dikush po ua ndalon mbulesën grave e bijave të Islamit; dikush po ua ndalon edhe shkollimin për shkak të mbulesës së tyre! A nuk është kjo shkelje e të drejtave? Vërtet jeta e njerëzve që janë lidhur pas iluzioneve, digjet si një cigare.



Mustafë Ahmeti


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti për urime të Fiter Bajramit përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe politike (video)