Turqi: Zhvendoset xhamia historike nga vendi i saj i mëparshëm

Xhamia 609 vjeçare “Er Rizk”, u zhvendos në një park natyror-kulturor më shumë se katër kilometra larg nga vendi ku qëndronte prej qindra vitesh.

Xhamia historike, me peshë 1700 tonë, është zhvendosur nga qyteti antik Hasankeyf i cili së shpejti do të jetë nën ujë pas një projekti të diskutueshëm të digës të hidrocentralit Ilisu.
“Ne i kishim kryer testimet tona në rrugë deri dje, dhe nuk kishte asnjë problem. Ne do të transportojmë monumentin përmes një rrugë 4,670 metrash në vendin e tij të ri në arkeo-park”, tha Ali Naci Kosali, zyrtar për projektin.
Ai tha se minarja e xhamisë ishte çmontuar dhe do të restaurohet pasi të jetë vendosur mbi xhami.
Xhamia Er Rizk është struktura e fundit që është shpërngulur nga qyteti i vjetër 12,000 vjeç përpara se të zhytet plotësisht nga ujërat e përmbytjes.