Qëmtime për Kontributin e ulemasë nga Gora Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Visi i Gorës është malësi e Opojës, përkatësisht Opoja është fushë e Gorës dhe të dyja, së bashku me Vrrinin e Lumën, janë malësi e Prizrenit dhe përbëjnë një njësi etnografike dhe fetare specifike të njësisë etnokulturore të Shqipërisë, e integruar në periudhën e shtrirjes dhe të përqendrimit të Islamit.

Alimët (dijetarët), përkatësisht ulemaja e Gorës janë përbërës koherentë të njësisë së korpusit të alimëve në themele të shqiptarësisë së Shqipërisë Etnike me Islamin forcë kohezive. Së këndejmi, kujtesa historike e goranëve dëshmohet pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme e kujtesës historike kombëtare shqiptare. Në periudhën e bashkësisë shoqërore historike të kombit shqiptar, e veçanërisht nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ulemaja e Gorës i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare personalitete të shquara në të gjitha lëmit e jetës arsimore islame, kulturore, politike, ushtarake, publicistike dhe dëshmorë e martirë të kombit.
Realisht, kontributin fillestar të ulemasë së Gorës për shqiptarësinë historike të Malësisë së gjithmbarshme të Prizrenit, dhe më gjerë, ka dëshmuar fitorja e plotë e civilizimit islam të kohës së re mbi krishterimin ortodoks shënnaumian bullgar dhe shënsavian serb mesjetar. Për rrugët e mundshme të depërtimit paraosman të myslimanëve dhe të Islamit në mjediset gorane ka të dhëna sinjifikative. Kujtesa historike dhe një e dhënë epigrafike flasin për ekzistimin e xhamisë në Mlikë nga viti 1289 (688H), plot 100 vjet para Betejës së Kosovës.
Islami institucional osman në Gorë, nisur nga ndërtimi i xhamive; është diçka më i ri se sa në Opojë dhe ka marrë hov nga pjesa e parë e shekullit XVI, kur u ngritën xhamitë e para: në Kukulan (më 1515), në Restelicë (më 1521), në Vranishtë (më 1525), në Krakoshtë (më 1528) dhe në Krushevë (më 1540). Xhamitë e tjera në Gorë janë ngritur nga viti 1640 - 1796. Kalimi në Islamin su ni nga Krishterimi ortodoks përzierje shënnaumiano-shënsavian, në Gorë ka rrjedhur në paqe e qetësi. Pranë xhamive, si çdokund në arealin shqiptar, që nga fillimi, u mbajt mësim elementar për praktikimin e Islamit, por të dhënat nga kujtesa historike për iptidaitë dhe mektebet në Gorë janë nga fundi i shekullit XVII. Ima-mët, alimët dhe mualimët në visin e Gorës që i përmend kujtesa historike, ishin kryesisht vendës, të shkolluar në Prizren, në Shkup, në Stamboll, në Bullgari dhe në Greqi.
Këtu nuk kemi kohë të ndjekim të gjitha të dhënat për të gjitha fshatrat e Gorës, një për një. Do të përqendrohemi vetëm në pak gjedhe, duke u nisur nga Restelica, e cila ka pozitën e kësulës së bardhë të Gorës. Nuk kemi njohuri për emrat e imamëve nga vitet '20 të shek. XVI deri në fund të shekullit XVII. Më 22 maj 1978, imam dhe mualim ishte mulla Bajram Hoxha, i lindur më 1894. Imamët dhe mualimët nga kjo derë kanë pasur tre mbiemra gjatë historisë. Në periudhën paraislame - Popovci, në periudhën osmane - Çaushovci dhe pas Luftës së Dytë Botërore - Hoxha.
Emrat e imamëve dhe të mualimëve mbahen për vlera krenarie të Restelicës dhe të Malësisë së Prizrenit. Imami i parë ishte mulla Adem Çaushi, kurse Mulla Bajrami i mësipërm, i përket brezit të shtatë nga Ademi. Detyrën e imamit mulla Bajrami e mori më 1922, pas pensionimit të t'et - mulla Shabanit (vdiq më 1950 në moshën 100-vjeçare). Edhe mulla Shabani medresenë e kishte mbaruar në Bajrakli të Prizrenit, kurse për hatib ishte emëruar më 13 temuz 1305 (1888). Imam u emërua pas mulla Osmanit (i vëllai), i cili në postin e imamit e kishte trashëguar të atin, haxhi Myderris Rashit Efendinë, alim i madh dhe mik i ngushtë i Myderris Ymer Prizrenit.
Myderris Rashit Efendia fillimisht punoi imam në Restelicë, tani shumë vjet ishte mualim në Tetovë dhe, në pleqëri, prapë mualim në Restelicë. Tre djemë të Rashit Efendisë:
Mulla Osmani, Mulla Shabani dhe Mulla Kadrija si dhe djali i Haxhi Mulla Dautit, Mulla Ibrahimi, e shumë të tjerë nga Restelica dhe Gora, ishin talebë dhe ndjekës politikë besnikë të Myderriz Ymer Prizrenit. Para Myderris Rashit Efendisë imam në Restelicë ishte Mulla Bejtullahu, i cili në postin e imamit e trashëgoi Mulla Memishin, kurse ky Mulla Adem Çaushovcin - Popovcin.


Pranë xhamisë së Restelicës ka vepruar iptidaija dhe mektebi për meshkuj dhe për femra. Mualimi i parë i Restelicës ishte mulla Dauti, i cili u shkollua në Turqi. Ai ishte i biri i haxhi Jeminit. Sa po u kthye nga shkollimi e hapi mektebin në gjuhën gorane. Atë, mualim, e trashëgoi mulla Kamberi, edhe ky i shkolluar në Turqi. Pas mulla Kamberit rnualim ishte Muderris haxhi Rashit Efendia. Pas Muderris Rashitit mualim në mekteb të Restelicës ishte i biri i tij, mulla Qamili,i cili vdiq nga fundLi periudhës osmane.
Nga gjiri i vëllazërisë Hoxhinci - Çaushovci - Popovci dolën edhe hoxhallarë dhe alimë të tjerë të shquar, të cilët shërbyen në xhami dhe mektebe e medrese anë e këndë trevave shqiptare. Të tillë pati edhe nga vëllazëritë e tjera të Restelicës: Bajrovci (ish Llazallovci), Bazdinci (ish Pepelko) etj. Të përmendim këtu, me pietet, informatorin tonë, më 22/23 maj 1978, mulla Sefer Bajrovcin, i lindur më 1868, taleb i Myderris Halim Efendisë në "Medresenë e Sinan Pashës", njohës i mirë personal dhe i kujtesës për Myderris Ymer Prizrenin.
Zbresim në Brod, ku, krahasuar me vendbanimet e tjera të Gorës, islamizimi rrodhi shumë gjatë. Në bazë të një mbishkrimi, Xhaminë e Poshtme e ndërtoi, më 1199H (1784), "Çeli Aga i biri i Ahmet Agës", i vëllazërisë Smajlaginci, në kujtesë i quajtur Nebi Ahmet aga. Imami i parë ishte vendës, mulla Huseni, kurse i dyti mulla Shabani, i cili vdiq në "hyriet" (1909). Atë imam e trashëgoi mulla Rrustemi (vdiq më 1922), dhe pas tij i biri, mulla Hasani (vdiq më 1969). Mektebi pranë kësaj xhamie u ngrit më 1288H (1871), kurse mualim i parë ishte Hafëz Alija. Atë e trashëgoi i biri, mulla Idrizi, i cili, më 1913, u ndoq në Turqi. Xhaminë e Epërme të Brodit e ndërtoi, më 1795, Musa Aga, gjithashu i vëllazërisë Smajlaginci, kurse imami i parë ishte Haxhi mulla Sylejman Hoxha (ish-Avramovci). Imami i fundit në këtë xhami ishte mulla Mehmeti,i cili vdiq më 1953 dhe nga ajo kohë kjo xhami ka mbetur e mbyllur.
Alim i përmendur në Brod ishte Rexhap Ulja, i vëllazërisë Kozinci, nxënës i mulla Muhamed Arab Hoxhës në Shkup- Strumicë, në gjysmën e dytë të shek. XIX. Rexhepi ishte Shejh i Melamive dhe teqenë e ka në Prizren, kurse në Brod kishte zavi, të cilën e drejtonte Shejh Osman Carra, alim i përmendur vëndës.
Në kujtesën historike banorët e Dikancit dhe të Baçkës janë nga dy vëllezër: Diko dhe Bako. Islamizimi në këto fshatëra është i hershëm. Në një nishan në "Drangoske grobishta" të Dikancit, lexojmë: "Elmehrum Elmagfur Emin bin Hamid ruhiçyn fatiha 1020" (1611). Sot kemi vëllazërinë "Hamiti". Mesxhidi në Dikanci mbahet për i vjetër, ndonëse xhamia datohet si e vitit 1731. Nuk i dimë emrat e imamëve të hershëm të Dikancit. Kujtesa fletë me krenari për imamin dhe mualimin e mektebit - Mulla Dervishin nga Baçka, i shkolluar në Stamboll, alim shumë i shquar dhe mik i ngushtë i Myderris Ymer Prizrenit. I biri i tij, Mulla Xheladini, ishte imam në Xhaminë e Baçkës dhe vdiq midis Dy luftërave Borërore.
Mulla Dervishin në Dikanci e trashëgoi, imam dhe mualim, dikancasi Shemsedin Hoxha, i vëllazërisë Etemi (heret Drangoska), i cili mësoi në Tuzëll, te myderrizët dikancas: Haxhi Mustafa (vdiq më 1903) dhe i biri i tij, Ali Osmani (vdiq më 1913). Këta u përkujdesën me para për jetën dhe për veprimtarinë politike arsimore të Mydrris Ymer Prizrenit në Ulqin (maj 1881-qershor 1887). Alimi mulla Shemsedini, si një adhurues i flakët i Myderris Ymer Prizrenit," u shqua për çështjen shqiptare deri në grykë të varrit. Pas vdekjes së tij, më 1916, më nuk punoi mektebi, kurse imamët e xhamisë erdhën nga Leshtani i Gorës.
Në Lubovishtë Islami është i hershëm. Në një nishan mbivarror në "Grobishta vishe Baj rovci" , ku janë varrosur vëllazëria "Pakoçevci", lexojmë: "Asma bint Abdran(?) ruhiçyn elfatiha 1015" (1606). Ndërkaq xhamia datohet si e vitit 1796. Imami i parë, bartës i beratit të xhamisë ishte Mulla Osmani, i biri i Mehmetit dhe nipi i Fetës. Mulla Osmani e mbaroi medresenë në Prizren dhe konsiderohej alim i madh. Pas tij imam ishte djali i tij, Nasufi, të cilin e trashëgoi i biri, Hajradini. Mandej vijnë imamët nga Kërsteci: Mulla Ahmeti, i biri i tij - Mulla Jupa, mandej Mulla Shabani nga Vranishta dhe tani Ramadan Kurtishi, nip i mulla Osmanit dhe pas tij, mulla Berzati nga Lubovishta (iku në Turqi). Si mualim për 20 vjet rresht përmendet mulla Kamberi nga Leshtani i Gorës, alim i madh me rëndësi shoqërore. Vdiq pas Luftës së Parë botërore. Nga viti 1941 imam në xhaminë e Lubovishtës është mulla Hamiti (i lindur më 1897).
Mualim të shquar në çështjen kombëtare shqiptare dha, veçanërisht, Rapça e Gorës. Xhamia e parë, në Rapçë të Epërme, daton nga viti 1640, kurse në Rapçë të poshtme nga viti 1790. Në kujtesën historike flitet vetëm për alimet me orientim të theksuar kombëtar shqiptar nga pjesa e dytë e shekullit XIX. Në këtë drejtim shquhej Mulla Rushiti nga vëllazëria Beqiraginci - Ibrovci, më herët Pashkovci, përkatësisht "Prdibukinci", themelues të xhamisë së parë. "Prdibukin Hoxha" - Mulla Rushiti ishte patriot i madh dhe mik i ngushtë i Myderris Ymer Prizrenit. Vdiq në kohën e Luftës së Dytë Botërore në moshën rreth njëqindvjeçare. Ai e futi në rrugën e atdhedashurisë shqiptare, pa kthim, të nipin Nail Hysenin - Danën, i cili u shkollua në Skeqe të Greqisë. Naili, poliglot për kohën, është rilindës shqiptar me kuptimin e plotë të fjalës. Një kohë punoi imam në fshatin Buçë të Opojës, më 1913 ishte oficer në Kryengritjen e Qazim Likës, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ishte sekretar në administratën shqip të qarkut në Vranishtë. Nuk e pranoi ripushtimin serb të Kosovës, e arrestuan dhe, më 1919, e likuiduan. Në Glloboçicë ushtria serbe e pushkatoi edhe alimin e shquar, mulla Kahrimanin, pjesëmarrës në kryengritjen e Qazim Likës dhe myfti për qarkun e Vranishtës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në Rapçë pranë xhamisë pati edhe mektebe, mualimi i fundit në periudhën osmane ishte Myderris Sylejman Hamza, personalitet me rëndësi për kohën. Nga ky fshat ishte edhe alimi i zgjuar shqiptarisht, pikërisht Amish Husmenj Tosuni, i shkolluar në Prizren. Vdiq më 1941, në moshën 71-vjeçare. Me prejardhje nga Rapça, poet e publicist shqiptar në gjuhën turke dhe serbokroate me orientim politik socialist, ishte prizrenasi Myderris Shejh Ymer Lutfi Paçarrizi, i cili vdiq më 1928. Rapça Shqipërisë Etnike i dha edhe një dëshmor të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, pikërisht Sinan Ilijazin, i cili mbaroi medresenë në Shumen të Bullgarisë. Në Periudhën e Jugosllavisë versajase Sinani punoi nëpunës i gjendjes civile për Rapçë, Kërstec, Buçë dhe Brezë, kurse në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ishte kryetar i komunës së Sharrit. Meqë shquhej për ndjenja patriotike kombëtare shqiptare, pushteti partizan jugosllav e pushkatoi mizorisht.
Në këtë vend meriton të vihet në spikamë edhe ky fakt: Alim dhe personalitet i rëndësishëm për shqiptarësinë dhe Islamin në Prizren dhe Malësinë e tij ishte Myderriz Abdylaziz Efendija, lindur dhe rritur në Krushevë të Gorës. Ishte bashkëmendimtar politik dhe mik i ngushtë i Myderriz Ymer Prizrenit, themeluesit të Lidhjes Shqiptare 1877 -1887 dhe Kryetari i Parë dhe i vetëm përjetësisht i Shqipërisë Etnike në vitin 1881. Pas zgjedhjes së Myderriz Ymer Prizrenit deputet në Parlamentin e parë Osman, më 1877, pikërisht me angazhimin e Myderriz Ymer Prizrenit, për myderriz trashëgimtar në "Bajrakli medrese" u emërua Myderri z Abdylaziz Efendija. Në këtë detyrë e priti vdekjen rreth vitit 1909.
Kujtesa historike në Gorë flet për pjesëmarrjen masive të goranëve në repartet shqiptare të ushtrisë osmane në Luftën e Sevastopolit (1786/89), të Plevnes (1876/77), të Çanakalasë (1897) dhe të Xhavit Pashës në mbrojtje të Kosovës në tetor 1912. Goranët, gjithnjë nën udhëheqjen e ulemasë së saj, i shpeshtuan radhët vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe dhanë ndihmesë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë fakt, ushtria pushtuese serbe, në tetor 1912, kundër Goranëve ushtroi gjenocid etnik e kulturor mizor. Për t'ua humbur identitetin etnik dhe shekullor, ushtria serbe theu nishan et e varreve në pjesën më të madhe të fshatrave të Gorës dhe me dhunë detyroi të shpërnguleshin në Turqi familjet më në zë, ato të dalluara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Të marrim vetëm një shembull: Sipas kujtesës historike, Restelica në fillet e pushtetit të Serbisë së Parë (tetor 1912) pati 500 familje, kurse fundin e atij pushteti (nëntor 1915) e pritën vetëm 170 familje.
Hakmarrjen serbe kundër qenies gorane e provokoi veçanërisht pjesëmarrje masive vullnetare e goranëve në Kryengritjen Shqiptare në udhëheqjen supreme të Qazim Likës nga Luma, në verë të viti 1913. Kryengritja u shtri deri te Hani i Llapushnikut. Fitorja serbe e përgjakshme u sigurua në saje të artilerisë dhe armëve moderne për kohën. Ushtria serbe, në shenjë hakmarrje, pasi likuidoi familjen 13 anëtarësh të Islam Hoxhës në Novosej të Lumes dhe 280, përkatësisht 360 vetave, burra, gra e fëmijë në Topojan e rrethinë, erdhi në Restelicë, arrestoi 10 veta (nga rreth 30 sa kishin marrë pjesë në Kryengritje: Mustafa Bajron, Ali Hoxhën, Muhamet Hoxhën, Maksut Shikun, Arif Bazden (Pepelko), Mulla Vejsel Bazdën dhe pesë të tjerë, emrat e të cilëve duhet të evidencohen. Të dhjetit i dërgoi në vendin "Bubalina Rupa", ku i masakruan me bajoneta, thikë e dru. Prej tyre mbijetoi tmerrin, për të qenë dëshmitar i gjallë i kësaj mizorie, Mulla Vejsel Bazda, me hundën e prerë, me të dy sytë e nxjerrë me thikë, me dhjetëra plagë bajonete. Jetoi edhe gjatë, pa hundë dhe pa sy, si një martirë i gjallë, kreu detyrën e myezinit në xhaminë vendlindjes stërgjyshore.
Ushtria serbe pushkatoi në Vranishtë Hasan Memishin, disa veta pushkatoi në Rapçë, kurse në Brod: Adem Çyçylin, Ibish Haxhinë, Idriz Paçkën, Mahmut Midon dhe Ferat Keçen. Në kryengritjen e Qazim Likës mori pjesë aktive alimi i shquar Haxhi Mulla Shukriu i Brodit. Shpëtoi nga pushkatimi pasi arriti ta korruptonte me para një oficer serb. Tre vëllezër brodas: Sinan, Mimin dhe Abdullah Haxhija e strehuan në Brod Qazim Likën e plagosur dhe e përcollën për shërim në Selanik.
Duke përfunduar këtë ekspoze mund të përkujtojmë konstatimin që u tha në fillim: Ulemaja e Gorës janë përbërës koherent të njësisë së korpusit të alimëve në themele të Islamit si forcë kohezive. Së këndejmi, kujtesa historike e goranëve dhe veprimtaria e ulemave në shërbim të çështjes shqiptare do të mbetet pjesë e pandashme dhe e patjetërsueshme në kujtesën historike kombëtare shqiptare.



Prof. Dr. Muhamet Pirraku


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Shefqet Zeka ?