Mulla Emin Ali Zhitia

“Me xhonturqit diqysh, me Serbinë kurrqysh”

E tërë filozofia e qëndrimit politik e atdhedashës të Mulla Eminit është përmbledhur me thëniet e tij: “Kush shkon në kufi Zoti ia dhashtë, kush shkon në Drnogllavë Zoti e vraftë” dhe “Me xhonturqit diqysh, me Serbinë kurrqysh”.
Mulla Emini është ndër hoxhallarët e rrallë, për të cilin flitet se nuk kishte qëndrim të drejtë ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit, veçmas ndaj Lëvizjes në Moravën e Epërme, në vitet 1908-1912, sepse, sipas tyre, ata që e luftonin “Babën M’ret”, ishin “murtatë” dhe në shërbim të jomyslimanëve, d.m.th. në shërbim të sllavit dhe “llatinit”. Lidhur me këta intelektualë shqiptarë të besimit islam, Sadullah Brestovci konstaton: “Ata sikur propagandonin se shqiptarët me luftën e tyre po i ndihmonin korridorit ballkanik (shteteve të krishtera ballkanike) andaj veprimtarët e dalluar në Lëvizjen Kombëtare i quanin “murtatë” (tradhtarë). Ata konsideronin po ashtu se shqiptarët po bënin gabim të madh që po kërkonin bashkëpunim me serbët, sepse sipas tyre, prej tyrej ishin sulmuar e tradhtuar shumë herë. Kështu që çdo afrim apo përpjekje për t’u afruar me popuj tjerë ishte i rrezikshëm. Sipas tyre, e vetmja rrugë e shqiptarëve është lidhja e fatit të tyre me Turqinë, jo vetëm pse shtetet ballkanike ishin kundër shqiptarëve, por edhe për shkak se shqiptarët myslimanë kishin krijuar mentalitet të afërt me turqit.”(1)
Sipas kujtesës popullore, ekzistonte bindja se kishte tradhtarë në radhët e personaliteteve të larta politike dhe ushtarake të Perandorisë Osmane, që ishin larguar nga parimet islame dhe osmane e po vepronin në dobi të kundërshtarëve osmanë dhe islamë në planin evropian dhe kundër shqiptarëve në planin ballkanik. Ngjarjet pasuese në raport me shtetet fqinje: Greqinë, Serbinë dhe Malin e Zi treguan se çdo aleancë shqiptare me ta për luftë kundër osmanëve dhe të tjerëve (bullgarëve, austro-hungarezëve, italianëve dhe gjermanëve) ishte një iluzion i parisë shqiptare, për të cilin iluzion këngëtari popullor do të këndojë: “Shqiptarët besë nuk kanë me shka/ A e dinë vllaznit qysh na kanë vra.”(2)
Shtrohet pyetja ishte i tillë apo jo Mulla Emin Zhitia? Përgjigjja mbështetur në kujtesën popullore është jo, sepse ky hoxhë nuk është i përfolur as në rrethin e gushtë e jo më të gjerë si personalitet i dalluar i kësaj ane, siç është rasti me Shabi Kajen. Maliq Vërnakollën, Beçë Ballancën e Ramë Toplanën dhe të tjerë. Mulla Emin Zhitia – po ashtu qe njëri prej klerikëve myslimanë, të cilët në kohën e kryengritjeve shqiptare, sidomos gjatë asaj të vitit 1910 u deklaruan për lidhshmëri me “babën mret”. Edhe ai u deklarua kundër shkuarjes së farefisit dhe fshatarëve të Zhitisë në njësite vullnetare kryengritëse të vitit 1910 e 1912. Por, të gjitha këto ai i bëri për shkak të injorancës. Ai kishte bindje të thellë se për shqiptarët e vetmja rrugë e drejtë ishte që ta lidhin fatin e tyre me Turqinë. Sepse, sipas tij, ata nuk e kishin mik të vërtetë asnjë “popull ballkanik”. Kështu ai e identifikonte popullin me shtetin, andaj mendonte se të gjithë popujt e Ballkanit ishin njësoj armiq të Turqisë dhe të shqiptarëve, të luftës së tyre për pavarësi. Pra, hoxha i Zhitisë qe përfaqsues i asaj rryme të klerit mysliman, i cili nuk ishte kundër Lëvizjes Kombëtare vetëm për shkak të interesit klasor, por në radhë të parë për shkak të injorancës, rrymë kjo e cila nuk ishte aq fanatikisht e lidhur me Turqinë, por ai nuk bënte dallime ndërmjet masave të gjëra të përkatësive të tjera kombëtare, sidomos serbe dhe të shteteve të tyre. Mulla Emini dhe rryma e tij, paraqitnin porosinë e shqiptarëve (muslimanë) se janë të afërt me turqit, etj... Më në fund edhe mulla Eminin, sikur edhe disa të tjerë, të cilët qëndruan në ato baza konservative, e gjeti vdekja në mesditë në Gjilan, pas hyrjes së ushtrisë serbe, në vitin 1912. Së pari ia morën kalin e “shpirtit”, e pastaj meqenëse u angazhua shumë kundër një plaçkitje të këtillë, e vranë te Banja e Gjilanit. Në bazë të asaj që thamë më lart mendojmë se duhet të dallohen disa rryma në radhët e klerit mysliman të kazasë së Gjilanit si dhe më gjerë, në tërë Kosovën”.(3)
Mendoj se ky vlerësim i autorit për qëndrimin e Mulla Eminit ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Moravën e Epërme, dhe ndaj çështjës shqiptare në Ballkan, është bërë sipas kërkesave klasore dhe ideore të kohës dhe se si i tillë duhet rivlerësuar në kushte e rrethana të reja politike e shoqërore dhe në bazë të burimeve historike më të reja. Kjo duhet bërë jo për shkak të një hoxhe, prifti apo popi; jo për shkak të një feje apo rryme fetare, i cilitdo konfesion qoftë; jo për shkak të një personaliteti të folur e përfolur të një kohe të caktuar, por për shkak të së vertetës historike gjithnjë në pajtim me parime e kritere objektive, të liruara plotësisht nga dobësitë që mund të përcillnin hulumtuesin shkencor, aq më tepër kur kjo punë kaq e rëndësishme është bërë në fillim të krijimit të kuadrove hulumtuese dhe zhvillohej në kushte të një mentaliteti të ulët arsimor e kulturor, politik e shoqëror e të ngarkuar me subjektivizëm fanatik, në njerën anë, për të mbivlerësuar, e në tjetrën anë, për të përçmuar, apo së paku anashkaluar qoftë personalitetet, qoftë ngjarjet, e një shtrese të caktuar shoqërore sipas metodës “bardhë e zi”, duke krijuar edhe “turkoshakë”, “sllavofilë”, “llatinofilë” dhe “grekofilë” e “fila” të tjerë edhe të paqenë. Këtë fat do ta përjetojë edhe mulla Emini, ngase i përkiste shtresës së pasur dhe ishte kundërshtar i bashkëpunimit me sllavë, grekë dhe vllahë e bullgaro-maqedonas, në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe Xhonturqëve, sepse prapa këti bashkëpunimi fshihej qëllimi djallëzor i fqinjëve për të përfshirë sa më shumë troje shqiptare në shtetet e tyre dhe për të dëbuar tërë myslimanet shqiptarë dhe të tjerë nga e tërë Rumelia. Të kujtojmë lexuesin se kundër këtij qëllimi fashizoid antishqiptar të fqinjëve të krishterë, ushte ngritur edhe Fan S. Noli, i cili i kishte shkruar edhe ... të kishës ortodokse ruse. (Shiko F.S. Noli për urrejtjen dhe luftërat ballkanike, Dituria Islame/212, mars, 2008., f. 55.) Sa i përket Luftës së Drenogllavës, të vitit 1910, në të cilën morën pjesë shumë zhitias dhe u vra edhe daja i Mulla Eminit nga Mirosala, duhet pranuar se në popull qëndron bindja se nuk është luftuar kundër Perandorisë Osmane, por kundër “murtatit” që ishte futur në rradhët e kësaj perandorie, njëri ndër të cilet ishte edhe Dërgut (Dragutin) pasha, një antishqiptar i dalluar me prejardhje bullgare, në rradhët e ushtrisë së të cilit kishte edhe shqiptarë që amortizuan urdhrat e oficerëve joshqiptarë në rradhët e ushtrisë turke dhe të tillë që penguan ose së paku amortizuan krimet e Dërgut Pashës ndaj shqiptarëve kryengritës. Një rol të tillë luajti edhe Mulla Emini në mbrojtje të Zhitisë, dhe si dijetar mysliman i dalluar pati ndikim edhe për mbrojtjen e të tjerëve. Kur është fjala për mulla Eminin dhe disa hoxhollarë tjerë, duhet pranuar të vërtetën se është njëri ndër hoxhollarët e kohës, për të cilin pak dihet dhe ka një mendim se kishte elemente serbofile. Nga ajo që u tha më lart mësojmë se ky jo vetëm që nuk ishte “sllavofil”, por kishte një qëndrim shumë të drejtë ndaj bashkëpunimit me serbët dhe të tjerët në luftë kundër Perandorisë Osmane.(4,5) Edhe qëndrimi i tij, se jemi më të afërt me turqit sesa me fqinjët tjerë ballkanas, nuk është për t’u gjykuar ashpër dhe apriori, sepse kriter për vlerësimin e afërsisë ndaj njeri-tjetrit, sipas kërkesave fetare, ishte vetëm përkatësia fetare, përkundër asaj të gjakut dhe të fëqinjësisë, kritere këto që te shqiptarët ishin më të përcaktuara se te çdo popull tjetër ballkanik. Derisa shqiptarët ishin të rrezikuar, jo vetëm nga shtetet e porsaformuara fqinje ortodokse, por edhe nga popujt: sllavë, helenë, llatinë e mongolë, të tjerët ishin të mbrojtur nga Fuqitë e Mëdha të krishtera. Kjo më së miri u vërtetua me vendimet e Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit dhe zhvillimet e mëtejmë të rrjedhave historike gjithnjë në dëm të shqiptarëve në përgjithësi dhe myslimanëve ballkanikë në veçanti. Nëse kemi parasysh se tragjedia shqiptare e përcjellë me holokaust në shkallë kombëtare dhe shumë holokauste të tjera lokale përcolli shqiptarët për një shekull të tërë, atëherë, medoemos duhet pranuar qëndrimin e Mulla Eminit dhe të tjerëve ndaj bashkëpunimit me popullin apo shtetin serb, sepse koha kishte treguar dhe po tregon se nuk kishte dallim nga njëri-tjetri, sepse prapa tyre qëndron Kisha Ortodokse ruse, serbe dhe greke, armike e përhershme e shqiptarëve që nga formimi i tyre e deri më tani. Ngjarjet që pasuan gjatë tërë shekullit të XX, gjatë viteve 19121915, 1919-1941, 1925-1955, 1989-1999, ripërsëritën tragjedinë shqiptare të pas Paqes së Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit 1878, dhe qëndrimin e drejtë të ylemas myslimane ndaj pushtuesve të huaj si dhe angazhimin e tyre në luftën e armatosur për mbrojtjen kombëtare e fetare në bashkëpunim edhe me klerikët shqiptarë të krishterë katolikë e ortodoksë. Që në rastin e parë që iu dha Serbisë dhe Malit të Zi, më 1912-1913, sipas Kosta Novakoviqit, u vranë 120.000 shqiptarë, qindra fshatra u bombarduan dhe u dogjën krejt”. Sipas shumë të tjerëve, shqiptarë e joshqiptarë, të mëparshëm dhë të pas vitit 1999, që në fillim të depërtimit të ushtrisë serbe dhe malazeze, ”nisi fushata e egër për kthimin me dhunë të popullsusë shqiptare të rrafshit të Dukagjinit në fenë ortodokse. Për më tepër prej shqiptarëve u kërku të ndërronin jo vetëm fenë, por edhe emrat dhe veshjen e tyre. Ky operacion zhvillohej nën didakturën absolute ushtarake, duke udhëhequr kështu një poitikë të hapur shkombëtarizuese dhe gjenocidiale, sepse kryenin veprime ndër më të përbindëshmet ndëshkimore për ata që kundërshtonin. Midis ideologëve ishte edhe mitropoliti i Pejës, Gavrillo Duzhiq dhe ministri i Arsimit i Malit të Zi, Mirko Mijushkoviq...”(6)

Mulla Emini në librin “RAMË AVDYLI dhe bashkëluftëtarët e tij të Hysen Terziut”

Në pjesën e librit të tij Ramë Avdyli..., aty ku bëhet fjalë për fshatin Zhiti të Moravës Epërme, Hysen Terzziu thotë: “...mulla Emin Aliu u bë njëri ndër propaganduesit më të mëdhenj të lëvizjes kundër pushtuesit osman në fshatrat Zhiti, Ballancë, Devajë e Radivojcë. Ai i printe propogandës, por afër vetes kishte Beqir Rerxhepin nga lagja Ferati të Zhitisë, udhëheqës i kreut anamoravas; Shaqir Mehmetin nga lagja e njëjtë e këtij fshati; Sylë Hasanni të lagjes Tafaj të Zhitisë dhe trima e luftëtarë të tjerë”. “Trimëri të veçantë mulla Emin Aliu tregoi në burgun e Gjilanit. Rojës së burgut i kishte thënë: “Ni shpyrtë e kam, ni shpyrt mun’ t’ma merrni..... Vdiq nga djegia me benzinë në burgun e Gjilanit më 1913, si luftëtar i dalluar kundër regjimit serb.”(7)
Konstatimi se ai u bë njëri ndër propaganduesit më të mëdhenj të lëvizjes kundër pushtuesit osman, nuk është në pajtim me vlerësimin e popullit se në lëvizje kishte “murtat” dhe se shumë nga përkrahësit e lëvizjes ishin pikërisht kundër “murtatëve” që po tradhtonin si sulltanin ashtu edhe Perandorinë Osmane dhe interesat kombëtare e fetare shqiptare në favor kryesisht të Serbisë e Greqisë, pa harruar edhe atë të Italisë dhe Austro-Hungarisë. Po të ishte kështu, siç shkruam autori, atëherë do të dilte se mulla Emini do të ishte fanari i inteligjencies islame në Moravën e Epërme, sepse kjo nuk ndodhi me askënd nga hoxhallarët të kësaj ane, përkundër faktit se kishte hoxhollarë të cilët shumë vite më parë kishin shkuar “gjynli” në luftën greko-turke. Një pyetje që do sqaruar është, pse hoxhollarët e kësaj ane dhe më gjerë nuk ishin të përfshirë adekuat në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të Kazasë së Gjilanit, kur dihet se bartës të Rilindjes Shqiptare dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte inteligjencia fetare shqiptare e të tri konfesioneve fetare. Pse të gjithë personalitetet bartëse të kësaj lëvizjeje ishin analfabetë? Përgjigjja mund të jetë se shkalla e arsmimit të hoxhollarëv të kohës, Pos mulla Sylës së Terpezës dhe Mulla Eminit të Zhitisë ishte e ulët, dhe se në këtë anë ideja e Lëvizjes Kombëtare nuk ishte ngritur në shkallë të duhur adekuat me mjediset tjera, përkundër faktit që në bibliotekën e Mulla Sylës është gjetur Evetari i gjuhës, i Bukureshtit. Nipi i Beqirit, Beqa i dytë, (1925) ende gjallë, nuk di gjë tjetër karakteristike për mulla Eminin, pos se ka qenë hoxhë i fortë dhe se ka paralajmëruar shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e Kosovës nga Serbia. Nga kjo mund të konkludohet se Mulla Emini ishte njohës i mirë i situatës politike në Ballkan, dhe se ai ishte i rezervuar ndaj luftës kundër ushtrisë osmane, për të ruajtur të gjitha energjitë luftarake kundër rrezikut më të madh që po u përgadtitej shqiptarëve nga shtetet fqinje ortodokse. Në librin e përmendur të H. Tërziqit dhe në librin e tij të dytë, Gjenocidi serb 1912-1956, thuhet se mulla Emini ishte aktiv në mbrojtjen e Ferizajt kundër ushtrisë serbe, më 1913, dhe se kishte rolin e intidantit apo depoistit dhe shpërndarësit të armëve në Pozheran pjesëmarrësve shqiptarë në luftën e Ferizajt, të tetorit të vitit 1912. Kjo duhet hulumtuar ngase deri më tani nuk kemi të dhëna për organizimin paraprak të kësaj rezistence, por kemi të dhëna të argumentuara se në këtë luftë është vrarë mulla Ibrahim Kurteshi nga Pozherani, dhe se është plagosur për vdekje mulla Hajdini i Trestenikut dhe ... Sipas nipit të tij, Ilaz Hajdin Ibrahimit nga Tresteniku, Mulla Emini ishte zyrtar në kajmekamllëkun e Gjilanit. Ai ishte i angazhuar për mobilizimin e redifëve për të luftuar kundër Serbisë dhe shpërndarjen e armëve vullnetarëve që do të merrnin pjesë në mbrojtje të shtetit dhe atdheut. Mulla Emini shfrytëzoi pozitën e tij për të ndihmuar e strehuar të përndjekurit nga “urfija” e Dërgut Pashës, si që ishte rasti me Haxhi Tahirin e Komogllovës dhe Mulla Hajdinin e Trestenikut, të plagosur në Luftën e Ferizajt, më 1912, të cilin e strehoi në shtëpi të vet.(8)
Sipas Feriz H. Halimi, nga Gjylekaresi i Moravës Epërme, Mulla Emini ishte hoxhë i dalluar i kësaj ane, i cili dallonte nga paria e kësaj ane që në bashkëpunim me Serbinë e luftonte Turqinë. Mulla Emini ishte në shërbim të parisë së rrethit të Gjilanit. Ishte përgjegjës i deponisë së armëve në Gjilan. Me rastin e shpërndarjes së armëve redifëve që do të dërgoheshin në kufi me Serbinë, u thonte redifëve: “Merr avdes e t’u gjetë deri në vdekje! Lufto për fe e atdhe! Mos lufto për Serbi e Mal të Zi!” dhe shprehte mallkimin e thellë: “Mos luftofsh për mbret e vrafsh veten!” Fakti se Mulla Emini u vra nga pushteti serb ndër të parët, flet se Mulla Emini ishte armik i përbetuar i pushtuesit serb, logjikon xha Ferizi 93- vjeçar.(9)

Mulla Emini në librin “Gjenocidi serb 1912-1956” të Hysen H. Terziqit

Duke bërë fjalë për gjenocidin serb në Moravë të Epërme në vitet 1912-1956, Terziqi përshkruan edhe rastin e Mulla Eminit. Sipas tij, fshati Zhiti shpëtoi nga masakra kolektive falë tre serbëve, të cilët kundërshtuan masakrën kolektive duke u thënë udhëhqësve të ekspeditës serbe se bashkëfashatarët tanë shqiptarë janë ata që “na ruajtën nga derti i Kohës”. Sipas Terziqit, serbët kriminelë e dinin se kush është Mulla Emini, se ai ka kryer shkolla të larta në Stamboll, se ka pasur pozita të larta në kajmekaminë e Gjilanit, se ka qenë mbikëqyrës i depos së armatimit në Gjilan, se ka nxitur e ka rekrutuar redifët që duhej të shkonin në frontin e Kumanovës dhe se u ka shpërndarë armë vullnetarëve për të shkuar në luftën e Ferizajt, në tetor të vitit 1912. Sipas tij, mulla Emini ishte njohës i mirë i ecurive politike dhe parashikonte se pushtuesi serb do të përdorë metoda joshëse për të përçarë shqiptarët, duke u ofruar peshqeshe e pozita parisë shqiptare, të cilët do t’i vënë para aktit të kryer, sepse ata që nuk do t’i pranojnë këto “peshqeshe” do të rrezikojnë veten dhe familjet e tyre. Kështu do të ndodhë edhe me mua, parashikonte hoxhë Emini. Kështu edhe ndodhi. Sipas Hysenit, hoxhë Emini u zu në Gjilan, kur kishte shkuar te dhëndri i tij. Atë e morën dy përcjellës, njëri nga të cilët e goditi rrugës për në burg. Mulla Emini ia ktheu goditjen. Gjatë përleshjes u plagos nga përcjellësi tjetër. Ashtu i plagosur u dërgua në burg, ku vazhduan maltretimet dhe kërcnimet nëse nuk heq dorë nga “kokëfortësia e arnautit kokëçmendur”. Hoxha i vendosur dhe i vetëdijshëm për rrezikun që po e priste, u përgjigj në stlin e atdhedashësit të përbetuar: “Një shpirt e kam e një shpirt mund të ma merrni, po nuk do të arrini dot të nënshtroni asnjë shqiptar, as me lutje, as me frikë e as me vrasje”. Nga zemërimi për qëndrimin e ti serbët e dogjën me benzinë, ashtu të gjallë, më 1913.(10)

Kush ishte Mulla Emini?

Mulla Emin Ali Aga, nga Zhitia e Moravës së Epërme, u lind në këtë fshat, sipas të gjitha gjasave, në dhjetëvjetëshin e dyzet të shekullit të XIX. Ruzhdi Q. Ibrahimi, pasarëdhës i Mulla Eminit, profesor, i lindur më 1956, mendon se hoxhë Emini është i lindur rreth vitit 185O. Ishte nip Mirasele e stërnip Luboteni të Shkupit. Siç shihet nga atributi Ali aga, del se i ati i tij ishte pasanik i dalluar i këtij fshati. Nuk ka asnjë të dhënë se ofiqi ka të bëjë edhe me ndonjë pozitë të tij në pushtetin osman. Sipas pasardhësve të Ali agës, i cili kishte 4 djem: Ibrahimin, Eminin, Shahinin dhe Ahmetin, i ati i tij ishte trim i dalluar. Ai i shpëtoi miqtë e tij nga egërsirat para se të miqësohej me ta. Ishte pasanik i madh. Mbante pela hergjele, dele, lopë, buallica etj.
Nuk ka të dhëna as për shkollimin e Mulla Emnit në fëmijëri dhe rini, pos gojëdhënës se ishte shkolluar edhe në Stamboll dhe se atje kishte qëndruar 18 vjet. Nga të dhënat tani më të njohura, dihet se në Gjilan, që në vitet e pesëdhjeta të shekullt XIX, ka ekzistuar shkalla e parë dhe e dytë e shkollimit fetar, prej nga mund të supozohet se Mulla Emini mësimet e para ka mundur t’i ketë marrë në këtë qytet. Nga ana tjetër, si stërnip i Lubotenit të Shkupit, nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë shkolluar edhe në Shkup, prej nga do të jetë dërguar në Stamboll. Në këtë kombinim nuk duhet përjashtuar as Mirosalën, si vend ku ka mundur të inspirohet apo edhe të marrë ndonjë element arsimi dhe edukate. Nuk dihet as kur dhe sa kohë ka qëndruar në Stamboll, si dhe kur është kthyer në vendlindje. Mendohet se kthimi në vendlindje do të ketë ndodhur pas luftës Ruso-Turke më 1877/78. Mbështetje për këtë konkludim është kritika e muhaxhirëve .... që i bëhet hoxhës për mosvendosjen e tyre në Kllokot, por në Kravaricë, ish-pronë e Ali Agës. Sipas pasardhësve të hoxhë Eminit, kjo akuzë është e pabazë, sepse mulla Emini nga dhembja e thellë për muhaxhirët, iu ndihmoi atyre që të punojnë në tokat e tij bujqësore dhe vendosi që ta falë pronën .... Arsyeja për mosvendosjen e tyre në Kllokot, nuk ka të bëjë me mosdëshirën e tij, por me politikën e pushtetit të kohës për të mos ngushtuar e ngacmuar rajën serbe, të mbrojtur edhe nga Fuqitë e Mëdha. Përndryshe hoxha njihej edhe si bamirës, por edhe si njeri që kërkonte që t’iu mundësohet njerëzve të varfër që të jetojnë nga puna e tyre, ngase mëshira nuk është zgjidhje. Përkundrazi, ajo çon në varësi dhe demeli të përhershme. I shtyrë nga ky parim ai iu bëri vend muhaxhirëve në pronat e tij. Ai ishte shpërndarës i mishit falas, por edhe shitës i tij, sepse si falja ashtu edhe shitja duhet bërë me masë, sepse nuk mund të falësh tërësinë, por as nuk mund të jetosh vetëm nga të falurit që vjen nga të tjerët.



1. S. Brestovci, Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit, Instituti Albanologjik I Prishtinë, Prishtinë 2008, fq. 130
2. Mr. Kadri Rexha: 85-vjetori I rënies së Azem Galicës…, Zëri, 10.08.09/19
3. Po aty, fq. 134.
4. Shih Fan Stlian Noli për urrejtjen dhe luftërat ballkanike, Dituria Islame/212, mars 2008, fq.55, ku ndër të tjera citohet Noli: a. Megjithatë, duam të qrtësojmë se nuk u kundërvehemi Shteteve të Aleancës Ballkanike për shkak të urrejtjës së tyre racore, por për shkak të politikës së tyre të padrejtë dhe pretendimeve të tyre arrogante për qytetërimin e gadishullit Ilirian… dhe b. E sulmuar nga të gjitha anët nga të krishterët hipokritë dhe tradhtarë, Shqipëria nuk ka streh tjetër veç flamurin e Hënës.
6. Abdullah Konushevci: Qerime Halil Radisheva: Zhan d’ark - Nëna Tereze, Zëri, 13.08.09/19.
7. Hysen Terziu, Ramë Avdyli dhe bashkëluftëtarët e tuj, Prishtinë, 1997 fq. 167-68
8. Ilaz Hajdin Ibrahimi, 1907, Trestenik, bujk, analfabet.
9. Biseda me Feriz Hysk Halimin-Sadikun, bujk, autodidact, u zhvillua në odën e tij më 30.09.2009
10. Hysen H. Terziqi, vepra e përmenudr, Prishtinë 2005, fq. 58.



Selim Musliu
EDUKATA ISLAME 98


Artikulli i kaluar
Hafiz Emin Cangonji
Artikulli radhës
Mulla Jusuf Baftjari 1883-1948

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?