Sami Frashëri, që në fillim shpjegon përmbajtjen e shkruar: "Dije, Allahu të shëroftë se në këtë traktat hulumtohet mënyra e përhapjes së Islamit nëpër krahina, gjendja e popujve islamë, vendeve në të cilat popujt e tyre herët a vonë e pranuan Islamin, e dobia e tij është e qartë kurse domosdoshmëria për nivelin e besimtarit është e dukshme."
Ndikimi i Perandorisë Osmane solli përhapjen masive të Islamit mes shqiptarëve deri në vijat institucionale ku dihet se te popullata ishte përhapur masivisht. Dr. Truhelka thotë: "Është mendim i gabuar se Islami është përhapur me dhunë. Ekzistojnë argumente të shumta, të cilat e demantojnë këtë. Unë po përmend vetëm një e ai është se: shek. XIX nuk do ta gjente asnjë kishë apo manastir në Ballkan sikur Islami të përhapej me dhunë shtetërore."(1)
Giuseppe Valentini në vitet e Luftës së Dytë Botërore, trajtimin e historisë fetare të shqiptarëve e gjeti krejt të pamjaftueshme. Sipas këtij albanologu të njohur, kishte shumë për të bërë në këtë fushë, duke filluar qysh nga grumbullimi i burimeve dokumentare, që i përkasin mesjetës dhe periudhës osmane, kryesisht në arkivat osmane dhe italiane, por edhe dokumente që gjendeshin në xhamitë dhe kishat e Shqipërisë. Principet metodologjike në studimin e përhapjes së Islamit gjatë sundimit osman janë aq të rëndësishme, sa po t'u hedhësh një sy studimeve mbi këtë fenomen, të kryera nga historianë të vendeve të ndryshme të Ballkanit, por që ndanin të njëjtin sistem politik gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, do të vërejmë se met-odologjia marksiste që sundonte në studimet e tyre, e eliminoi tërësisht problemin e dallimeve nacionale. E thënë më shkoqur, mes Selami Pulahës (Shqipëri), Nedim Filipoviq-it (Bosnjë) dhe Antonina Zhelyazkov-ës (Bullgari) nuk ka dallime thelbësore metodologjike, sepse, ndonëse i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme, ata operuan me principet e metodologjisë marksiste.(2)
Thomas W. Arnoldi thotë se feja e përbashkët nuk ka mundur të ndikojë në çështjen e gjakmarrjes ndërmjet fiseve arbanase. Madje deri në shek. XIX- shumë fshatra e fise për shkaqe të vogla kanë ndërruar fenë. Disa fise të krishtera e kanë përqafuar Islamin, sepse prifti, që atje punonte në shërbim shpirtëror, ka insistuar që në kohë të papërshtatshme, shumë herët të vijnë në lutje të përbashkët. Në kohët më të vonshme llogaritet se në Shqipëri ka një milion myslimanë, e të krishterë gjysmë, vetëm se ky numër nuk është aq i sigurt.
E tërë Mirdita me fise është katolike. Këta kanë kërkuar nga sulltani kushtin që asnjë mysliman të mos guxojë të banojë në territorin e tyre, por ithtarë të këtyre dy religjioneve ka pothuajse në të gjitha fiset e tjera. Mund të thuhet se gati tërë Shqipëria e mesme është myslimane. Myslimanët në Shqipërinë e veriut paraqesin 60% të popullsisë të atjeshme. Sa i përket popullsisë së krishterë, me përqindje janë më shumë në Shqipërinë jugore, e sidomos në viset kufitare me Greqinë.(3)
Ndërsa nuk mund të lëmë pa përmendur rolin e shqiptarëve myslimanë të cilët dhanë kontribut në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe punën që bënë për formimin e shtetit. Të gjitha xhamitë, med resetë dhe teqetë u kthyen në vatra të veprimtarëve e të luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.(4)
Më 1868 zuri të zgjerohej sistemi i vilajeteve, është afër mendsh, me rishikime dhe rregullime të shpeshta në vise të tjera të Perandorisë Osmane. Në fillim Kosova ishte e ndarë në dy vilajete, ndërkaq, me 1868, u formua vilajeti i ri i Prizrenit, i përbërë nga katër sanxhaqe: të vetë Prizrenit (një rajon i gjerë administrativ që përfshinte tërë Kosovën, pastaj Tetovën, viset e Gucisë që tani gjenden në anën malazeze matanë kufirit shqiptaro-malazez), Dibrës, Shkupit dhe të Nishit. Që atëherë kishte një numër të madh shqiptarësh edhe në popullsinë e dy sanxhaqeve të fundit, kështu që shqiptarët myslimanë ishin faktori më i fuqishëm i këtij vilajeti; mirëpo, në të ishte edhe një popullatë sllave-ortodokse.
Administratorët osmanë zakonisht parapëlqenin të formonin njësi të përziera të këtij lloji duke synuar zvogëlimin e rreziqeve të formimit të shteteve kombëtare. Në periudhën 1866-69, osmanët shqyrtuan në mënyrë serioze mundësinë e formimit të një vilajeti unik "shqiptar", ku do të përfshihej tërë Shqipëria me Kosovën, pjesa më e madhe e Maqedonisë dhe një pjesë e Bullgarisë; qëllimi i kësaj ideje do të ishte pengimi i nacionalizmave sllave, kurse fakti se ky rajon do të mund të bashkonte pjesën më të madhe të popullatës shqiptare, nuk e shqetësonte pushtetin osman në atë periudhë.(5)
Në periudhën e vet të fundit, Perandoria Osmane nuk kishte mbetur as hija e një shteti që rrezatonte kulturë, qytetërim e vlera të mëdha për njerëzimin. Ajo ishte përfshirë nga korrupsioni, nga injoranca dhe nga miopia politike. Turqia e fundshekullit XIX dhe e dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX, faktikisht, ishte bërë protektorat i disa shteteve perëndimore, veçmas Rusisë, e cila kishte marrë të drejtat e përkujdesjes për ortodoksët dhe të Austro-Hungarisë, e cila kishte fituar të drejtat e protektoratit mbi katolikët e Ballkanit. Egërsia e ekspeditave pacifikuese xhonturke kundër shqiptarëve kryengritës në vitet 1910-1912, u shndërrua në armiqësi për gjeneratat që themeluan shtetin shqiptar dhe lanë plagë të thella në kujtesën e njerëzve. Prej andej u bart edhe në arsim e në kulturë, duke gjeneruar për dhjetëvjeçarë të tërë armiqësi kundër Turqisë dhe veçmas kundër Islamit, e duke i mohuar të gjitha anët e mira që kishte sjellë për shqiptarët ajo bashkëjetesë e gjatë në Perandorinë Osmane.
Sindroma anti-turke ushqehet vazhdimisht nga propaganda e ashpër, e injektuar që nga programet shkollore e deri te komentet politike. Rrjedhimisht, në një pjesë të madhe të popullsisë, shfaqen hutesa e bllokime të energjive, nga frika se përgjigjja në këto mostra, do të shkaktonte rritje të konfliktualitetit brenda kombëtar. Shqiptarët tashmë i kanë harruar, ose së paku shtiren se i kanë harruar vuajtjet që u janë shkaktuar pushtimi italian, pushtimi nazist gjerman, gjenocidi grek në Çamëri, e ka shenja se po relativizohen edhe hidhërimet për gjenocidin e fundit serb në Kosovë. Mbajtja e paragjykimit për Turqinë si pushtuese, kur janë amnestuar pushtuesit më të egër, nuk ka si të shpjegohet ndryshe veçse në kontekstin e një strategjie anti-islame, si ndër vetë shqiptarët që duan të mbajnë idenë se identitetit i tyre kombëtar është vetëm i krishterë, si nga të huajt që e stimulojnë këtë ideologji. Por, kjo prirje po shkakton bllokimin e energjive, çoroditjen e dialogut të brendshëm dhe gjymtimin e identitetit shqiptar.(6)
Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu figurat e dijetarëve shqiptarë në përhapjen e Islamit dhe shkencës. Në veprën e dalluar të tij: "Himetu-l-Himam fi neshri-l-Islam" (Përpjekja e trimave në përhapjen e Islamit], Sami Frashëri, që në fillim shpjegon përmbajtjen e shkruar: "Dije, Allahu të shëroftë se në këtë traktat hulumtohet mënyra e përhapjes së Islamit nëpër krahina, gjendja e popujve islamë, vendeve në të cilat popujt e tyre herët a vonë e pranuan Islamin, e dobia e tij është e qartë kurse domosdoshmëria për nivelin e besimtarit është e dukshme." Pra shprehja e Samiut na jep të kuptojmë zgjerimin e së mirës dhe mirëqenies që Islami sillte tek njerëzit.(7)
Po ashtu, Hoxhë Hasan Tahsini, një ndër dijetarët e mëdhenj islamë, i cili kontribuoi në të gjitha shkencat, ekzakte, shoqërore, humane, islame etj.
Duke mos lënë pa përmendur Hoxhë Kadri Prishtinën, i cili ishte shkolluar në shkollat arsimore osmane ku në medresenë Fatih kishte prefeksionuar njohuritë Islame dhe ishte diplomuar si jurist në Universitetin Osman "Darul-funun". Ai me 7 nëntor 1918 kishte themeluar komitetin e njohur:
"Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" në Shkodër. Ky komitet synonte çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Në kohën kur Hoxhë Kadriu punonte në Shkodër si avokat i thjeshtë, kishte menduar të nxirrte një revistë mujore, në të cilën shprehte pikëpamjet e tij Islame. Pasi mori leje nga përlimtarja (bashkia-komuna) e Shkodrës dhe në marrëveshje me shtypshkronjën "Ora", vendosi të botonte në Shkodër revistën e tij mujore me titull: "Udha e s'vërtetës".
Si nga titulli i revistës, ashtu edhe nga përmbajtja e shkrimeve në të, del e qartë se ishte e pranishme fryma Islame në jetën dhe veprat e Hoxhë Kadriut, të cilat do të trajtohVi edhe në revistën e tij me vërtetësinë dhe sinqeritetin, me të cilat ishte gatuar jeta e tij. Nën titullin e revistës vinte motoja: "Kërkimi i së vërtetës është e drejtë e mendjes". Në numrin e parë të revistës Hoxhë Kadriu shqyrton temën me titull "Nevoja e fesë" duke u treguar njerëzve se feja duhet të mbrohet nga idetë e keqinterpretuara dhe të adaptuara gabim nga perëndimoret.(8) Po ashtu, Partia Islame "Xhernijeti (Bashkimi)" u themelua si parti politike shqiptare në Kuvendin e mbajtur në Shkup me 18 dhjetor 1918 me kryetar Nexhip Bej Draga nga Mitrovica. Ai kishte gazetën e tij, "Hakk" (Drejtësia), e cila proklamonte drejtësinë e myslimanëve shqiptarë dhe vendosjen e të drejtave të tyre që nëpërkëmbeshin nga kolonistët sllavë. Duke arritur fitore të mëdha në zgjedhjet e 18 marsit 1923 autoritetet serbe burgosën Ferhat Dragën dhe e ndaluan gazetën "Hakk".(9)
Pra, në shekullin XlX dhe në atë XX kishte disa ngjarje dhe evinemente që ndikuan në përhapjen e Islamit, por njëherit dhe në ngritjen e atdhedashurisë kombëtare shqiptare si dhe mbrojtjen nga okupatori serb. Dr Ferid Duka, historian që merret me studimin e periudhës Osmane në institutin e Historisë së Tiranës, lidhur me këtë çështje thotë: "Faktorët që determinuan përhapjen e Islamit në tokat shqiptare janë të ndryshëm, por një gjë duhet thënë: Nuk ka pasur një politikë islamizuese të zhvilluar, e tendencë të posaçme nga sunduesit osmanë. Të dhënat flasin se feja Islame është pranuar me dëshirë, nuk ka pasur dhunë në përhapjen e saj me qëllim që të imponohej si fe në masat e popullit shqiptar".(10)
Islamizimi i shqiptarëve ka qenë një pritë kundër presionit sllav, ashtu sikurse më parë, pranimi i katolicizmit kishte qenë një mbështetje kund - greqizmit të favorizuar nga ortodoks bizantine.(11)
Kasem Biçoku shpreh se: "Islamizmi dhe Katolicizmi u bënë dy barriera shumë të fuqishme për të ruajtur individualitetin dhe vetëdijën kombëtare të shqiptarëve, që kombi ynë të mos pësonte fatin e vllahëve, të cilët janë asimiluar prej fundamentalizmt ortodoks ballkanik."(12)
Ndërsa prof. Muhamet Pirraku thotë: "Valët e kalimit masiv të shqiptarëve në Islam vinin si pasojë e lëshimeve të mëdha të Sulltanit e të pushtetit qendrorë ndaj kishave."(13)
Duke sqaruar gjithë këtë tolerance që kishte Perandoria Osmane ndaj mileteve dhe etniteteve që ajo përbente strukturë e shtrirë në tre kontinente. simbolizon kulturën dhe karakterin e lartë të qytetërimit të formësuar nga Islami dhe traditat vendore duke nxjerrë në jetë një realitet historik. E vërteta e tolerancës u maskua pas perde së gabimeve të turqve të rinj (xhonturqve) në shekullin e fundit osman deri tek republika e Ataturkut ku ndodhi një shpërfytyrim metamorfoz i ide ntiteteve dhe prishje e harmonisë dhe tolerancës pesëshekullore që kishte mbizotëruar nga fryma Islame, duke reflektuar dhe tek shqiptarët të cilët i mbetën deri në fund besnikë Perandorisë Osmane.
__________________________
1. Mehmed Handzic, Islamizacija u Bosne i Hercegooiue, Sarajevë, 1940, f.28.
2. Dritan Egro, Mbi konvertimin fetar tek shqiprarët, Gazeta e përditshme e pavarur kosovare, viti V, nr. 2071, e hënë, 6 dhjetor 2010, f 25.
3. Arnold, Thomas, Historia e përhapjes së Islamit, Sh.b. "Dituria Islame", Prishtinë, 2004, f.181-182.
4. Prof Dr. Muhamet Pirraku, "Roli mobilizues i fesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, Revista Dituria Islame, Prishtinë, 2008, viti XXI, Nr. 215, f.30.
5. Malcolm, Noel, Kosova, një histori e shkurtër, Sh. b. "Koha Ditore”, Prishtinë, 2001, f.199.
6. Grup Autorësh, "Shtresimet e identitetit kulturor shqiptar”: Shtresimet e identiteti kombëtar, por më tutje nga dr.Milazim Krasniqi, shoqata kulturore “ZËRi YNË”, Prishtinë, 2003, f.73-74.
7. Sami Frashëri, Përhapja e islamit, Sh.b. "Logos-A", Shkup, 1994, f.64.
8. Qemajl Morina, Hoxhë Kadri Prishtina, mendimtari islam, Sh. b. "Dituria islame”. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 2000. f.5, 19.25.
9. Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar Vëllimi III. Sh.b. "Toena”, Tiranë, 2007, f.469-470.
10. Revista "Dituria Islame", nr.34 shkurt 1992,f.14.
11. Roca, Roberto Marco della, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë, 1994. f.9-10.
12. Kasem Biçoku, Falangat që rrezikojnë kombin shqiptar, Tiranë, 1999, f.71-72.
13. Muhamet Pirraku, Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë etnike, "Feja, kultura dhe tradita Islame ndër shqiptarët", Simpozium, Prishtinë, 15-17 Tetor 1992, Prishtinë, 1995. F.42-47.
Ma. sc. Arbër Berisha
Dituria Islame 349