Teubeja: Rikthimi në një jetë të dëlirë


Allahu i madhërishëm e ka krijuar njeriun në një natyrë ndryshe nga krijesat tjera; me një potencial për t’u orientuar edhe kah e mira, edhe kah e keqja. “Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.” (Shems, 91/7-8) Krijuesi Absolut thekson në Librin e Tij se njeriu u krijua në formën më të bukur: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Tin, 95/4) Andaj, po qe se orientohet drejt së keqes, duke mos e parë realitetin hyjnor, mund të bjerë në një shkallë më të ulët se kafshët. “Ne krijuam shumë nga xhindet dhe njerëzit për Xhehenem. Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë sy me të cilët nuk shohin dhe ata kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur; të tillët janë ata, të marrët.” (A’raf, 7/179) Prandaj, ajo që kërkohet nga njeriu, është që ai gjithmonë të orientohet kah e mira dhe, duke jetuar një jetë në përputhje me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut dhe të dërguarit të Tij, të fitojë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Bërja e teubesë në mënyrë të sinqertë dhe nga brendia e shpirtit, është adhurim dhe njëkohësisht është një mjet për rikthimin e vlerave të humbura më parë. Është mënyra për ripërtëritjen e jetës fetare dhe të besimit, si dhe rruga për riparimin e marrëdhënieve/raporteve të prishura me Zotin (xh. sh.).
Është e vërtetë që Allahu i madhërishëm na ka krijuar në mënyrën më të përkryer; ne gëzojmë një pamje fizike të plotë dhe të rregullt. Por, nuk mund të themi që njeriu, si qenie njerëzore, është i pagabueshëm. Njeriu është një qenie e cila vazhdimisht bashkëvepron me të tjerët dhe si qenie sociale është e detyruar që t’u përshtatet kushteve dhe ambientit ku ai jeton. Nëse ne pranojmë se jemi të gabueshëm, atëherë duhet të pranojmë edhe faktin tjetër që devijimet në këtë rrugë të gjatë janë të pashmangshme. Shumë herë dëgjojmë shprehjen “gabimi është njerëzor”, ndërkohë që nuk përpiqemi që gabimit të bërë t’i gjejmë edhe zgjidhje njerëzore. Në fund të fundit, nëse gabimi është njerëzor, përpjekja për ta rregulluar apo për ta përmirësuar gabimin është aksion për ta rregulluar njeriun, ndërsa nëse rregullohet njeriu - vetvetiu përmirësohet e tërë shoqëria.
Gjëja e parë që duhet bërë çdo individ është të analizojë vetveten: a ka gabime, apo më mirë me thënë - sa gabime ka. Pra, nëse vetëdijesohemi se ajo që kemi bërë është gabim, atëherë të ndalemi dhe të mendojmë se a ka shpëtim nga kjo rrugë e nisur. Në këtë rast, feja jonë e ndritur, Islami, pa dyshim që na jep këshillën e saj të artë, çelësin e pastrimit të mëkateve dhe të gabimeve. Ajo na udhëzon për të kërkuar atë që në gjuhën e Islamit quhet teube, apo pendim. Dhe, kështu, hapi i parë që duhet të ndjekë njeriu për të korrigjuar veten dhe për të shkuar drejt mirësisë është të pendohet për gabimin e bërë. Prandaj, që njeriu të fitojë sigurinë në vetvete, të fitojë qetësinë shpirtërore dhe të jetë në gjendje të përballojë sfida të ndryshme, duhet të lidhet me Zotin e madhërishëm në çdo moment, duke i shprehur pendimin e tij për gabimin e bërë dhe duke iu lutur përherë vetëm me sinqeritet. Pendimi është rruga që i afrohet besimtarit, në mënyrë që ai të mbërrijë tek Zoti i tij pa pasur nevojë për ndërmjetës.
Në momentin e pendimit zemra e djegur, e prekur dhe e vrarë nga mëkati qëndron para Zotit të botëve. Porta e mëshirës së Zotit mëshirëdhurues gjithnjë i pret nevojtarët që të trokasin në të. Pejgamberi thoshte: “Ai që pendohet nga gjynahu, është i pastër si ai që nuk ka bërë gjynahe asnjëherë.” Andaj, shfrytëzoje këtë rast madhështor, pastroje veten me teube, me pendim, në veçanti tani në prag të muajt të mëshirës-Ramazanit.
Megjithatë njeriu, nga dobësitë që ngërthen në vete dhe nga ndikimet mjedisore, me vetëdije apo pavetëdije, kohë pas kohe zhytet në mëkate. Allahu i madhërishëm, duke u falur robërve të vet “pendesën dhe kërkesën për falje” (teube-istigafarin), ka hapur një “derë të mëshirës” për t’i shpëtuar nga kjo situatë. Personi i cili e kujton Krijuesin menjëherë pasi që ka bërë ndonjë mëkat, duke lënë mënjanë dëshpërimin (pesimizmin), nëpërmjet të këtij akti hyn në përpjekjen (gajretin) për ta përforcuar besimin: “Edhe ata të clët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetes së tyre, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre - e kush i fal mëkatet përveç Allahut? - dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë me ato që kanë punuar (në të keqen).” (Al’-i Imran, 3/135)
Kështu njeriu, në sajë të kësaj, shpëton nga veprimi i mëkateve të tjera dhe me një shpirt të ri e të dëlirë i afrohet edhe më tepër Zotit (xh. sh.). Në këtë mënyrë ai tregon një përpjekje më të madhe për t’i zbatuar urdhrat dhe për t’u larguar nga ndalesat e Allahut të madhërishëm. Nga ana tjetër, madje edhe atëherë kur nuk kemi bërë asnjë mëkat, praktikimi i teube-istigfarit është një freskim nga vështirësitë, nga hidhërimet dhe brengat e jetës; në sajë të kësaj sjelljeje Allahu na furnizon andej kah nuk e presim fare. Por, ata të cilët bëjnë një mëkat dhe nuk pendohen, do të privohen nga dhuntitë e ahiretit.
Nuk duhet harruar se roli i pendimit në jetën e njeriut është shumë i madh. Sepse njeriu, nëpërmjet pendimit i drejtohet Allahut dhe, duke e përforcuar besimin, rikthehet përsëri në jetë. Në sajë të teubesë ai inkuadrohet në shoqëri, pra jeton një jetë të lumtur dhe të sigurt bashkë me ata të cilët veprojnë në përputhje me urdhrat e Zotit (xh. sh.) dhe me porositë e Pejgamberit (a. s.). Me ata jeton një jetë të lumtur dhe të sigurt


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi