Vetëm momenti i çlirimit të Mekës, ku i fali edhe armiqtë më të përbetuar të tij, për personalitetin e Pejgamberit tonë, Muhamedin (a.s.), të brumosur me frymëzim hyjnor. O Zot, na mundëso ta njohim më mirë të Dërguarin Tënd dhe të ndjekim mësimet e tij.
Muhamedi (a.s.), nuri i gjithësisë, ka nderuar botën tonë me lindjen e tij, pak para se të agojë dita e hënë e 12 rebiul evvelit, që përkon me datën 20 prill të vitit 571. Dhe, sa herë që vjen kjo datë përkujton lindjen e Pejgamberit të mëshirës dhe na detyron sërish të përkujtojmë personalitetin e tij të lartë.
Figura e Muhamedit (a.s.) ka bashkuar në vetvete përsosurinë morale etike, që është në gjendje t’u japë përgjigje të gjitha kërkesave. Vetëm personaliteti i tij mund t’u bëhet prijës dhe udhëzues i të gjitha etapave të jetës së njerëzve të ndodhur në situata të ndryshme. Ai përbën momentin bazë të edukimit të njerëzve në botë. Ai shpërndan dritë mbi rrugën e atyre që kërkojnë dritë. Orientimi i tij është një dritë ndriçuese dhe e pagabueshme për çdo njeri që kërkon rrugën e drejtë. Ai është prijësi dhe mësuesi i vetëm i të gjithë njerëzimit Referenca më e saktë, më e qartë dhe më e bukur për të kuptuar personalitetin e të dërguarit të Allahut pa dyshim që është Dërguesi i tij, pra Allahu madhëriplotë, respektivisht fjala e Tij Kurani Fisnik.
Andaj, sikurse neve që na e ka mësuar Kuranin i dërguari i Zotit, po ashtu edhe Kurani na e tregon personalitetin e tij, madje duke na e bërë të ditur edhe arsyen dhe qëllimin pse pikërisht është përzgjedhur Muhamedi (a. s.). Dhe, arsye pse ai është zgjedhur si pejgamber, është morali i bukur i tij, veçori të cilat çdo kush i di dhe askush nuk mund t’i mohojë, përfshi edhe kundërshtarët e tij.
Sureja Kalem, brenda së cilës gjendet ajeti që thekson se i Dërguari (a.s.) qëndron mbi një moral të mrekullueshëm, është ndër suret e para të shpallura. Nga ky fakt kuptohet që morali i mrekullueshëm edhe përpara pejgamberllëkut të tij kishte lënë gjurmë të thella te çdonjëri që e njihte atë. Personaliteti i tij ka qenë shëmbëlltyrë prej së cilës është mahnitur çdokush.
Dihet fortë mirë se nga ana e mekkasve, atij edhe para Islamit, për shkak të sinqeritetit të tij, i ishte dhënë emri el-Emin (i sinqerti, besniku). Pra, morali i tij ishte prodhim i formatimit hyjnor, të cilin e kishte ndërtuar Allahu madhëriplotë.
Me fillimin e shpalljes kuranore, morali i tij i mrekullueshëm kishte kaluar përmes kullueses së Kuranit dhe kishte marrë një pamje edhe më të mrekullueshme nga ç’ishte. Besimin dhe parmet e tij, llojet e adhurimeve dhe kushtet e tyre, virtytet morale dhe esencën e ligjeve i mësoi nëpërmjet shpalljes që ia dërgoi Zoti madhëriplotë.
Aisheja (r.a.), e cila aludon në këtë të vërtetë, kur e kanë pyetur për moralin e të Dërguarit (a. s.), është përgjigjur kështu: “Ju a nuk e lexoni Kuranin? Morali i tij ishte Kurani.”
Morali i tij ishte Kurani, sepse ai ishte forma e Kuranit, e transformuar në njeri. Ai me plot kuptimin e fjalës gdhihej me Kuran dhe lëviz, punon, flet, vepron dhe ngryset me Kuran. Ashtu siç është reflektuar Kurani në jetën e të Dërguarit Fisnik, gjatë njëzet e tre viteve të periudhës pejgamberike, në të gjitha sjelljet dhe fjalët e tij ka reflektuar shpalljen kuranore. Prandaj themi se pejgamberi është një jetë e mbrujtur me Kuran dhe se i Dërguari ishte Kuran i gjallë.
Siç dihet, pranë parimeve dhe bindjeve fetare morali është një ndër shtyllat themelore të fesë. Posedimi i bindjeve të shëndosha, respektimi i kufijve të vendosur nga Allahu i Madhërishëm dhe zbukurimi me veti dhe vlera morale të shëndosha, krijon një personalitet dhe shoqëri madhështore.
Nuk duhet harruar se vendosja e moralit dhe edukatës në tokë ka qenë misioni parësor i të dërguarve të Zotit, ku i dërguari i fundit i fesë islame, Muhamedi (a.s.), ka thënë se jam dërguar për ta përsosur moralin te njerëzit. Prandaj, duke marrë parasysh të gjitha veçoritë e bukura të tij, vetitë e larta morale, Allahu madhëriplotë njerëzisë ia prezanton si “shembulli më i bukur”.
Tek i Dërguari i Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.
Tani përballë aktualitetit bashkëkohor, edhe në këtë përvjetor të lindjes së tij, le të kujtojmë përpjekjet që bëri i Dërguari i Allahut një jetë të tërë. Të kujtojmë që ai është Pejgamberi që përcillte mesazhin hyjnor “kush vret ndokënd..., është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve”.
Le të kujtojmë për një moment se ai ishte i Dërguar: mëshirë për botët. Ai i mësoi ithtarët e vet të përshëndeten me paqe, po edhe të bëhen gjeneratorë të paqes. Le të mendojmë qëndrimet e tij plot dhembshuri, kur në kohët më delikate e më të rrezikshme për të, derisa i ishin vënë në dispozicion malet për të mundur dhe shkatërruar armikun, ai kurrë nuk u soll ashpër me njerëzit, madje edhe kur mbeti në fushë të luftës me dhëmbë të thyer dhe me fytyrën tërë gjak ai s’mallkoi, por uroi për të mirë. Vetëm momenti i çlirimit të Mekës, ku i fali edhe armiqtë më të përbetuar të tij, tregon personalitetin e tij madhështor të brumosur me frymëzim hyjnor.
O Zot, na mundëso ta njohim më mirë të Dërguarin Tënd dhe të ndjekim mësimet e tij.