Të drejtat e zotërisë sonë Muhamed a.s. ndaj nesh


Allahu e ka veçuar të Dërguarin me pozita të larta, dinjitet, përsosmëri në krijim dhe bukuri në pamje, me fuqi të mendjes dhe përsosje të shqisave, me natyrshmëri, prejardhje fisnike, moral, etikë, vendosmëri, dije, durim, mirënjohje, burrëri, asketizëm, përulësi, bujari, guxim, modesti, mëshirë, trimëri e devotshmëri.

Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Vërtet ti je me moral madhështor.” (El Kalem: 4).

Allahu e ka nderuar atë me miqësi të ngushtë, dashuri dhe me favore e virtyte të tjera që nuk i përshkruan penda dhe nuk mjafton letra. E gjithë kjo për misionin fisnik të pejgamberisë, për të cilin Zoti i Plotfuqishëm e ka krijuar atë: “O Pejgamber! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; dhe si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (El Ahzab: 45, 46).

Zoti ka caktuar të drejta për Pejgamberin ndaj pejgambereve të mëhershëm. Nga këto të drejta janë premtimi që ka marrë Allahu nga pejgamberët që ata ta besojnë pejgamberin e tij dhe ta pasojnë atë në qoftë se ata do ta arrinin atë. I Plotfuqishmi ka thënë: “Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga pejgamberët: ‘Çfarëdo që t’ ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë juve, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë!” (Al Imran: 81).

Zoti ka caktuar të drejta për Pejgamberin edhe ndaj ymetit. Prej të drejtave të tij është që ta besojnë, sepse askush s’mund të jetë mysliman nëse nuk e pranon pa mëdyshje për pejgamber Muhamedin a.s.: “Kush nuk beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, ta dijë se Ne kemi përgatitur për mohuesit një Zjarr flakërues!” (El Fat’ h: 13).

Në hadithin sahih, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, cilido njeri nga ky ymet, apo cilido jehudi dhe i krishterë, që dëgjon për mua e nuk më beson, ai do të jetë banor i Xhehenemit”.

Prej të drejtave të tij është dashuria e myslimanëve ndaj tij. Pejgamberi a.s. në hadithin që e transmeton Buhariu ka thënë: “Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nuk ka besuar asnjëri nga ju derisa të mos jem unë për të më i dashur se babai, djali dhe të gjithë njerëzit.”

Bindja e plotë në pejgamberin e Muhamedit a.s. është pasimi i plotë duke iu bindur në atë që ka urdhëruar dhe duke iu shmangur asaj që ka ndaluar: “Çfarëdo që t’ ju japë i Dërguari, merreni atë, prej çfarëdo që t’ jua ndalojë, hiqni dorë.” (El Hasher: 7). “Thuaj (Muhamed): ‘O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij, të Cilit i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës.” (El Araf: 158)

Prej të drejtave të Pejgamberit a.s. është ndihma dhe mbrojtja e tij: “Që ti besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin a.s.) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun xh.sh.) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.” (El Feth: 9). Kjo ndihmë nënkupton mbrojtjen e fesë islame dhe të synetit të tij.

Prej të drejtave të tij ndaj ymetit është edhe ruajtja e të afërmve të tij, bashkëshorteve dhe të familjes së tij, të cilët i ka fisnikëruar Allahu dhe i ka pastruar ata. E kemi për obligim të lexojmë salavate sa herë dëgjojmë emrin e tij. Allahume Sali ala Muhamedin ve ala alibi ve sahbihi!

O Allah, na bëj t’ i kryejmë obligimet tona ndaj të Dashurit tonë a.s., na dhuro shefatin e tij dhe na mundëso të jemi në fqinjesi me të në Xhenet!