Zanafilla e medreseve në trojet shqiptare


Organizimi dhe funksionimi i medreseve në trojet shqiptare


Me shtrirjen e mejtepeve gjithandej trojeve shqiptare, lindi nevoja edhe për hapjen e medreseve të cilat ishin shkolla të mesme po ashtu fetare. Për dallim nga mejtepet të cilat krahas qyteteve u përhapën edhe në fshatra, medresetë u hapën vetëm në qytete.
Medresetë e para në trojet shqiptare datojnë nga fillimi i shekullit XV. Ato u ndërtuan pranë mejtepeve në qytetet kryesore. Në bazë të burimeve historike mund të konstatojmë që njëra ndër medresetë e para në trojet shqiptare është medreseja e Is’hak beut (Isa Beut) në Shkup, e ndërtuar në vitin 1440.(1) Kjo medrese ishte e njohur me emrin “Is’hakaja e Shkupit” dhe ka qenë ndër medresetë më të njohura të Ballkanit. Mësimdhënësit e saj ishin dijetarët më të shquar të kohës, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Myderrizi i parë në këtë medrese ka qenë Shuxhaudin Iljazi me pseudonimin “dijetari i Shkupit”, i cili punoi aty për dyzet vjet. Ndërsa në vitin 1434 është hapur medreseja e Sinanudin Jusuf Çelebiut në qytetin e Manastirit. Duke filluar nga shekulli XVI janë ndërtuar medrese në të gjitha qytetet shqiptare, madje në disa qytete të mëdha janë ndërtuar më shumë se një medrese. Në Kosovë medresetë e para janë ndërtuar në mes të shekullit XV. Medreseja më e vjetër në Kosovë e cila është ndërtuar mes viteve 1444-1455, është medreseja e Gazi Ali Begut në Vushtrri. Para vitit 1516 në Pejë është ndërtuar Medreseja e Vjetër e Pejës e njohur ndryshe si “Medrese-i Atik” e ndërtuar nga Mehmet Beu. Në vitin 1537, Mehmet pashë Jahjapashai e ndërtoi medresenë e Prizrenit. Ndërsa në Prishtinë para vitin 1566 është ndërtuar medreseja nga Besharet Begut, po me këtë emër.(2)
Ndërsa, sot në Prishtinë ekziston medreseja e mesme “Alauddin” e cila filloi punën nga viti shkollor 1962-1963, me vendimin numër 759/65 të ish-Kryesisë Supreme Islame për Republikën Socialiste Federale të ish-Jugosllavisë me qendër në Sarajeve të Bosnjës,(3) (pra si çdo bashkësi islame tjetër në ish-Jugosllavi edhe Bashkësia Islame e Kosovës ishte në kuadër të KSI-së të RSFJ-së). Kjo medrese që nga ajo kohë e vështirë e deri më sot ndikoi shumë në zhvillimin e arsimit shqip në Kosovë.
Plan-programi i medreseve dhe rëndësia e tyre si institucione të larta edukativo-arsimore në trojet shqiptare
Plan-programi i medreseve në krahasim me mejtepet ishte më i zgjeruar, ngase edhe cikli i shkollimit ishte më i lartë, por që zhvillohej mbi atë bazament të mësimeve të mejtepit, vetëm se ishte më i zgjeruar dhe përfshinte edhe disa lëndë shtesë.
Programi mësimor i medreseve përfshinte lëndët fetare dhe lëndët shkencore. Medresetë në trojet shqiptare u ngritën nga bamirësit myslimanë shqiptarë me funksione të ndryshme si: guvernatorë, çifligar, ushtarak etj., me të vetmin qëllim, atë të arsimimit të popullit.(4)
Në medrese, ndër të tjera mësohej gramatika dhe sintaksa arabe, tefsiri (komentimi i sureve të Kuranit), hadithi (thëniet e Pejgamberit Muhamed a.s.), e drejta e Sheriati etj. Plan-programi i medreseve u avancua dukshëm në periudhën e Sulltan Sylejmanit (1520-1566), nga mesi i shekullit XVI, nga kjo kohë në medrese mësoheshin edhe lëndët si jurisprudenca islame, letërsia arabe, mjekësia, matematika, shkencat natyrore (astronomia, gjeometria, fizika, kimia etj. Edhe medresetë e trojeve shqiptare duke qenë në juridiksionin e Perandorisë Osmane kanë punuar sipas këtij programi edukativo-arsimorë,(5) por kuptohet se nuk ishin të famshme si medresetë e Stambollit, për faktin se në medresetë e kryeqendrës osmane punonin dijetarët (mësimdhënësit) më të mirë në të gjithë perandorinë. Ka pasur edhe raste kur nxënësit shqiptarë nga mejtepet e trojeve shqiptare kanë studiuar edhe në medresetë më të famshme të kohës në Stamboll, Bagdad, Aleksandri etj.,(6) dhe kanë arritur rezultate të mëdha, ndër ta Hasan Tahsini, Hafiz Ali Korça etj.
Si institucione edukativo-arsimore, medresetë ndesheshin në: medrese të ulëta që shërbenin si shkolla të mesme dhe medrese të larta që shërbenin si fakultete. Nga shekulli XV u ndërtuan shumë medrese në Anadoll ashtu dhe në Ballkan. Medresetë në shumicën e rasteve ndërtoheshin pranë xhamive. Nxënësit që vijonin mësimin në medrese quheshin talebe, ata banonin në objektet përcjellëse të medreseve (konvikte). Aty edhe ushqeheshin në imarete (të cilat ishin kuzhina të vakëfeve). Të gjitha medresetë i kishin bibliotekat e tyre të cilat i shfrytëzonin si nxënësit, ashtu edhe mësimdhënësit.(7) Prej shekullit XV në Ballkan u formuan vakëfet fetare myslimane, me të ardhurat e të cilave funksiononin xhamitë dhe medresetë.(8)
Pas përfundimit me sukses të shkollimit në medrese, nxënësve u jepej diploma e cila quhej “Ixhazetnameja”. Sipas të dhënave të udhëpërshkruesit të njohur Evlija Çelebiu, deri në gjysmën e dytë e shekulli XVII janë hapur medrese në çdo qytet shqiptar. Sipas shkrimeve të tij ai përmend se në Vushtrri kishte një medrese, në Prishtinë, Lezhë kishte disa medrese (nuk i përmend me numra, kjo tregon se kishte më shumë se një medrese). Ai vazhdon më tej dhe pohon që Shkodra kishte shtatë medrese, Bushati një medrese, Delvina dhe Gjirokastra kishin nga tre medrese, Përmeti dhe Roshaku (rrethinë e Beratit) nga një medrese, Berati pesë medrese, Vlora tre medrese, Kavaja dy medrese, Peqini tre medrese, Elbasani kishte disa medrese, Struga një medrese, Ohri dy medrese. Ndërsa sipas burimeve tjera, Shkupi trembëdhjetë medrese, Prizreni pesë medrese, Gjakova dhe Peja nga dy medrese, Gjilani dhe Tirana nga një medrese, ndërsa Delvina kishte dhjetë medrese.(9) Numri i nxënësve në medrese ishte i kufizuar. Në medrese përgatiteshin klerikët e ardhshëm myslimanë, të cilët punësoheshin kryesisht në institucionet fetare islame dhe në administratën perandorake osmane. Kështu me kalimin e kohës në trojet shqiptare u formua një shtresë intelektualësh të pajisur me dije dhe kulturë islame.(10) Edhe në shekullin XVIII, u hapën medrese të reja në qytetet shqiptare të cilat jo vetëm që ishin më të bukura nga aspekti arkitektonik, por edhe plan-programet i kishin më të avancuara. Në dekadën e parë të këtij shekulli është ndërtuar edhe Medreseja e Madhe e Gjakovës nga familja e Kurtpashajve (Kryezinjve) në vitin 1707. Ngritjen e kësaj medreseje e ka financuar Murad Begu, i cili ishte i biri i Adem Pashë Gjakovës. Kjo medrese ishte shumë e njohur gjithandej trojeve shqiptare. Edhe në Shkodër e Janinë gjatë sundimit të pashallarëve shqiptarë u ngritën disa medrese të cilat për kohën dhe rrethanat ishin shumë të rëndësishme në zhvillimin e arsimit.(11) Prandaj roli i këtyre medreseve ishte shumë i madh ngase ndikuan që shumë breza të shkolloheshin dhe edukoheshin. Meritë të veçantë kishin klerikët myslimanë të cilët punuan shumë në këtë drejtim.


_______________
[1] Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame, 64.
[2] Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare, 231-232.
[3] Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame, 72-73.
[4] Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame, 60.
[5] Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare, 233-234.
[6] Anamali et:al, Historia e popullit shqiptar, 705.
[7] Rizaj, Historia e Përgjithshme, 68-69.
[8] Oliver Jens Schmitt, Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, (Tiranë: Shtypshkronja Gutenberg, 2012), 64.
[9] Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare, 234-235.
[10] Anamali et:al, Historia e popullit shqiptar, 705.
[11] Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare, 235-237.



Drin Aliu
Dituria Islame 361


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë ramazani në qytetin tonë