Ramazani muaji i mirësive


Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e papërsëritshme që të përmirësojmë gjendjen tonë jo të mirë morale sepse "Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç'kanë në vetvete. " (Er Ra'd: 11).

Secili përgjegjës i familjes duhet të kujdeset për familjen e tij veçanërisht në këtë muaj duke i nxitur ata të agjërojnë, të dinë rregullat e tij, të pendohen, të falen, të lexojnë Kuranin dhe të shtojnë veprat e mira. Secili duhet të kultivojë tek ata ndjenjën se bindja ndaj Allahut është rruga e suksesit dhe shpëtimit në dynja dhe Ahiret.
Ramazani është muaji i pendimit, i dhikrit dhe adhurimit të Allahut në çdo çast dhe i shtimit të veprave të mira. Në të jilloi zbritja e Kuranit fisnik, me të cilin Muhammedi a.s u urdhërua nga Allahu që t'i ftojë njerëzit në fenë e vërtetë - në Islam. Ai është muaji i mirësive dhe i begative, muaji i shpërblimeve dhe dhuratave të pamasa: "Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t'i falen mëkatet e mëhershme.” (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi është një metodë perfekte për zhvillimin e virtyteve individuale dhe për kontrollin e vetvetes. Ai synon ta pasurojë shpirtin dhe zemrën me sinqeritet, mëshirë, mirësi dhe humanizëm.
Pejgamberi a.s. i përgëzonte shokët e tij me ardhjen e muajit fisnik dhe u thoshte: "U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët. Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e saj është privuar (prej shumë të mirave)." Sigurisht se besimtari gëzohet me hapjen e dyerve të xhenetit, mbylljen e dyerve të xhehenemit dhe me lidhjen e shejtanëve.
Muaji i Ramazanit është kohë e pendimit të sinqertë, e pastrimit të zemrave, e ngjitjes dhe lartësimit të shpirtrave drejt pastërtisë dhe dëlirësisë, larg materies dhe nefsit, duke dalë në fund me gabime të falura, pa mëkate, sikurse kemi lindur të pastër e pa gjynahe. Ramazani është koha e adhurimit ku njeriu i tëri i përkushtohet Allahut dhe kur reduktohet roli i stomakut. Ai nuk është muaji i ngrënies dhe pijes pa masë. I Dërguari i Allahut na këshillon që të mos e teprojmë me ushqim dhe pije dhe kjo vlen edhe gjatë kohës së iftarit: "Njeriu kurrë nuk mbush enë më të keqe se stomakun e tij ... një pjesë të stomakut le ta mbushë me ushqim, një pjesë me ujë dhe një pjesë le ta lërë të zbrazet që të marrë frymë lirshëm." (Tirmidhi dhe Ibn Maxhe).
Agjëruesi nuk duhet të përgojojë, të mashtrojë, të gënjejë, sepse veshi, syri, gjuha, mendja dhe zemra e tij duhet të agjërojë nga çdo gjë që shkakton zemërimin e Allahut. Agjëruesi duhet të jetë i përmbajtur dhe të mos flasë fjalë të papëlqyeshme, të mos bëjë vepra të ndaluara dhe të tregojë respekt ndaj agjërimit të tij. Dhe nëse ndodh që dikush ta ofendojë atë, ai nuk i përgjigjet atij në të njëjtën mënyrë. Pejgamberi a.s. thotë: "Agjërimi mbron nga morali i keq, sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse e shan dikush ose e sulmon, lë të thotë: "Unë agjëroj, unë agjëroj." (Buhari dhe Muslimi).
Muhammedi a.s ka thënë: "Edhe agjërimi, edhe Kurani, Ditën e Ringjalljes do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të natyrshme. Pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij!" Edhe Kurani do të thotë: "O Zot! Unë lexuesin e pengova natën nga gjumi dhe pushimi: jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij!"
Agjërimi është mëshirë e Allahut që ua ka dhuruar robërve të Vet, duke i udhëzuar ata në atë që është e dobishme për trupin dhe shëndetin e tyre, në mënyrë që të arrijnë jetë të lumtur dhe të denjë në këtë botë dhe shpërblimin në botën tjetër.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi