Ramazani është muaji për të cilin Muhamedi s.a.v.s., i përgëzonte shokët e vet me ardhjen e tij duke u thënë: “U erdhi Ramazani, muaji i bereqetit, Allahu ua bëri obligim duhet të agjëroni – në te hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit –lidhen djajtë – në të është një natë më e mirë se një mijë muaj (Nata e Kadrit); ai që e ka privuar veten nga këto të mira, do të jetë prej të privuarve.” (Transmeton Nesaiu)
Thotë Ibn Rexhepi: “Si mos të gëzohet besimtari për hapjen e Xhenetit, si mos të përgëzohet ai mëkatar të cilit i mbyllen dyert e Xhehenemit, si mos të përgëzohet ai i mençuri për kohën gjatë të cilit muaj djajtë janë të pranguar e nuk ka kush që e pengon në adhurim.”
a) Ramazani – muaji i Kuranit
Me të vërtetë, Kurani është fjala e Allahut të Madhërishëm, që ia zbriti Muhamedit a.s., për t’i treguar njerëzimit rrugën e drejtë dhe ai i cili i përmbahet Kuranit, do të jetë i udhëzuar. E kush largohet nga ai, do të jetë në një humbje të mjerueshme.
Në muajin Ramazani zbritën ajetet e para kuranore: “Lexo në emër të Zotit tënd...” (El-Alak 1-5) Pikërisht në këtë muaj, Allahu Fuqiplotë, mbi çdo gjë, përparësi i dha dijes; na urdhëroi që të lexojmë, të mësojmë, të ngritemi intelektualisht.
Allahu xh.sh., thotë në Kuran: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). (El-Bekare, 185). Allahu i Madhëruar me këtë ajet e veçon muajin e Ramazanit, pasi atë e ka zgjedhur ndër muajt e tjerë për shpalljen e fjalës së Vet, të Kuranit madhështor.
Ekzistojnë hadithe të shumta që kanë të bëjnë me leximin dhe studimin e Kuranit: “Kush e këndon Kuranin me saktësi, bën pjesë në shoqërinë e melaqeve të ndershme dhe të mira, ndërsa ai që gjatë tij (këndimit) belbëzon dhe e lexon me mundim, për këtë ka dy dhurata. Dhurata është sipas masës së angazhimit.”
Muhamedi a.s., ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin vetë dhe që ua mëson të tjerëve”.
Po ashtu, Muhamedi a.s., thotë: “Njerëzit më të ndershëm ndër pasardhësit e mi janë hafëzat e Kuranit dhe ata të cilët natën i bëjnë ibadet Allahut (xh. sh.).“
Po ashtu, Muhamedi a.s., ka thënë: “Lexoni Kuran, sepse ai në Ditën e Gjykimit do të paraqitet si ndërmjetësues për faljen e gabimeve ndaj tyre që e kanë lexuar!”
Është e njohur se Pejgamberi a.s., në mënyrë intensive ka lexuar Kuran para melaqes Xhibril pikërisht në këtë muaj të bekuar të Ramazanit.
b) Mukabelet e leximit të Kuranit në Ramazan
Leximi i Kuranit gjatë muajit të Ramazanit përkujton fillimin e zbritjes së Kur’anit si dhe kohën kur Profeti Muhamedi a.s., lexonte Kuranin në prani të Xhebrailit a.s. Leximi dhe praktikimi i Kuranit ka arritur deri në ditët tona, ku gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit nëpër çdo xhami lexohet në grup dhe në këtë mënyrë emërtohet edhe ndryshe si “mukabele”.
Mukabele nga ana leksikologjike nënkupton “të lexuarit ballë për ballë duke e kontrolluar”, ashtu sikurse në të gjitha vendet e botës islame edhe në Kosovë ndiqet dhe praktikohet nga shumë besimtarë. Mukabele-ja zakonisht lexohet nga hafizët ose imamët e xhamive, ndërkohë ndiqet dhe kontrollohet nga besimtarë të cilët duke u ulur përballë personit që këndon Kurani-kerimin kontrollojnë dhe ndjekin leximin e tij.
Leximi i Kuranit dhe mukabalasë në Ramazan në një qytet përfaqëson simbolikisht muajin e Kuranit sepse Ramazani është muaji më i zgjedhur. Mukabela përfaqëson një formë mbrojtjeje dhe bereqetit për të gjithë banorët e atij vendi, jo vetëm për ata që e lexojnë dhe e përcjellin duke e dëgjuar mukabelan, pra mendojmë për qytetin në përgjithësi. Bereqeti i Kuranit del nga xhamia, efekti i mukabelasë kalon përmes xhematlinjve tanë në shtëpitë e tyre dhe përhapet më tej.
c) Nevoja e përkthimit të Kuranit
Nevoja për përkthimin e Kuranit në gjuhë të tjera përkon me përhapjen e islamit dhe shteteve myslimane nga njëra anë, dhe fushatave misionare të kolonizatorëve krishterë, nga ana tjetër. Të parët që ishin të interesuar për përkthimin e Kuranit, ishin orientalistët, turqit dhe persianët. Sa i përket persianëve, Tibawi, në artikullin e përmendur, e përmend deklaratën të cilën e përmend en-Nedevi në El-Mexhmu', që disa njerëz nga Persia kërkuan nga Selman Farisiu që tu shkruajë atyre diçka nga Kurani, dhe ai u shkroi suren el-Fatiha në persishte.
Megjithatë, nuk mund të përcaktohet me saktësi dhe me siguri nëse përkthimi i sures së përmendur nga Farisiu është shfaqur gjatë jetës së Muhammedit a.s., ose pas vdekjes së tij.
Përkthimi më i vjetër i Kuranit, sipas Ekmeleddin Ihsano?lu, është në persisht. Ky përkthim është bërë në vitin 345 hixhri - (956 pas Isait a.s.) në kohën e princit samadij, Mensur bin Nuhut (i cili sundoi gjatë viteve 348-364 pas hixhretit, 961-976 pas Isait a.s.).
Përkthimi i parë i Kuranit në Evropë ishte në gjuhën latine, në vitin 1543, nga përkthyesi anglez Robert K. (Robertus Ketenensis). Ky përkthim është bërë në vitin 1143, por mbeti i fshehur, për nevojat e brendshme të kishës, për 400 vite të plota, deri në 1543, kur për herë të parë është botuar në Bruksel nga Theodor Biblianderi. Si rezultat i këtij përkthimi u shfaqën përkthimet e tjera të Kuranit në gjuhë të tjera.
Nuk ka njeri i cili do të jetë në gjendje që Kuranin e madhërishëm të e përkthen me gjithë atë forcë të pakrahasueshme, energjinë e stilit dhe bukurisë së shprehjes së tij, si dhe atyre përshtypjeve të pabesueshme, që Kurani lë në çdo lexues.
Dijetari i madh boshnjak, profesor Husein ?ozo, rreth përkthimit dhe interpretimit të tij të Kuranit, thotë: "Detyra e komenteve tona është që brenda kufijve të aftësive dhe mundësive tona që na ofron koha në të cilën jetojmë, si dhe niveli i përgjithshëm i të arriturave shkencore, të nxirren në pah mësimet themelore të Kuranit dhe që koncepteve islame t’u jep interpretime më të reja dhe më moderne ... "
Muhammed Asadi, në përkthimin e tij të Kuranit në gjuhën angleze me titull: The Message of the Qur'an (Mesazhi i Kuranit) thotë: „Edhe pse është i pamundur reproduktimi i Kuranit si i tillë në ndonjë gjuhë tjetër... unë jam plotësisht i vetëdijshëm se përkthimi im nuk "veproi me drejtësi", e as që kishte mundësi, kundrejt Kuranit dhe shtresave të panumërta të kuptimit të tij .”
Në pyetjen e parashtruar nga dr. Enes Kari? rreth përkthyeshmërisë dhe përkthimit të Kuranit, në një intervistë që kishte me dr. Sejid Husein Nasrin, dr. Nasri dha këtë përgjigje: "Sa i përket përkthimit, nga një pikëpamje Kurani është i papërkthyeshëm, në atë kuptim se duke qenë se është shpallur në gjuhën arabe, solli me vete edhe përfundimin, së paku sa i përket formës në të cilën Zoti deshi që Shpallja e Tij e fundit t’i zbulohet njerëzimit. (...)
d) Leximi i përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe
Ndikimi i Kuranit në jetën e shqiptarëve është i pranishëm që nga shek. XV, atëherë kur zuri fill edhe përhapja e Islamit në vise shqiptare. Mirëpo, krahasuar me popujt e tjerë evropianë, Kurani tek shqiptarët është përkthyer relativisht vonë.
Pra, nuk ka dyshim që përkthimi i Kuranit nuk mund të quhet Kuran, sepse çdo përkthim në ndonjë gjuhë tjetër dhe nga çdo autor (përkthyes), nuk mund të transferojë të gjitha synimet, qëllimet, shtresimit stilistike (si alegoria, etj.) dhe thelbin e Kuranit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk e lejuar për të përkthyer Kuranin në gjuhë të tjera (me qëllim të kuptuarit).
Përkthimi i parë i pjesshëm i Kuranit në gjuhën shqipe daton nga mesi i viteve të 20-ta të shekullit të kaluar. Mund të duket e çuditshme, por e vërteta është se përkthyesi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe ishte shqiptari ortodoks i krishterë nga Korça - Shqipëria, Ilo Mitko Qafëzezi. Ai në vitin 1921 e bëri përkthimin e pjesshëm të Kuranit në gjuhën shqipe, duke iu referuar përkthimit të Kuranit nga George Sale, në gjuhën angleze.
Megjithatë, është fakt se edhe para këtij përkthimi të Ilo Mitko Qafëzezit, që në vitin 1894, pjesë dhe sure nga Kurani, i përktheu shkrimtari i famshëm shqiptar dhe intelektuali, Naim Frashëri, me titull: “Thelb i Kuranit”, të botuar në librin e tij "Mësime", në Bukuresht.
Në kulmin e përpjekjeve rreth përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe ballafaqohemi me dy dijetarë të njohur islam dhe hafëzë tek shqiptarët në Shqipëri: Hafëz Ali Korça dhe Hafëz Ibrahim Dalliu. I pari kishte botuar përkthimin e 37 ajeteve dhe dy sureve të Kuranit në Shkodër në vitin 1926, kurse i dyti nga viti 1929 deri në vitin 1944, në tre vëllime botoi përkthimin e 7 sureve (El-Bekare - El-A'raf) me titull: „Ajka e kuptimeve të Kur’anit Qerimit”. Ky përkthim është shoqëruar me një koment nga autori. Përpjekja për përkthimin e Kuranit është dhënë edhe nga Ali Asllani, Ferit Vokopolla, Abdulla Zembllaku, Beqir Maloku nga Gjakova, por me shërbim në Romë – Itali, Mehdi Frashëri, i cili sipas dëshmive të bijve të tij Vehbiut dhe Ragibit, kishte përkthyer Kuranin, por nuk arriti ta botonte.
Sipas shumicës së intelektualëve myslimanë shqiptarë, Akademiku Feti Mehdiu është i pari që e kishte përkthyer komplet Kuranin në gjuhën shqipe, në vitin 1985. Megjithatë, Lidian Cikalleshi, mbi këtë çështje thotë: " Në bazë të fakteve që kemi ne, Feti Mehdiu nuk është përkthyesi i parë i komplet Kuranit në gjuhën shqipe, por Muharrem Bllakçori (1894-1968)...".
Tre vite pasi është botuar përkthimi i Kuranit nga Akademiku Feti Mehdiu, më saktësisht në vitin 1988, nga shtypi dolën edhe dy përkthimet e Kuranit, i pari i Myderriz Sherif Ahmetit (përkthim me komentim të shkurtër) dhe tjetri i prof. Hasan Nahit. Pas këtyre tre përkthimeve të përmendura të Kuranit, kemi edhe përkthimin e Kuranit nga Zakaria Muhammad Khani i cili i përket sektit ahmedijj/kadijanijj, me emërtim Kur'ani i Shenjtë, i shtypur në vitin 1990. Më pas, përkthimin e Kuranit nga Selim Stafa në vitet 1996-1998; përkthimin e Kuranit nga një grup studentësh pranë "Darus-selam", Mbretëria e Arabisë Saudite, i shtypur në vitin 1999; përkthimin e Kuranit nga Alban Fejza, i shtypur në vitin 2010; përkthimin e Kuranit nga prof. dr. Enes Kari?, i përkthyer nga gjuha boshnjake nga përkthyesi: Selim Sylejmani, i shtypur në vitin 2011, dhe përkthimi i Kuranit nga Myftiu Salih Ferhat Hoxha, i shtypur në vitin 2013.