Martesa në Islam është një marrëdhënie e bekuar mes gruas dhe burrit, në të cilën ata fillojnë një udhëtim të gjerë ku do të ketë dashuri, harmoni, bashkëpunim, tolerancë...
All-llahu xh.sh në Librin e Tij thotë: "Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi palën (gratë) nga vetë lloji juaj, ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. ..." (ER RRUM, 21).
Kjo është një nga lidhjet më të forta në të cilën All-llahu xh.sh i bashkon dy partnerët muslimanë, të cilët lidhin kontratë mes veti në bazë të dashurisë, kuptimit dhe bashkëpunimit të tyre, si dhe e krijojnë një familje muslimane në të cilën do të rriten dhe do të jetojnë fëmijët e tyre. Familja muslimane është komponenta më e fortë e shoqërisë islame kur anëtarët e saj (familjes) janë konstruktivë dhe produktivë, duke u ndihmuar dhe inkurajuar tjerëve për të qenë të drejtë dhe duke u garuar me ata në punët e mira.
Femra e drejtë është shtylla, gurthemeli e bazamenti i familjes muslimane. Ajo konsiderohet si gëzimi më i madh në jetën e mashkullit. Pejgamberi s.a.v.s ka në një hadith të tij ka thënë: "Kjo botë është një argëtim i përkohshëm dhe qetësia më e mirë është gruaja e mirë." [Muslimi 10/56]
Një grua e mirë është bekimi më i madh që All-llahu xh.sh mund t'ia japë mashkullit, në të cilën ai mund të gjejë prehje. A mundet që gruaja të jetë qetësimi më i mirë në botë? A mundet që ajo të jetë grua e suksesshme në raport me bashkëshortin e saj? Natyrisht që po, edhe atë e arrin kur:
Ajo zgjedh bashkëshort të mirë
Një ndër mënyrat që Islami e ka nderuar gruan është që ajo e ka të drejtën ta zgjedhë atë person që ajo e dëshiron. Prindërit e saj nuk kanë të drejtë ta detyrojnë atë të martohet me dikë që ajo nuk e dëshiron. Femra muslimane e di këtë të drejtë, por ajo nuk e refuzon udhëzimin dhe këshillat e prindërve të saj në rast që dikush ia kërkon dorën e saj për martesë.
Ka shumë argumente të cilat e përkrahin femrën në këto çështje sensitive. E kemi shembullin që Buhariu e transmeton për el Kansa bint Kidam, e cila thotë: "Babai im më martoi me kushëririn e tij, por unë nuk e doja këtë lidhje, kështu që iu ankova pejgamberit s.a.v.s., e ai s.a.v.s. më tha: "Respektoje atë që babai yt e ka vendosur!" Unë pastaj i thashë: "Nuk dua ta pranoj atë që e ka vendosur babai im." Pastaj ai s.a.v.s. tha: "Atëherë, kjo martesë nuk bën (duhet të shqyhet), ndërsa ti shko e martohu me kë të duash!" Unë pastaj i thashë: "E kam pranuar atë që e ka vendosur babai im, por desha t'ua bëj me dije femrave se baballarët e tyre nuk kanë të drejtë të përzihen në çështjet e vajzave të tyre (t'i detyrojnë të martohen me ata që nuk u pëlqejnë atyre)" [Fet-h el Bari, 9/194]
Në fillim, pejgamberi s.a.v.s. i tha el Kansës që ta dëgjojë babain e saj, e që ashtu edhe duhet të jetë, por kur vërejti se babai i saj kishte tentuar ta martojë atë me forcë, ai s.a.v.s. ia dha asaj lirinë të zgjedhë kë ta dojë (për martesë).
Islami nuk e lejon që femrës t'i imponohet ndonjë barrë e padurueshme, kështu duke i detyruar ato që të martohen me ata (meshkuj) që ato dëshirojnë, sepse ai (Islami) do që martesat të jenë të suksesshme, të bazuara në pajtueshmëri mes njëri-tjetrit (mes partnerëve); duhet të ketë përshtatje edhe në pamjet e tyre fiziologjike, në qëndrime, shprehi, qëllime e kështu me radhë. Nëse diçka nuk shkon si duhet dhe gruaja ka ndjenjë se nuk mund ta dashurojë bashkëshortin e saj sinqerisht ose frikohet të bëjë mëkat të kundërshtojë, e të mos i bindet bashkëshortit të saj të cilin nuk e dashuron, atëherë ajo kërkon shkurorëzim. Kjo konfirmohet kur gruaja e Thabit ibn Kajs ibn Shamas, Xhemilja, motra e Abdullah ibn Ubejdes erdhi te pejgamberi s.a.v.s. dhe i tha: "O i dërguar i All-llahut, s'kam asgjë kundër Thabit ibn Kajsit lidhur me fenë e tij apo me sjelljen e tij, por urrej të bëj kufër, sepse unë jam muslimane." Pastaj pejgamberi s.a.v.s. i tha: "A do t'ia kthesh mehrin që ai ta ka dhënë?" Ajo tha: "Po." Pastaj pejgamberi s.a.v.s. i tha Thabit ibn Kajsit: "Merre mehrin që ia ke dhënë Xhemiles dhe shkurorëzohu nga ajo!" [Fet-h el Bari, 9/395]
Islami e ka mbrojtur humanitetin dhe krenarinë e gruas dhe i ka respektuar dëshirat e saj lidhur me zgjedhjen e njeriut që ajo do ta kalojë jetën. Nuk lejohet që askush, kushdo qoftë ai, ta detyrojë gruan të martohet për dikë që ajo nuk e pëlqen.
Ibn Abasi r.a. tregon: "Një etiopiane, emri i së cilës ishte Baria ishte e martuar me një rob, i cili quhej Mughith. Ai aq shumë e donte Barian, saqë vraponte pas saj edhe atë duke qarë. Pejgamberi s.a.v.s. kur e pa tha: "O Abas, a e sheh sa shumë Mughithi e do Barian, ndërsa ajo sa shumë po e urren?" Pastaj pejgamberi s.a.v.s. i tha Barias: "Pse, të paktën, nuk po e shikon Mughithin, oj Baria?" Ajo i tha: "O i dërguari i All-llahut, a po më urdhëron ta bëj një gjë të tillë?" Ai s.a.v.s. tha: "Unë thjesht po mundohem të ndërhyj në këtë çështje." Ndërsa ajo i tha: "Ai mua nuk më nevojitet."(4)
Pejgamberi s.a.v.s. ishte thellësisht i prekur nga ky akt, gjegjësisht nga ajo dashuri e shastisur e mashkullit dhe nga ajo urrejtje e tmerrshme e femrës. Ai s.a.v.s. e pyeti atë se për çfarë shkaku nuk i kthehej ajo burrit të saj. Pastaj ajo e pyeti se a ishte obligim ajo që Pejgamberi s.a.v.s. i tha a po jo, kurse ai s.a.v.s. i tha se ai vetëm kishte dashur të ndërhyjë me fjalë e jo ta detyrojë atë për t'iu kthyer atij (Mughithit).
Le ta dëgjojnë këtë mësim të pejgamberit s.a.v.s. ata prindër që janë kokëfortë dhe zemërgurë dhe ata që i shtypën vajzat e tyre të martohen për meshkuj që ato nuk i donë!
Femra muslimane e cila i kupton mësimet islame, vepron në mënyrë korrekte dhe të mençur kur ka të bëjë me zgjedhjen e bashkëshortit. Asaj (femrës muslimane) nuk i intereson pamja e bukur, statusi i lartë, jeta luksoze apo diçka të ngjashme që zakonisht i tërheqin femrat në përgjithësi. Ajo interesohet rreth asaj se sa ai kujdeset për urdhrat që i ka ndaj All-llahut, për qëndrimin dhe sjelljet e tij, sepse këto janë shtyllat e martesës së suksesshme dhe njëkohësisht janë tiparet më të mira të mashkullit. Mësimi islam dëshmon rëndësinë e këtyre cilësive të një mashkulli potencial, sikur që Islami e obligon femrën të martohet me ndonjë mashkull që i posedon këto tipare, me qëllim që fitneja mos ta përfshijë shoqërinë në tërësi, sikur që pejgamberi s.a.v.s. në një hadith të tij ka thënë: "Nëse ndokush jua kërkon vajzën tuaj, me fenë dhe sjelljet e të cilit jeni të kënaqur, jepjani atij (vajzën tuaj), e nëse nuk e bëni këtë, çapkënëria do të përhapet në tokë." [Tirmidhiu, 2/274]
Si mashkulli musliman, që nuk mahnitet me femrat e bukura, të cilat janë rritur në mjedis jo të mirë, ashtu edhe femra muslimane nuk mahnitet prej "plej-boj"-ve, pa marrë parasysh se sa të pashëm janë ata. Më mirë është që femra muslimane të pëlqejë një mashkull që është serioz, besimtar dhe i edukuar mirë, zemra e të cilit është e pastër... Askush nuk është më i përshtatshëm për një grua të mirë sesa burri i mirë dhe s'ka më të përshtatshëm për gruan tekanjoze sesa burri tekanjoz, sikur që All-llahu xh.sh. ka thënë: "Të këqijat janë për të këqijtë dhe të këqijtë janë për të këqijat, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet. Ata janë të pafajshëm nga ajo që u thonë atyre. Ata kanë falje të madhe dhe furnizim të begatshëm." (EN NUR, 26)
Kjo nuk do të thotë që femra muslimane duhet plotësisht ta injorojë pamjen fizike, e që ta propozojë ndonjë "kandidat" që vërtet nuk është tërheqës. Është e drejta e saj, siç thamë më lartë, që të martohet me atë, prej të cilit zemra e saj do të jetë e mbushur me dashuri dhe të martohet me atë, pamja dhe sjellja e të cilit femra është e kënaqur. Pamja e jashtme nuk duhet të braktiset duke e paguar me natyrën e brendshme ose anasjelltas. Femra duhet ta zgjedhë një mashkull që është tërheqës për të në të gjitha aspektet. Femra e vërtetë muslimane asnjëherë nuk "verbohet" nga pamja e jashtme dhe ajo asnjëherë nuk i lejon ata që t'ia tërheqin vëmendjen asaj prej zgjedhjen e bashkëshortit potencial për të.
Gruaja muslimane e di që burri e ka të drejtën e kivamës kundrejt saj, siç ka thënë All-llahu xh.sh në Librin e Tij: "Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu i ka graduar disa prej disave dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që All-llahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese dhe janë besnike ndaj së fshehtës. E ato që ia keni dro kryelartësinë e tyre, këshilloni, madje edhe largoni nga shtrati (e më në fund) edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. All-llahu është më i Larti, më i Madhi." (EN NISAË, 34).
Besimtarët dhe besimtaret duhet të qëndrojnë të bashkëlidhur mes veti, e në këtë mënyrë ata e kryejnë misionin e tyre që All-llahu xh.sh. ua ka dhënë: "Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje mëkatesh dhe shpërblim të madh." (EL AHZAB, 35).
Për ta arritur këtë akt të forcimit të martesës dhe për të themeluar një jetë familjare stabile është esenciale që fillimisht të zgjedhet partner i mirë.
Ummu Seleme ibn Milhan është një ndër gratë muslimane që ishin të shquara për karakter të fortë, aspirata të larta dhe largpamësi në rast të zgjedhjes së bashkëshortit. Ajo ishte një prej ensarëve që e përqafuan Islamin. Ajo ishte e martuar për Malik ibn Nadar dhe ishte nëna e Enesit. Kur ajo e përqafoi Islamin, bashkëshorti i saj (Maliku) ishte i hidhëruar ndaj saj dhe e lëshoi atë, por ajo nuk e braktisi Islamin. Pas disa kohësh, ajo dëgjoi se ai (Maliku) kishte vdekur dhe ajo ende ishte në lule të rinisë. Ajo e lindi atë (Enesin) me shpresë të shpërblimit nga All-llahu xh.sh. Pastaj, më vonë, e dërgoi te pejgamberi a.s., kështu që ai (Enesi) të mësojë prej pejgamberit a.s.
Më pastaj, një prej meshkujve medinas më të bukur, më të pasur, më të fortë erdhi për ta kërkuar atë për grua. Ky ishte Ebu Talha, mirëpo, para se të bëhej musliman. Shumë femra e pëlqenin atë për shkak të pasurisë, fuqisë dhe bukurisë së tij dhe ai mendonte se Ummu Seleme do ta pranonte atë shumë lehtë. Mirëpo ajo vendosshmërisht i tha: "O Ebu Talha, a e di se zoti që ti e adhuron është vetëm një pemë që është rritur në tokë dhe është gdhendur prej një skllavi të fisit Benu...?" Ai i tha: "Po, natyrisht." Ajo i tha: "A nuk po të vjen turp që t'i gjunjëzohesh një pjese të drurit?" Ebu Talha ishte kokëfortë dhe i ofroi asaj një jetesë luksoze, por ajo përsëri këmbënguli në Islamin e saj dhe i tha: "O Ebu Talha, një njeri sikur ti nuk mundet të hiqet sysh, por ti je jobesimtar, ndërsa unë jam besimtare. Nuk është e lejuar për mua, që të martohem me ty, por nëse e pranon Islamin, unë do ta kisha kërkuar mehrin që më takon." [Nuk e kam gjetur transmetuesin]
Ai (Ebu Talha) erdhi përsëri ditën tjetër dhe provoi ta joshë me një dhuratë më të madhe, por ajo përsëri qëndroi ashtu si duhej dhe rezistimi dhe pjekuria e saj vetëm që e zmadhonin bukurinë e saj dhe i tha: "O Ebu Talha, a nuk e di se zoti që e adhuron ti është prej druri dhe është gdhendur prej një skllavi, të cilin (zot) nëse do ta kishe ndezur, do të digjeshte?" Ai u trondit prej fjalëve të saj dhe tha me vete: vallë, a digjet Zoti? Dhe e tha shehadetin... Pastaj Ummu Seleme i tha Enesit: "O Enes, më marto me Ebu Talhan!" Enesi i thirri dëshmitarët dhe martesa u solemnizua.
Ebu Talha ishte aq i lumtur që ishte i vendosur që pasurinë e tij t'ia japë asaj, por ajo ishte grua e sinqertë dhe besimtare. Ajo i tha: "O Ebu Talha, unë u martova me ty për hir të All-llahut xh.sh. dhe nuk do të marr tjetër prej teje." Ajo e kishte parasysh se kur Ebu Talha e përqafoi Islamin, jo vetëm që kishte marrë një bashkëshort të mirë, por edhe do të fitonte shpërblim nga All-llahu xh.sh., e ai (shpërblim) ishte më i vlefshëm se 5 deve të kuqe, sikur që Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nëse All-llahu e udhëzon dikë në Islam përmes ty, është më mirë se të kishe fituar deve të kuqe." [Fet-h el Bari, 7/476]
Këto femra muslimane janë shembuj për të mirë, prej së cilave femrat tjera muslimane do të mund ta mësojnë pastërtinë e besimit, karakterin e fortë dhe mençurinë në të zgjedhurit e bashkëshortit.
Vijon