Falënderimi i takon Allahut, Subhanehu ve teala, ndërsa paqa, shpëtimi dhe bekimet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, birin e Abdullahut, familjen, shokët dhe tërë pasuesit e tij deri në amshim.
Meqë Kurbani është prej riteve madhështore të Islamit, me ç’rast përkujtojmë Njëshmërinë e Allahut, Subhanehu ve teala, begatitë e Tij të panumërta ndaj nesh, respektin e babait tonë Ibrahimit, Alejhi selam, si dhe të mirat tjera të shumta në këtë festë, është e domosdoshme që muslimani të interesohet për të dhe ta shenjtërojë këtë rit madhështor.
Në vijim një abstrakt lidhur me këtë rit madhështor:
KURBANI: Është kafsha e cila therret, devë, lopë apo dele qoftë, për t’u afruar tek Allahu. Kafsha therret pas namazit të bajramit, duke qenë e lejuar therrja e saj deri në ditën e fundit të Teshrikut (Kështu quhen ditët e Bajramit në fjalorin fetar), e cila është dita e 13 e muajit Dhul Hixh-xhe.
Thotë Allahu, subhanehu ve teala: ”Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! (Kevther 2)
Pastaj thotë: ”Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!” (En’am 162-163)
Thotë gjithashtu: ”Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherrjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e All-llahut për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit.” (Haxh-xh 34)
Kurbani, sipas shumicës së dijetareve është Sunnet i Fortë (Sunneh Muekkede), i cili kryhet prej të gjallit, për veten dhe familjen e tij, duke iu lejuar që t’i bashkangjes në shpërblim (sevap) kë të dojë prej të gjallëve dhe të vdekurve. Ndërsa sa i përket Kurbanit për të vdekurin, nëse ai ka porositur për një gjë të tillë nga 1/3 e pasurisë së tij, ose e ka lënë një gjë të tillë si vakf për vete, duhet patjetër përmbushja e kësaj porosie, ndërsa nëse ai nuk ka porositur për një gjë të tillë dhe nuk ka lënë vakf, por njeriu vetvetiu dëshiron të therr për të, lejohet dhe është mirë, por kjo konsiderohet lloj sadakaje.
Sipas sunnetit njeriut i lejohet t’i bashkangjes në kurbanin e tij anëtarët e familjes së tij, të gjallë a të vdekur qofshin, dhe me rastin e therjes thotë: O Allahu im! Kjo është prej meje dhe prej familjes sime!, dhe nuk ka nevojë që për çdo të vdekur të therr kurban të veçantë.
Dijetaret kanë rënë dakord se therja e kurbanit dhe sadakaja me mishin e tij janë më të vlefshme sesa dhënia e tyre në vlerë (të holla), sepse Pejgamberi Alejhi selam therri kurban, duke e ditur se ai nuk bënte përveç atë që ishte më e preferuara. Këtë mendim e përfaqësuan edhe hanafitet, shafiitet dhe imam Ahmedi.
Kurbani i mirë dhe më i miri:
Një dele mjafton për njeriun dhe anëtarët e familjes së tij. Këtë e mbështet hadithi i rrëfyer nga Ebu Ejjubi,i cili thotë: ”Njeriu ne periudhën e Muhammedit a.s., therrte një dele si kurban për vete dhe familjen e tij, prej se cilës hanin dhe ushqeheshin.” (Transmetojnë Ibni Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili njëherit e ka cilësuar si Sahih)
Sa iu përket kafshëve të cilat përdorën për Kurban, sipas teksteve fetare, ato janë: deveja, lopa dhe delja.
Disa dijetare kane thënë se kurbani më i mirë është deveja, pastaj lopa, pastaj delja, pastaj ortakëria në deve ose lopë. Këtë e thanë duke u bazuar në thënien e Pejgamberit a.s., për ditën e xhuma ”Dhe kush shkon ne orën e pare te xhumasë, është sikur te jete afruar tek Allahu, subhanehu ve teala, me (dhënien sadaka të) një deveje”.
Për këtë mendim njëzëri u pajtuan tre imamët, Ebu Hanifeja, Shafiu dhe Ahmedi ( Allahu i pastë mëshiruar).
Bazuar në këtë që thamë rezulton se delja e një njeriu është më e vlefshme sesa deveja e shtatë vetave.
Imam Maliku mendonte se kurbani më i mirë është së pari dashi i cili i ka mbushur 1 vit, pastaj lopa, pastaj deveja. Mendimin e vet e argumenton me faktin se Pejgamberi Alejhi selam therri si kurban dy desh, duke e ditur se ai nuk bën përveç atë që është më e mira dhe më e vlefshmja.
Përgjigje: Pejgamberi kishte zgjedhur të parën si lehtësim për ummetin e tij, sepse ata e pasojnë atë dhe ai nuk u dëshiron atyre vështirësi.(Shiko: Fetava Shejh Bin Baz)
Deveja apo lopa vlen për shtate veta. Xhabiri, radijallahu anhu, transmeton e thotë: ”Therrem në Hudebije me Pejgamberin a.s., devenë për shtatë veta dhe lopën për shtatë veta.” Në një tekst tjetër qëndron: ”Pejgamberi Alejhi selam na urdhëroi të bëjmë ortakëri në deve dhe lopë, për çdonjërën prej tyre nga shtatë veta”. Ndërsa ne një version tjetër qëndron: “Pritej lopa për shtatë veta, në të cilën merrnin pjesë së bashku (shtatë veta)”. (Muslimi)
Dispozita e Kurbanit:
Kurbani është rit islam, madje braktisja e tij totalisht në ndonjë vend, sipas disa dijetarëve, obligon luftimin e popullit të atij vendi, sepse kurbani është rit islam. (Resailun Fikhijjetun, Shejh Uthejmin, f.46)
Dijetarët sa i përkët dispozitës së kurbanit janë ndarë në dy grupe:
1. Është vaxhib (obligim). Këtë e thanë: Evzaiu, Lejthi, Ebu Hanifeja, Shejhul Islam Ibni Tejmije, Ahmedi (në njërin prej dy mendimeve të tij), Maliku (në njërin prej dy mendimeve të tij). Ithtarët e këtij mendimi argumentuan me:
Ajeti, ” Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” (Kevther 2)
Aspekti i argumentueshmërisë prej ajetit qëndron në foljën urdhërore, e cila përcakton Obligueshmërinë.
Hadithi i Xhundubit, radijallahu anhu, i regjistruar në dy koleksionet e vërteta, në të cilin thotë Pejgamberi a.s.: ”Kush e ka therrur kurbanin e tij para se të falet, le ta therrë në vend të tij një tjetër, ndërsa kush nuk e ka therrur le ta therrë me emrin e Allahut”. (Muslimi 3621)
Hadithi: ”Kush ka mundësi te there ndërsa nuk e bën këtë, le të mos i afrohet faltores sonë”. (Ahmedi, Ibni Maxhe, ndërsa Hakimi e ka bërë të vërtetë bazuar në hadithin e Ebu Hurejres. Këtë e ka thënë në Fet’hul Bari,duke qenë transmetuesit e tij besnikë)
2. Sunnet Muekked (sunnet i forte). Këtë mendim e kanë thëne shumica e dijetareve, si: Shafiu, Maliku, Ahmedi. Krerët e këtyre mendimeve pohuan njerëzëri se braktisja e këtij riti, për atë që ka mundësi, është e urryer. Këtë e argumentuan me argumentet vijuese:
Hadithin e Xhabirit, radijallahu anhu, i regjistruar në Sunenin e Ebu Davudit, ku thotë Xhabiri: ”E fala me të dërguarin e Allahut a.s., Kurban Bajramin. Kur e kreu namazin i solli dy desh, të cilët i therri dhe tha: Bismil-lahi Vallahu Ekber (Me emrin e Allahut, Allahu është me i Madhi). O Zoti im! Kjo është prej meje dhe prej atyre që nuk kane therrë asgjë prej ymmetit tim!” (Sunen Ebi Davud, me koment te Muhammed Shemsulhakk Abadi,7/486)
Në pesë librat e hadithit, përveç atij të Buhariut, është shënuar se: ”Kush dëshiron të therrë kurban, le të mos qethet dhe le të mos i prejë thonjtë”.
Shejhu i nderuar, Ibni Uthejmini, pasi që solli mendimet e dijetareve sa i përket obligueshmërisë apo joobligueshmërisë, dhe pasi solli argumentet e secilës palë tha: ”Argumentet e secilës palë janë bindëse, por ndjekur parimin e “Kujdesisë”, të mos e braktisë këtë rit ai i cili ka mundësi, sepse ky rit shërben për madhërimin e Allahut, përkujtimin e Tij dhe përtrirja e besëlidhjes me plotbindje” (Përtirja e besimit, vendosja për të mos bërë mëkate, e kështu..S.I) ( Resail fikhijje,f:50)
Kushtet e Kurbanit:
1. Të jetë i moshës së duhur, e cila së paku është 6 muaj për Dashin dhe 1 vit për Edhin (cjapin), për lopët 2 vite ndërsa për devetë 5 vite.
2. Të jetë i pastër prej të metave. Thotë Pejgamberi Alejhi selam: ” Katër (4) kafshe nuk vlejnë për kurban: e verbra, me verbëri të qartë, e sëmura me sëmundje të qartë, e çala, e cila ka çalim të qartë dhe e dobëta (e holla), e cila e ka humbur kontrollin mendor”.
Ekzistojnë edhe të meta tjera, të cilat edhe nëse nuk pengojnë drejtpërdrejt kafshën për të qenë Kurban, megjithatë nuk preferohet marrja e kafshës me të meta të tilla si Kurban, p.sh: Kafsha që e ka bririn e thyer, apo hundën e këputur, sepse Kurbani do të thotë të afrohesh tek Allahu, i Cili nuk pranon përveç së mirës, sepse Ai Vet është i Mirë, dhe ata që i madhërojnë ritet e Allahut le ta dinë se kjo është devotshmëri e zemrave.
3. Ndalimi i shitjes së tij. Nëse caktohet kafsha për kurban, nuk lejohet shitja e saj, përveç nëse e ndërron me një më të mirë. Nëse kafsha pjellë (lind) atëherë therret së bashku me të voglin e saj, sikurse qe në rast nevoje, lejohet përdorimi i saj për hipje. Argument për këtë shërben hadithi i regjistruar në Koleksionet e Buhariut dhe Muslimit nga Ebu Hurejre, Allahu e pastë mëshiruar, se Pejgamberi Alejhi selam kur e kishte parë një njeri i cili i grahte devesë, i kishte thënë: ”Hipi! Tha: Është për kurban. Tha, në të dytën ose tretën: Mjerë për ty! Hipi asaj!”
4. Therrja e kurbanit në kohën e duhur. Kjo kohe është e caktuar prej mbas namazit të bajramit dhe hytbes e deri të perëndojë dielli në ditën e fundit të Teshrikut, e cila është dita e 13 e muajit Dhul Hixh-xhe. Këtë e themi bazuar në thënien e Muhammedit, Alejhi selam: ”Kush ka therrë para namazit, le ta përsëris atë edhe njëherë (me një kurban tjetër të gjalle)!” (Buhariu dhe Muslimi). Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kishte thënë: ”Ditët e bajramit (të kurbanit) janë dita (e parë) e therrjes dhe tri ditë pas (saj).” Këtë mendim e përfaqësojnë Hasan Basriu, Atau, Evzaiu, Shafiuu dhe njëherit këtë e pëlqeu edhe Ibni Mundhiri, Allahu subhanehu ve teala, i pastë mëshiruar që të gjithë!
Si Veprojmë Me Kurbanin ?
Ai që therr Kurban preferohet që së pari të hajë nga Kurbani, nëse për një gjë të tillë ka mundësi.
Thotë Pejgamberi Alejhi selam: ”Le të hajë çdokush prej Kurbanit të tij”. (Sahihul Xhamii 5349)
Ngrënia patjetër se duhet të jetë pas namazit të bajramit dhe hytbes. Ky është mendimi i dijetarëve, si: Aliu, Ibni Abbas (radijallahu anhum), Maliku, Shafiuu, etj.
Paragrafin e mësipërm e argumenton hadithi i Burejdes, se Pejgamberi Alejhi selam nuk dilte në ditën e bajramit të Ramazanit derisa hante diç, ndërsa ditën e kurban bajramit, nuk ushqehej derisa therrte Kurban”. (Shejh Albani ka thënë se zinxhiri i transmetuesve te hadithit është i sakte,Shif: El Mishkatu 1/452)
Më së miri është që njeriu ta therrë Kurbanin me dorën e tij, ndërsa nëse nuk e bën atëherë i preferohet të prezantojë gjatë therrjes.
Preferohet ndarja e mishit të Kurbanit në tri pjese:
1/3 për ngrënie,
1/3 dhurim miqve, shokëve, etj, dhe
1/3 për sadaka.
Këtë e kane thënë Ibni Mes’udi dhe Ibni Umeri (radijallahu anhum), sikurse që dijetarët janë pajtuar se nuk lejohet shitja e mishit, dhjamit apo lëkurës se tij. Në hadithin e vërtetë qëndron: ”Kush shet lëkuren e kurbanit të tij, ai nuk ka kurban”. (Shejh Albani ne Sahihul Xhamii e ka cilësuar si të mirë -hasen-, shiko: sahihul xhamii 6118)
Nuk lejohet t’i jepet diç kasapit si pagesë për therrje. Aliu, radijallahu anhu, ka thënë: ”Pejgamberi më ka urdhëruar… që të mos i jap asgjë kasapit prej Kurbanit. Patë thënë: Ne i japim prej asaj që posedojmë.” (Muttefekun alejhi).
Është thënë se lejohet t’i japim diç si dhuratë kasapit, por jo si pagesë për therrje. Lejohet t’i dhurohet edhe pabesimtarit një pjese e kurbanit, për hir të fqinjësisë, varfërisë, afërsisë apo bashkimin të zemrës se tij (për ta parë Islamin me sy të dashamirit S.I) (Shif: Fetava te Shejhut Bin Baz)
Ç’gjërave duhet t´u largohet besimtari gjatë dhjete ditëve të fundit nëse dëshiron të thërrë kurban:
Sunneti (tradita profetike) na ka mësuar se ai që dëshiron të therrë kurban, në dhjetë ditëshin e parë (te Dhul Hixh-xhes) duhet t’iu largohet: Qethjes, prerjes së thonjve, apo rruarjes së vendeve të turpshme, derisa të therrë kurban.
Thotë Pejgamberi Alejhi selam: ”Nëse e shini hënën e muajit Dhul Hixh-xhe dhe ndokush prej jush dëshiron të therrë kurban, le të mos qethet dhe të mos i preje thonjtë derisa të therrë kurban (në ditën e bajramit).” Në një version tjetër qëndron: ”Atëherë le të mos qeth flokët apo rruaje organin!” (Muslimi e transmeton në katër versione,13/146)
Kjo, sipas mendimeve më të qëlluara, është obligim. Por, nëse me qellim bën këto gjera të lartpërmendura, atëherë ai vetëm kërkon falje tek Allahu, subhanehu ve teala, nuk ka nevoje për shpagim dhe kurbani i tij llogaritet i vlefshëm.
Nëse dikush detyrohet që për shkak të nevojës t’i preje flokët nëse ka ndonjë plagë, apo ta prej ndonjë thua nëse i është thyer, atëherë kjo nuk ka gjë të keqe, derisa mos prerja e tyre do të shpinte në dëm. Nuk ndalohet pastrimi në dhjetë ditët e fundit, Urtësia e ndalimit të qethjes dhe prerjes së thonjve për atë që do të therrë kurban është ngjashmëria e tij me haxhiun në disa rite, me të cilat afrohet njeriu tek Allahu, duke shpresuar se Allahu do ta shpëtojë prej zjarrit!
Kush prenë diç prej gjërave të lartcekura në fillim të muajit, për shkak se nuk e kishte ndërmend të therrte kurban, pastaj i është mundësuar therrja e Kurbanit, atëherë ai largohet prej këtyre gjerave në atë dite kur e bën nijet (vendos) therrjen e kurbanit.
Disa gra e kanë bërë zakon që të autorizojnë vëllanë apo djalin të therrë për të, në mënyrë që asaj t’i lejohet prerja e flokëve. Kjo nuk është e vërtetë, sepse kurbani është i lidhur për atë qe ka vendos të therrë kurban, e jo për të autorizuarin.
Të autorizuarit nuk i zbatohet ndalimi, sepse ai është i veçantë për atë që dëshiron kurban për veten e tij. Këtë e potencoi hadithi i Pejgamberit, Alejhi selam, i lartcekur. Pokeshtu qëndron puna edhe nëse therrë kurban për dikë që e ka lënë porosi therrjen e kurbanit. Ky ndalim nuk përfshin gruan e as fëmijët e atij që vendos therrjen e kurbanit, përveç nëse ndonjëri prej tyre ka kurban të veçantë. Këtë e mbështesim në faktin se Muhammedi, Alejhi selam kur therrte nuk urdhëronte familjen e tij për t’i braktisur gjërat e lartcekura, apo së paku neve nuk na është transmetuar asgjë prej tij në lidhje me këtë çështje.
Kush ka kurban, pastaj ka vendosur ta bëjë haxhin, ai nuk pret asgjë prej flokëve apo thonjve të tij me rastin e hyrjes në Ihram, sepse kjo është sunnet (traditë e Pejgamberit) në rast nevoje. Ndërsa, nëse ka ndërmend ta bëjë haxhin Temettu’ (Bashkimi i Haxhit dhe Umres), i prenë flokët e tij kur ta kryejë umren, sepse kjo është rit.
Çështjet e ndaluara të lartcekura janë të përkufizuara në hadithin e mësipërm, kështuqë njeriut që do të therrë kurban nuk i ndalohet parfumosja, marrëdhëniet seksuale apo veshja e rrobave të qepura.
Allahu, subhanehu ve teala, e di me se miri!