"Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin), e po Allahu e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai po i thoshte shokut të vetë (Ebu Bekrit): "Mos u mërzit, se Allahu është vërtetë me ne!" Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri që ju nuk e patë (melaqesh) dhe bëri që fjala e jobesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut, ajo të jetë më e lartësuara. Vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë." (Kuran, Tevbe, 40)
Hyrje
Jemi në prag të një date shumë të rëndësishme islame, datë kur myslimanët në tërë rruzullin tokësor përkujtojnë hixhretin e Pejgamberit a.s. Sipas takvimit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës 1 muharrem i Vitit të Ri 1443 hixhri do të jetë ditën e e hene me 9 gusht.
Shprehja "hixhre" në kuptimin e saj themelor do me thënë: “me i ndërpre marrëdhëniet”, “me e braktisë fisin”, “me emigrua”.
Ndërkaq, në kuptimin e mirëfilltë historik islam, fjala është për shpërnguljen e Pejgamberit (a. s.) dhe as'habëve të tij nga Meka në Medinë me qëllim të përhapjes së dritës islame në këtë vend dhe gjithandej ku kishte mundësi aso kohe. Fjala "hixhre-t" dhe format e tjera që derivojnë nga ajo, në Kuran përmendet në më shumë se tridhjetë vende (ajete). Ndonëse në rastin tonë, fjala është për Hixhretin e Pejgamberit (a.s.), duhet konstatuar se edhe shumë pejgamberë të tjerë para Muhamedit, kanë bërë hixhret, madje duke filluar që nga Ademi, Nuhu, Salihu, Jusufi, Ibrahimi, Musau (a.s.) e shumë të tjerë.
Kjo ngjarje historike, pra Hixhreti i Pejgamberit Muhamedit (a.s.), e cila në fakt paraqet fillimin e një epoke të re për myslimanët, ka ndodhur në vitin e trembëdhjetë të pejgamberisë së Muhamedit a.s.. Për ndryshe, data 1 Muharrem e vitit 1 Hixhri paraqet fillimin e llogaritjes së epokës islame sipas kalendarit hënor, sepse nga kjo datë fillon llogaritja e kohës sipas kalendarit hixhri.
Shkaqet e Hixhretit të Pejgamberit
Mundimet dhe torturat që mushrikët mekasë ushtronin ndaj Pejgamberit dhe myslimanëve, sa vinin e shtoheshin. Ato sidomos u intensifikuan pasi që ata kishin kuptuar se Pejgamberi qe takuar në Akabe me disa medinas me të cilët ishte dakorduar që në rast nevoje, ai të kalonte në Medine.
Pejgamberi (a.s.) ndërkaq edhe pas kësaj vazhdonte misionin e tij në kuptim të komunikimit të shpalljes dhe përhapjes së Islamit ndër njerëzit, të cilët dita-ditës sa vinin e shtoheshin, sikundër që edhe vështirësitë u shtuan dhe bëheshin gjithnjë e më të padurueshme. Ai, gjithashtu, kishte filluar t'i përgatiste shokët e tij që, në rast se u vjen puna ngushtë, edhe të shpërnguleshin në Jethrib (Medina e mëvonshme). një vend, siç e përmendnin, “atje ku kishte hurme”. Me një rast, Pejgamberi kishte thënë: "Mu dëftua në ëndërr se shpërngulesha nga Meka në një vend ku kishte hurme. Mendoja se ai vend mund të ishte Jemameja ose Hixhri, në fakt ai qe Jethribi!"
Kështu, as'habët si Ebu Seleme bin Abdulesedi, Mus'ab bin Umeri, Ibn Ummi Mektumi etj., konsiderohen si të parët që filluan të shpërnguleshin fshehurazi për në Jethrib.
Pas këtyre, u shpërngulën kryesisht fshehurazi dhe grupe-grupe, edhe ashabë të tjerët, me përjashtim të hazreti Ymerit, i cili u shpërngulë haptazi dhe në pikë të ditës.
Në Mekë, asokohe nuk kishin mbetur përveç të sëmurëve, të burgosurve, Pejgamberit (a.s.), Ebu Bekrit me vajzat e tij dhe Aliut. Kjo kishte bërë që mushrikët mekas të frikësoheshin se mos një ditë ensarët (medinasit) e mirënjohur si luftëtarë dhe myslimanët që kishin vajtur në Jethrib si durimtarë, të prirë nga Muhamedi, do të ktheheshin për t'i luftuar këta, ose së paku do tua bllokonin rrugën tregtare për në Sham, që për ta kishte domethënie të jashtëzakonshme. Prandaj, paria e tyre qenë tubuar në "Daru n-Nedve", dhe pas shumë diskutimesh, propozimi i Ebu Xhehlit qe miratuar unanimisht. Sipas tij do të duhej që: - “Secili fis të zgjedh nga një të ri të fuqishëm, të cilët më pastaj të gjithë tok të shkojnë e ta vrasin Muhamedin, në mënyrë që bijtë e Abdylmenafit nuk do të kenë mundësi t'u kërkojnë përgjegjësi këtyre djemve dhe se do të detyrohen të pranojnë dëmshpërblimin monetar për pagesën e gjakut nga vrasësit!"
Këtë planifikim qyqarë të tyre, Kurani fisnik e ka shënuar kështu:
"Kujtoje (o Muhamed) kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të mbajtur në pranga, për të të mbytur ose për të të dëbuar! Ata bënin kurthe, por Allahu ua prapësonte kurthet e tyre, sepse Allahu është shkatërruesi më i mirë i dinakërive."
Pas këtyre dredhive të mushrikëve, natyrisht që Pejgamberi nuk mund të mos ndihej i shqetësuar e i mërzitur, siç e përshkruan Kurani:
"Na e dimë se ty me siguri të mërzisë ajo që thonë ata. Ata në të vërtetë nuk të përgënjeshtrojnë ty (se je gënjeshtar), por ata zullumqarë mohojnë argumentet e Allahut. Edhe para teje, shumë pejgamber janë përgënjeshtruar, por ata kanë duruar për atë që janë konsideruar, dhe kanë vuajtur deri sa nuk ka ardhur ndihma Jonë, -e askush nuk mund t'i ndryshojë fjalët e Allahut, - dhe, pa dyshim, te Ti kanë arritur disa lajme për pejgamberët!"
Pasi që Pejgamberi u lajmërua për këtë komplot, në pikë të vapës në mesditë vajti te shtëpia e Ebu Bekrit për ta njoftuar se i qe dhënë leje nga Allahu për t'u shpërngulur me këtë ajet:
"Thuaj: "O Zoti im, më shpijë në një hyrje të kënaqur, më nxirr nga një dalje e kënaqur dhe më dhuro nga Ti fuqi, që do të më ndihmojë!"
Ebu Bekri, ndonëse u habit nga kjo vizitë jo e rëndomtë në këtë kohë, u gëzua dhe u mbush me emocione kur kuptoi për lejen e Pejgamberit për hixhret. Në të vërtetë, ai edhe më herët kishte bërë disa përgatitje, i kishte blerë dy deve të sojshme, por Pejgamberi i thoshte: "Mos u ngut, ndoshta Allahu ty ta gjen një shoqërues!" dhe ai qetësohej.
Të gjitha përgatitjet eventuale për një rrugëtim të tillë, Ebu Bekri i kishte bërë gati dhe qe organizuar fort mirë.
Në rrugë për Jethrib
Pasi që Pejgamberi e njoftoi Ebu Bekrin, vendosën që po të njëjtën natë, hazreti Aliun ta lënin në shtratin e Pejgamberit a.s. dhe që ai të mbulohej me xhyben e gjelbër të Pejgamberit, kurse vetë Pejgamberi a.s. së bashku me Ebu Bekrin ta lëshonin Mekën. Në mbrëmje, kur ishte errësuar, djelmoshat që do ta mbysnin Pejgamberin, e kishin rrethuar shtëpinë e tij dhe prisnin deri sa ta zinte gjumi, e më pastaj ta sulmonin. Ndërsa Pejgamberi lexonte ajete nga Kurani dhe ndërsa doli nga shtëpia e tij, djelmoshat ndërkaq i kishte kllapitur një gjumë i thellë. Kështu, Pejgamberi a.s., kaloi nga shtëpia e Ebu Bekrit dhe së bashku me të u nisën për në Jethrib. Gjatë rrugës, fillimisht u strehuan në një shpellë në kodrinën Theur (edhe shpella quhej Theur), përafërsisht tri milje nga Meka. Pasi që kishin hyrë në shpellë, një merimangë kishte thurur një rrjetë në hyrje të shpellës, kurse dy pëllumba kishin mbaruar fole në degën që ishte në hyrje të shpellës, kështu që hyrja në shpellë, me urdhër të Allahut, qe maskuar si të mos e kishte kaluar atë kurrë askush.
Ebu Bekri para se të niseshin për rrugë, kishte ndërmarrë edhe disa veprime që më vonë rezultuan shumë të dobishme. Ai e kishte paguar mirë Abdullah bin Urejkidhin, i cili ishte mushrik por njeri i besueshëm, që t'ua tregonte ndonjë rrugë dytësore për në Jethrib dhe i cili pas tri ditësh do të shkonte e t’i takonte ata te Shpella Theur. Djalin e vet, Abdullahun, Ebu Bekri e kishte porositur që të merrte vesh se ç'flisnin mushrikët për ta dhe të vinte e t’i informonte te shpella. Shërbëtorin e tij, Amir bin Fuhejreten, e kishte porositur që delet t'i kulloste afër shpellës, në mënyrë që ata në mbrëmje të mund të merrnin qumësht nga to dhe të ushqeheshin. Ndërkaq të bijën, Esmanë e kishte porositur që t’u sillte ushqim.
Kur djelmoshave komplotist mushrik u doli gjumi, u sulen me vrap në shtëpinë e Pejgamberit, por, kur ja, aty ishte Aliu dhe jo ai të cilin synonin ta mbysnin. Të befasuar e të dëshpëruar tej mase, paria mekase sakaq ofruan një çmim të lartë në sasi prej 100 devesh, për atë që i bie në gjurmë Muhamedit. Por, të gjitha këto ishin të kota, sepse atë e mbronte Allahu i Gjithëfuqishëm. Kishin marr turr në të katër anët në mos i binin në fije se nga do të kenë shkuar. Dikush madje kishte kaluar krejtësisht afër shpellës ku ata qenë strehuar, aq sa Ebu Bekri për një moment i kishte thënë shokut të tij, pra Pejgamberit (a.s): "Sikur ndonjëri ta ulë vetëm pak shikimin kah i kemi këmbët, kanë për të na parë!" Por, Pejgamberi i kishte thënë: "O Eba Bekr, ç'mendon për ata dy, e i treti i të cilëve është Allahu?!"
Ebu Bekri gjithnjë e më shumë sa vinte e bëhej merak, jo për vetën e tij sa për Pejgamberin a.s., në mos po e gjente diçka e papritur. Pejgamberi këtë e vërejti në sytë e shokut të tij dhe i kishte thënë: "Mos ta ndinë, Allahu është me ne!"
Ja si e përshkruan këtë ngjarje Kurani fisnik:
"Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin), e po Allahu e ka ndihmuar atë ditën kur atë e dëbuan jobesimtarët vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai po i thoshte shokut të vetë (Ebu Bekrit): "Mos u mërzit, Allahu është vërtetë me ne!" Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri që ju nuk e patë (engjëjsh) dhe bëri që fjala e jobesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut, ajo të jetë më e lartësuara. Vërtetë Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë."
Pasi i kaluan tri ditë në shpellën Theur dhe pasi që qyteti paksa ishte qetësuar, Urejkidhi i sipërpërmendur ua kishte sjellë dy devetë dhe në ditën e katërt qenë nisur në drejtim të Jethribit, por nga një rrugë ndihmëse-dytësore në drejtim të bregdetit, gjë që ishte më e vështirë për ta kaluar, sepse ishte e pa trasuar, por ishte shumë më e sigurt...
Dhe kështu ata vazhdonin rrugëtimin e tyre, nga një herë të përballuar edhe me rërën e nxehtë, e nga një herë edhe me ndonjërin që nxitonte në mos po i shihte se kah po shkonin, sepse qe premtuar shpërblim i madh. Në një moment, tek sa po kalonin pranë pronës së Benu Mudlixhëve, afër vendit Jenbu', njëri nga paria e Mekës u ishte qasur pas aq sa u qe afruar shumë. Quhej Suraka bin Malik. Mirëpo, kur u afrua fare pranë Pejgamberit a.s. dhe Ebu Bekrit, kali i tij filloi të sharronte në rërë, ndërsa Suraka u plandos në tokë. Kur e pa këtë, ai i kërkoi Pejgamberit a.s. që ta falte dhe Pejgamberi a.s. e fali, me kusht që të mos u tregonte të tjerëve se i kishte takuar këta. -“Do t’i kthej nga ju ata që ju ndjekin”, premtoi Suraka, dhe e mbajti premtimin deri në fund. Madje, duke u kthyer në Mekë, kur dikush e pyeste në mos kishte vërejtur ndonjë njeri të udhëtonte andej, ai me plotë bindje e mohonte...
Kur arritën në vendin e quajtur Xhuhfe, Pejgamberi (a.s.) nuk mund ta fshihte mërzinë për vendlindjen e tij-Mekën e ndershme si dhe për Shtëpinë e Allahut-Qabenë, u kthye në drejtim të Mekës, qajti sa lotët ia përshkuan fytyrën e tij të bekuar dhe tha: "Pasha Allahun, ska dyshim se ti je ma e mira dhe më e dashura te Allahu, dhe sikur të mos më dëbonin, kurrë nuk do të kisha braktis!"
Nga ana tjetër, Allahu i Lartmadhëruar, duke e ditur këtë përmallim, i dha lajmin e gëzuar të kthimit në Mekën e tij të dashur:
"Sigurisht që Ai i Cili ta ka shpallur Kuranin, Ai edhe do të të kthejë aty nga dole (në Mekë). Thuaj: "Zoti im e di më së miri se kush ka ardhur me udhëzim të drejtë, e kush është në humbje të plotë!"
Kishin kaluar tetë ditë nga largimi prej shpellës e kur kishin arritur afër Kubasë, përafërsisht 6 milje larg nga Medina, Pejgamberi vërejti gjelbërimin e vendit të cilin e kishte parë në ëndërr. Pejgamberi (a.s.) qëndroi në Kuba dhjetë e më shumë ditë si mysafir në shtëpinë e familjes së Amr bin Aufit, me ç'rast ndërtoi xhaminë e quajtur "Mesxhidi Kuba'". Në ndërkohë, aty kishte mbërritur edhe hazreti Aliu.
Nga Kubaja në drejtim të Jethribit, Pejgamberi i rrethuar nga përkrahësit e tij, u nis ditën e xhuma, kështu që koha e mesditës e zuri në pronën e bijve të Salim bin Aufit, ku edhe e fali xhumanë e parë. Më pastaj vazhduan rrugën për në Jethrib.
Myslimanët e Medinës, pasi kishin marrë lajmin se Pejgamberi ishte nisur për në Medine, çdo ditë dilnin jashtë qytetit herët para agimit dhe rrinin duke pritur deri sa rrezet e diellit fillonin të përvëlonin duke vëzhguar horizontin. Ishte ditë e hënë dikush, sigurisht që kishte hipur në çati të shtëpisë së tij, e kishte parë grupin që po ecte në drejtim të qytetit dhe kishte bërtitur: "O ju arab! Ja ku është prijësi juaj që po prisnit!" Medinasit, edhe atë ditë kishin dalur herët për ta pritur të Dërguarin e Allahut, por ndërkohë ishin kthyer në shtëpitë e tyre, e kur dëgjuan lajmin e shumëpritur u mblodhën shpejt, dhe vajtën ta takonin mysafirin e tyre të shumëpritur. Gëzim e hare gjithandej. Disa kishin hipur mbi mure të shtëpive, e disa të tjerë kishin vërshuar rrugët. Gratë këndonin "Agojë hëna katërmbëdhjetëshe...", dikush tjetër në atë vapë vallëzonte me armë në dorë, e dikush tjetër lexonte vargje të thurura enkas për këtë rast. Enes bin Maliku gëzimin e asaj dite e shpreh me këto fjalë: "Unë ditë më të bukur në jetën time nuk kisha parë prej ditës që kur hyri i Dërguari i Allahut në Medinë".
Çdonjëri nga medinasit dëshironte që Pejgamberi të zbriste tek ai. Me qëllim që të mos ta lëndonte askënd, Pejgamberi vendosi që litarin e devesë ta lëshonte nga dora dhe kudo që të ndalej ajo, aty do të qëndronte përkohësisht. Deveja ashtu e lirë vajti deri te vendi që ishte pronë e dy jetimëve përballë shtëpisë së Ebu Ejub el-Ensariut. Aty Pejgamberi e bleu atë pronë dhe ndërtoi xhaminë, e ngjit me të më pas edhe shtëpinë. Nga ana tjetër e xhamisë, ndërtoi një dhomë të madhe, e cila ditën shërbente si mësonjëtore ose për të kuvenduar paria vendase, kurse natën në të pushonte ndokush që nuk kishte shtëpi. Pas një far kohe, Pejgamberi e dërgoi Zejd bin Harithin dhe Ebu Rafiun që t'ia sillnin familjen e tij dhe të Ebu Bekrit nga Meka...
Vëllazërimi i ensarëve dhe muhaxhirinëve
Me të arritur në Jethrib, i cili në respekt të Pejgamberit filloi nga aty të quhej Medine, Pejgamberi vërejti se aty jetonin njerëz që u takonin disa grupeve të caktuara. Aty ishin ata që ai i quante "ensarë", pastaj ata që kishin migruar nga Meka e që quheshin "muhaxhirinë", një grupim tjetër e përbënin hebrenjtë, si dhe disa të tjerë të cilët nuk kishin lëvizur nga besimi i tyre në idhuj e që njiheshin si "idhujtarë". Në këtë mjedis me plotë diversitet, detyrë parësore e Pejgamberit ishte të mendonte se si t'i afronte këto grupime. Pesë muaj pasi kishte arritur në Medine, Pejgamberi iu përkushtua vëllazërimit të ensarëve me muhaxhirinët, duke iu thënë: "Vëllazërohuni për riza të Zotit dy nga dy (vëllezër)". Më pastaj Pejgamberi a.s. u mor edhe me rregullimin e raporteve me grupet tjera shoqërore të Medinës. Ky vëllazërim ka shkuar aq mirë sa që ensarët gjithë ç'kanë pasur e kanë ndarë me muhaxhirët, madje për një kohë ka qenë e lejuar që vëllai i vëllazëruar ta trashëgoj tjetrin. Ky veprim ka qenë i pa shembull në histori. Veprimin shembullorë të ensarëve e ka përshkruar Kurani:
"Edhe atyre që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para emigrimit, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në zemrat e tyre ndonjë nevojë nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. E kush është i ruajtur nga lakmia e madhe, të tillët janë të shpëtuar!"
Gjithashtu, si ensarët po ashtu edhe muhaxhirët, Allahu në Kuran i lavdëron kështu:
"Allahu është i kënaqur me myslimanët e parë, nga muhaxhirët dhe ensarët, dhe të gjithë ata që i pasuan me mirësi, edhe ata janë më së të kënaqur me Të. Allahu ka përgatit kopshte (xhenete) nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jenë përgjithmonë. Ky është ngadhënjim madhështorë!"
Këtë veprim madhështor të vëllazërimit, Pejgamberi e vazhdoi me “Kartën e Medinës” që e bëri si me myslimanët ashtu edhe me hebrenjtë dhe idhujtarët tjerë-banorë të Medinës, aq sa qyteti frymonte aq mirë, ku çdo kush ndjehej i sigurt, gëzonte pasuri dhe askush nuk fiksohej nga askush. Karta kishte precizuar themelimin e Bashkësisë Myslimane, e cila paraqet një tërësi fetare, politike, shoqërore e ekonomike, e veçantë dhe e pavarur nga bashkësitë tjera. Kjo bashkësi përbehej nga myslimanët e migruar nga Meka, nga myslimanët e Medinës si dhe nga jomyslimanët, të cilët i pranojnë dispozitat e Kartës. Respektohej shenjtëria e shpirtit, e pasurisë, e Medinës, secili gëzonte fenë e vet dhe nuk cenonte tjetrin, myslimanët kishin fenë e tyre e edhe të tjerët secili kishte fenë e vetë.
Hixhreti ka qenë një punë shumë e vështirë, ishte një sakrificë që jo çdokush mund ta bënte. Myslimanët vetëm që të jetonin të lirë fenë e tyre, gjithçka e kishin lënë në Meke. Ata nuk ishin në kërkim të pozitave të larta, të pasurisë, të jetës së rehatshme. Disa, madje, vdekja i ka zënë në rrugë. Ama, Allahu ishte i kënaqur me ta:
"Kush emigron për hir të Allahut, ai gjen mundësi të mëdha (vendbanime) dhe begati në tokë. E, kush del prej shtëpisë si emigrues për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe e zë vdekja në rrugë, shpërblimin e ka te Allahu, e Allahu është Falës dhe Mëshirues i madh!"
Mësimet-urtësitë e Hixhretit
Hixhreti i Pejgamberit (a.s.) nga Meka në Medinë konsiderohet ngjarja më e rëndësishme për përhapjen e Islamit. Pas trembëdhjetë vitesh në Mekë, hixhreti qe një pikë kthese për të ardhmen e Islamit, ndërsa për myslimanët qe një fillim i ri, një faqe e re në rrafshin e përhapjes së dritës islame. Hixhreti ishte për Allahun e Lartmadhëruar. Muhaxhirët dhe ensarët, treguan besimin e tyre të sinqertë në Allahun xh.sh.. Nuk duhet harruar edhe me këtë rast se nijeti - qëllimi, në çdo veprim të njeriut, pra edhe te hixhreti, ishte me shumë rëndësi. Kjo sepse në kohën kur ndodhi hixhreti i Pejgamberit, kishte edhe të tillë që shpërnguleshin për ndonjë qëllim tjetër, siç qe rasti i njërit që kishte vajtur për t’u martuar me një grua që quhej Ummi Kajs, sa që më vonë u quajt "muhaxhiri i Ummi Kajsit". Prandaj, pikërisht për të tilla sjellje Pejgamberi kishte thënë:
"Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Kështu, kush emigron për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, emigrimi i tij do të jetë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa, kush emigron për ndonjë interes të kësaj bote, apo për ndonjë grua që të martohet me të, emigrimi i tij do të jetë tek ajo që ai ka synuar!"
Në të vërtetë, njerëzit udhëtojnë nga një vend në tjetrin, lëvizin, transferohen, mirëpo, vetëm ata që marrin rrugë për hir të Allahut dhe Pejgamberit të Tij, ata bëjnë hixhret. Thënë ndryshe: të gjitha insektet posedojnë krah dhe fluturojnë, mirëpo, vetëm bleta prodhon mjaltë. Të gjithë njerëzit lëvizin, por vetëm myslimanët hixhret bëjnë.
Hixhreti, krahas dimensionit fizik ka edhe atë shpirtërorë, për më tepër kur dihet se kuptimet e hixhretit janë shumëdimensionale. Me e braktisë çdo gjë që e ka ndaluar Allahu, s’domend se është hixhret:
"Mysliman i vërtetë është ai që myslimanët kanë shpëtuar prej gjuhës dhe dorës së tij, kurse muhaxhir është ai që emigron (ikën prej) asaj që ka ndaluar Allahu."
Në kohën tonë, sakrifikimi për vlerat e fesë nga ne nuk kërkon që ne të shpërngulemi nga shtëpitë tona. Përkundrazi, sakrifica tregohet dhe vërtetohet me qëndrimin tonë në vendin tonë, me forcimin e lidhjeve me vatanin tonë. Akona sa Pejgamberi ishte gjallë, dikush nga sahabët që nuk kishin mundur të bëjnë hixhret, e patën pyetur nëse ka mundësi se e fituar gradën e muhaxhirit, përse ai qe përgjigjur: "Muhaxhir është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai!"
Prandaj, hixhreti në kuptim të ikjes nga gjynahet është fenomen që do të zgjas deri në Ditën e Kiametit. Prandaj, lum ai që bënë këtë lloj hixhreti gjithmonë duke u larguar nga ato që Allahu i ka ndaluar. Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
"Nuk ndërpritet hixhreti (ikja nga gjynahet) për sa kohë nuk ndërpritet teubeja, dhe nuk ndërpritet teubeja për sa kohë dielli nuk lind nga perëndimi."
Hixhreti edhe praktikisht e tregoi se interesi i përgjithshëm ka përparësi nga ai personal dhe se myslimanët duhet të jetojnë si vëllezër të vërtetë duke e ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke e dashur vetëm për hir të Allahut (xh.sh.). Gjithmonë duhet besuar dhe mbështetur Allahut (xh.sh.) ashtu siç kanë vepruar myslimanët e parë, me punuar me nder, vështirësitë jetësore me durim me i tejkaluar, ngatërresat me i pajtuar, nga pasuria që posedon me ju dhënë edhe të tjerëve të cilët kanë nevojë, me i luftuar të gjitha të ligat konform parimeve kuranore dhe synetit të Resulullahit.
Myslimanët e gjeneratës së Pejgamberit (a.s.) janë brezi më i ndritshëm në historinë e fesë tonë të shtrenjtë, prandaj, për gjeneratat pasuese janë yrneku ma i mirë që duhet ndjekur. Ata i dëshmuan tërë njerëzimit se besimi është ideali më i lartë i njeriut dhe për të ja vlen me sakrifikua gjithçka. Ata lanë shtëpitë, familjet, pasuritë, vendlindjen dhe emigruan, por jo edhe besimin. Dhe ia ka vlejtur! Prandaj, nuk është e tepërt nëse themi se Hixhreti qe një mësim i shkëlqyer për të gjitha gjeneratat dhe për të gjitha kohërat deri në Ditën e Kiametit.
Falë Hixhretit, kultura islame u kompletua ku e ku më shumë, shteti islam u themelua, u ngritë dhe u zhvillua i bazuar në Kuran dhe Synet, drejtësinë dhe etikën islame e shpërndau edhe në kontinente tjera kurse shkenca e dituria shndritën botën.
Ishte pikërisht hixhreti që Islamin e bëri faktor botëror, ishte fillimi i një epoke të re dhe pikërisht për këtë arsye u vendos që kalendari islam të fillonte me këtë epokë, në të cilën fillon edhe mëvetësia e myslimanëve në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve hyjnore në parametra shtetëror dhe zyrtar, duke bërë të mundur bashkëjetesën midis kombeve të ndryshëm madje edhe të feve të ndryshme në zemër të shtetit, në Medine.
Sot, ne hixhretin duhet ta rikujtojmë dhe sipas mësimeve dhe urtësive të tij të veprojmë, duke u larguar nga gabimet dhe gjynahet eventuale e të hapërojmë drejtë ideales, drejtë vlerave të pastra morale, drejtë udhëzimeve kuranore dhe shëmbëlltyrës pejgamberiane, drejtë dritës Hyjnore.
Si përfundim
Rëndësinë e Hixhretit të Pejgamberit a.s., i cili praktikisht ka ndodhur në fund të muajit Safer dhe fillim të atij Rebiu l'evvel, më së miri e ka vlerësuar hazreti Ymeri (r.a.) i cili, pasi qe konsultuar edhe me shokët tjerë, kishte nxjerrë fetvanë sipas së cilës llogaritja e kohës do të bëhej nga data 1 muharrem (e vitit të 622 m.), epokë kjo e cila vazhdon të llogaritet gjithmonë duke e potencuar se është sipas hixhretit. Ky vendim ose fetva e hazreti Ymerit, sipas llogaritjeve më të sakta, është marrë në vitin e 17 të hixhretit.
Bota islame, sidomos në kohën e re, po e manifeston Vitin e Ri Hixhri në forma të ndryshme, por me tipare fetare dhe kjo është mirë, sepse ajo ditë -siç e përmendem më sipër- është ndër më të rëndësishmet në historinë islame. Ne këtë duhet ta kuptojmë në bazë të rrethanave dhe kushteve aktuale. Pa mëdyshje se porosia themelore e hixhretit është se me qenë mysliman është me besuar në vlerat për të cilat ia vlen me sakrifikuar. As'habët, të cilët bënë hixhretin në kohën e Pejgamberit a.s., nuk kanë vajtur për jetë më të mirë ose për të gëzuar privilegje e pozita udhëheqëse, por kanë sakrifikuar për fenë, si vlerën më të madhe, cakun më të madh. Suhejb er-Rumiu posedonte pasuri të madhe në Meke, e mushrikët mekas nga ai kishin kërkuar që nëse donë me bërë hixhret, tërë pasurin ta lë në Meke, gjë që ai e kishte bërë. Kur kishin dëgjuar për këtë rast, disa myslimanë kishin thënë se Suhejbi paskësh bankrotuar e dështuar, për se Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Suhejbi definitivisht ka fituar!"
Duke hapruar në vitin 1442 hixhri, duhet të zotohemi se me devotshmëri do t’iu shërbejmë parimeve islame, se do t'i pasojmë dispozitat e tij dhe se do të angazhohemi me sinqeritet në përparimin e ideve islame. Për më tepër, nëse e kuptojmë drejtë se, hixhreti është inspirimi dhe nxitja më e madhe për myslimanët e sinqertë. Kuptimi i hixhretit do të duhej të jetë kuptim i vet jetës tonë. Falë hixhretit, asokohe në Medinë u themelua shteti islam, nga aty mori forcë e përkrahje, fise të tëra iu afroheshin Pejgamberit dhe para tij besatoheshin për islam, nga aty më pas drita islame do të shndritë gjithandej dhe se numri i myslimanëve do të rritej gjithnjë e më shumë për të arrit sot në afër dy miliardë.
Viti i Ri Hixhri, në vigjilje të të cilit jemi, është rast ideal dhe duhet të troket në ndërgjegjen e myslimanëve për të ripërtëri besimin në zemrat e tyre dhe për t'u angazhuar që amanetin për hir të Allahut ta qojmë në vend. Myslimanët duhet të bëhen shembull tek të cilët duhet të tjerët të bazohen e jo që këta t'i marrin shembull të tjerët.
Ndonëse vitin që po e lëmë pas e ka karakterizuar pandemia me të cilën u sprovuam, përse e lus Zotin të na mbrojë nga ajo, dëshiroj të potencojë se thelbi i porosisë së hixhretit për ne myslimanët e Kosovës si në vend ashtu edhe gjithandej nëpër botë kudo që gjendën, do të duhej të jetë një thirrje për t'u kujdesur për atdheun tonë, shtetin tonë, njerëzit tanë, vatanin tonë.
Hixhreti ka lindur shtetin e parë të lirisë, të drejtësisë, të moralit, të respektimit të ligjeve dhe të kushtetutës, ka lindur burrështetas të cilët me nder e krenari pasuan denjësisht Pejgamberin (a.s.) si: Ebu Bekri, Ymeri, Osmani e Aliu (r.anhum). Hazreti Ebu Bekri qe mbështetja më e madhe, pas Zotit, për Pejgamberin, kurse hazreti Aliu, për ta shpëtuar Pejgamberin, sakrifikoi jetën e tij. Në punë të mira e të mbara, myslimanët duhet të prijnë sepse ata duhet të jenë "Es-sabikune fil-hajrati"!
Për mysliman e burra të tillë sot bota islame ka nevojë më shumë se kurrë!