55 përputhshmëri dhe lidhshmëri të Muhamedit a.s. me numrin 5 (pesë)


Lavd-falënderimet dhe frikë-respektet i qofshin vetëm Allahut xh.sh. kurse përshëndetjet dhe selamet qofshin për Muhamedin a.s. familjen e tij, shokët e tij dhe për gjithë pasuesit e rrugës së tij.

Muhamedi a.s. është krijesa më e dashur e Allahut xh.sh. në tokë dhe qiell, dhe Allahu e ka dërguar si mëshirë për të gjitha krijesat.
Muhamedi a.s. dhe lidhshmëritë e tij më numrin pesë (5), është një temë që kemi të bëjmë me shumë gjëra që ndërlidhen me te, e që përputhen me numrin 5. Këto lidhshmëri kanë të bëjnë me: emrin e tij, me Kuranin që i është shpallur atij, me personalitetin e tij, … etj. Lidhshmëria e emrit të Muhamedit a.s. me numrin 5 është përputhje hyjnore dhe jo koincidencë rastësie.
Në vazhdim do t’i përmendim një sërë përputhjesh të Muhamedit a.s. me numrin 5, si p.sh.:
1. Muhamedi a.s. në Kuran është përmendur 5 herë; 4 herë është përmendur me emrin Muhamed në suret: Ali Imran 144, Ahzab 40, Muhamed 6 dhe Fet’h 29, si dhe 1 herë me emrin Ahmed në suren: Saf 6. Njëkohësisht dihet se Muhamedi a.s kur është thirrur apo përmendur në rastet tjera, është përmendur me emra nderues dhe respektues, si p.sh. O i dërguar, O pejgamber, apo i dërguar-i, pejgamber-i, etj.
2. Allahu xh.sh. i ka bërë obligim Muhamedit a.s. 5 kohë namaz në 24 orë.
3. Allahu xh.sh. e ka bërë që feja islame të ndërtohet në 5 shtylla kryesore, apo në 5 kushtet bazë.
4. Për herë të parë kur i është zbritur Kurani Muhamedit a.s i janë shpallur 5 ajetet e para të surës Alek.
5. Bile ajeti i 5-të i shpallur prej 5 ajeteve të para ka 5 fjalë.
6. Pikërisht emri i sures alek në gjuhën arabe përbëhet prej 5 shkronjave el-Alek.
7. Formula e myslimanit “Bismil-lahirr Rrahmanirr Rrahim” (Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!), në gjuhën arabe përbëhet prej 5 fjalëve.
8. Emri Muhamed në gjuhën arabe përbëhet prej 5 bashkëtingëlloreve.
9. Në Kuranin Fisnik fjala “i pastër ose pastërti” në forma dhe mënyra të ndryshme është përsëritur 31 herë, por vetëm shprehja “mutaharetun” (pastërti) është përsëritur 5 herë.
10. Allahu xh.sh. në ajetin 4 të sures Kalem e lavdëron Muhamedin a.s. për moralin e tij ku i thotë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”, ky ajet në gjuhën arabe përbëhet prej 5 fjalëve, njëkohësisht edhe emri i sures Kalem përbëhet prej 5 shkronjave.
11. Në Kuranin Fisnik surja Kalem është e radhitur e 68-ta, (6+8=14 → 1+4=5).
12. Emri Muhamed fillon me bashkëtingëlloren M. Alfabeti i gjuhës arabe ka 28 bashkëtingëllore, nëse këtë alfabet e numërojmë nga fundi, shkronja M është e radhitur e 5-ta.
13. Kemi një sure e cila quhet Muhamed emri i kësaj sureje përbëhet prej 5 shkronjave, dhe si veçori e kësaj sureje është se të gjitha ajetet e saj përpos një ajeti, përfundojnë më shkronjën M.
14. Allahu xh.sh. nga të gjithë më të dashurit e Tij (pejgamberët), Zoti xh.sh. i ka dalluar 5 më të zgjedhurit që i ka quajtur “Ulul Azmi” (më të zgjedhurit) që janë: Ibrahimi a.s., Davudi a.s., Musa a.s., Isa a.s. dhe i 5-ti prej tyre Muhamedi a.s.
15. Allahu xh.sh. ia bëri Muhamedit a.s. ditën e Premte (Xhuma) si ditë më të dashur dhe më të dalluar gjatë javës, njëkohësisht është edhe dita e 5-të e javës. Në këtë ditë kemi edhe namazin më me vlerë gjatë javës që është namazi i xhumasë, kështu që sipas këtij namazi është emërtuar edhe dita e 5-të e javës.
16. Surja e fundit që ka zbrit si sure komplete është sureja Nasr, nëse suret i numërojmë nga fundi, kjo sure radhitet e 5-ta.
17. Surja Nasr meqë ka zbrit si sure e fundit, dhe është radhitur e 5-ta nga fundi, njëkohësisht edhe emri i saj në gjuhën arabe përbëhet prej 5 shkronjave.
18. Fjala “shukrun”-falënderim në Kuran është përmendur shumë herë dhe në forma të ndryshme, është interesante se kjo fjalë në gjuhën arabe në mënyrën urdhërore në shumës, p.sh.: “ushkuru”-Falënderoni! Është përsëritur 5 herë.
19. Në Kuranin Fisnik kemi 5 sure që fillojnë me fjalën “Kul” (thuaj), ato sure janë: Xhin, Kafirun, Ihlas, Felek dhe Nas.
20. Shumica e dijetarëve thonë se fjala e parë e rradhitur në Kuran është “Elhamdu” (Lavd-falenderimi), kjo fjalë në gjuhën arabe përbëhet prej 5 bashkëtingëlloreve.
21. Në Kuranin Fisnik kemi 5 sure që fillojnë me fjalën “Elhamdu lilal” (Falënderimi i qoftë Allahut), ato sure janë: Fatiha, En’am, Kehf, Sebe’e dhe Fatir.
22. Në Kuranin Fisnik kemi 5 ajete që përfundojnë me fjalinë “elhamdul lilahi rabil alemin” (Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve), ato ajete janë: En’am 45, Junus 10, Safat 182, Zumer 75, dhe Gafir 65.
23. Kurani Fisnik përfundon me fjalën “Nas” (njerëzit), kjo fjalë në gjuhën arabe përbëhet prej 5 bashkëtingëlloreve.
24. Emri Allah është emri më i madh i Zotit, në Kuranin Fisnik është përmendur më së shumti, gjithsej 2698 herë, kur e lexojmë emrin Allah në gjuhën arabe shqiptojmë 5 shkronja.
25. Emri i Zotit El-Ehad (Një, i Vetmi) përbëhet prej 5 shkronjave.
26. Në Kuranin Fisnik emri i Zotit El-Hamid (i Lavd-Falënderuari) është përsëritur 14 herë, (1+4=5).
27. Në Kuranin Fisnik emri i Zotit El-Alim (i Gjithëdituri) është përsëritur 86 herë, (8+6=14 → 1+4=5).
28. Në Kuranin Fisnik emri i Zotit El-Kebir (i Madhërishmi) është përsëritur 5 herë.
29. Në Kuranin Fisnik emrat e Zotit xh.sh janë përmendur dhe përsëritur gjithsej 465 herë, d.m.th. kjo shifër përfundon me numrin 5.
30. Ramazani është muaji më i bekuar, më i dalluar dhe më i dashur të Zoti xh.sh. Muajin e Ramazanit Allahu xh.sh. në Kuran me emër e përmend vetëm një herë, pra me emrin “Ramadan”, e ky emër në gjuhën arabe përbëhët prej 5 bashkëtingëlloreve.
31. Ajetet që flasin për muajin e Ramazanin janë 5 duke filluar nga ajeti 183 deri 187 të sures Bekare.
32. Kemi 5 muaj (hixhrij) të veçuar nga Allahu xh.sh., 1 i bekuar që është Ramazani dhe 4 të shenjtë që janë: Rexhep, Dhul Kade, Dhul Hixhe dhe Muharrem.
33. Ajeti i parë i përsëritur (jo si shkronja simbolike) është ajeti i 5-të i surës Bekare, që është përsëritur në ajetin e 5-të të surës Lukman.
34. Surja e cila quhet Err-Rrahman në Kuran është e radhitur e 55-ta, është emërtuar me një nga emrat e Zotit, kjo sure poashtu fillon me këtë fjalë dhe kjo fjalë përbën ajetin e parë të saj,.
35. Një nga karakteristikat e veçanta të Kuranit janë edhe shkronjat simbolike, maksimalisht këto shkronja bashkë janë ardhur vetëm në surën Merjem, ku ajeti i parë i kësaj sureje përbëhet prej 5 shkronjave simbolike, p.sh. Kef-He-Je-Ajn-Sad.
36. Në Kuranin Fisnik kemi 5 sure që fillojnë me betim, ato janë: Fexhr, Shems, Lejl, Duha dhe Asr.
37. Në Kuranin Fisnik kemi 6 sure që bartin emra të pejgamberëve dhe ato janë: Junus, Hud, Jusuf, Ibrahim, Muhamed dhe Nuh. Kështu që surja Muhamed është radhitur e 5-ta.
38. Në Kuranin Fisnik kemi 5 sure që fillojnë më shkronjat simbolike “Elif-Lam-Ra”, dhe ato janë: Junus, Hud, Jusuf, Ibrahim dhe Hixhr.
39. Surja Maide është e vetmja e cila fillon me fjalët: “O besimtarë!” dhe është surja në të cilën përmendet më shpesh se kudo tjetër kjo fjalë, kjo sure në Kuran është e radhitur e 5-ta.
40. Në surën Huxhurat thirrja “O besimtarë” është përsëritur 5 herë.
41. Objektivat e Sheriatit Islam sipas dijetarëve muslimanë janë 5: Ruajtja e fesë, ruajtja e nderit, ruajtja e jetës, ruajtja e mendjes dhe ruajtja e pasurisë.
42. Në tri suret: Murselat, Infitar dhe Inshikak, 5 ajetet e para të këtyre sureve përfundojnë me shkronjën e tretë të alfabetit arab, pra me T.
43. Nata e Kadrit është nata më me vlerë në jetën e muslimanit, dihet se për këtë natë kemi sure të veçantë që quhet sureja El-Kadr, në gjuhën arabe emri i kësaj sureje përbëhet prej 5 bashkëtingëlloreve.
44. Sureja El-Kadr një ndër suret më madhështore në Kuran ka 5 ajete.
45. Sureja El-Kadr që ka 5 ajete, ajeti i parë dhe i pestë i kësaj sureje përbëhet prej 5 fjalëve, dhe të gjitha ajetet e saj përfundojnë më shkronjën R.
46. Sureja El-Kadr përfundon me fjalën Fexhr, e sureja Fexhr fillon me fjalën Fexhr, dhe në këtë sure janë 5 ajete që përfundojnë me shkronjën R.
47. Sureja El-Kadr që ka 5 ajete , pasi që ajeti i 5-të ka 5 fjalë përfundon më fjalën Fexhr, kjo fjalë në gjuhën arabe përbëhet prej 5 bashkëtingëlloreve.
48. Sureja e mesme e Kuranit është Kehfi ku gjendet edhe fjala e mesme e Kuranit në te, njëkohësisht emri i kësaj sureje përbëhet prej 5 shkronjave.
49. Ajeti më madhështor i Kuranit është ajeti Kursij, ky është ajeti i 255-të i sures Bekare. E cekëm këtë ajet sepse në te përmenden 5 emra të bukur të Zotit si: Allah, El-Hajj (i Gjalli), El-Kajjum (i Përjetshmi), El-Alijj (i Larti) dhe El-Adhim (Madhështori, i Madhi).
50. Ajeti Kursij përbëhet prej 50 fjalëve (5+0=5) pra lidhet me numrin 5.
51. Ajeti Kursij përbëhet prej 185 shkronjave (1+8+5=14 → 1+4=5) gjithashtu lidhet me numrin 5.
52. Në Kuranin Fisnik 5 suret e fundit gjithsej kanë 23 ajete (2+3=5), konkretisht suret: Nasr ka 3 ajete, Mesed ka 5 ajete, Ihlas ka 4 ajete, Felek ka 5 ajete dhe Nas ka 6 ajete. Matematikisht (3+5+4+5+6=23 → 2+3=5).
53. Në Kuranin Fisnik kemi veç një rast kur një fjalë është përsëritur dy herë rresht, kjo ka ndodhur në ajetin 36 të sures Muminun. Kjo fjalë është “hejhate”-(sa larg) që në gjuhën arabe përbëhet prej 5 shkronjave.
54. Në Kuranin Fisnik fjala “sunet” është përmendur 5 (pesë) herë, në suret: Enfal 38, Fatir 43(tri herë), dhe Gafir 85.
55. Dy gratë më të përmendura të Muhamedit a.s, Ajsheja r.a dhe Hatixheja r.a emrat e tyre në gjuhën arabe përbëhen prej 5 shkronjave, bile edhe emri i vajzës më të përmendur të Muhamedit a.s Fatimes në gjuhën arabe përbëhet prej 5 shkronjave.

Në këtë shkrim kemi paraqitur 55 përputhshmëri dhe lidhshmëri në aspekte të ndryshme të Muhamedit a.s me numrin 5, pra edhe një herë themi se kjo lidhshmëri matematikore është përputhshmëri hyjnore. E falënderojmë Zotin që jemi myslimanë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi