Lavd-falenderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin a.s, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
O Allah ! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!
Allahu xh.sh thotë: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni mirësitë e Allahut, dhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim”. (Xhumua 10)
“Sikur Allahu t’ua shumonte begatinë robërve të vet, ata do t’i tejkalonin kufijtë, por Ai i furnizon me masën që dëshiron, sepse Ai është i Njohur hollësisht dhe i Dijshëm për robërit e vet”. (Shura 27)
Kurse Muhamedi a.s për vlerën dhe dashurinë ndaj punës thotë: “Davudi a.s nuk është ushqyer përveçse nga puna dhe fitimi me dorën e vet”. (Buhariu)
“Allahu e donë besimtarin me profesion (zanat) dhe që mban familjen e tij, dhe nuk e do atë që është i papunë, që nuk punon as për dynjanë dhe as për ahiretin”. (Zubejdi)
“Nëse dikush punon dhe kujdeset për prindërit e tij të moshuar, ai është në rrugën e Allahut, edhe ai që punon dhe kujdeset për fëmijët e tij të vegjël, ai është në rrugën e Allahut, edhe ai që punon për të ruajtur vetën e tij nga lypja, është në rrugën e Allahut, kurse ai që punon sa për sy e faqe të njerëzve, ai është në rrugën e shejtanit”. (Bejhekiu)
“Kush e kërkon dynjanë në hallall, duke iu ruajtur lypjes, shpenzon për familjen e vet dhe ndihmon komshiun, do të vijë Ditën e Gjykimit me fytyrën e tij porsi drita e Hënës katërmbëdhjetëshe. Dhe kush e kërkon dynjanë në hallall, por që të shtojë pasurinë për tu krehuar sa për sy e faqe, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të”. (Zubejdi)
“Ruhuni dhe mos e bëni veten tuaj porsi të vdekurit që nuk punojnë …”. (Bejhekiu)
“Ai njeri që fillon të lypë, Allahu do t’i hapi dyert e varfërisë, dhe kush ruhet Allahu atë do ta ruajë, dhe kush kërkon pasuri Allahu do ta pasurojë, …”. (Ahmedi)
Në vazhdim do të cekim disa thënie të dijetarëve për vlerën dhe dashurinë ndaj punës dhe punëtorit: Ibn Abasi r.a thotë: “Të fitosh prej hallallit është më e veshtirë sesa të zhvendosësh një mal nga vendi i tij”.
Sejid ibn Musejeb thotë: “Nuk ka hajër tek ai njeri që nuk punon, dhe që nuk mbledh pasuri në hallall, dhe të nxjerri prej saj hakun që i takon dhe të ruajë veten prej saj”.
Thabit Benanij: “Mirësia është e ndarë në dhjetë pjesë, nëntë janë në heshtje, dhe një duke u larguar nga njerëzit, dhe është ndarë adhurimi në dhjetë pjesë, nëntë në kërkimin e fitimit të jetësës prej punës, dhe një në falje (namaz)”.
Dhe do të cekim edhe dy fjalë të urta për këtë gjë:
“Nuk mund të kryejë punë të mëdha, ai që nuk i jep rëndësi punëve të vogla”.
“Pema gjykohet nga frytet, kurse njeriu nga veprat”.
E lusim Zotin xh.sh që të jemi prej atyre që punojmë dhe angazhohemi sa kemi mundësi.