Agjërimi i të Dërguarit a.s.


Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik na urdhëron dhe na mëson se pasimi i të Dërguarit të Tij është rruga e vetme e shpëtimit në këtë dhe botën tjetër: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21).
S’ka dyshim se veprimet, sjelljet, qëndrimet, fjalët dhe punët e Pejgamberit a.s. duhet të jenë motivi dhe udhërrëfyesi ynë në këtë jetë. Ajo që na është urdhëruar nga ai a.s., ne duhet ta ndjekim dhe ta veprojmë, ngase kështu na porositë edhe Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik: “...Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër.” (El-Hashr, 7).
Jeta fisnike e të Dërguarit a.s., si dhe kryerja e ibadeteve nga ana e tij janë mësimet më të mira se si duhet jetuar ne jetën tonë. Se agjërimi ishte ndër ibadetet më fisnike të Pejgamberit a.s. na e mëson edhe hadithi i burrit nga Nexhdi, kur erdhi te Pejgamberi a.s. dhe donte të mësonte se ç’është Islami, e Pejgamberi a.s. i tha: “Të falësh pesë kohët e namazit në ditë.” Përveç këtyre, a ka ndonjë namaz tjetër që duhet ta fal? “Jo, por nëse dëshiron mund të falësh namaz nafile. Gjithashtu ta agjërosh muajin Ramazan.” Përveç këtij, a ka ndonjë agjërim tjetër që më obligohet? “Jo, por nëse dëshiron mund të agjërosh vullnetarisht.” Pastaj Pejgamberi ynë i foli edhe në lidhje me zekatin. Ndërsa ai e pyeti përsëri: Përveç kësaj, a kam diçka tjetër që duhet të japë? I Dërguari i Allahut a.s. i përgjigjet: “Jo, por nëse dëshiron mund të japësh sadaka.” Ky njeri u nda nga i Dërguari a.s. duke deklaruar: “Pasha Allahun, nuk do të bëj as më tepër as më pak se këto që dëgjova.” Me këtë rast, Pejgamberi a.s. tha: “Ka shpëtuar nëse qëndron në fjalë.”

Agjërimi i Ramazanit nga Pejgamberi a.s.

Agjërimi i muajit Ramazan është obligim: “O ju që keni besuar, u është bërë obligim agjërimi sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më e mirë për të. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (El-Bekare, 183-184). Ai është bërë obligim në vitin e dytë hixhrij.
Jeta e Pejgamberit a.s. karakterizohet me veti dhe cilësi të mrekullueshme. Ai gjatë tërë jetës së tij ishte bujar, zemërgjerë dhe solidar me të gjithë, por kur hynte muaji Ramazan, këto cilësi sikur shtoheshin edhe më shumë gjatë këtij muaji. Ekzistojnë shumë thënie në të cilat është shënuar se Pejgamberi a.s., gjatë muajit Ramazan, bënte më shumë vepra të mira, u ndihmonte të varfërve, lexonte më shumë Kuran, falej më shumë, e përmendte Allahun më shumë, si dhe vetmohej për të bërë ibadete dhe për të medituar rreth mëshirës së Zotit të tij. Nëse vështrojmë me kujdes jetëshkrimin e tij, e shohim se gjatë Ramazanit, udhëtimet e tij ishin më të rralla, kjo sikur dëshmon se përkushtimi gjatë këtij muaji ishte edhe më i madh, ani pse edhe udhëtimi i tij dihet mirëfilli se ka qenë një ibadet. Por, edhe kur udhëtonte, ai agjëronte, por nganjëherë edhe e ndërpriste agjërimin, për të na bërë të ditur edhe neve se një gjë e tillë është e lejuar, bazuar në ajetin kuranor: “...e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë...” (El-Bekare, 184).
Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s. është shembulli ynë më i mirë për mënyrën e plotë të adhurimit të Allahut xh.sh., e ai këtë e bënte më së miri gjatë muajit Ramazan, sidomos gjatë netëve të këtij muaji. Ai i kalonte netët e Ramazanit duke bërë ibadet, e duke shtuar namazin e natës me përulësi e me nënshtrim. Ai porosiste edhe shokët e tij duke iu thënë: “Kush falet në Ramazan me besim dhe vetëllogari, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” Namazet e gjata në thellësi të natës ishin energjia më e madhe e Pejgamberit a.s. që dëshironte ta ndryshonte botën dhe ta bënte një vend më të mirë për të jetuar. Pikërisht këto momente janë përshkuar përgjithmonë në suren El-Muzemil, ku Allahu xh.sh. ka thënë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë...” (El-Muzemil, 1-5)
Gjatë ditëve të Ramazanit, Pejgamberi a.s. vazhdonte misionin e tij fisnik, atë të thirrjes në Islam, por edhe bërjen e veprave të bamirësisë dhe të dobishme. Ndër këshillat që Pejgamberi a.s. ua thoshte shokëve të tij, e nëpërmes tyre edhe neve sot, ishte edhe që të zgjohen para agimit dhe të hanë ushqim para syfyrit, kjo ngase atë e cilësonte si një kohë të bereqetshme, kohë të afërsisë së Allahut dhe kohë të faljes. “Çohuni në syfyr, ngase në syfyr ka bereqet.”
Fundi i Ramazanit e gjente Muhamedin a.s. edhe më të përkushtuar dhe më të dhënë pas ibadeteve. Ai tërhiqej në vetmi, në vetëizolim nga bota, gjegjësisht fillonte itikafin, me të vetmin qëllim, kërkimin e natës së madhe të Kadrit. Aisheja r.a. rrëfen dhe tregon se: “Pejgamberi a.s. gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit qëndronte në itikaf, derisa i kishte ardhur vdekja.” Ai gjatë këtyre netëve zgjonte anëtarët e familjes së tij dhe kërkonte nga ta që ta shtonin adhurimin dhe t’i shtonin duatë, lutjet për falje nga Allahu. Aisheja r.a. tregon se: “Kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit, Pejgamberi a.s. i ngjallte netët (me ibadete), zgjonte familjen e tij prej gjumi, përpiqej (për ibadete të shumta) dhe shtrëngohej (për ibadete), si dhe largohej nga marrëdhëniet intime me gratë e veta.”

Agjërime për të cilat nxiti Pejgamberi a.s.

Kurani fisnik na rrëfen tregime se edhe popujt e mëhershëm kanë pasur obligim agjërimin “O ju që keni besuar, u është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush...” (El-Bekare, 183), pa çka që agjërimi ka qenë dhe do të mbetet një adhurim i lashtë i pazëvendësueshëm. Është e pakontestueshme obligueshmëria e agjërimit në muajin Ramazan, por kjo nuk do të thotë se jashtë këtij muaji, agjërimi është i ndaluar apo që nuk është i pëlqyer, me përjashtim të dy ditëve të Bajrameve, kur ndalohet agjërimi, si dhe në ditët e teshrikut, kur është i papëlqyeshëm agjërimi. Krahas këtyre, Pejgamberi a.s. na ka mësuar dhe ka praktikuar edhe agjërime të ditëve të tjera, të cilat do t’i përmendim më poshtë.

Agjërimi i ditës së Ashurës

Historiku islam e njeh agjërimin e ditës së Ashurës si një prej agjërimeve të para që ka praktikuar Pejgamberi a.s. dhe myslimanët në përgjithësi. Agjërimi i kësaj dite duket të ketë qenë traditë e kahershme, që nga koha e Ibrahimit a.s., ngase, bazuar në rrëfimin e Aishes r.a. kurejshët e kishin zakon të agjëronin ditën e Ashurës edhe para Islamit. Edhe Pejgamberi a.s. e agjëronte atë ditë.
Me migrimin e Pejgamberit a.s. nga Meka në Medine, aty gjeti hebrenjtë e Medinës duke e agjëruar ditën e dhjetë të muajit Muharrem, e njohur si dita e Ashurës. Ata e konsideronin këtë si një ditë feste, andaj edhe e madhëronin me agjërim. Ibën Abasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. kur shkoi në Medine i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashurës. Ai iu tha: “Për çfarë e bëni këtë agjërim?” Ata i thanë: “Është një ditë e madhe, se Allahu e shpëtoi Musain dhe fiset e Izraelit nga armiqtë e tyre në këtë ditë, prandaj edhe Musai ka agjëruar në këtë ditë.” Pejgamberi a.s. u tha: “Ne kemi më shumë të drejta te Musai se ju.” Kështu ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjërojnë atë ditë. Pejgamberi a.s. i urdhëroi njerëzit që ta agjëronin këtë ditë, derisa erdhi urdhri për ta agjëruar muajin Ramazan, më pastaj ai tha: “Kush dëshiron mund ta agjërojë ditën e Ashurës dhe kush do mund ta lërë atë.”
Nga rrëfimi i Ibën Abasit na bëhet e ditur se shokët e Pejgamberit a.s. kur u urdhëruan të agjëronin ditën e Ashurës, i thanë Pejgamberit a.s.: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është dita që e nderojnë hebrenjtë dhe të krishterët.” Pejgamberi a.s. iu tha: “Kur të vjen viti tjetër, në dashtë Allahu, ne do të agjërojmë (edhe) ditën e nëntë.”
Bazuar në këtë hadith, dijetarët islamë kanë dhënë edhe mendimin e tyre në lidhje me agjërimin e kësaj dite dhe kanë përmendur tri mënyra: E para, agjërimi i tri ditëve, 9, 10, 11 në muajin Muharrem; E dyta, agjërimi i ditës së 9 dhe të 10 të këtij muaji; E treta, agjërimi i ditës së 10 Muharrem.
Përveç ditës së Ashurës, Ebu Hurejra r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. është pyetur se cili namaz është më i vlefshëm pas namazeve të detyruara. Ai ka thënë: “Namazi gjatë mesit të natës.” Pastaj është pyetur, se cili është agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit dhe Pejgamberi a.s. është përgjigjur: “Muaji i Allahut që ju e quani Muharrem.”

Agjërimi i tri ditëve të çdo muaji

Në traditën e çmuar të Pejgamberit a.s., ekziston edhe agjërimi i tri ditëve të çdo muaji, e që në të drejtën e Sheriatit njihen ndryshe edhe si “Ditët e bardha” ose “Ditët e ndriçuara”. Fjala është për agjërimin e ditës së 13, 14 dhe 15 të muajit hënor, ditë në të cilat hëna është e plotë dhe e ndriçuar, për çka bën që këto të quhen edhe me këtë emër. Ebu Hurejra r.a. na tregon se: “I dashuri im, Pejgamberi a.s. më këshilloi me tri gjëra, e para, të agjërojë tri ditë për çdo muaj, e dyta, të falë dy rekate namaz të duhasë para drekës, dhe e treta, ta falë namazin e vitrit para se të bie me fjet.”
Po ashtu, transmetohet nga Ebu Dherr El-Gafariu, se Pejgamberi a.s. e kishte urdhëruar të agjëronte tri ditë të çdo muaji, pikërisht ditët 13, 14 dhe 15 (sipas kalendarit hënor). Ai në lidhje me to ka thënë: “Nëse agjëron ato ditë, është si të agjërosh gjithë vitin.”

Agjërimi i ditës së hënë dhe ditës së enjte

Dita e hënë dhe dita e enjte në traditën profetike gëzonin një respekt të madh. Pejgamberi a.s. në këto ditë tregonte një kujdes të veçantë sa i përket agjërimit të këtyre ditëve. Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se ditët në të cilat më së shumti agjëronte i Dërguari i Allahut a.s. ishin dita e hënë dhe dita e enjte. Kur u pyet rreth kësaj, ai tha: “Veprat paraqiten tek Allahu çdo të hënë dhe të enjte. Allahu fal çdo mysliman, çdo besimtar, përveç atyre që janë grindur me njëri-tjetrin. Ai thotë: Lërini ata për më vonë.”
Ndërsa, sa i përket agjërimit në ditën e hënë, Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Ajo është dita kur unë kam lindur dhe është dita kur më ka ardhur shpallja.”

Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval

Muaji Sheval është muaji pasues pas muajit Ramazan. Nga fjalët e Pejgamberit a.s., personi që e agjëron muajin Ramazan dhe e pason atë edhe me gjashtë ditë të muajit Sheval, e ka shpërblimin sikur të ketë agjëruar tërë vitin. Andaj për këtë, Pejgamberi a.s. i ka nxitur shokët e tij që muajin Ramazan ta përcjellin edhe me gjashtë ditë të tjera gjatë muajit Sheval. Ebu Ejub el-Ensariu transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e agjëron muajin Ramazan dhe e përcjellë me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet sikur të ketë agjëruar tërë vitin.”

Agjërimi i ditës së Arafatit

Dita e Arafatit apo thënë më ndryshe nata e Kurban Bajramit, përkon të jetë në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixhe. Pejgamberi a.s. e ka pëlqyer agjërimin e këtyre dhjetë ditëve, e veçanërisht të ditës së dhjetë, apo ditës së Arafatit për personin, i cili nuk është në haxh. Ebu Kutada r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i shlyen gabimet e dy viteve, një vit përpara dhe një vit pas.”
Hafsa r.a. tregon se Pejgamberi a.s. nuk i ka braktisur kurrë katër gjëra, agjërimin e ditës së Ashurës, agjërimin e dhjetë ditëve të para të Dhulhixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji, si dhe faljen e dy rekateve para namazit të agimit.
Sa i përket vlerës së kësaj dite, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i Xhehenemit se sa në ditën e Arafatit.”

Agjërimi gjatë muajit Shaban

Pejgamberi a.s. agjëronte pjesën më të madhe të muajit Shaban. Nga Aisheja r.a. transmetohet të ketë thënë se kurrë nuk e kishte parë Pejgamberin a.s. të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit dhe se kurrë nuk e kishte parë atë të agjëronte më shumë se sa në muajin Shaban.
Rreth vlerës dhe rëndësisë që ka ky muaj, Usame bin Zejdi r.a. e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut a.s.: “O i Dërguari i Allahut! Nuk të shoh të agjërosh në asnjë muaj tjetër, ashtu siç bën në muajin Shaban.” Pejgamberi a.s. i tha: “Ai është muaji që njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje. Ai është midis Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është muaji, gjatë të cilit ngrihen veprat te Zoti i botëve dhe unë preferoj që të jem agjërueshëm kur të ngrihen veprat e mia.”

Agjërimi gjatë “muajve të ndaluar”

“Muajt e ndaluar” në kalendarin islam janë muajt Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Gjatë këtyre muajve është e pëlqyeshme të shpeshtohet agjërimi. Një burrë nga Bahileh shkoi te Pejgamberi a.s. dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam ai që erdhi te ju një vit më parë.” Pejgamberi a.s. i tha: “Çfarë të ka gjetur?! Ke qenë shumë më i pashëm!” Ai u përgjigj: “Nuk kam ngrënë, përveçse natën që u ndava prej jush.” Pejgamberi a.s. i tha: “Përse e ke dënuar veten? Agjëro gjatë muajit të durimit (Ramazan) dhe nga një ditë në çdo muaj.” Burri tha: “më shto diçka tjetër, pasi unë kam më shumë forcë dhe mundësi për të agjëruar.” Pejgamberi a.s. i tha: “Agjëro nga dy ditë (të çdo muaji).” Burri këmbënguli dhe tha: “Më shto përsëri.” Atëherë Pejgamberi a.s. i tha tri herë: “Agjëro nga “muajt e ndaluar” (tri ditë rresht) dhe lëre agjërimin (tri ditë rresht).”

Agjërimi një ditë po një ditë jo

Nga Ebu Seleme ibën Abdurrahmani transmetohet se Pejgamberi a.s. i kishte thënë Abdullah ibën Amrit: “Më kanë thënë se ti falesh natën dhe agjëron ditën (vazhdimisht).” Abdullahu iu përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Pejgamberi a.s. i tha: “Agjëro dhe ha, falu dhe fli, pasi ti ke detyrime ndaj trupit tënd, ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj mysafirit tënd. Është e mjaftueshme për ty të agjërosh tri ditë të një muaji.” Abdullahu donte ta nënshtronte veten dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam fuqi më tepër.” Pejgamberi a.s. i tha: “Agjëro tri ditë në javë.” Abdullahu tha: “Unë kam fuqi më tepër.” Atëherë Pejgamberi a.s. i tha: “Agjëro sipas agjërimit të Davudit dhe mos bëj më tepër.” Abdullahu e pyeti: “Cili ishte agjërimi i Davudit?” Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Ai agjëronte një ditë dhe hante në tjetrën.”



Autori është imam në Xhaminë “Pavarësia” në Prishtinë


Artikulli i kaluar
Namazi i teravisë

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi