Gjithmonë kur flasim mbi dashurinë e Zotit, mendja na shkon menjëherë tek dashuria që ndjen dhe duhet të ndjejë njeriu për Zotin. Në shumë libra gjejmë shembuj të shumtë të njerëzve të mirë, të cilët e donin Zotin dhe sakrifikonin çdo gjë në rrugë të Allahut xh.sh.
Kurse kjo temë do të jetë mbi dashurinë e Zotit për njeriun.
Shumë njerëz janë mësuar që marrëdhëniet dhe lidhjet e tyre me Zotin, t’i ndërtojnë vetëm në bazë të bindjes dhe zbatimit të urdhrave të Zotit. Qëllimi i kësaj teme është që ta ndryshojmë këtë koncept. Qëllimi është që të themi se veç obligimeve që kemi ndaj Zotit, është edhe diçka tjetër që quhet dashuri e ndërsjellë.
Qëllimi është që adhurimet të mos i kryejmë si rutinë, por të kryhen me dëshirë dhe pasion, pasi e ndjen dashurinë e Zotit. Muhamedi a.s. na tregon dashurinë e Zotit xh.sh. ndaj njeriut ku thotë: “Nëse Zoti e donë një njeri, e thërret Xhibrilin. O Xhibril, Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti! dhe e donë edhe Xhibrili. Më pas Xhibrili thërret: O banorë të qiellit, Zoti e donë filanin, prandaj duajeni edhe ju dhe e duan edhe banorët e qiellit. Më pas dashuria i vendoset edhe në mes të njerëzve të tokë”.
Allahu xh.sh në këtë hadith na tregon që kur e donë një nga robërit e Tij, nuk mjafton vetëm me kaq, por kërkon që këtë t’ia tregojë edhe Xhibrilit, i cili edhe ai e donë dhe nuk e fsheh këtë dashuri, por ua tregon edhe melaqeve të tjera që edhe ato ta duan. Jo vetëm kaq, por dashuria për këtë njeri, vendoset edhe në zemrat e njerëzve në tokë.
Shumë ajete të Kuranit, Zoti xh.sh i mbyll me dashurinë e Tij ndaj disa grupe njerëzish:
“…Allahu i don ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta” (Bekare 222)
“… S’ka dyshim se Allahu i don të devotshmit”. (Tevbe 4)
“… Allahu i don të drejtit”.(Maide 42)
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Kush i shkakton dhimbje një njeriu që Unë e dua i kam shpallur luftë atij”.
Përkufizimin e një njeriu që e don Zoti xh.sh, na e jep vetë Kurani ku thotë:
“Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje? (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur”. (Junus 62)
Allahu i Madhërishëm në një hadith kudsij thotë: “Unë me xhinët dhe njerëzit jam në hall të madh, i krijoj kurse ata adhurojnë dikë tjetër, i furnizoj, kurse ata falënderojnë dikë tjetër. Të mirat e Mia zbresin tek robërit e Mi, kurse të këqijat e tyre ngjiten tek Unë. Miqësohem me ta me mëshirën Time, megjithëse nuk kam nevojë për ta, kurse ata bëhen të urryer tek Unë me gjynahet që bëjnë, megjithëse janë në kulmin e nevojës për Mua. Ata që më kujtojnë janë njerëzit më të afërt më Mua, prandaj kush dëshiron të jetë i afërt me Mua, le të më kujtojë. Atyre që bëjnë gjynahe, nuk ua këpus shpresat nga mëshira Ime. Nëse pendohen Unë jam i dashuri i tyre, nëse refuzojnë, Unë jam sprovuesi i tyre. I sprovoj më fatkeqësi, që t’i pastroj nga të metat. Kush më vjen i penduar, e pres nga larg dhe kush më kthen shpinën i thërras nga afër, duke i thënë: Ku po shkon, a ke zot tjetër veç Meje?! E mira tek Unë konsiderohet sa dhjetë të tilla dhe i shtoj më shumë. Kurse e keqja tek Unë është vetëm një dhe ia fali. Betohem në krenarinë dhe madhështinë Time, nëse do më kërkonin t’ua fal, do ua falja të gjitha”.
Zoti na do neve pasi Ai vetë na ka krijuar. Kur dikush e prodhon diçka me duart e tij, e do më shumë se diçka të blerë. Secili prej nesh i duam fëmijët tanë më shumë se fëmijët e tjerë, pasi ne jemi shkaku që lindën.
Nëse do të pyesnim dikë se a e do Zotin do të thoshte menjëherë: “Po, e dua”. Por nëse do e pyesje nëse falej apo agjëronte do të thoshte që jo.
Pra, ne themi që e duam Zotin por vetëm me gojë, nuk kemi tregues që ta vërtetojmë dashurinë tonë ndaj Zotit. Kurse Allahu xh.sh e shpreh dashurinë e tij ndaj nesh dhe e vërteton këtë me tregues të cilët janë:

1.) Na e shtyn ndëshkimin për gjynahet që bëjmë me shpresë që të pendohemi. Zoti xh.sh thotë:
“Zoti yt është që falë shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua ngutte atyre tash dënimin …” (Kehf 58)

2.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është pranimi i pendimit.
Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“ (Allahu është ai) i Cili fal mëkatin dhe pranon pendimin …” (Gafir 3)

3.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se një të mirë e shpërblen me dhjetë të mira, Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“ Kush më vjen me një të mirë Unë ia shumëfishojë me dhjetë të tilla, …” (En’am 160)

4.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se na jep shpërblim të madh për gjëra të vogla, ku Muhamedi a.s. thotë:
“Kush thotë 100 herë “Subhanallahi ve bihamdihi” i falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit”.
“Kush thotë në mëngjes dhe në mbrëmje: Jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si pejgamber, është detyrë e Zotit që ta kënaqë për atë ditë”.
“Ai që thotë: Kërkoj ndihmë nga Zoti dhe fjalët e Tij nga çdo e keqe që ka krijuar, Zoti e ruan atë ditë nga të këqijat”.

5.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit për ne, është se Ai vetë kërkon prej nesh që t’i lutemi, Zoti xh.sh në Kuran thotë:
“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem …” (Gafir 60)

6.) Nga treguesit se Allahu xh.sh na do, është se emrat dhe cilësitë e Tij që përmbajnë mëshirë dhe falje, janë më shumë se cilësitë që përmbajnë ndëshkim.

7.) Nga treguesit se Allahu xh.sh na do, është se Ai në shumë ajete kuranore na qetëson, ku thotë:
“…Zoti juaj ia bëri ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën …” (En’am 54)
… “Allahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat) …” (Nisa 28)
Dikush mund të pyesë, se përderisa Zoti xh.sh na dashka kaq shumë, përse na çon fatkeqësi?
Shkaku i fatkeqësive dhe sprovave varet nga njerëzit të cilët i godet.
Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të largohesh nga gjynahet që bën.
Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të japë gradë të lartë në Xhenet.
Ndonjëherë të sprovon për të të fshirë një gjynah, i cili mund të të çonte në Xhehenem. Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të kujtojë mirësitë e Tij mbi të cilat nuk e falënderoje Zotin. Ndonjëherë të sprovon që ta kuptosh që kjo botë nuk është e përjetshme, dhe të të marrë malli për Xhenetin. Ndonjëherë të sprovon me qëllim që të të shpërblejë në Xhenet për durimin që tregon, ku Allahu xh.sh thotë:
“… Të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”. (Zumer 10)

8.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se ndonjëherë të sprovon me fatkeqësi, me qëllim që të të japë pozitë të lartë më pas. P.sh. rasti i sprovave të Nuhut a.s, Ibrahimit a.s, Jusufit a.s, Isait a.s, Muhamedit a.s, …etj.

9.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut është se nuk e lë që ti mbushet zemra me dashuri të kësaj bote. Për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Allahu i Madhërishëm e mbron njeriun që e do nga dashuria për këtë botë, ashtu siç e mbroni ju të sëmurin që mos të hajë ushqim kur i bën dëm”.

10.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se e mban të përkushtuar në rrugën e fesë. Nëse e sheh që të pëlqen feja dhe kërkon që të mësosh më shumë, dije se kjo është shenjë e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj teje, dhe nëse e sheh vetën që çdo ditë afrohesh me Zotin dhe plotëson urdhrat e Tij, dije që Allahu të donë. Për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Zoti ia jep këtë botë atij që e do edhe atij që nuk e do, kurse fenë nuk ia jep veçse atij që e do”.

11.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është që të jep mundësi që të marrësh dije fetare. Kur hyn në fe fillimisht di shumë pak gjëra, më pas shikon që të hapen dyert e dijes.

12.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se të mëson mirësjelljen dhe butësinë në marrëdhëniet me njerëzit. Ata që janë nervozë dhe të ashpër, le ta dinë që janë pak larg nga dashuria e Zotit, për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Kur Zoti i donë njerëzit e një shtëpie, u jep butësinë mes tyre”.

13.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se ia lehtëson pranimin e fesë dhe detyrat fetare. Me një bisedë që mund të dëgjojë, fillon të vijë në xhami dhe të falet.

14.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se t’i vështirëson gjynahet. Nganjëherë shumëçka për ta vepruar një gjynah dhe nuk ia arrin dot. Nëse të ndodh kjo, dije se të mbron Zoti pasi të do.

15.) Nga treguesit e dashurisë së Zotit xh.sh ndaj njeriut, është se kur i vjen vdekja e gjen duke punuar punë të mira. Ka shumë njerëz të cilët bëjnë vepra të mira, por kur u vjen vdekja, i gjen në haram dhe gjynahe, për këtë Muhamedi a.s thotë:
“Kur Zoti e donë një njeri, e ëmbëlson atë”. Shokët e pyetën: Po si e ëmbëlson, o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “E udhëzon të veprojë punë të mira para se ti vijë vdekja, derisa të jenë të kënaqur me të edhe fqinjët”.
Dashuria më e madhe e Zotit për ty dhe për mu o njeri do të shfaqet në Xhenet inshallah, kur Allahu xh.sh të na thotë: “O robi Im, Unë jam i kënaqur me ty, po ti a je i kënaqur me Mua?”.

O Allah! O Zot i botëve! Na jep përkrahjen dhe mbrojtjen Tënde, e mos na largo nga kujdesi Yt. Na shto dashurinë dhe na bëj sa më të përkushtuar ndaj Teje.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi