Organizmi i jetës fetare islame në Kosovë gjatë historisë


Abstrakt

Organizimi i jetës fetare islame në Kosovë zë fill që nga koha e administrimit të Perandorisë Osmanë në këto anë. Gjatë asaj kohe organizimi i jetës fetare islame gjithandej Perandorisë ka qenë i rregulluar nëpërmjet autoritetit fetar dhe politik, sipas të cilit organizimin fetar islam dhe funksionet shtetërore i ka ushtruar një strukturë unike (Din ve Devle), kurse bashkësitë e tjera fetare kanë pasur organizimet e veta të veçanta.
Në këtë punim do të flasim për etapat historike nga aspekti administrativ nëpër të cilat ka kaluar Bashkësia Islame e Kosovës që nga koha e sundimit osman, e deri në ditët e sotme. Natyrisht, një segment të rëndësishëm, do t’ia kushtojmë organizimit të jetës fetare.

Fjalët kyçe: Bashkësia Islame, jeta fetare, Perandoria Osmane etj.

1.1. Organizmi i jetës fetare në trojet tona gjatë Perandorisë Osmane

Organizimi i jetës fetare islame në Kosovë zë fill që nga koha e administrimit të Perandorisë Osmanë në këto anë. Gjatë asaj kohe organizimi i jetës fetare islame gjithandej Perandorisë ka qenë i rregulluar nëpërmjet autoritetit fetar dhe politik, sipas të cilit, organizimin fetar islam dhe funksionet shtetërore i ka ushtruar një strukturë unike (Din ve Devle), kurse bashkësitë e tjera fetare kanë pasur organizimet e veta të veçanta.
Në kuadër të Perandorisë Osmane, në kuptimin organizativ fetar-islam, të gjithë myslimanët në Ballkan kanë qenë pjesë përbërëse e Bashkësisë Unike Myslimane, në krye të së cilës ka qëndruar sulltani në funksionin e kalifit. Kompetencat dhe prerogativat e kalifit në kohën e qeverisjes së sulltan Muratit II (1421-1451), janë bartur në myftiun kryesor, kështu që nga atëherë, myftiu kryesor në kuadër të Perandorisë Osmane ka bartur titullin shejhul-islam, i cili edhe ishte autoriteti më i lartë fetar islam në gjithë perandorinë. Këtë post e kanë pasur edhe tre shqiptarë: Ali efendi Zembili (1503-1526), Ibrahim Bej efendi Ajvaz Pasha-zada (1719-1797) dhe Abdurrahman Nesip Efendiu (18421914).
Ndërkaq, në nivelin lokal autoritetin qendror të shejhul-islamit e kanë pasur myftinjtë e rretheve(1).

1.2. Bashkësia Islame në Kosovë pas Perandorisë Osmane

Më shkuarjen e Perandorisë Osmanë nga trojet shqiptare, pra dhe nga Kosova, krijohen rrethana të reja shoqërore-politike të pafavorshme për shqiptarët dhe për bashkësinë e tyre fetare islame, sidomos në ato troje që u pushtuan nga okupatori sllav.
Bashkësia e Fesë Islame në Kosovë, siç quhej asokohe, që nga shkuarja e osmanëve, është angazhuar dhe ka luftuar të këtë autonominë fetare ndhe të gëzonte të drejtat dhe statusin ë saj, por kjo nuk ishte e mundur dhe në ato rrethana dhe as që mund të ndodhte ndryshe.
Në rrethanat e krijuara pas vitit 1912 gjendja dhe pozita e institucioneve të BI-së ishte tejet e rëndë. Pos vështirësive të tjera, në këtë kohë ishin shkëputur të gjitha lidhjet me selinë e kryeqendrës në Stamboll. Pra, jeta e organizuar fetare islame në viset shqiptare, të pushtuara nga serbo-malazezët, mund të thuhet së ishte paralizuar fare. Vepronin vetëm imamët më entuziastë, të cilët organizonin kryesisht faljen e namazit dhe kryenin ceremonitë e varrimit të besimtarëve.(2)
Gjendja vazhdoi të ishte e rëndë edhe pas marrëveshjes së Stambollit të marsit të vitit 1914, të lidhur ndërmjet Mbretërisë së Serbisë dhe Turqisë. Më këtë marrëveshje i garantoheshin të drejtat popullatës myslimane në viset e pushtuara(3).
Në pikën e 8-të, të marrëveshjes, qeveria serbe obligohej të njihte të drejtat e barabarta banorëve myslimanë, si edhe banorëve të tjerë.(4) Më këtë myslimanëve (shqiptarëve dhe besimtarëve të tjerë të fesë islame) u garantohej e drejta për kryerjen e të gjitha ceremonive fetare në mënyrë publike. Po ashtu, parashihej edhe respektimi i zakoneve të tyre. Institucionet fetare islame thuhej se gëzonin të parashtronin të drejtat e tyre për aftësimin e kuadrit fetar dhe organizimin e lirë, se pasuria e tyre do të njihej dhe respektohej. Kurrfarë pengesash nuk do t’u bëheshin bashkësive fetare islame dhe individëve që të mbanin lidhjet e tyre shpirtërore edhe me Bashkësitë islame jashtë kufijve të shtetit, siç ishte rasti me kryesinë e BI-së në Stamboll (shejh-ul-islamin). Myftinjtë përsëri do të zgjidheshin nëpër rrethe nëpërmjet zgjedhjeve elektorale. Kushtëzohej vetëm që personat që duhej te kryenin detyrën e myftiut, të ishin shtetas të Serbisë.
Myftiun suprem do ta emëronte mbreti i Serbisë nga mesi i tre kandidatëve të propozuar. Qeveria serbe nëpërmjet delegacionit të vet, do ta sanksiononte emërimin e myftiut suprem në Stamboll te shejh-ul-islami(5), i cili do të lëshonte dekretin (menshuren dhe muraselen). Pas gjithë kësaj, myftiu suprem autorizohej që të bënte emërimin e myftinjve në Serbi. Nëpunësve të BI-së u besohej udhëheqja dhe kontrollimi i vakëfeve(6).
Myftinjtë pos obligimeve të tjera dhe mbikëqyrjes mbi këshillat e vakëfeve angazhoheshin edhe me disa punë të karakterit juridik në lidhje më çështjet e myslimanëve, si të kurorëzimeve, ndarjes së alimentacioneve, testamenteve, trashëgimive të pozitave etj.
Në fund, parashihej edhe njohja e shkollave fetare islame dhe e drejta e zhvillimit të mësimit në gjuhën turke, me kusht që mësimi të ishte në përputhje më programin zyrtar. Kjo marrëveshje u nënshkrua, por u zbatua vetëm pjesërisht dhe atë më shumë vonesë. Kështu, nga mesi i vitit 1914 në Kosovë vepronin këto myftini të qarkut (në Prishtinë, Prizren dhe në Mitrovicë) dhe disa të tjera të rretheve. Gjithashtu vazhdonin të vepronin edhe vakëfet ‘mearife’ të rrethit dhe të vendit, në krye të të cilave gjendej myteveliu. Aktivitet të dendur zhvillonin edhe imamët e xhemateve.
Vazhdimin e punës të organeve të porsaformuara fetare islame në viset e pushtuara shqiptare e ndërpreu Lufta e Parë Botërore. Në rrethanat e krijuara, u bënë ndryshime dhe zhvillohej një veprimtari e dobët, e pa konsoliduar fare, ngase viset shqiptare ishin të copëtuar nga pushtues të ndryshëm(7).
Marrëveshjen e Stambollit të vitit 1914 Serbia e kishte anuluar në fillim të Luftës së Parë Botërore), ndonëse disa paragrafe të saj ishin në favor të komunitetit myslimanë. Pastaj theksohej së paragrafët e asaj marrëveshjeje ishin pikërisht në favor të shqiptarëve myslimanë, ndërsa për shqiptarët katolikë u tha se do të vlente konkordati i lidhur me Serbinë. Në vazhdim, delegacioni serb më dinakëri e tradhti, rrëfehej së në të ardhmen do të lejonte edhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, pasi të normalizoheshin rrethanat. Veç tjerash, në përfundim të këtyre bisedimeve, u tha se mbretëria do t’u përmbahej vendimeve të marrëveshjes së arritur në Versajë, vetëm për viset e anektuara pas 10 janarit të vitit 1913. Kështu në mënyrë tinëzare e dinake, delegacioni serb mashtroi bashkëbiseduesit dhe në esencë u lirua nga përmbushja e obligimeve për popullatën e nënshtruar, sidomos për shqiptarët.
Në viset e pushtuara etnike shqiptare deri në vitin 1929, vepronin këto organe të BI-së: myftinjtë e qarkut dhe të rrethit, kuvendet e vakëfit, komisionet e vakëfit mearif, si dhe imamatet e xhematit8. Deri në këtë kohë nuk ishin formuar gjyqet e sheriatit.
Imamatet e xhematit ishin organe bazë të BI-së dhe nëpërmjet tyre organizohej dhe funksiononte jeta fetare. Deri në vitin 1928 u bënë disa reforma të imamateve të xhematit. Pas kësaj periudhe imamatet e xhematit
ndaheshin në dy kategori: të qytetit dhe të fshatit. Në krye të imamatit të xhematit ishte imami-hoxha. Nga viti 1928 ekzistonin dy kategori të imamëve: imamët shtetërorë, që paguheshin më rrogë, dhe imami i fshatit, të cilin e paguanin besimtarët të cilëve u shpërbënte.
Përpjekjet për konsolidim të organeve administrative fetare të BI-së përjetuan goditje të rëndë në vitin 1929. Më vendosjen e diktaturës së 6 janarit u godit edhe BI, ajo në fakt humbi atë autonomi formale që e kishte. U bënë shumë ndryshime në strukturën udhëheqëse e profesionale fetare. Gjendja e popullatës shqiptare vinte duke u vështirësuar gjithnjë e më tepër, ndërsa mundësia e kundërvënies së politikës së pushtuesit zvogëlohej.
Me ndryshimet që pasuan pas vitit 1929, u formua Ulema Mexhlisi i
Shkupit. Ulema Mexhlisi i Shkupit zëvendësoi Myftininë Supreme të Beogradit dhe ushtronte këto detyra:
- mbikëqyrte mbarëvajtjen e jetës fetare në përgjithësi (kulturore,
arsimore etj.).
- kujdesej për zbatimin e normave të Islamit dhe zbatimin e rregullt të tyre nëpër institucionet e ndryshme fetare dhe shtetërore.
- angazhohej të forconte moralin fetar të besimtarët myslimanë,
- hartonte plan-programet për shkollat fetare islame si dhe për lëndën e mësim-besimit që zhvillohej në shkollat shtetërore.
Veç këtyre detyrave, Ulema Mexhlisi bënte emërimin e nëpunësve fetarë, mbikëqyrte punën e tyre dhe ushtronte pushtetin disiplinor mbi ta(9).
Gjatë vitit 1931 në Shkup u themelua Drejtorati i Vakëfeve mearife, që përfshinte 42 njësi administrative fetare, gjegjësisht komisione të Vakëfeve mearife të rretheve. Në Kosovë ekzistonin 11 komisione të Vakëfeve mearife të rretheve. Në këto rrethana u miratua edhe ligji për gjyqtarët dhe gjyqet e sheriatit (1929), kur edhe u suprimuan myftinjtë.
Ekzistonin gjyqe të sheriatit të rrethit ose të shkallës së parë dhe gjyqe të shkallës së dytë apo gjyqet supreme të sheriatit. Këto gjyqe ishin afër gjyqeve shtetërore dhe kishin ngjashmëri.(10)
Gjyqet e sheriatit në viset shqiptare nuk ishin të rregulluara si duhet. Deri në vitin 1934 nuk kishte përfunduar formimi i gjyqeve të sheriatit në këto vise edhe pse, sikurse thuhej në dokumente të kohës, për to kishte shumë nevojë.
Gjyqet ekzistuese nuk kishin kuadër të arsimuar dhe më kualifikim përkatës. Kështu nga 40 gjyqtarë që vepronin vetëm 21 prej tyre kishte kualifikimin e duhur. Të tjerët ishin juristë dhe medresantë të viseve të ndryshme.
Më konsolidimin dhe forcimin e institucioneve dhe organeve të ndryshme fetare të BI-së gjendja dhe pozita e mjerë e besimtarëve shqiptarë mysliman u bë më e lehtë. Duhet theksuar se organet administrative fetare islame (imamatet e xhematit, komisionet e vakëfeve mearife dhe më vonë Ulema Mexhlisi i Shkupit) ishin të vetmet institucione dhe do t’i quanim organe popullore legale, për shqiptarët myslimanë të viseve të pushtuara, ku ata mund të komunikonin në gjuhën amtare. Fatkeqësisht, për rolin pozitiv të tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të krijimit të mundësisë së rezistencës të organizuar shqiptare kundër pushtuesit, nuk është shkruar deri më sot.
Është i njohur aktiviteti dhe lufta politike e Ferat bej Dragës në Ulema Mexhlisin e Shkupit kundër tendencave dhe veprimeve shoviniste serbe, në mënyrë të veçantë, ai u angazhua kundër shpërnguljes së shqiptarëve.(11)
Gjendja dhe pozita e arsimit fetar në viset e pushtuara gjithashtu ishte shumë e rëndë. Në fillim të gjitha institucionet e arsimit fetar ishin të mbyllura, një pjesë e madhe e tyre ishte rrënuar dhe djegur. Deri në vitet e pasluftës së Parë Botërorë nuk ka funksionuar asnjë sibjan mejtep apo medrese. Edhe pas kësaj periudhe, gjendja nuk ndryshoi shumë. Përkundër përpjekjeve të shumta për hapjen e shkollave fetare, pas viteve të njëzeta të këtij shekulli, u lejua puna e një numri të vogël të sibjan mejtepeve.
Pushteti serb përcillte më kujdes policor punën e mejtepeve dhe të medreseve, gjë që vërehet në shumë dokumente. Kështu thuhej në një shkresë të ministrit të fesë dërguar Këshillit kryesor të ministrisë së arsimit në Beograd, të datës 7 shtator 1928: “Në viset jugore (shqiptare) çështja e arsimit fetar të myslimanëve është shumë e komplikuar... në këto vise ka afro 50 myftinj dhe 600 imam, prej të cilëve asnjëri nuk e njeh gjuhën serbe, të gjithë janë të edukuar në frymën armiqësorë ndaj vendit tonë.”
Përkundër përzierës së madhe të pushtetit në punën e shkollave fetare, përpjekës për reformimin e tyre, mbylljen e herë pas hershme të tyre, në to u arritën rezultate të rëndësishme(12).

1.3. Bashkësia e Islame e Kosovës pjesë e Komunitetit Mysliman Shqiptar

Pas pushtimit nga shtetet e Bllokut fashist (prill 1941), Jugosllavia e Vjetër u shpërbë dhe u copëtua, po ashtu edhe trevat shqiptare që ishin nën sundimin e saj. Pjesa më e madhe e Kosovës, së bashku me trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit, trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga u përfshinë në Zonën Italiane të pushtimit. Në bazë të Dekretit nr. 264 të Mëkëmbësit të mbretit, dt. 12 gusht 1941, këto territore iu bashkuan Shqipërisë. Kështu, me shtetin amë u bashkua një territor me një sipërfaqe prej 11.780 km katrorë me një popullsi prej 820.000 banorësh.
Ndërsa pjesa tjetër e territorit të Kosovës u vu nën pushtimin bullgar dhe gjerman.(13)
Kosova nën administrimin italian u nda në tri rajone administrative (prefektura): Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Të gjithë banorët e Kosovës së pushtuar nga Italia, në bazë të dekreteve tetor 1941 dhe shkurt 1942, u bënë shtetas të Shqipërisë.(14)
Kjo gjendje zgjati deri në mbrëmjen e 8 shtatorit 1943, kur Italia kapitulloi.(15)
Gjatë sundimit të tyre, italianët paraqiteshin si kujdestarë të secilës prej feve të shqiptarëve, dhe Islami për arsye të epërsisë numerike, në drejtimin italian të kulteve në Shqipëri, trajtohej, me një konsideratë oportune. Duke respektuar përpjesëtimet numerike, angazhimi më i madh i politikës fetare italiane në Shqipëri synonte, pra, të kënaqeshin kërkesat e përfaqësuesve myslimanë, të cilëve u referoheshin nga pikëpamja ideore “më se dy të tretat e popullsisë shqiptare”, dhe, pas krijimit të Shqipërisë së Madhe, pothuaj 80% e saj.(16) Me fjalë të tjera, myslimanët shqiptarë gradoheshin në rangun e ruajtësve të ekuilibrave fetare shqiptare.(17)
Meqenëse territori i Kosovës që ishte nën pushtimin italian, i takonte Shqipërisë së Madhe, administrata e shtetit u bë sipas modelit të administratës së pushtetit okupues në Shqipëri. Prishtina që nga gushti 1941 u bë seli e prefekturës.
Kjo prefekturë kishte gjithsej 31 komuna, nënprefekturën e Gjilanit dhe nënprefekturën e Ferizajt. Sipërfaqja e kësaj prefekture ishte afro 2.310 km² dhe në të jetonin 200.000 banorë, ndërsa vetëm në territorin e Prishtinës jetonin afër 178.000 banorë. Kompetencat e prefekturës së Prishtinës ishin identike me kompetencat e 13 prefekturave të tjera, sa kishte gjithsej Shqipëria e Madhe.(18)
Pasi Prishtina u bë qendër e prefekturës, ajo u bë edhe qendër e institucioneve të shumta të prefekturës dhe të nënprefekturave, pra ajo u bë njëra prej tri qendrave kryesore të administratës pushtuese italiane në Kosovë (së bashku me Prizrenin dhe Pejën). Ajo ishte edhe qendra e njërës prej dy kryemyftinive sa ekzistonin atë kohë në Kosovë. Italia, deri me kapitullimin e saj, dhe pastaj edhe Gjermania, me politikën e tyre për përvetësimin e popullit shqiptar dhe duke pasur parasysh të kaluarën historike të shqiptarëve nën kthetrat e Mbretërisë Jugosllave, në vendet kyç të administratës së institucioneve të Prishtinës, emëruan vetëm shqiptarët e rrethinës së Prishtinës apo të ardhur nga Shqipëria. Prandaj të gjithë nëpunësit e prefekturës së Prishtinës në këtë kohë ishin shqiptarë. Njësoj pothuajse ndodhi edhe me institucionet islame, në të cilat u emëruan personat më të aftë, patriotë që kishin dhënë prova të atdhedashurisë në vitet ndërmjet dy Luftërave Botërore e më herët. Italianët, të kujdesshëm ndaj ndryshimeve politiko-fetare të shkaktuara nga krijimi i Shqipërisë së Madhe, ndërmorën në qershor 1941 një riorganizim të komunitetit mysliman, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Bashkësisë, organizëm i Shqipërisë së "vogël", me një Këshill të Ylemave, pesë anëtarët e të cilit u emëruan që të gjithë nga mëkëmbësi italian, asokohe Francesco Xhakomoni (Jacomoni)(19).
Në këto kushte e në rrethane tashmë të reja u themelua edhe Bashkësia Unike Islame për trevat shqiptare më qendër në Tiranë.
Bashkimi i Kosovës dhe i territoreve të tjera shqiptarë më Shqipërinë politike, solli përfitime të mëdha ekonomike për të dyja pjesët shqiptare, të ndara nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve 1912-1913. Gjithashtu, në administratën e viseve shqiptare të bashkuara rishtas, u vendosën nëpunës shqiptarë, u hap një numër i konsiderueshëm shkollash në gjuhën shqipe, të mbyllura në vitin 1918. Në këto rrethana në viset shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë, u lejuan gazeta shqipe, u lejua festimi i festave shqiptare, u realizua bashkimi i administratës së fesë myslimane etj.. Viset shqiptare të okupuar nga Italia e që iu bashkuan Shqipërisë atëkohë quheshin “Toka të çliruara”(20).
Myslimanët shqiptarë i shfrytëzuan me zgjuarsi kushtet e krijuara nga zhvillimi i luftës, sidomos ndryshimin e kufijve - forcuan lidhjet me myslimanët shqiptarë të Kosovës, të trojeve shqiptare të Malit të Zi, të trojeve shqiptare të Maqedonisë si dhe të popullsisë çame. Vajtje-ardhjet, bashkëpunimi i tyre, i forcoi tepër lidhjet dhe ndihmoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në ato zona. Një pjesë e literaturës islame në gjuhën shqipe, e panjohur më parë nga popullsia e zonave të pushtuara nga ish Jugosllavia dhe Greqia, filloi të hynte në ato troje dhe të luante një rol të rëndësishëm në pikëpamje fetare(21).
Kjo ishte një mënyrë për të krijuar një hapësirë për të përfaqësuar myslimanët e territoreve të tjera, që deri në ato kohë ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, territore, të cilat, me situatën e krijuar, iu bashkuan atdheut mëmë.
Krijimi i Këshillit të Ulemave në gjirin e të cilit kryetari, dy zëvëndëskryetarët dhe dy anëtarët emëroheshin nga mëkëmbësi, lejonte që të mënjanoheshin procedurat elektorale, “institute të së kaluarës”, të parashikuara nga Statuti i Bashkësisë Islame Shqiptare, në fuqi që nga viti 1929. Sipas dekretit që krijonte Këshillin e Ulemave, ky duhej të hartonte sa më parë “projektin e një statuti të ri për Bashkësinë e të gjithë myslimanëve të Shqipërisë, në përputhje më interesat e përgjithshme të shtetit dhe më ato të elementit islam, si dhe kërkesat e reja që rridhnin nga bashkimi i të gjithë myslimanëve të Shqipërisë në një bashkësi të vetme”.
Kryetari i ri i myslimanëve shqiptarë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ulemave, nga 16 qershori i vitit 1942, ishte Hafiz Sherif Langu, atdhetar që kishte marrë pjesë më 28 nëntor 1912 në ngritjen e Flamurit më rastin ë Shpalljes së Pavarësisë.(22)
Më 16 tetor 1943 mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ftohen të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ulemave dhe kryemyftinjtë:
1) Muharrem Mullaj - kryemyfti i Tiranë,
2) Hafiz Sabri Bushati - kryemyfti i Shkodër;
3) Hasan Islami - kryemyfti i Prizren;
4) Rexhep Remziu - kryemyfti i Prishtinë.
Ftesa këtyre u ishte bërë nga Ibrahim Biçaku.(23)
Meqenëse me Bashkësinë Islame në Kosovë udhëhiqte Ulema Mexhlisi me seli në Shkup, paria islame në Kosovë, duke iu përgjigjur rrethanave të reja, riorganizohet dhe kështu, për këtë qëllim, mbajtën një Kongres më 22.XI.1941, në të cilin morën vendimet e duhura për t’i integruar e për t’i bërë pjesë përbërëse të Komunitet Mysliman të Shqipërisë edhe strukturat e Bashkësisë Islame të Kosovë. Në procesverbalin e mbajtur nga punimet e Kongresit të Prizrenit, thuhet:
“Mbas bisedimesh të zhvilluara, si program punimi u arrit në vija të përgjithshme:
1) Ky kongres ka për qëllim kryesor me i ardhe në ndihmë sa më
mirë “Bashkimit Kombëtar”;
2) Kongresi si interpret i popullit musliman kosovar, dëshiron me ndjekë qëllimin për me pasë, sa të jetë e mundur, të perfeksionueshëm një organizimin fetar për realizimin e parimeve të nalta islame;
3) Përderisa të stabilizohet gjendja juridike e vendeve të çlirueme, kongresi e mendon të nevojshme që administrimi fetar në këtë vend të dirizhohet prej një Myftiu të Përgjithshëm dhe i përbërë prej 4 anëtarëve të zgjedhun nga ky kongres, me qendër funksionimi Prizrenin. Këshilli në fjalë ka për kompetencë me zgjedhë sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit.
4) Myftinia e Përgjithshme me Këshillin e Naltë të saj mund të mvaren në kryesinë e Komunitetit Musliman Shqiptar.
5) Këshilli i Naltë i Sheriatit ka me pasë kompetencë të plotë me u kujdesue për të gjitha problemet që kanë të bëjnë me organizatën fetare të këtyre vendeve, moralisht e materialisht, si: me i propozue, me emnue, me pushue, me trasferue, me i ndëshkue disiplinisht, me kërkue burime të ardhurash, me kontrollue e inspektue pasuni vakfnore si dhe personelin fetar, me vendosë mbi shpenzime ose shpërblime të nevojshme, me shqyrtue mënyrën e bashkimit më të plotë të organizatës fetare të këtushme me kryesinë e Komunitetit Musliman të Tiranës, duke harmonizue edhe dispozitat e Statutit dhe të rregulloreve në fuqi në këto vende në formën më të përshtatshme, për mirëvajtjen e fesë islame.
6) Këshilli i Naltë në fjalë ngarkohet me u interesue ngutësisht për rregullimin institucional të mësimit të besimit në të gjithë juridiksionin e vet, siç i ka hije kohës së sotme.
7) Në harmonizim me përmbajtjen e këtij programi, të gjitha kompetencat e “Ulema Mexhlis-it” si dhe ato të Drejtorisë së Vakfeve të Shkupit, i mveshen Këshillit të Naltë të Sheriatit në Prizren(24).
Nga të dhënë që disponojmë, në Kongresin e parisë islame të Kosovës në Prizren morën pjesë: 1) Hafiz Abdullah Hiziri; 2) Asim Luzha; 3) Hasan Islami; 4) Hafiz Qemali (kundër); 5) Hafiz Vejseli; 6) Hasan Sulejmani; 7) lmer Mustafa; 8) Ahmet Latifi; 9) Mehmet Ademi. 10) Sulejman Jakupi; 11) Qemal Hamiti; 12) Rexhep Bajrami; 13) Rexhep Arifi; 14) Fetah Haxhi Abdullahu; 15) Beqir Bajrami; 16) Mehmet Haxhi Hasani; 17) Bajram Shabani; 18) Bahtjar Neziri; 19) Salih Ramadani; 20) Xhemal Limani; 21) Faik Sherifi; 22) Hafiz Sadik Shporta; 23) Qemal Emini; 24) Qamil Hurshiti; 25) Beqir Hizri; 26) Sulejman Esati; 27) Abdyl Ahmeti; 28) Ejub Bajrami; 29) Maliq Sulejmani)(25).
Kongresi mori vendim që strukturat e Ulema Mexhlist tani e tutje t’i quante Këshilli i Naltë i Sheriatit me qendër në Prizren, si dhe emëroi strukturën e re drejtuese në krye me Hfz. Ali Krajën.
“Ne të nënshkruemit, pjesëtarë të Kongresit të Klerit Musliman të Kosovës, në konformitet me programin e punimeve, redaktue me datë 22.XI.1941, si përfaqësues të popullit musliman të Kosovës për me dirizhue veprimet e “Ulema Mexhlis-it”, me cilësinë si Këshillë i Naltë i Sheriatit, me qendër në Prizren dhe me kompetencat që akordojnë ligjet në fuqi, me unanimitet votash, emërojmë personat e poshtëshënuar:
1) Z. Hafiz Ali Kraja nga Shkodra, Myfti të Përgjithshëm;
2) Z. Haxhi Iljazi, nga Prishtina, anëtar;
3) Z. Hasan Islami, nga Gjakova, anëtar;
4) Z. Hafiz Sulejmani, nga Tetova, anëtar;
5) Z. Abdullah Hëziri, nga Prizreni, anëtar.
Me qëllim të funksionimit sa më efikas, Kongresi për çdo anëtar të Këshilli i cili për çfarëdo arsye mund të mungonte në mbledhjet e Këshillit emërohen anëtarët rezervë-zëvendësues për secilin prej tyre
1) Z. Nusret Galibi me zëvendësue z. H. Ali Krajën;
2) Z. Asim Luzha me zëvendue z. Haxhi Iljazin;
3) Z. Sheh Hasani me zëvendësue z. Hasan Islamin;
4) Z. Haxhi Jahja Daci me zëvendësue z. Hafiz Sulejman Shehabin, dhe
5) Z. Idriz Hajrullai me zëvendësue Hafiz Abdullah Hëzirin(26).
Me këtë rast, Kongresi ngarkon kryetarin e tij të përkohshëm, z. Hafiz Abdulla Hëzirin:
a) Për me paraqitë respektet e Kongresit, Mëkëmbësisë së Shkëlqyeshme Mbretërore dhe Komisariatit të Naltë Civil për Kosovë Dibër-Strugë;
b) Për me paraqit kopjet e procesverbaleve autoriteteve administrative, duke kërkuar lehtësirat e rastit;
c) Për me lajmëruar pjesëtarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit mbi sa më sipër(27).
Organi kryesor i kësaj bashkësie ishte Këshilli i Ulemave të Komunitetit Mysliman. Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë organ e përfaqësonin hafëz Bedri Hamiti dhë hafëz Sherif Langu, që para lufte ishin anëtar
të Ulema Mexhlisit të Shkupit(28).
Kështu që nga viti 1941 Kryesia e Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman më seli në Tiranë, ushtronte pushtetin e vet gati në tërë hapësirën shqiptare. Më rregullat e reja administrative fetare u formuan edhe kryemyftinitë, myftinitë, nënmyftinitë dhë imamatët e xhematit. Në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërorë, kanë ekzistuar dy kryemyftini. Kremyftinia e zonës së Prizrenit, që përfshinte zyrat e vakëfeve në Gjakovë, Therandë (ish - Suharekë), Rahovec dhe Sharr (ish-Dragash). Kryemyftinia e zonës së Prishtinës përfshinte zyrat e vakëfeve në: Gjilan, Drenicë (Skenderaj) dhe në Ferizaj. Peja për shkak të mungesës së buxhetit nuk u bë kryemyftini, por mbeti myftini. Megjithatë, myftinia e Pejës korrespondonte drejtpërsë-
drejti më Tiranën. Ajo, sikurse edhe kryemyftinitë e tjera ishte e ngarkuar më të njëjtat detyra e të drejta dhe përfshinte zyrat e vakëfeve në: Burim (ish-Istog), Plavë e Guci, Rozhajë dhe në Tutin29.
Gjatë kësaj përudhe, u bë edhe riemërimi i imamëve të xhemateve. Të gjitha dekretet e emërimit për nëpunësit fetarë islamë, lëshoheshin nga kryeqendra në Tiranë. Shumica e nëpunësve të mëparshëm fetarë e vazhduan punën pasi u bë riemërimi i tyre. Ata veprimtarinë fetare e gërshetuan edhe me çështjen kombëtare shqiptare. Kjo shihet nga dokumentacioni i shumtë i kësaj kohë ku, pos tjerash, thuhej: “Imamët do të qëndrojnë kurdoherë në krye të detyrës që u është ngarkuar dhe njëkohësisht do të japin vaiz fetar dhe atdhetar”(30).
Më qëllim të efikasitetit të veprimtarisë së saj, bëhet riorganizimi i saj administrativ, duke zgjeruar kompetencat e kryemyftinjve dhe duke barazuar statusin e nëpunësve fetarë shtetëror dhe privat. Të gjithë hoxhallarët dhe nëpunësit fetarë, shtetëror dhe fetarë që mund të ushtronin detyrat e veta, ishin të obliguar të posedonin dekretin e emërimit të Kryesisë të Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman në Tiranë, Para çdo dekretimi, kandidati ishte i obliguar të betohej në besnikëri ndaj fesë dhe atdheut.
Teksti i betimit ishte i njëjtë për të gjithë dhe kishte përmbajtje fetare dhe kombëtare mjaft domethënëse.
"Betohem në emën të Perëndisë se do të jam besnik i shtetit Shqiptar, i Statutit, i Atdheut e se do të kryej detyrën t’eme me ndërgjegje të pastër Kombëtare, tue ruejt besnikrin kundër urdhnavet fetare dhe tue respektue plotësisht statutin e gjithë Rregulloret e Komunitetit.”(31)
Dhënia e betimit para organeve kompetente atë kohë bëhej sipas nenit 26 të Statutit të Komunitetit Mysliman dhe atë duhej ta kryenin-jepnin të gjithë nëpunësit fetarë, përfshirë këtu edhe imamët dhe myezinët(32).


Nr. 1. Faksimil e procesverbalit të betimit të kryemyftit të Prizrenit Hasan Islami

Në Prishtinë gjatë vitin 1943-1944 vepronin dy medrese, ajo e Pirinazirit me myderriz Ahmed ef. Ajetin-Mardoçin e famshëm, dhe ajo e sulltan Selimit me myderrizin e njohur Haxhi Iljaz ef. Shasivarin(33).
Në dokumentet që ruhen në Arkivin e Kosovës(34) e që i përkasin kësaj periudhe, janë dhënë edhe emrat e xhamive të Prishtinës, disa prej të cilave, si pasojë e sistemit rrënues komunist, tashmë nuk ekzistojnë. Aty gjejmë të dhëna edhe për nëpunësit e Kryemyftinisë së Prishtinës dhe të Zyrës së Vakëfit, pastaj emrat e 9 imamëve, 2 vaizëve, 18 myezinëve, 3 kaimëve (mirëmbajtësve të xhamive), 3 mësuesve të fesë, 3 salevatxhive, 1 imami që kujdesej për llogaritjen e kohëve të namazit (irtifa), 5 tyrbedarëve, etj, së bashku me vendin ku shërbenin ata dhe vitin e lindjes së tyre, që ne e marrim si të dhënë të saktë, ngase viti i lindjes është “nxjerrun prej rregjistrave themeltar të imametnive të lagjeve”(35).
Kryemyfti i Zonës së Prishtinës do të emërohej myderrizi famëmadh, profesori i arabishtes në Medresenë “Isa Beu” të Shkupit, bashkëpunëtori i rilindësit dibran Said Najdenit dhe i Hasan Prishtinës, kurse më pas edhe i Ferat bej Dragës dhe i Sheh Mehmet Sezait të Prishtinës, një si nervi mendor i Organizatës Politike Kombëtare Shqiptare “Xhemijeti”-“Bashkimi”, në vitet 1919-1925 dhe veprimtari i Komitetit të Kosovës, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shok i ngushtë i Mulla Idris Gjilanit, - z. Rexhep ef. Remziu nga Mitrovica, i cili nga puna filloi më datën 29 nëntor 1943(36).
Kryemyftinia e Zonës së Prishtinës kishte këtë strukturë të nëpunësve gjatë vitit 1943-1944(37)
1. Rexhep Remziu, Kryemyfti i Zonës së Prishtinës, i lindur më 1879, rroga mujore 420 franga shqiptare.
2. Hasan Beha(uddin) Leskoviku, Sekretar i Kryemyftinisë dhe Zyrës së Vakëfit të Prishtinës, i lindur më 1922, në Prishtinë, 270 fr. sh..
3. Shukri Ramadani, Kryetar (i administratës së) Zyrës së Vakëfit.
4. Xhafer Mehmeti, Arkëtar i Zyrës së Vakëfit, i lindur më 1886, rroga mujore 240 fr. sh..
5. Behxhet Sejfedini, shërbëtor i Zyrës së Vakëfit, i lindur më 1875/76, 160 fr. sh..
6. Sylejman Beqiri, shërbëtor i Zyrës.
7. Në kuadër të Kryemyftinisë së Prishtinës detyrën e Imamit ofiqarë38 e ushtronin këtë imamë në këto xhemate:
8. Mahmud Rexhepi, i lindur më 1898, imam ofiqar i Imamatit të xhematit të Jusuf Çelebiut, rroga mujore 246 franga shqiptare.
9. Hajrullah Mehmedi, i lindur më 1886, Imamati i Alauddinit, 246 fr. sh..
10. Ali Rashid Bekteshi, i lindur më 1885, Imamati Ramadanije, 226.
11. Jamin Rexhepi, i lindur më 1878, Imamati Mehmed Beg Hatunije, 226.
12. Ishak Saidi, i lindur më 15 shtator 1897, Imamati Kaderije, 226.
13. Adem Fazliu, i lindur më 1874, Imamati i Bellaqevcit të Madh, 208.
14. Adem Ramadani, i lindur më 1880, Imamati i Sllatinës së Madhe, 188.
15. Osman Aliu, i lindur më 1883, Imamati i Milloshevës, 208.
16. Hasan Sadiku, i lindur më 1883, Imamati i Ribarit të Madh, 208.
17. Nazif Arif Rifati, i lindur më 1883, Imamati i Mramorit, 228.
18. Abdullah Rifati, i lindur më 1890, Imamati i Komoranit, 298.
19. Qazim Ahmeti, i lindur më 1889, Imamati i Janjevës, 188.
20. Hysen Rexhepi, i lindur më 1889, Imamati i Gllogocit, 140.
21. Rifat Salihu, (1885), Imamati i Sedllarit, 168.
22. Riza A. Mustafa, i lindur më 1901, Imamati i Prapashticës, 140.
23. Selman Ademi, i lindur më 1886, Imamati i Dobrajës, 140.
Ndërsa Zyra e Vakëfit e Rrethit të Gjilanit më 1944 kishte 25 Këshilla të xhematit(39), 64 xhami (54 në gjendje të mirë, 10 të rrënuara dhe 1 gjysmë e rrënuar.(40) Nga numri i përgjithshëm i xhamive, 19 prej tyre kishin minare të punuar nga guri, 7 ishin me minare të punuar nga druri, ndërsa 28 xhami ishin pa minare.(41)
E veçanta e kësaj periudhe ka të bëjë më faktin së administrata e këtyre institucioneve bëhej ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Në këtë kohë në Kosovë, në mënyrë të lirë dhe haptazi, shpërndahej literatura islame nga Shqipëria, si revistat: “Kultura Islame”, “Zani i Naltë”, “Mevludi” i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, veprat e Hafiz Ibrahim Dalliut, veprat e Hafiz Ali Korçës, Haki Sharofit, Hafiz Abdullah Semblakut etj(42). Jashtë kompetencës të kësaj Bashkësie nga territori i Kosovës, ngeli një pjesë e Gjilanit në veri të Pasjanit, një pjesës e rajonit të Kaçanikut dhe e Rrafshit të Siriniqit, që ishin nën pushtimin bullgar dhe rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Llapit (Podujevës), që ishin nën pushtimin gjerman, ngelën nën kompetencën e Bashkësisë së Fesë Islamë të Serbisë(43).
Edhe qendrat e tjera fetare islame në Shkup, Tetovë, Gostivar e Kërçovë, si dhe ato në Podgoricë e Ulqin kishin lidhje dhe bashkëpunonin më kryeqendrën e re në Tiranë(44).
Duhet përmendur këtu se qëndrimi i parisë fetare islame në përgjithësi ishte kundër ideologjisë komuniste, e cila në këtë kohë bënte luftë për pushtet. Kundërshtimi shprehej hapur në shumicën e dokumenteve të kohës, kjo më së miri shihet në shkresën e myftiut të Prishtinës ku thuhet:
“... Ashtë e ditun ...së qoftë kleri dhe qoftë streha e tyre, që frymëzohen ata, janë të influencuam me ndjenja nacionaliste dhe patriotikë, gja të cilat janë tuj përhapun gjithënji, tuj pri ata në çdo vepër atdhetarie. Ashte e kjartë së këto strehna janë tue përgatitë personelin që u ven ballë vetë dhe tërheqin gjithë popullin kundër “komunizmit barbarë” dhe çdo ndjenje shkatërruese për Atdheun t’onë të dashur”.(45)
Po ashtu si fushë e veprimtarisë së kësaj Bashkësie është edhe veprimtaria e saj kundër rrezikut nga ateizmi militant. Kështu në një letër të krymyftiut të Prishtinës, ndër të tjera theksohet: “Shtojmë së në rast nevoje ma të ngushta do të jemi gadi gjithë kleri, pa asnji përjashtim të kryejmë detyrën t’onë të shenjtë për Atdheun.”(46).

- vijon –


_____________________________
1. Dr. sc. Nehat Krasniqi, Kontribute albanologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2011, f. 40-50.
2. Prof. dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, “Segmente të gërshetuar historike”, Prishtinë 2011, f.55.
3. Po aty, f.5.
4. Po aty f. 55.
5. Dr. sc. Menduh Bamja, Pozita kushtuese -juridike dhe faktike e bashkësive fetare në ish-Jugosllavi me vështrim të posaçëm të Bashkësisë Islame, Prizren 2009, f. 75.
6. Haki Kasumi, Gjendja dhe pozita e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën pushtimin jugosllav më 1912-1945, Segmente të gërshetuar historike, Prishtinë 2011, f. 26.
7. Po aty, fq. 27.
8. Po aty, f. 30.
9. “Glasnik”, Vrhovno Islamsko Strarešnstvo Kraljevine Jugoslavije, Sarajevo 1933, br. 7. f.27-28..
10 “Glasnik”, Sarajevo 1934, f. 166-195.
11. Haki Kasumi, Gjendja dhe pozita e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën pushtimin jugosllav më 1912-1945, Segmente të gërshetuar historike, Prishtinë 2011, f. 31.
12. Po aty, f. 32.
13. Dr. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997, f. 19-20.
14. Noel Malcolm, Kosova - një histori e shkurtër, Prishtinë, 1988, f. 304.
15. Po aty, f. 316.
16. Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920 - 1944, Tiranë, 1994, f. 203..
17. Po aty, f. 205.
18. Mr. Izber Hoti, Sistemi pushtues në Prishtinë dhe rrethinë 1941-1944, “Kosova”, nr. 7, Prishtinë, 1978, f. 351.
19. Ismail Rexhepi - Sadik Mehmeti, Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinën më 1943-1944, “Dituria Islame”, nr. 136, f. 45-50.
20. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 292-293.
21. Po aty, f. 298.
22. Po aty, f. 299.
23/ Po aty, f. 328.
24. Po aty, f. 330.
25. Po aty, f. 330 (Ali M. Basha, i referohet procesverbalit të mbajtur në Kuvendin e Prizrenit më datë 21 XI 1941. Dokumenti ruhet në AQSH, Ministria e Drejtësisë. Komisariati i Naltë Civil për Kosovë-Dibër-Strugë, viti 1941. Dosja 152 fleta 27).
26. Po aty, f. 331
27. Po aty, f. 331.
28. Ismail Rexhepi - Sadik Mehmeti, Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinën më 1943-1944, “Dituria Islame”, nr. 136, f. 45-50.
29. Arkivi i Kosovës, Fondi Kryemyftinia e Zonës së Prishtinës, k. 20, dok. 246, 1943-1944.
30. AK. FKZP, dok. nr. 181.
31. Teksti i betimi është marra nga Procesverbali i mbajtur më 20 tetor 1943 në Zyrat e KMSH në Tiranë me rastin e betimit të kryemyftiut të të Kryemyftinisë së Prizrenit, Hasan Islamit.
32. AK. FKZP, dok. nr. 254.
33. Ismail Rexhepi - Sadik Mehmeti, Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinën më 1943-1944, “Dituria Islame”, nr. 136, f. 48.
34. AK. FKZP, dok. nr. 611
35. Po aty, dok. 611.
36. Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, Prishtinë, 1995, f. 29.
37. Ismail Rexhepi - Sadik Mehmeti, Institucionet islame dhe nëpunësit fetarë në Prishtinë me rrethinën më 1943-1944, “Dituria Islame”, nr. 136, f. 49.
38. Po aty, f. 49.
39. Mr. sc. Ali Riza Selmani, Bashkësia Islame e rrethit të Gjilanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, Gjurmime historike për Gjilanin me rrethinë, “Drita e Jetës” Gjilan 2009, 110.
40. Po aty, f. 111.
41. Po aty. f. 111.
42. Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, përgatitën Ramadan Shkodra - Sadik Mehmeti, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2013, f. 11.
43. Dr. sc. Menduh Bamja, Pozita kushtuese -juridike dhe faktike e bashkësive fetare në ishJugosllavi me vështrim të posaçëm të Bashkësisë Islame, f. 239.
44. Po aty, f. 240
45. Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, Prishtinë 1988, f. 13.
46. Po aty



Ramadan Shkodra


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kurbani 2022