Shumë njerëz nuk kanë njohuri për mëkatet - gjynahet dhe mendojnë se ato janë vetëm ato gjëra që mund të perceptohen me ndjenja ose që kanë të bëjnë me gjymtyrët e jashtme, siç janë mëkate e duarve, të këmbëve, të syve, të veshëve, të gjuhës, të hundës e të ngjashme me to, që ndërlidhen me instinktet e stomakut dhe organeve intime.
Shumë nga këta njerëz nuk i imagjinojnë mëkatet e tjera që kanë të bëjnë me zemrën dhe të cilat nuk hyjnë – në ato që sytë mund t’i shohin-ose që veshët mund t’i dëgjojnë, ose që hunda mund t’i nuhasë ose që gjuha mund t’i shijojë...
Mëkatet e gjymtyrëve
Në llojin e parë janë mëkatet e syrit, siç mund të jetë shikimi i gjërave që janë të ndaluara; pastaj mëkatet e veshit, siç mund të jetë dëgjimi i asaj që është e ndaluar; pastaj mëkatet e gjuhës, siç mund të jetë të folurit e gjërave të ndaluara, si p.sh. gënjeshtra, përgojimi, tallja, betimi i rrejshëm, premtimi i rrejshëm, dëshmia e rrejshme, etiketimi i të tjerëve etj...; pastaj mëkatet e dorës, siç mund të jenë rrahja e të tjerëve, vrasja, shkrimi i asaj që është e ndaluar të shkruhet; pastaj mëkatet e këmbëve, siç mund të jenë - të ecurit për ndonjë mëkat, vizita e ndonjë tirani-zullumqari, udhëtimi në ndonjë vend, me qëllim që të bëhet ndonjë mëkat ndaj Allahut xh.sh.; pastaj mëkatet e organeve intime, siç mund të jetë amoraliteti e të ngjashme; pastaj mëkatet e stomakut, siç mund të jenë të ngrënët ose të pirët e ndonjë gjëje që është e ndaluar, sikur janë mishi i derrit, alkooli, droga, kamata, fitimi nga bixhozi, fitimi nga shitblerja e ndaluar, marrja e ryshfetit ose gjëra të ngjashme me to.
Mëkatet shkatërruese
Të gjitha këto veprime janë të ndaluara dhe janë mëkate të qarta; disa prej tyre janë prej gjynaheve e mëkateve të mëdha, mirëpo të gjitha hyjnë nën ombrellën e mëkateve të jashtme ose mëkateve të gjymtyrëve të jashtme, dhe çdo mysliman është i obliguar të largohet nga mëkatet e jashtme dhe nga ato të brendshmet në tërësi. Allahu xh.sh. thotë:
“Dhe mos bëni mëkate as haptas as fshehtas. Ata që bëjnë mëkat, do të ndëshkohen për mëkatin e bërë”. (ElEn’am, 120.)
Mirëpo mëkatet e fshehta janë më të rrezikshme sesa mëkatet e hapëta, ose, thënë ndryshe: mëkatet e zemrës janë më të rrezikshme sesa mëkatet e gjymtyrëve, sikundërse adhurimet e zemrës janë më të rëndësishme sesa adhurimet e gjymtyrëve; madje veprat e gjymtyrëve nuk pranohen përveçse me veprim të zemrës, pra me nijetin dhe me sinqeritet të pastër.
Kur themi mëkatet e zemrës, kemi për qëllim ato mëkate të cilat burojnë nga zemra, si p.sh. - mendjemadhësia, vetëkënaqësia, egoizmi, hipokrizia, koprracia, dashuria ndaj kësaj bote, dashuria ndaj pasurisë dhe autoritetit, xhelozia, inati, hidhërimi... dhe të ngjashme me to, mëkate të cilat Imam Gazaliu, në librin e tij “Ihjau-Ulumid-din”, i ka quajtur: “el-muhlikat” - mëkatet shkatërruese, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., në të cilin thuhet:
“Tri gjëra janë shkatërruese: koprracia e tejskajshme, pasimi i epshit-egos dhe vetëkënaqësia e çdonjërit me mendimet e tij”.
Madhësia e rrezikut nga këto mëkate është për disa arsye:
E para: Sepse ato kanë lidhje direkte me zemrën, e zemra është pasqyra e çdo njeriu; sepse nuk merret parasysh vetëm pamja lëndore e jashtme e njeriut, i cili ha, pi dhe zhvillohet, por merret parasysh brendësia e tij, të cilën ne e quajmë - zemër ose shpirt, ose çfarëdo emërtimi tjetër.
Për këtë Pejgamberi a. s. ka thënë:
“Në trupin e njeriut është një copë mishi, e cila, nëse përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi dhe, nëse prishet, prishet tërë trupi, - e kjo është zemra”.
Pastaj në një hadith tjetër thotë:
“Me të vërtetë Allahu nuk shikon trupin as fizionominë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja”
Kurani famëlartë e ka theksuar se baza e shpëtimit në botën tjetër është pastrimi i zemrës në këtë botë, Allahu xh.sh. në Kuran thotë:
“Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (Bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Shuara, 88-89.)
Pastërtia e zemrës ka këtë domethënie: pastërtia e saj nga shirku i dukshëm
dhe i padukshëm, nga hipokrizia e madhe dhe e vogël, dhe nga të metat e tjera të cilat e ndyjnë atë, siç janë mendjemadhësia, xhelozia, inati e të tjera.
Ibn Kajjim rahimehullah thotë:
“Pastrimi i zemrës duhet të bëhet nga pesë gjëra: nga politeizmi, i cili bie ndesh me monoteizmin; nga risitë, të cilat bien ndesh me traditën profetike; nga egoja, që bie ndesh me urdhëresat; nga pakujdesia, e cila bie ndesh me syçeltësinë, dhe nga epshet, të cilat bien ndesh me sinqeritetin”.
E Dyta: Sepse janë këto mëkate apo këto të meta të cilat bëhen shkaktare për mëkatet e gjymtyrëve të jashtme, sepse të gjitha mëkatet e jashtme burimin e kanë nga: pasimi i egos, ose dashuria ndaj kësaj bote, ose xhelozia, ose mendjemadhësia, ose dashuria ndaj pasurisë dhe kapitalit, ose dëshira për autoritet dhe famë... ose gjëra të tjera.
Madje edhe vetë kufri-mohimi, në të shumtën e rasteve burimin e ka tek xhelozia-hasedi, siç ka ndodhur me çifutët; për se Allahu xh.sh. thotë: “Shumë ithtarë të librit (jehudinj, të krishterë), edhe pasi u është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale - dëshiruan që pas besimit tuaj t’ju kthenin në mosbesimtarë, pra ju lini ata dhe largohuni prej tyre derisa All-llahu të sjellë urdhrin e vet. All-llahu ka mundësi për çdo send.” (El-Bekare: 109)
Ose nga mendjemadhësia, siç e përmend Allahu xh.sh. Faraonin e popullin e
tij dhe qëndrimin e tyre ndaj argumenteve të Musaut a.s., për se thotë:
“Dhe, edhe pse të besueshëm në to me bindje (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, pra shikoje se çfarë ishte fundi i shkatërrimtarëve.” (En-Neml: 14.)
Ose nga dashuria e tepërt ndaj kësaj bote, siç është rasti me perandorin e romakëve, Hirekliun, i cili, edhe pasi ishte njohur me vërtetësinë e të Dërguarit a.s. në mesazhin e tij, dhe me realitetin e pejgamberisë së tij, megjithatë dashuria ndaj kësaj bote mbizotëroi ndaj tij dhe, për pasojë, e refuzoi atë
Nëse shohim ndonjë rast vrasjesh pa të drejtë, s’ka dyshim se pas saj do të gjejmë ndonjë shkak psikologjik ose shpirtëror, që buron nga zemra, siç mund të jetë nga xhelozia ose hidhërimi, ose nga dashuria ndaj kësaj bote; madje edhe për krimin a vrasjen e parë që ka ndodhur në historinë e njerëzimit, shkak ishte xhelozia, siç ndodhi me dy djemtë e Ademit a.s.:
“... kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të sinqertë- ve…. .”, deri tek ajeti: “Atëherë epshi i tij e bindi atë për mbytjen e të vëllait dhe e mbyti atë. Ai mbeti prej më të dëshpëruarve (hidhëroi prindërit, mbeti pa vëlla, u përbuz prej Zotit dhe u fut në xhehennem)”. (Maide: 27 e 30.)
Kështu pra, çdonjëri që bën ndonjë nga mëkatet e dukshme, siç janë; dëshmia e rrejshme, përgojimi, thashethemet ose diçka tjetër; patjetër që pas këtyre mëkateve do të qëndrojë ndonjë sëmundje shpirtërore. Për këtë Pejgamberi a.s. ka thënë
“Mos u bëni dorështrënguar, sepse koprracia është që ka shkatërruar popujt e mëhershëm duke i shtyrë që të bëheshin koprracë, t’i këputnin lidhjet farefisnore dhe të bënin vepra të ndaluara”.
E treta: Për mëkatet e jashtme, të cilat burojnë si shkak i dobësisë së njeriut dhe pakujdesisë së tij, njeriu duhet të pendohet shpejt; në të kundërtën, për mëkatet e brendshme, të cilat si shkak kanë prishjen apo sëmurjen e zemrës, ku e keqja përqendrohet më shumë, shumë rrallë ndodh që personi të pendohet.
Pra ky edhe është dallimi mes mëkatit të Ademit a.s. dhe Iblisit.
Mëkati i Ademit a.s. buronte nga gjymtyra, atëherë kur kishte ngrënë nga ajo pemë, ndërsa mëkati i iblisit buronte nga zemra, atëherë kur refuzoi nga mendjemadhësia dhe u radhit në anën e pabesimtarëve.
Mëkati i Ademit a.s. ishte një gafë apo një gabim i vogël, si pasojë e harresës dhe dobësim i ndjenjës, ndërsa mëkati i iblisit ishte gabimi me qëllim dhe buronte nga thellësia e zemrës.
Prandaj Ademi a.s. e vërejti shumë shpejt gabimin dhe e pranoi menjëherë atë e së bashku me bashkëshorten iu lutën Zotit për falje dhe u penduan:
“Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i bëmë dëm) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”. (El-Araf, 23.)
Ndërsa Iblisi vazhdoi gabimin e tij duke u rebeluar edhe ndaj Zoti të tij dhe duke polemizuar e kundërshtuar me të pavërtetën, atëherë kur Zoti xh.sh. i tha atij
“(Zoti) Tha: “O Iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që shesin fodullëk?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë prej tij, mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” (Sad, 75, 76.)
Për këtë shkak përfundimi i Ademit a. s. ishte:
“E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit.” (Bekare: 37.)
Ndërsa përfundimi i iblisit ishte: “(Zoti) Tha: “Dil pra prej tij (prej Xhennetit), ti je i mallkuar. Dhe largimi prej mëshirës Sime ka për të të përcjellë deri në Ditën e Gjykimit!” (Sad: 77, 78.)
E katërta: Kjo është si rezultat i çështjeve të mëhershme, që do të thotë se ligji i Sheriatit islam ka ashpërsuar çështjen e mëkateve të zemrës dhe i ka frikësuar njerëzit nga ato, për shkak se rreziku prej tyre është shumë më i madh, siç thotë edhe Pejgamberi a.s. në një hadith:
“Nuk do të hyjë në Xhennet ai person i cili në zemrëm e tij ka mendjemadhësi, qoftë edhe sa grimca e atomit (ose edhe më pak)”.
Vedat Shabani