Komuniteti Mysliman i Shqipërisë hap puse uji për të varfrit në Sri Lankë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin “Swiss Barakah” dhurojnë për besimtarët e një qyteti në Sri Lanka një pus uji të pijshëm dhe kanë ndërtuar gjithashtu abdes’hane në shërbim të besimtarëve.
Swiss Barakah është një fondacion humanitar me qendër në Zvicër.
Komuniteti Mysliman ka prej kohësh një bashkëpunim të ngushtë institucional, në drejtim të aspektit humanitar, me këtë fondacion.
Edhe ky bashkëpunim është i tillë, për t’i dhënë vazhdimësi dhurimit, ndihmës dhe mirëbërësisë si shfaqje të mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë ndaj krijesave për hir të Krijuesit.
Ndërtimi i këtij vakëfi është bashkimi i forcave dhe vullnetit të mirë të përbashkët institucional.
Ky qëllim shpirtëror shërben për t’i trajtuar nevojtarët përkatës me dhembshuri dhe mëshirë, duke i ndihmuar ata, me shpresën për të fituar pëlqimin e Zotit.
Profeti Muhamed (a.s.) sadakanë rrjedhëse e ka krahasuar me lumenj dhe çezma që vazhdojnë të rrjedhin qysh kur është krijuar bota.
Ne shpresojmë që i tillë të jetë ky vakëf në këtë komunitet në Sri Lanka.
Falë Zotit ne jetojmë në një vend që ka ujë me bollëk, mirësi e Zotit, por në vende të tjera të botës, si rasti në fjalë, hapja e një pusi uji të pijshëm është një nga nevojat jetësore për popullatën.
Profeti ynë (a.s.) na ka porositur të tregojmë mëshirë për më të varfrit: “Kini mëshirë për banorët e tokës në mënyrë që edhe banorët e qiellit të kenë mëshirë për ju!” (Tirmidhi, 16)
Duke falënderuar me mirënjohje fondacionin zviceran “Swiss Barakah” për bashkëpunimin e ngushtë, ne lutemi që Zoti t’ua pranojë sadakanë gjithë kontribuuesve në këtë vakëf dhe kjo t’i shërbejë më së miri komunitetit për të cilin është dhuruar./kmsh/


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kurbani 2022