Sot jetojmë në kohën e materializmit dhe çdo gjë sot shikohet dhe vështrohet nga prizmi i tij. Për shkakun e materializmit shoqërohet dhe urrehet ndërmjet veti.
Njerëzit janë dorëzuar plotësisht para jetës së kësaj bote – dynjasë, dhe ndjekin ritmin e saj që ai ka vendosur, dhe kjo është shpërblim që paguajnë, sepse kush i dorëzohet dynjasë dhe kush e do dhe i vetmi qëllim dhe shqetësim është ai për të, duhet t'i dorëzohet dynjasë dhe do ta ndjekë atë. Në këmbim, ai do të marrë nga bota vetëm aq sa i është caktuar, punët e tij do të ngatërrohen, do të jetojë i poshtëruar, nuk do të jetë i kënaqur e as i lumtur.
Ky fakt, për të cilin edhe ne jemi dëshmitarë, vërteton vërtetësinë e fjalëve të Pejgamberit a.s.: “Shqetësimi dhe preokupimi i të cilit është vetëm dynjaja, Allahu do t'ia ngatërrojë punët dhe do të frikësohet vazhdimisht nga varfëria dhe nuk do të marrë nga dynjaja përveç asaj që i është caktuar. Qëllimi i të cilit është ahireti, Allahu do t'i rregullojë punët dhe do t'i japë kënaqësi në zemër dhe dynjaja do t'i vijë ati vetë...” (Hadithi sahih-autentik)
Allahu i Lartësuar në Fjalën e Tij Fisnike thotë:
„Ajo që e keni pranë vetës është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme-përhershme. E Ne do t’u japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.“ (En-Nahl - Bletët, 96)
Fjalët e të Lartësuarit: “...ajo që e keni pranë vetës është e përkohshme”, d.t.th. kalon dhe pushon, e ka afatin e paraparë, “...e ajo që është te Allahu është e përjetshme-përhershme”, d.t.th. shpërblimi i Tij për ju në Xhenet është i përjetshëm, i papërshkrueshëm dhe i pandashëm.
“E Ne do t’u japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.” Ky është një betim nga Zoti i Lartësuar, se Ai do t'i shpërblejë të durueshmit me një shpërblim më të mirë se sa e kanë merituar dhe fituar, do t'ua falë mëkatet.
Ngjarje për mësim
Burri dhe gruaja jetuan shumë vështirë dhe ajo shkoi te një pasanik dhe trokiti në portën e tij dhe një nga shërbëtorët e tij doli. Çfarë dëshironi? i tha ai. “Dua të takoj zotërinë tuaj,” tha ajo. E kush jeni ju? tha ai përsëri. Thuaji atij se jam motra e tij - tha ajo.
Shërbëtori e dinte që zotëria i tij nuk kishte motër, prandaj hyri dhe i tha zotërisë së tij: Një grua pretendon se është motra jote.
Fute brenda, i tha ai. Shërbëtori e futi brenda dhe pasaniku e përshëndeti me një fytyrë të gëzuar dhe të qeshur dhe e pyeti: Prej nga je ti, Allahu të mëshiroftë, motra ime? Unë jam motra jote nga Ademi, tha ajo.
Atëherë ky pasaniku tha me vete: Kjo grua nuk ka askënd, ndaj pasha Allahun unë do të jem i pari që do të mbaj lidhje farefisnore me të, dhe ta ndihmojë atë.
Ajo tha: O vëlla, ndoshta njerëzit si ti nuk e dinë se varfëria ka shije të hidhur, për shkak të tij jam në portën e divorcit nga burri im... pra, a ka ndonjë gjë tek ju për Ditën e Takimit (Ditën e Gjykimit), sepse ajo që e keni pranë vetës është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme-përhershme.
Ai i tha asaj: përsëriti ato fjalë! Kështu, me insistimin e tij, ajo i përsëriti këto fjalë për herë të dytë dhe të tretë.
Kur i tha herën e katërt që të përsëriste të njëjtat fjalë, ajo tha: Nuk mendoj se më ke kuptuar dhe përsëritja është poshtërim për mua, e unë nuk jam mësuar të përul veten para askujt përveç Allahut.
Ai i tha: Pasha Allahun, nuk mbeta i mahnitur nga asgjë tjetër veçse bukuria e këtij fjalimi tënd. Dhe nëse do ta përsërisje një mijë herë, do të të jepja një mijë dhrahmi (monedha argjendi) për çdo herë.
Pastaj u tha shërbëtorëve të tij: Jepini asaj dhjetë deve meshkuj dhe dhjetë femra, dele sa të dojë dhe më shumë pasuri (para) sesa kërkon ajo... që të mund të bëjmë çka do për Ditën e takimit, sepse ajo që e kemi pranë vetës është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme-përhershme.
*****
Ky është një mesazh për çdo njeri, e veçanërisht për një njeri të pasur. Sot gjendja e shumë familjeve është e vështirë, askush nuk e di për gjendjen e tyre përveç Allahut, Mbajtësit të qiejve! Sa e sa gra ka që janë të ngjashme me këtë grua dhe sa e sa fëmijë janë pa rroba dhe janë të uritur?!
A mendoni se pasuria juaj nuk do të zhduket?
Jepni sadaka, pyesni për fqinjët tuaj, pyesni miqtë tuaj për ata që kanë nevojë... Allahu do t'ju kompensojë me të mira të mëdha e të shumta.
Po të vepronin të gjithë pasanikët me të varfrit sikur pasaniku i përmendur, sot nuk do të kishim njerëz të uritur.