Bindja dhe fuqizimi i thellë në Allahun xh.sh. motivon besimtarin që të marrë udhëtimin drejt Vendeve të Shenjta (Mekë dhe Medinë), nga të cilat njëra njihet si vendlindje e Islamit, dhe tjetra si zhvillimi dhe shtrirja e Islamit, që ka konotacionin e vet kohor dhe hapësinor.
Normalisht që duke u nisur nga fakti se përveç dëshirës së madhe që ndien haxhiu për të qëndruar në këto vende, ku do të kryejë ibadetet që lidhen me këtë kusht të pestë të Islamit, ai në vetvete duhet të ushqejë edhe ndjenjën e humanitetit dhe dashurisë edhe për myslimanët e tjerë të ardhur nga të katër anët e planetit, që së bashku të kryejnë këtë ritual fetar.
Meka, Medina, Arefati, Minja, Myzdelife, Xhemerati, - të gjitha këto vende i kujtojnë besimtarit, në këtë rast haxhiut, vuajtjet dhe sakrificat sublime që i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., dhe shokët e tij kanë bërë për këtë ditë, që ne të jetojmë të lirë në vendet tona dhe të praktikojmë publikisht besimin tonë. Haxhi është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit islam. Ai mbetet një obligim fetar për çdo mysliman, burrë e grua, që është në gjendje ta kryejë, të paktën një herë gjatë jetës, nëse i lejojnë mjetet financiare. Allahu xh.sh. thotë: “ Për hir të Allahut, vizita e Shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo,....” (Ali Imran, 97)
Për 14 shekuj myslimanët mblidhen në Mekë duke ndjekur shembullin e Profetit tonë, Muhamedit a.s. dhe duke rikujtuar historinë e profetëve Ibrahim a.s. dhe birit të tij, Ismailit a.s. Në ditën e Arafatit, dita e nëntë e muajit Dhul-hixhe, të gjithë haxhinjtë mblidhen në rrafshin e Arafatit, 6 milje jashtë Mekës, në një ditë lutjesh dhe adhurimi për Zotin e botëve.
Dita e nesërme është dita e Kurbanit, që festohet nga myslimanët në gjithë planetin. Ky tubim madhështor, që bëhet një herë në vit, dallohet nga ibadetet a lutjet e tjera që bëjnë pjesë në shtyllat e fesë islame – nga namazi, nga zekati dhe nga agjërimi - sepse ky tubim organizohet në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë për të gjithë myslimanët e botës.
Haxhiu kujton me kureshtje fjalët e fundit të Muhamedit a.s. drejtuar myslimanëve dhe njerëzimit.”Vini re, o njerëz, dëgjojini fjalët e mia dhe kuptojini ato! Duhet ta dini se myslimani është vëllai i myslimanit dhe myslimanët janë një vëllazëri. Asgjë nga përkatësitë e të vëllait nuk është hallall për myslimanin, përveç asaj që ai ia lejon vetë. Prandaj, nuk duhet t’i bëni padrejtësi vetes. O Allah, a e përcolla mesazhin? Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e kryen Haxhin dhe nuk u nënshtrohet më epsheve të shfrenuara, atij i shlyhen mëkatet dhe ai bëhet i pastër si atë ditë kur e ka lindur e ëma”, dhe tha: “Haxhi është pastrim (i përgjithshëm, fizik e shpirtëror), për të nuk ka gjykim tjetër përveçse shpërblim me Xhennet”. Ai porositi fuqishëm Ymetin e tij me këto fjalë që nuk i tret dot koha.
“Vërtet, kam lënë pas në mesin tuaj atë që, nëse kapeni pas saj, nuk do të shmangeni kurrë më pas - diçka të spikatur: Librin e Allahut dhe Sunetin tim”. Allahu të gjithë haxhinjve ua pranoft haxhin dhe për hajr Kurban Bajrami (aid ad-ha).