Haxhi Hafiz Sabri Koçi (1921-2004)

H. Hafiz Sabri Koçi, Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas komunizmit (1990-2003), “Qytetar Nderi” në Tiranë (2005) dhe Shkodër (2012)

Në gjuhën fetare ky lloj njeriu si Hafiz Sabriu quhet Muxhahid, d.m.th. një njeri që shkrin veten për hir të Zotit. Është me të vërtetë një nder që ndodhet në mesin tonë një misionar i tillë, që nuk kurseu as jetën për ruajtjen e shtrirjen e normave morale islame, të luftuara aq egërsisht nga diktatura e shtetit të parë ateist në botë. Ne e falënderojmë për këtë, por shpërblimi i tij do të jetë te Zoti për shërbimin që i ka bërë fesë islame”, do të thonin studiuesit për të.[1]
Haxhi Hafiz Sabri Koçi lindi më 14 maj të vitit 1921 në fshatin Orenjë të Librazhdit. Babai i tij ishte larguar në kurbet, në Selanik për të përballuar jetën e rëndë. Pa u mbushur ende viti i gëzimit të djalit, erdhi lajmi i kobshëm. Idrizi kishte vdekur dhe Sabriu mbeti jetim.
Kështu filloi një jetë plot vuajtje për nusen e re. Nënë Zenja mposhti dhimbjen dhe u bë për djalin e vogël jo vetëm nënë e dhembshur, por edhe babë, iu përkushtua rritjes dhe edukimit të të birit.
Vdekja e babait e bëri që në fëmijëri të hershme të hyjë shpejt në jetë, të mësojë e të përballojë vetë vështirësitë e t’i zgjidhë ato mbarë e mirë, si e lyp e drejta e zakoni i mirë e mësimet fillestare të Fesë islame që kishte marrë në shtëpinë e vet, e shquar për tradita fetare.
Një zotëri nga Shkodra, Kryetari i Komunës, Adem Kastrati, duke e parë zgjuarsinë e Sabriut të vogël 10 vjeç, ia mbushi mendjen nënës Zenjë dhe kushërinjve, që ta dërgonte në Shkodër për të mësuar. Dhe kështu i vetëm, në vitin 1932 filloi një jetë plot sakrifica e vështirësi, jeta e shkollës dhe jeta e punës. Djaloshi i vogël me sjelljen e tij, me devotshmërinë e tij, me përkushtim e mençuri, fitoi shpejt respektin e të gjithëve, e posaçërisht të mësuesit të besimit, Hafiz Muhamedit, i cili ishte edhe myezin në xhaminë e Rusit të Vogël. Hafiz Muhamedi, duke admiruar zërin e tij aq të bukur e lejonte të kryente ndonjëherë detyrën e myezinit. Pasi mori mësimet fillestare të fesë, Hafiz Muhamed Kastrati, duke parë përparimin e shpejtë të Sabriut në mësime dhe zellin e përpjekjet e tij, u interesua te myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi, që ai ta pranonte si nxënës të vetin (talebe). Kështu me ndihmën e pakursyer të Haxhi Muhamed Bekteshit, i cili e trajton si fëmijën e vet, Sabriu i përkushtohet plotësisht studimeve. Për këtë kohë H. Sabriu thotë: “Me sa mbaj mend unë, kah fundi i vitit tridhjetë Shkodra kishte arritur një zhvillim të madh të fesë… Në fakt ishte ashtu siç i thonë arabët: “Mehdul el ilmi”, djepi i diturisë dhe i Kulturës Islame”.[2]
Shumicën dërmuese të lëndëve i mësoi te H. Muhamet Bekteshi, ndërsa disa prej tyre, si specialitete të veçanta, si: p.sh. ligjin mbi trashëgiminë dhe Kiraetin (ilustrimin e Kur’anit) e mësoi te Hafiz Sabri Beg Bushati[3], ndërsa tefsirin e mësoi te Sheh Qazim Hoxha në periudhën që ishte në Shkodër.[4]
Mbas 15 vjet pune këmbëngulëse, më në fund arrin të marrë diplomën (ixhazetin) nga Hafiz Muhamed Bekteshi. E përkthyer në gjuhën shqipe, diploma (ixhazeti) ka këtë përmbajtje:
“Kjo është formula e diplomës sime me të cilën vëllain tim Për Zotin, Zotninë tonë Sabri Idriz Koçi, i cili është i pajisun me të gjitha cilësitë e nalta Islame dhe i plotësoi shkëlqyeshëm të gjitha mësimet teologjike të mbështetuna në Kur’anin e Madhnueshëm dhe në Hadithet e Hazreti Muhammedit (a.s.) të mbështetuna edhe në arsyet mendore filozofike dhe unë nevojtar i varfër tek mëshira e të Madhit ZOT, i quajtur Muhamed Mahmud Beqir Shkodrani (Begteshi).
Data e diplomimit, muaji Rebiul-Evel, ditën e enjte 1370 Hixhri. Muhamet Teufik”.
Një vëmendje e veçantë i kushtohej zotërimit të gjuhës arabe, gramatikës dhe sintaksës së saj, që shërbente si bazë për mësimin e Kur’anit, ilustrimin dhe komentimin e tij. Por, duke marrë parasysh se shtrohej detyra e mësimit të Kur’anit përmendësh, për atë që dëshironte të fitonte titullin “Hafiz”, vështirësitë shtoheshin, aq më tepër duke marrë parasysh kërkesat e larta që kishte Myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi.
Pas vitit 1939 emërohet imam në një lagje të vjetër të qytetit të Shkodrës, rrëzë kështjellës “Rozafat”, në Luguçesme, pastaj në Xhaminë e Bardhë e më vonë në lagjen Dudas. Ai me këmbëngulje u afrua me popullin, u njoh shpejt me burrat e nderuar besimtarë të lagjes, zuri miqësi me ta, për pak kohë ia ndryshoi gjendjen xhamisë, e zbukuroi atë.
Në vitin 1952 emërohet imam në Xhaminë e Rusit të vogël. Hafiz Sabriu plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e Partisë. Dhe kundërshtimet e goditjet nuk vonuan.
Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton: “Sekretari i Parë i PPSH-së për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: ‘Ti je më reaksionari i të gjithë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar.’ Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rrugë që kisha nisur qysh në fëmijëri”.[5]
Për ta larguar nga besimtarët e shumtë të Rusit, e transferojnë në xhaminë Plakë, një xhami shumë e njohur, por e vjetër. Nuk ishte lokali ai që i tërhiqte besimtarët. E meremetoi atë, futi ujin brenda dhe e pajisi për bukuri.
Duke parë popullaritetin në rritje të Hafiz Sabriut, organet shtetërore ndërhyjnë dhe e transferojnë në Krujë, gjoja duke e graduar nën/Myfti.
Për ta larguar nga besimtarët, që e ndiqnin kudo, me Dekretin Nr. 534, në bazë të vendimit Nr. 55, dt. 23.5.1956 e transferojnë përsëri duke e emëruar Myfti në Kavajë, ku gjeti një mbështetje shumë të ngrohtë nga besimtarët.
Pavarësisht nga vështirësitë e pengesat e shumta, në Kavajë Hafiz Sabriu iu përkushtua detyrës me zell të pashoq. U zmadhua xhamia e Ali Hajdarit, kurse në fshatrat përreth u ngritën 15 xhami të reja. Veprimtaria ishte shumë e madhe në atë periudhë, në të cilën sa vinte e shtohej lufta e pushtetit dhe e organeve të sigurimit kundër fesë.
Ai kërkonte të kthehej në Shkodër, por në vend që t’i plotësohej kjo nevojë jetike për të dhe për familjen, e transferojnë në Korçë.
Me kërkesën e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël emërohet përsëri imam në Shkodër. Tashmë përvoja e fituar në shërbim të fesë që në moshë të re kishte arritur pjekurinë dhe Xhamia e Rusit, siç quhej, u bë objekt diskutimesh të ndryshme në familjet e besimtarëve dhe në zyrat e pushtetit. Populli kërkonte që të kultivohej feja, ashtu siç duhej, ndërsa diktatura gjithnjë e më shumë ashpërsohej. Të gjitha këtyre u erdhi fundi më 4 qershor 1966, kur i vunë hekurat dhe e arrestuan.
Hafiz Sabriu kujton: “Ishte e Xhuma. Pas faljes xhemati po përshëndetej me mua si asnjëherë tjetër. Të gjithë vinin e nuk po largoheshin. Kjo më bëri shumë përshtypje. U përmallova… E me të vërtetë, kjo qe Xhumaja e fundit për mua dhe për besimtarët”.[6]
Arrestimi i Hafiz Sabriut ishte një provë e qartë se organet e dhunës nuk lejonin asnjeri, qoftë ky edhe hoxhë apo prift të vepronte i lirë, të shkonte i lirë kundër interesit të politikës së Partisë në fuqi.
Me dënimin e Hafiz Sabriut me akuza të sajuara synonin të shuanin besimin në fjalën e Zotit, në mësimet e fesë, synonin t’i hapnin shtegun ideologjisë komuniste, synonin të përgatisnin vitin 1967, vit kur u ndalua me forcë e me dhunë besimi, një nga të drejtat më të vjetra, një nga liritë më të shenjta të njeriut.
Tani e priste burgu, puna e rëndë fizike, tortura e shoqëruar me të gjitha mungesat. Qëndroi në burg 20 vjet, 4 muaj e 18 ditë.
Jeta e Hafiz Sabriut është një provë e gjallë durimi e besimi, vullneti e përpjekjeje për jetë a vdekje. “Ashtu ishte shkruar prej Zotit (xh.sh.), shkruan Hafiz Sabriu, të përjetoja të gjithë atë që njeriu nuk ia dëshiron kurrë njeriut. U mbështeta në Zotin…”[7]
Komunistët, të lidhur me pranga e futën në burg, e ai doli vërtetë i moshuar e i lodhur fizikisht, por me shpirt të lirë, shpirtin e zemrën nuk mundën dot t’ia përulnin, besimin në Zotin nuk mundën dot t’ia shuanin, përkundrazi, vuajtja e mjerimi qe një provë për të. E ai fitoi e doli më i fuqishëm.
Më 22 tetor 1986 lirohet nga burgu. Një ditë përmallimi. Kishte hyrë 45 vjeç dhe dilte i moshuar, 65 vjeç. Jashtë e priste gruaja e drobitur nga hallet e jetës, djemtë që i kishte lënë fëmijë e ishin bërë burra. Por një gjë kishte rëndësi, kishte fituar mbi të gjitha të këqijat e mjerimet e burgut.
Ishte mëshira dhe fuqia e të madhit Zot, që pas 50 vjetësh të dalë në dritë e drejta, të shpërblehet gjaku dhe sakrifica e qindra e mijëra shqiptarëve, që vdiqën nën breshërinë e plumbave, që u shkrinë në qelitë e errëta apo lanë rininë e pjesën më të madhe të jetës në kampet e shfarosjes e në burgjet komuniste. Po Zoti i ndihmoi. U mposht me turp diktatura.
“16 nëntor 1990”. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që gufuan aq vrullshëm në ato ditë nëntori. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve iu përvesh punës.
Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë. Që në orët e para të mëngjesit njerëzit lëviznin nga të gjitha drejtimet: nga ura e Bahçallëkut, nga ura e Bunës, nga Tophana, nga Parruca, nga Perashi, nga Tepja dhe Ajasma po grumbulloheshin në sheshin e xhamisë së Plumbit, në oborret e shtëpive. Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje e vesh më vesh.
Për këtë ngjarje të shënuar për fenë islame dhe për të gjithë Shqipërinë Hafiz Sabriu ka thënë: Kjo ngjarje më forcoi edhe më tepër besimin në Zotin e vërtetë që thotë në Librin e Tij të shenjtë: “Të pafetë duan e përpiqen me të gjitha mënyrat që të shuajnë dritën hyjnore nga zemrat besimtare të njerëzve, por Zoti ka vendosur që ajo dritë të mos shuhet kurrë”. (Kur’ani, Teube, kaptina 9, ajeti 32).


Ceremonia e 16 nëntorit 1990 nuk qe thjesht një ceremoni fetare, ajo krahas vlerës së saj të ringjalljes së fesë, mori një karakter të hapur politik. Hafiz Sabriu ka thënë: “S’ka krim më të madh se t’i mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës së të Madhit Zot”.
Hapja e xhamisë së Plumbit qe ngjarje e shënuar. Pas 23 vjetësh u këndua Ezani dhe u fal Xhumaja.
Në Xhaminë e Plumbit u organizua një mbledhje e vogël nga përmasat, por me një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë mbledhje, si të themi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islame Shqiptare” me qendër në Shkodër.
Krijohet kryesia e përbërë nga 20 anëtarë të përkohshëm.
Menjëherë, pa humbur kohë Shoqata harton 3 dokumente themelorë:
1 – Kërkesën për të miratuar shoqatën “Bashkësia Islame Shqiptare”
2 – Statutin e shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”
3 – Programin e veprimtarisë së Shoqatës.
Më dt. 23.1.1991 Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Kodifikimit lëshon Urdhrin Nr. 2/1 për miratimin e krijimin e Shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”.
Kjo qe një fitore me rëndësi. Më në fund u krijua “Bashkësia Islame e Shqipërisë”, që e kishte ndërprerë veprimtarinë e saj në vitin 1967.


E drejta u dha, por mundësitë për të zhvilluar veprimtarinë nuk ekzistonin, nuk kishte asgjë, kishte vetëm një emër, kishte vetëm një dëshirë mbarëpopullore, kishte vetëm entuziazëm e mundësi jo.
Hafiz Sabriu u bë përfaqësues dinjitoz i besimtarëve myslimanë dhe i gjithë popullit shqiptar në të gjitha tubimet brenda vendit dhe në veprimtaritë e shumta fetare. Krijimi i Shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare” dhe miratimi i saj më 23.1.1991, zgjedhja e Këshillit të Përkohshëm, e Kryetarit Hafiz Sabri Koçi dhe sekretarit Z. Mithat Myftia, selia e saj në qytetin nismëtar të Shkodrës, qe një ngjarje me rëndësi që nxiti një veprimtari të dendur fetare në të gjithë Shqipërinë.[8]
Më 14 shkurt 1991 u organizua mbledhja e parë zyrtare me përfaqësues nga të gjitha rrethet që u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë. Në këtë mbledhje, pasi u diskutua gjendja dhe mundësitë, u shtrua për miratim statuti dhe programi i Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe u zgjodh kryesia e përbërë nga H. Sabri Koçi, Sali Ferhati, Ramazan Rusheku, Sali Tivari, Ismail H. Muçej.[9]
Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u zgjodh me votim unanim Hirësia e tij H. Sabri Koçi.
Me kujdesin e Hafiz Sabriut është mbledhur rregullisht Këshilli i Përgjithshëm ku janë shqyrtuar problemet më shqetësuese të Bashkësisë, është krijuar Këshilli i Përhershëm, është zgjedhur Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.[10]
Shqipëria në vitin 1991, si në të gjitha fushat, edhe në aspektin fetar ishte e mjeruar. 1600 xhami që funksionin në të kaluarën, të gjitha ishin rrafshuar përtokë dhe ndonjë që kishte mbetur si ndërtesë ishte shndërruar e kthyer në magazinë, klub, apo lënë në mëshirën e lagështirës e të kohës.
Dhe kështu filloi puna gjithandej: në Shkodër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Peshkopi, në çdo qytet e fshat, që nga Kopliku në Konispol dhe dalëngadalë, me një punë të kujdesshme e plot sakrifica filluan të hapen xhamitë e para, të meremetohen ato që kishin mbetur kur dorëzoheshin nga organet e pushtetit, u hapën salla për të kryer faljen e predikimet e rastit, u ndërtuan xhami të reja.
Hapja e medreseve kërkonte kuadrin e nevojshëm, kërkonte bazën materiale mësimore, kërkonte nxënës, kërkonte rregulloret përkatëse programet dhe tekstet mësimore. Të gjitha mungonin, përveç dëshirës, pasionit dhe gatishmërisë për t’ia filluar punës.
Për lëndët e kulturës fetare medresetë u mbështetën te ish-nxënësit e Medresesë së Lartë të Tiranës, të cilët, me gjithë moshën e tyre qenë të gatshëm që të zhvillojnë mësim. Por këtu ndihmuan edhe mjaft kuadro të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia. Ndërsa për mësimin e gjuhës arabe, me ndonjë përjashtim të rrallë, shumica e mësuesve erdhën nga vendet arabe, e sidomos nga Egjipti. Sidoqoftë, pavarësisht nga vështirësitë e fillimit u hapën disa medrese, si: në Kavajë, Tiranë, Shkodër, Berat e Korçë. Kjo qe një ngjarje me rëndësi të madhe për kulturën dhe Fenë islame.
Që në fillimet e veprimtarisë fetare lindi nevoja e organizimit të shtypit dhe të propagandës fetare, lindi nevoja e botimit të librave fetarë, sepse që nga viti 1944 nuk dilte asnjë revistë apo gazetë, nuk u lejua të botohej asnjë libër fetar.
Prandaj, që më 7.10.1991 Hafiz Sabriu i drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një shkresë, ku mes tjerash i kërkon të mundësojë botimin e një gazete.[11]
Dhe kështu, me shumë përpjekje më datë 10.1.1992 doli numri i parë i gazetës “Drita Islame”, e cila u bë një tribunë e mendimit intelektual islam, në të cilën pasqyrohen qartë ideja e tolerancës dhe e mirëkuptimit, interesat kombëtare kanë dalë gjithnjë në plan të parë dhe janë lidhur ngushtë me luftën për gjuhën, kulturën e traditat e popullit tonë, me identitetin kombëtar, ajo ka luftuar për mbrojtjen e interesave të të gjithë shqiptarëve në trojet e veta ku jetojnë dhe jashtë kufijve shtetërorë.
Në fund të vitit 1991, e pikërisht më 19.12.1991 doli numri i parë i gazetës “Shkëlqimi islam”, organ i shoqatës Rinia Islame e Shqipërisë, e cila u pasua nga gazeta “Shpresë”, organ i shoqatës së Intelektualëve Myslimanë e më vonë gazeta “Triumfi Islam” (e cila më vonë u quajt “Rinia Islame”), organ i shoqatës Rinia Islame, dega Shkodër. Këto gazeta thellojnë e pasurojnë veprimtarinë e gazetës “Drita Islame”. Që në numrin e parë të “Shkëlqimi Islam”, Hafiz Sabri Koçi shkruan: …”Shkëlqimi islam… do të ndihmojë në rrënjosjen e ndjenjave të bukura fetare tek njerëzit tanë e veçanërisht tek të rinjtë… “[12]
Nëse Shqipëria u izolua nga bota, organizmat shtetërore, qoftë edhe formalisht kishin lidhje e marrëdhënie me shumë vende të tjera. Por në fushën e fesë këto lidhje as që mendohej se mund të ekzistonin. Veçanërisht për Fenë islame izolimi e mbyllja qe e plotë.
Haxhi Hafiz Sabri Koçi kishte besim të thellë në fuqinë e Zotit se feja në Shqipëri do të lulëzojë krahas zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë demokratike. Gjithnjë në fjalën e tij mishërohej qartë dhe në mënyrën më të kthjelltë dëshira dhe përkushtimi ndaj fesë dhe atdheut të tij.[13]
Pas një jete tepër aktive në shërbim të fesë, besimtarëve dhe të atdheut të tij, Shqipërisë, më 18 qershor 2004, Haxhi Hafiz Sabri Koçi u nda nga kjo jetë materiale për të vazhduar udhëtimin e tij të përjetshëm në prezencën e Krijuesit të tij, Allahut të Madhërueshëm.
Ai është vlerësuar nga shumë personalitete vendase dhe të huaja. H. Hafiz Sabriu është dekoruar me titullin “Qytetar Nderi” nga këshillat bashkiak të Tiranës dhe Shkodrës.
Kështu Këshilli Bashkiak i Tiranës, mbështetur në ligjin nr. 8652, dt. 31/07/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, pasi mori në shqyrtim relacionin e përgatitur nga Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve “Për dhënien e titullit ‘Qytetar Nderi’, drejtuesve të komuniteteve fetare të qytetit të Tiranës, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë, z. Edi Rama në vendimin me nr. 53, datë 16/09/2005 vendosi:
Të miratojë propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, drejtuesve të komuniteteve fetare përkatësisht:
Haxhi Hafiz Sabri Koçi – Ish Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar – (pas vdekjes), me motivacionin: “Për ndihmesën e vyer e me vlera në ripërtëritjen e komunitetit që drejton, ndërtimin e objekteve të kultit të dëmtuara gjatë viteve të sistemit komunist ndaj objekteve fetare, rikthimin e besimit në mbarë vendin, si dhe për rolin shumë të rëndësishëm në organizimet shoqërore të qytetit ku janë shquar për tolerancë fetare, bashkëpunim ndërfetar dhe publik, për ndihmë humanitare ashtu edhe për kapërcimin me urtësi të situatave të vështira politike”.
Me rastin e 20 vjetorit të rilejimit me ligj të lirisë fetare në vendin tonë, me propozimin e Myftinisë Shkodër, Këshilli Bashkiak i qytetit nderoi disa nga hoxhallarët e vjetër dhe aktivistët fetarë që u shquan në këto 20 vite për shërbimet e tyre ndaj Thirrjes Islame dhe interesave të saj dhe ndër ta i dha Hafiz Sabri Koçit titullin “Qytetar Nderi”, pas vdekjes.[14]
Figura e tij e nderuar është bërë tematikë simpoziumesh dhe panelesh në shumë aktivitete të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në qendër dhe rrethe. H. Hafiz Sabri Koçi do të mbetet një figurë e paharruar e Islamit në Shqipëri.*


______________________
[1]. Luli, Faik, Dizdari, Islam, Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 625.
[2]. Nga intervista e H. H. Sabri Koçit, dhënë gazetës “Elif”, mars-prill, 1991, f. 8, intervistoi në Kajro Muhamed Syla e Ahmet Ymeri.
[3]. Luli, Faik-Dizdari, Islam, “Një jetë në shërbim të fesë”, Tiranë, 1997: 13.
[4]. Po aty, f. 13.
[5]. Nga kujtimet e Hafiz Sabri Koçit.
[6]. Kujtime të H. Sabri Koçit, blloku nr. 1. f. 11-12.
[7]. Intervistë me H. Sabri Koçin, dhënë revistës “El Hilal”, botim special, Shkup 1991: 11.
[8]. Luli, Faik-Dizdari, Islam, “Një jetë në shërbim të fesë”, Tiranë, 1997:79.
[9]. Tivari, Salih, Arritjet trivjeçare të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në gazetën “Drita Islame”, viti III, nr. 1 (44), janar 1994:1.
[10]. Të dhënat janë nxjerrë nga Arkivi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
[11]. Shkresë e Kryetarit të Komunitetit Mysliman, Haxhi Hafiz Sabri Koçit, në gazetën “Shkëlqimi Islam”, viti I, nr. 1, datë 19.12.1992.
[12]. Përshëndetje e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Hafiz Sabri Koçit, në gazetën “Shkëlqimi Islam”, viti I, nr. 1, datë 19.12.1992.
[13]. Luli, Faik, Dizdari, Islam, Bushati, Nexhmi, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997: 625-648.
[14]. Gazeta “Udha Islame”, Organ i Myftinisë Shkodër, viti VIII, nr. 93, nëntor, 2010: 13.



* Marrë nga libri “100 personalitetet shqiptare të kulturës islame”, botim i KMSH-së.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?