Garantimi i mbrojtjes nga Allahu xh.sh. për Muhamedin a.s.

Është gabim i madh që ta llogarisim Muhamedin a.s. prej atyre njerëzve që shtiren për diçka që nuk janë në të vërtetë.(1)
Sikur Kurani të ishte shkruar nga Muhamedi a.s. dhe sikur vërtet Muhamedi a.s. të mos ishte i dërguar prej Zotit të botëve, a do të mund që ai të mashtronte vetveten? Po të mos ishte i Dërguari a.s. i bindur thellë- sisht në pejgamberinë e tij, a do të mund ta rrezikonte jetën e tij?!
Ajeti vijues është nga Kurani fisnik, i cili është fjalë dhe libër i Allahut. Në të, Zoti i thotë të dërguarit të Tij: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer mesazhin (risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon.” (El Maideh: 67)
Aisheja, nëna e besimtarëve - Allahu qoftë i kënaqur me të – për shpalljen e këtij ajeti tregon: I Dërguari i Allahut e kaloi një natë dhe unë isha pranë tij. Unë i thashë: “O i Dërguari i Zotit, çfarë ke?” Ai tha: “Sikur një njeri i mirë nga sahabët e mi të më ruante natën.” Ajo tregon: “Derisa ne ishim aty, dëgjova zërin e një arme. I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, pyeti: ‘Kush është?’ Ata thanë: ‘Sadi dhe Hudhajfa, erdhëm për të të ruajtur.’ Pejgamberi i Allahut fjeti. Kur i zbriti ajeti: “Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon” (El Maideh, 67), hazreti Aishja tregon se i Dërguari i Allahute nxori kokën dhe tha: “Shkoni o ju njerëz, tani po më ruan Allahu.”
Nëse Muhamedi a.s. nuk do të kishte bindje të thellë se është Pejgamber i Zotit dhe nëse nuk do të ishte i sigurt se Zoti do ta ruante, ai nuk do të vepronte ashtu dhe nuk do të kërkonte nga rojet që të largoheshin.
Suleimët dhe gatafanët u përgatitën për ta sulmuar Medinën. Shërbimi informativ e informoi Muhamedin a.s. dhe ai me 450 burra doli në një ekspeditë parandaluese në drejtim të Dhul Kusessë dhe Dhu Amrit.
Armiku u bë pikë e pesë për të shpëtuar kokën. Gjatë udhës u zu një ushtar i armikut të cilit Muhamedi a.s. i predikoi Islamin e ky jo vetëm se e përqafoi ketë fe por u tregoi dhe vendin e përqendrimit të armikut. Ditën e sulmit nisi të binte shi. Pas shpërndarjes së armikut, Pejgamberi a.s. i vari rrobat për t’i terur në një dru dhe vetë u shtri nën të. Duthur el Muharibiu, kryekomandanti i ushtrisë armike, po e përgjonte prej një kodrine dhe, në një çast të përshtatshëm, zbriti me shpatë në dorë dhe klithi: - Kush do të shpëtoj tani prej meje? Muhamedi a.s. iu kthye dhe iu përgjigj qetë: - Allahu!
Kjo përgjigje e shqetësoi aq shumë atë sa që i ra shpata prej dore dhe nisi të dridhej. I Dërguari a.s. e mori shpatën dhe e pyeti: - Tani kush të shpëton ty prej meje? - Për Zotin askush? Më pas ai tha: - Dëshmoj se nuk ka zot tjetër Përveç Allahut, dhe dëshmoj se ti je i Dërguari i Zotit. Muhamedi a.s. ia ktheu shpatën dhe ai që atëherë u bë misionar i Islamit.(2)
Kur beduini u kthye te njerëzit e tij, ai u tha: “Kam takuar Muhamedin, njeriun që është më i sjellshmi dhe më shpirtfalës se cilido njeri tjetër”. (Buhariu dhe Muslimi).(3)
Nëse Muhamedi a.s. do të ishte një gënjeshtar, pse Zoti do ta mbështeste dhe do ta mbronte nga armiqtë e shumtë të fuqishëm?!
Pejgamberi a.s. kaloi 13 vjet në Mekë i vetëm, i dobët dhe i varfër. S’kishte askënd që ta mbronte përveç mbrojtjes morale të xhaxhait të tij Ebu Talibit, që ishte i moshuar, dhe nuk do të mund t’i parandalonte arabët të mos e vrisnin.
Pejgamberi a.s. i kundërshtoi dhe i sulmoi idhujt dhe i përshkroi politeistët si njerëz të humbur, të shurdhër dhe të verbër që nuk kuptojnë. Ajo çka solli ai nxiti urrejtjen dhe zemërimin e idhujtarëve arabë. Prandaj ishin të shumtë ata që donin ta vrisnin, por nuk mundën ta vrisnin, edhe pse jetonte e ecte mes njerëzve pa ushtri e pa roje.
Edhe në Medine, Pejgamberi a.s. ecte në mes njerëzve pa roje dhe flinte vetëm me familjen e tij, por ata nuk mund ta arrinin atë. A nuk është kjo një nga mrekullitë dhe dëshmitë më të mëdha të profecisë që tregon mbrojtjen e Zotit të Madhëruar ndaj këtij Pejgamberi fisnik a.s. nga armiqtë?
Ai deklaronte gjatë gjithë kohës se muslimanët do të triumfonin mbi romakët, persët, dhe politeistët arabë. Thirrja e Pejgamberit a.s. përfaqësonte një kërcënim ekzistencial për të gjitha tiranitë dhe perandoritë që ekzistonin. Historia tregon për vrasje të sundimtarëve dhe të mbretërve që jetonin në pallate shumë të fortifikuara. Armiqtë e tij nuk qenë në gjendje ta vrisnin me gjithë numrin, forcën, sundimin dhe pushtetin e tyre të madh. Pejgamberi a.s. i tejkaloi të gjitha vështirësitë dhe i mposhti kundërshtarët në një mënyrë që historia nuk e ka dëshmuar deri më sot.
Suhejl bin Amri r.a., ka thënë: “Sikur Muhamedi a.s. të mos ishte i dërguar prej Zotit, ai do të arrihej nga dora e çdo të riu kurejsh”.



1. Tomas Karlajl, shih: Dituria Islame, revistë mujore fetare, shkencore e kulturore, nr. 358, viti 34, shtator 2020 safer 1442, f. 43- 44.
2. Muhammed Hamidullah, Muhamedi alejhisselam, Vepra I, Logos A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2011, f. 389.
3. Ajni Sinani, Muhamedi a.s. i Dërguari i Allahut, Dituria Islame, Prishtinë, numër 350, viti 33, Janar 2020, Xhumadel-Ula/ Xhumadel-Uhra 1441, f.16..


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi