Njeriu është krijesë e privilegjuar nga Zoti i Madhërishëm me intelekt dhe mendje, me çka Ai e dalloi atë nga çdolloj krijese tjetër, njëherësh e bëri përgjegjës e mëkëmbës në tokë dhe llogaridhënës para madhërisë së Tij në Ditën e Gjykimit.
Çdo individ në brendësinë e tij është një sistem në vete, një model i zvogëluar i shoqërisë,(1) që me bindjet, qëndrimet dhe veprat e tij reflekton dhe ofron diçka për masën e gjerë.
Baza e diturisë është gjykimi me anë të mendjes, rezonimi e logjika e shëndoshë për çdo çështje që i paraqitet njeriut. Mendja e shëndoshë e përcakton dhe e koncepton çdo gjë drejt.(2)
Për të arritur njeriu gradën e lartë të formimit të një individi të shëndoshë, Allahu i Madhërishëm, në ajetin e parë, në Kuranin famëlartë, e zbriti një urdhër, që në realitet është çelësi i derës që na dërgon te përgjigjja e saktë e qëllimit të krijimit të njeriut në këtë botë. E kur arrimë ta kuptojmë drejt qëllimin e ekzistencës sonë, sigurisht se çdo njeri do të synojë ta plotësojë e zbukurojë personalitetin e tij. Natyrisht, nuk ka adresë më të saktë për arritjen e përmbushjes së anës humane të njeriut, përveç se zhytja e hulumtimi në burimet e diturisë, për të cilat na porositë Kurani.
Të shkruash për diturinë është një ëmbëlsi në vete, sepse përmes saj arrijmë të mbjellim një ndjenjë të pangopësisë në rrugën e nxënies së diturisë. Zoti i Madhërishëm në ajetet e para që i zbriti përmendi diturinë dhe urdhëroi kërkimin e saj: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku. Lexo se Zoti yt është më Fisniku! Ai është i cili ia mësoi njeriut pendën! Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alek 1-5).
Në Islam, shkenca ka vlerë të madhe. Zoti i Madhëruar në Kuranin fisnik thotë se njerëzit që u është dhënë dituria, Allahu do t’i ngrejë në pozita të larta, e për këtë Allahu xh.sh. garanton në ajetin kuranor: “Ata nga mesi i juaj, që besojnë dhe të cilëve u është dhënë dituria, Allahu do t’i ngrejë në shkallë të larta.” (El-Muxhadele, 11)
Po mos të ishte shkenca dhe arsimimi çështje aq me peshë e tejet e rëndësishme, Zoti i Lartmadhëruar nuk do t’i thoshte Muhamedit a.s. që të lutej: “Dhe thuaj: O Zoti im! Më shto dituri!” (Ta Ha, 114).
Islami nuk u mjaftua vetëm me thirrjen për shkencë, por ka vendosur bazamente, themele e principe që e pengojnë ngurtësimin e mendjes dhe e ruajnë atë nga dogmatizmi e ngurtësimi ideologjik. Kjo thirrje na bëhet e qartë nga sqarimi i parimeve të cilat ai i ka konstatuar: Islami është fe e argumentit dhe faktit, Islami është fe e bindshmërisë, jo e dyshimit, Islami është armik i imitimit të verbër, Islami na fton që të marrim atë më të mirën.(3)
Islami, si sistem jete i projektuar nga Krijuesi i Gjithëdijshëm, e ka për simbol penën dhe diturinë deri në detajin më të vogël për organizimin e jetës në mënyrën më të shëndoshë të mundshme.
Përballja e njeriut me të mirën dhe të keqen, duke pas në konsideratë rezultatet dhe pasojat e tyre, kërkon nga njeriu që të jetë shumë syhapur përball tyre dhe të zbatojnë urdhrin kuranor për kërkimin dhe përvetësimin e dijes së dobishme. Ashtu siç trupi ka nevojë për ushqime cilësore dhe me vlera ushqyese, edhe njeriu ka nevojë për dituri të dobishme, sepse kështu ai do të fitojë një imunitet e shëndet mendor e shpirtëror.
Ali ibën Ebi Talib r.a. ka thënë: “Mësojeni veten dhe familjen tuaj për atë që është më e mirë.” Në Islam çdo vepër vlerësohet sipas qëllimit, edhe kërkimi i diturës me qëllimin e sinqertë për hir të zbatimit të urdhrit kuranor “Lexo” është një ibadet në vete. Këtë ibadet njeriu duhet ta fillojë që në fëmijërinë e hershme, duke u ofruar fëmijëve materiale adekuate për moshën e tyre dhe duke i bindur se ofrimi te burimi i diturisë, Kurani, është ofrim te çdo dituri e mirë dhe e dobishme për ta, e këtë rrugë njeriu të mos e ndal deri në shterjen e të gjitha mundësive psikofizike.
Arsimimi tek arabët para ardhjes së Kuranit ishte në një nivel tepër të ulët. Madje edhe vetë Pejgamberi a.s. ishte njeri që nuk dinte shkrim-lexim. Ky fat ishte urtësi nga Allahu xh.sh. për të shuar të gjitha dyshimet që ndoshta autor i Kuranit është vetë Muhamedi a.s.. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Xhibrilin ta zbriste shpalljen, e Xhibrili urdhëresën e parë që kërkoi nga Muhamedi a.s. ishte fjala “Lexo”, e përgjigjja e Muhamedit a.s. ishte se nuk di të lexojë. Ky lloj komunikimi na shtyn të gjithë ne që të mos ndihemi të kompleksuar për realitetin në të cilin mund të jemi, por më pas duhet doemos që të zbatojmë këtë urdhër hyjnor (sikundër edhe të tjerët) dhe t’i rrekemi ndryshimeve pozitive në tokë, duke e pasur në zemër, mendje e dorë burimin e dijes, Kuranin famëlartë.
Muhamedi a.s. gjatë gjithë jetës së tij e kishte dert dhe krijonte strategji për arsimimin e popullit të tij, madje edhe pas përfundimit të betejës së Bedrit urdhëroi që të gjithë robërit kurejshit të luftës të shpaguajnë lirinë e tyre, duke aftësuar myslimanët në shkrim-lexim.(4)
Leximi i një libri e bën njeriun të ndihet sikur ai ka rilindur, e ndjenë një kënaqësi të papërshkrueshme në kraharorin e tij dhe e sheh botën me një sy tjetër. Krahasimi i atij që lexon dhe atij që nuk lexon është sikur krahasimi i botanikut me një njeri të thjeshtë. Kur botaniku hyn në livadhe dallon dhjetëra lloje të barishteve, ndërsa kur hyn njeriu i thjeshtë gjithçka i duket jeshile.
Truri i njeriut është i ri, pavarësisht moshës në numër që mund të ketë, ai tru është i gatshëm dhe ka dëshirë të madhe për lexim. Nuk mund të jetë frytdhënëse e konstruktive një mendje që nuk lexon e nuk mëson. Mendja që nuk stërvitet për lexim, ndryshket ashtu siç ndryshket hekuri pa u përdorur. Andaj duhet ta përgatisim zemrën me dituri ashtu siç përgatisim atë për mbjellje, sepse me dituri, Allahu i ngjallë zemrat ashtu siç e ngjallë tokën me ujë.(5)
Në të dyja koleksionet e sakta, te Buhariu e Muslim, është i regjistruar hadithi ku Muhamedi a.s. thotë: “Shembulli i dërgimit tim prej Allahut me udhëzim dhe dituri i ngjan shembullit të shiut i cili bie në tokë, dhe, një pjesë e tokës e cila është e mirë dhe e pëlleshme, e pranon ujin dhe nga aty mbin bimë, krijohet gjallëri dhe gjallesat ushqehen, toka ka qenë e thatë, por e ka pranuar ujin dhe Allahu ka sjellë dobi, sepse njerëzit kanë pi, kanë ujitur dhe kanë gjallëruar. Ndërsa pjesa tjetër e tokës, e cila është e thatë nuk e pranon ujin, dhe nga aty nuk mbin bimë dhe nuk ka gjallëri. Ky është shembulli i atyre të cilët thellohen në kuptimin e diturisë së Allahut dhe i sjellin dobi (njerëzimit) duke u arsimuar dhe duke i arsimuar të tjerët dhe shembulli i atyre të cilët nuk e ngrenë kokën dhe nuk e pranojnë udhëzimin e Allahut me të cilin udhëzim jam i dërguar.”
Po ashtu në porosinë tjetër të tij, ai ka thënë: “Kur vdes njeriu i ndërpriten veprat e tij përpos tri çështjeve-rrugëve, lëmoshës qarkulluese, diturisë frytdhënëse, dhe fëmijës i cili lutet për të.”
Rëndësia e diturisë, kërkimit dhe përfitimit të saj është e madhe saqë e bënë atë të pakrahasueshme madje edhe me adhurimet vullnetare që besimtari dëshiron t’i bëjë gjatë jetës së tij. Dituria është gjëja më e kushtueshme, dhe më me vlerë se gjithçka tjetër. Ajo është arsenali më i fuqishëm i njeriut në çdo kohë, që nëse shfrytëzohet si duhet, me të mund ta mbrosh besimin, nderin, atdheun, njerëzimin.(6)
Allahu xh.sh. është betuar në lapsin që shënon diturinë: “Nun, betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë!” (El -Kalem, 1). Allahu nuk është betuar në asgjë tjetër para lapsit, sepse, atë e krijoi të parin: “Gjëja e parë që e ka krijuar Zoti është lapsi.”(7)
Përveç posedimit kërkohet edhe zbatimi i dijes. Dituria është mjeti i njeriut për arritjen e qëllimeve praktike, fillon nga të mësuarit dhe përfundon në të zbatuarit. Dija që nuk mund të vihet në jetë është si flluskat e sapunit që treten pa u hetuar. Dija pa veprim është sikur pema pa fruta. Dija pa zbatim është si reja mashtruese që sillet vërdallë por që nuk lëshon shi. Njeriu nuk mund të dëshmohet se kush është pa e dëshmuar dijen e tij, e dija nuk dëshmohet ndryshe veçse duke u demonstruar në praktikë.
Ebu Hurejra r.a. ka thënë: “Dituria me të cilën s’punohet është si thesari që në rrugë të Zotit nuk shpenzohet.”
Historikisht, myslimanët i kushtuan kujdes tepër të veçantë zhvillimit të dijes, duke arritur kështu në shkallë të larta të civilizimit. Napoleon Bonaparta, i habitur me historinë islame në ujdhesën e Shën Elenit ka treguar se çfarë ngritje dhe përparimi ka lulëzuar kur myslimanët punuan sipas udhëzimeve kuranore. Ai ka thënë: “Sa u përhap Islami, dhe sa u shtrinë myslimanët për një shekull, romakët nuk arritën të shtrijnë sundimin e tyre për gjashtë shekuj.” Ky ishte hapërimi islam dhe kaq të mëdhenj ishin hapat e myslimanëve. Në fushën e organizimit të një sistemi të arsimit, myslimanët, përkatësisht prijësit e myslimanëve kanë treguar kujdes dhe strategji konkrete.
Shteti abasit i motivonte njerëzit për shkencë. Në atë kohë u bë busulla dhe ora, e cila iu dorëzua mbretit, Karlit të Madh. Kur i thanë atij se këtë orë e ka dërguar Harun Rashidi (766-809) për ta matur kohën, ai e refuzoi, iku prej saj, u frikësua ta kapte në dorë dhe u tha t’ia kthenin se ndoshta me të dëshironin t’u bënin magji. Kalifi Harun e Rashid i ka mbledhur rreth vetes njerëzit më të dijshëm duke qenë i pari që rreth vetes mblodhi kaq shumë intelektual.
Bibliotekat e mëdha ekzistuan edhe në shumë qytete të tjera të botës islame. Myslimanët vetëm në Spanjë kishin 70 biblioteka dhe aty u zhvilluan dhe u vënë bazat e shumë shkencave, për të qenë bazë e zhvillimeve shkencore në pjesën e Evropës, ngase myslimanët kudo që shkuan shpërndanë rrezet e dijes. Myslimanët arritën të themelojnë qendra edukative arsimore të niveleve fillestare deri tek ato akademike.
Modelin e zhvillimit intelektual, ashtu siç na porositë Islami, dhe siç u zhvilluan ndër shekuj, myslimanët duhet ta vazhdojnë, duke përdorur metodat bashkëkohore si lehtësim për përhapjen e dritës islame. Kështu, dituria e urtësia, njeriut, do t’ia ndriçojë zemrën, kthjelltësojë mendjen dhe do t’ia mundësojë orientimin e duhur në rrugën e qartë që shpie në një paqe në këtë jetë dhe në Xhenetin e përjetshëm, në botën e përtejme.
1. Zija Abdullahu, “Ndikimi i besimit në sjelljet e muslimanit”, Prishtinë, 2017, fq. 377.
2. Afif Abdul Fet-tah Tabbareh, përkthim nga mr. Driton Arifi, “Shpirti i fesë Islame”, Prishtinë, 2020, fq. 367.
3. Po aty.
4. Dr. Bashkim Aliu, “Muhamedi a.s pishtari ndriçues”, Prishtinë, 2021, fq. 422.
5. Jakup Asipi, “Për diturinë”, Shkup, 2012, fq. 126.
6. Po aty.
7. Hadith sahi, shënon Ebu Davudi në librin për synetin, kapitulli: Kaderi, nr. 4700.