Sjelljet e virtytshme në jetën e besimtarit

(Etika e fjetjes dhe zgjimit nga gjumi)


Çështjet e sjelljes së virtytshme janë një prej tematikave, të cilat janë në interes të secilit besimtar, në mënyrë që t’i njohë e t’i përvetësojë ato. Andaj si të tilla do të duhej që të merrnin edhe një pjesë të mundit e të përpjekjes sonë në shkrime, ligjërime e këshilla. Si të tilla, ato mbesin interesante në çdo kohë për t’i njohur e për t’i praktikuar secili nga ne. E, autoriteti më meritor për t’u marrë model, dhe i cili i ka jetësuar në mënyrë praktike këto dhe virtytet e tjera, pa dyshim është i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s.. Këtë e dëshmon ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. ka thënë: “se ti je me virtyte morale” (El-Kalem, 4)
Ndërsa vetë Muhamedi a.s. ka thënë: “Jam dërguar për t’i përsosur virtytet morale.”(1)
Ne si besimtarë myslimanë, përveç që e kemi për obligim ta ndjekim rrugën dhe traditën e Pejgamberit a.s. në çështjet e adhurimit dhe të veprimeve që kanë të bëjnë me çështjet e jetës së përditshme, e kemi për obligim që ta ndjekim rrugën dhe traditën e tij edhe në çështjet të cilat ndërlidhen me virtytet morale dhe mirësjelljen, apo thjesht me përditshmërinë tonë. Nuk ka dyshim se çdo besimtar mysliman interesohet se si Pejgamberi a.s. sillej ndaj bashkëshorteve të tij, si sillej ndaj fëmijëve dhe fqinjëve të tij, si porosiste Pejgamberi a.s. që të sillemi ndaj prindërve tanë dhe familjarëve të tjerë. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El-Ahzab, 21)
Kjo seri temash, prekin fusha të gjera jetësore dhe janë gjithëpërfshirëse. Ato na rrëfejnë për një seri rregullash dhe virtytesh morale për të cilat çdo besimtar ka nevojë t’i njohë dhe praktikojë gjatë jetës së tij të përditshme. Prezantimi i këtyre tematikave do të bëhet në mënyrë të përmbledhur e cila do të përshtatet edhe me angazhimet e shumta të njerëzve, veçmas në këtë kohë të pa kohë. Me këtë shpresojmë dhe lutemi që besimtarët myslimanë të kenë mundësi dhe të njihen me këto virtyte dhe mënyrën se si Pejgamberi a.s. ka vepruar. Lidhur me këtë Pejgamberi a.s. në një hadith kudsij ka thënë: “Nuk ka asnjë veprim më të mirë, të cilin e bënë robi Im me qëllim të afrimit ndaj Meje, se sa ato veprime të cilat ia kam bërë obligim (farz). Robi Im vazhdon të bëjë punë të mira vullnetare me qëllim të afrimit ndaj Meje derisa Unë ta dua atë. Nëse robi arrin atë nivel që Unë ta dua atë, atëherë Unë bëhem veshi i tij përmes të cilit ai dëgjon, syri i tij përmes të cilit ai shikon, dora e tij përmes të cilës ai vepron dhe këmba e tij përmes të cilës ecë. Nëse më drejtohet me ndonjë lutje Unë i përgjigjem asaj, nëse kërkon mbrojtjen Time unë e mbrojë atë. Nuk ka veprim të cilin Unë e bëjë e të kem mëdyshje në bërjen e tij se sa kur unë marr shpirtin e besimtarit dhe frikohem se po e lëndoj atë.”(2)

Rregullat (veprimet etike) me rastin e shkuarjes në gjumë

Gjumi të cilin ne e bëjmë çdo natë ka disa rregulla dhe preferenca, prej tyre mund të theksojmë:
- Të mos qëndrojmë zgjuar gjatë natës, përveç në raste të veçanta. Raste të veçanta mund të llogariten vizitat familjare me qëllim të ruajtjes së lidhjeve farefisnore, vizita e ndonjë të sëmuri, qëndrimi me qëllim të mësimit e të ngjashme. Pejgamberi a.s. e ka pasur çdoherë traditë fjetjen pas faljes së namazit të jacisë. Ai a.s. e ka urryer gjumin para namazit të jacisë dhe bisedën-ndejën pas namazit të jacisë.
- Të jemi me abdes kur të shkojmë në shtrat për të fjetur. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të shkosh në shtrat, atëherë merr abdes ashtu siç merr për faljen e namazit.”(3)
- Leximi e këtyre pjesëve nga Kurani: Ajetul-Kursij/Tespihdovës, përfundimin e kaptinës El-Bekare, Kulhuvallahun dhe dy Kul’eudhat. Është transmetuar nga Aisheja r.a., se Pejgamberi a.s. kur shkonte në shtrat për të fjetur i ngrite duart lart, frynte mbi to, lexonte Kulhuvallahun dhe dy Kul’eudhat dhe më pastaj me duart e tij fërkonte aq sa mundte nga trupi i tij, duke filluar nga koka, fytyra dhe trupi. Këtë veprim e bënte tri herë.(4) Pejgamberi a.s. gjithashtu ka thënë: “Kush lexon dy ajetet e fundit të kaptinës El-Bekare, ato do t’i mjaftojnë.”(5) Ndërsa. sa i përket vlerës së leximit të Tespihdovës, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush lexon Tespihdovën kur shkon në shtratin e tij, ai do të jetë nën mbrojtjen e Allahut xh.sh. dhe nuk do t’i afrohet djalli derisa të gdhij.”(6)
- Leximi i kaptinës El-Kafirun. Një veprim i tillë llogaritet preventivë dhe mbrojtëse e besimtarit nga politeizmi.(7)
- Sipas mësimeve të Pejgamberit a.s. preferohet, siç u theksua edhe më lart, që me rastin e shkuarjes në shtrat, çdo person të marrë abdes dhe të bie në krahun e djathtë dhe ta thotë këtë lutje: “Allahumme eslemtu vexh’hi Ilejke, ve favved’tu emri ilejke, ve elxheëtu dhahri ilejke, ragbeten ve rahbeten ilejke, la melxhe’e ve la menxha’ minke il-la ilejke, Allahumme amentu bikitabike el-ledhi enzelte, ve bi-nebijjike el-ledhi erselte” – “Zoti im, vetën time e dorëzova te Ti, çështjen time e lash në dorën Tënde, shpinën time e mbështeta te Ti, me vetë dëshirë dhe nga frikë-respekti për Ty, nuk kemi strehim as shpëtim përveçse te Ti. Zoti im, unë kam besuar në librin Tënd të cilin e ke zbritur dhe në Pejgamberi tënd të cilin e ke dërguar.”
- Sipas mësimeve dhe udhëzimeve të Pejgamberit a.s., preferohet, që me rastin e shkuarjes në shtrat dhe zgjimit nga gjumi të thuhet: (SubhanAllah ve bi-hamdihi), njëqind herë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje, në Ditën e Kiametit asnjë person nuk do të paraqitet më mirë se sa ky, përveç atij që e ka thënë të njëjtën lutje, ose ka thënë edhe më shumë.”(8)
- Gjithashtu, bazuar në udhëzimet e Pejgamberit a.s., me rastin e shkuarjes në shtrat, preferohet të thuhet kjo lutje, të cilën Pejgamberi a.s. e ka quajtur: “Zonja e lutjeve”. “Allahumme ente Rabbi, la ilahe il-la ente, kalektene ve ena abduke, ve ena ala ahdike ve vaëdike ma istetaëtu, eudhu bike min sherri ma sanaëtu, ebu’u leke bi-nimetike alej-je ve ebu’u bidhenbi, fegfirli, fe in-nehu la jegfiru dhunube il-la ente.”(9)
– “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Ti je Krijuesi im, ndërsa unë jam robi Yt. Unë do të qëndrojë në rrugën dhe premtimin të cilin e kam dhënë ndaj Teje për aq sa kam mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënd nga të këqijat që veproj. Jam mirënjohës i begative Tua ndaj meje, gjithashtu pranoj edhe gabimet e mija, prandaj m’i fal ato, sepse nuk ka kush i fal përveç Teje.” Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e thotë këtë lutje në mbrëmje dhe vdes atë natë, ai do të hyjë në Xhenet, gjithashtu kush e thotë në mëngjese pasi të zgjohet dhe vdes atë ditë do të hyjë në Xhenet.”
- Nuk është e preferuar që të flejë mbi stomak. Këtë formë të fjetjes, Pejgamberi a.s. ka thënë se e urren Allahu xh.sh..
- Nëse gjatë natës sheh ndonjë ëndërr të mirë, kjo është një sihariq nga ana e Allahut xh.sh., prandaj është mirë që të falënderohet Zoti xh.sh. dhe t’i tregoj atij që e donë.
- Nëse gjatë natës sheh ndonjë ëndërr të keqe, atëherë kjo është nga djalli dhe preferohet që të kërkojë ndihmë dhe mbrojtje prej tij. Preferohet që me rastin e zgjimit nga gjumi, si rezultat i ëndrrës së keqe, të pështyjë tri herë në anën e majtë dhe mos t’ia tregojë asnjë njeriu atë ëndërr.

Rregullat (veprimet etike) me rastin e zgjimit nga gjumi

Rregullat të cilat u theksuan më lartë kanë të bëjnë me etikën dhe edukatën e shkuarjes në shtrat për të fjetur. Edhe pas zgjimit nga gjumi, po edhe çdo veprim të cilin ne e bëjmë ka rregulla, udhëzime dhe preferenca, të cilat Pejgamberi a.s. i ka bërë dhe të njëjtën kohë ato janë mësim dhe udhëzim edhe për ne si pjesëtarë të fesë islame. Në vazhdim do të potencojmë disa rregulla që kanë të bëjnë me rastin apo momentin e zgjimit nga gjumi:
- Rikujtimi i Allahu xh.sh. me rastin e zgjimit nga gjumi. Ka qenë traditë e Pejgamberit a.s. që kur është zgjuar nga gjumi ka thënë: “Elhamdu Lilahi el-ledhi ahjana badema ematena ve ilejhi nushur.”(10) – “Falënderimi i takon Allahut i Cili na bëri prapë të gjallë dhe tek Ai është rikthimi.”
- Pastrimi i gojës dhe dhëmbëve. Ka qenë traditë e Pejgamberi a.s. që sa herë zgjohej nga gjumi i pastronte dhëmbët me misvak.
- Larja e fytyrës pas zgjimit nga gjumi.
- Nëse zgjohet natën për të falur namaz të natës preferohet që t’i zgjojë edhe anëtarët e tjerë të familjes.


______________________
1. Musnedi i Imam Ahmedit, hadithi nr. 8952.
2. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 6502.
3. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 247.
4. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 5017.
5. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 5008.
6. Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi me këtë kuptim.
7. Hadithin të cilin e potencon një gjë të tillë e transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij. Nr. i hadithit: 5055.
8. Sahihu i Muslimit, nr. hadithit: 2629.
9. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 6306.
10. Sahihu i Buhariut, nr. i hadithit: 6312.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Arsim Morina: “Premtimet e Allahut për agjëruesin (trajtim i haditheve përgëzuese)”