Agjërimi është gëzim!


Agjëruesi le të gëzojë, le t`i buzëqeshë çdo dite agjërimi të suksesshme, le ta kuptojë dhe ta ndjejë çdo ditë e çdo moment se me agjërim mund të arrijë diçka të madhe.

Devotshmëria më së lehti dhe më së shpejti arrihet duke qënë agjërueshëm, gjatë Ramazanit, në kohë kur djajt janë të pafuqishëm, në kohë kur djajt janë të prangosur. Edhe nëse nuk e beson këtë mund ta vërtetosh duke vëzhguar njerëzit që agjërojnë kur sapo hyn Ramazani, sikur të jenë të programuar në formë mekanike, sjelljet e tyre janë shumë më të qeta, shumë më tolerante, shumë më paqësore, e kjo zgjat deri në fund të Ramazanit, zgjat edhe disa tjera pas për inerci të këtij muaji, për rrjedhojë të sjelljeve të rregullta të praktikuara gjatë Ramazanit. Më vonë, nëse personi nuk është i vëmendshëm, këto sjellje me kalimin e ditëve fillojnë e zbehen. Zoti, i qofshim falë, kur e përmend agjërimin na shpjegon se `agjërimin u`a kam bërë detyrim.. që të mund të arrini devotshmërinë` Kaptina 2:183.

Agjërimi është shkaku i një gëzimi të veçantë që vetëm se përjetohet, ndoshta nuk mund të shpjegohet. Kjo e tekstualizuar me thënie Profetike kur Muhamedi s.a.s. na tregon se agjëruesi ka dy gëzime eksklusive; njëra kohë është kur, pas një dite të suksesshme duke i`u përmbajtur plotësisht rregulave të agjërimit, besimtari e përfundon ditën e agjërimit dhe fillon të ushqehet. Ndërsa momenti tjetër është kur njeriu do të takohet me Zotin e Gjithësisë, me mirësitë që ai ka arritur përmes vetëm se agjërimit të përkushtuar. Gëzoju agjërimit.

Besimtari duhet t`i jetojë shumë i gëzuar ditët e agjërimit. Ato e mbrojnë nga zjarri dhe ndëshkimi në botën e Amshueshme. Në një thënie tjerë profetike Muhamedi s.a.s., e shënuar të Buhariu, Muslimi, Nesai, ka thënë se një ditë e vetme e agjërimit do e mbajë agjëruesin 70 vite larg nga zjarri i xhehennemit. Kjo është forca dhe pesha e agjërimit dhe agjëruesit tek Zoti i Gjithësisë. Buhariu e ka përfshirë në temën e Xhihadit ku dijetarët komentatorë të hadithit e kanë komentuar si agjërim në rast lufte, pra duke qenë në front lufte dhe duke qenë agjërueshëm. Ndësra për grumbulluesit e tjerë të thënieve profetike siç janë Muslimi dhe Nesai që e kanë shënuar këtë hadith në temën e Agjërimit, mendojnë se ky hadith dhe domethënia në këtë hadith vlen edhe përgjatë Ramazanit. Gëzoju agjërimit. Agjërimi është lehtësim, jo vështirësi.

Një ndër vështirësitë më të mëdhe më të cilat përballet njeriu në jetën e tij është instikti i veseve, i smirave, xhelozive, i epsheve, i përgojimeve dhe shpifjeve. Mënyra dhe forma e vetme e të vendosurit së kufijve në forma të natyrshme është agjërimi. Përmes agjërimit qënia njeri e ka shumë më të lehtë t`i kontrollojë këto instikte. Agjërimi është një lehtësim i madh edhe në shlyerjen e mëkateve që njeriu bën gjatë jetës së tij. Kush agjëron me besim dhe me shpresë tek mëshira Hyjnore Zoti do t`ia falë mëkatet që ka bërë, thotë Profeti Muhamed s.a.s. Agjërimi burim i faljes së madhe, hadithi gjindet tek Buhariu dhe Muslimi. Gëzoju agjërimit. Agjërimi është lehtësim e jo vështirësi. Zotit i qofshim falë, në versetet ku na urdhëron për të agjëruar na tregon se `Zoti dëshiron lehtësim për ne njerëzit e jo vështirësi`, kaptina 2:185.

Agjërimi përmendet si një ndër cilësitë kryesorë të njerëzve besimtarë e të lartë të popujve dhe qytetërimeve që kanë jetuar në këtë botë para nesh, agjërimi e lërtëson njeriun. Përmes agjërimit të gjithë popujt besimtar janë lartësuar te Zoti, janë falur dhe bërë njerëz më të mirë. Përmes agjërimit njeriu e ruan shpirtin e tij nga mëkatet. Shiprti i njeriut ka ardhur nga Zoti i Gjithësisë, duhet ruajtur me shumë kujdes, duhet ruajtur i pastër. Më së miri agjërimi ia mundëson njeriut këtë arritje.

Gëzoju agjërimit se ai të disiplinon, edhe mëngjësin e hershëm edhe darkën i ka në kohë të caktuara dhe është e këshillueshme që e para të konsumohet deri në minutën e fundit sepse ai është i begatshëm ndërsa darka është e këshillueshme që të fillohet sapo të vijë koha, mos të vonohet. Kjo orare ndikojnë në disiplinimin e njeriut. Gëzoju agjërimit.

A mundet një besimtar të arrijë mirësi të tjera në një ditë përveç agjërimit të tij? Muhamedi s.a.s., ai që ka inspirim Hyjnor dhe nuk flet nga vetja e tij na tregon se nëse ushqen një agjërues ty të arrijnë mirësitë e ditës së agjërimit të tij e atij nuk i pakësohen aspak. Pra, në Ramazan, përveç mirësive të panumërta që ke nga agjërimi yt personal mund të marrësh edhe mirësitë e një agjërimi të një agjëruesi tjetër nga agjërimi i tij nëse e ushqen atë e atij nuk i pakësohen përfitimet e atij agjërimi. Kjo ndodh vetëm se në Ramazan.

Sa njerëz kanë humbur jetën si pasojë e mosdurimit, sa familje janë shkatërruar se ka munguar durimi reciprok, sa biznese janë shkatërruar se ka munguar durimi dhe këmbëngulja, sa njerëz janë larguar nga rruga e drejtë se janë ngutur e ka munguar durimi, në këtë çast ka futur hundët djalli i mallkuar dhe njeriu ka humbur. Sa zemra nënash e baballarësh janë lënduar e kanë qarë në heshtje me shumë dhembje sepse i ka munguar durimi fëmijëve të tyre, sepse njeriu dhe njerëzit kanë qenë të padurushëm dhe janë sjellur me arrogancë ndaj tyre. Durimi piqet e forcohet mirë në Ramazan, duke agjëruar 29/30 ditë të plota.
Gëzoju agjërimit.

Gëzoju agjërimit se të edukon. Edukimi dhe displinimi shpirtëor e trupor që arrihet pandërprerë gjatë Ramazanit do të lënë gjurmë të konsiderushme në muajt në vazhdim. Kur arrinë të disiplinosh trupin tënd dhe nevojat tuaja trupore ke arritur shumëçka. Agjëro mirë që të jesh i disiplinuar, agjëro me dinjitet se të bëhesh i dinjitetshëm, agjëro më durim të mirë që durimi të bëhet pjesë e karakterit tënd.

Kujdes nga imazhi jo i mirë i disa muslimanëve sjellja e të cilëve pavarësisht se në emër të Islamit por që bie totalisht në kundërstim me Islamin. Kujdes nga disa koncepte të paqarta të përhapura nga qarqe të dyshimta në emër të fesë. Dije se në fund secili do të përgjigjet për veprat e veta. Agjërimi është i mahnitshëm dhe të sjellë të mira që nuk mund t`i gjesh askund tjetër, agjëro dhe gëzohu kësaj mundësie, pavarësisht se në Kuran na është ndaluar të frikësohemi dhe të mërzitemi, por kush e di se si do të na gjejë Ramazani tjetër, ku i dihet..

Agjëro dhe gëzohu fort se agjërimin e ke detyrë me gjithë këto dobi e prurje besimore, morale, psikologjike, trupore, shoqërore, që lidhen ngushtë me këtë botë dhe me të Amshueshmen.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi