Shpirti sipas pikëpamjes së filozofëve islamë dhe mutekeliminëve


A duhet të diskutohet për shpirtin?

jo pyetje mund të lind si rezultat i një kuptimi fillestar e të pamjaftueshëm të ajetit kuranor, në të cilin Zoti
përmend se çështja e shpirtit është nga çështjet e Zotit dhe se juve nuk u është dhënë dije për këtë gjë veçse pak. Allahu në Kuran thotë: “Të pyesin për shpirtin. Thuaju: “Shpirti është çështje e Zotit tim, kurse juve nuk u është dhënë nga dija për të veçse pak.” (El Isra, 85).
Në fakt, dijetarë të ndryshëm, sufistë dhe mendimtarë, anonin kah një vetëpërmbajtje në aspekt të studimit të shpirtit. Xhunejdi, (v.298 h.) mendonte se nga bisedat për shpirtin duhet të kufizohemi vetëm në stadin e vërtetimit të ekzistencës së tij dhe jo më tepër. Ky ishte mendimi edhe i Ibën Abasit dhe shumicës së selefive (tri gjeneratave të para). Imam El Lekanij (v.1041 h), i përkiste këtij pozicioni dhe arsyetohej se përderisa nuk kemi tekst nga Kurani apo Suneti që detajon shpjegimin rreth shpirtit, edhe ne duhet të përmbahemi nga studimet rreth tij, duke u bazuar në një kuptim direkt të ajetit, i cili flet për shpirtin dhe i cili po ashtu ka qasjen e njëfarë mohimi të një definimi të realitetit nga studimet njerëzore.(1) Mirëpo, shumica e dijetarëve të Ehli Sunetit, por dhe të tjerë, arsyetojnë me plotë të drejtë çdo përpjekje studimore që ka të bëjë me definimin e sekreteve që kanë të bëjnë me jetën shpirtërore. Imam Gazali, konsideron se njohja e shpirtit, që në realitet përbën njohjen e njeriut ndaj vetvetes, është një para rrugë, për të arritur deri te një njohuri më e saktë ndaj Zotit të Madhërishëm.(2) Imam Fahrudin Rrazi, po ashtu me shumë endje diskuton rreth realiteteve që kanë të bëjnë me aspektin shpirtëror të njeriut. Ai në tefsirin e njohur “Mefatihul gajb”, detajon mendimet e ndryshme në historiografinë islame, si dhe argumentet e qasjet e tyre rreth kuptimit të shpirtit. Përveç kësaj edhe Imam Ibën Kajim el Xhevzije, shkroi një libër me këtë tematikë dhe e titulloi “Kitabu Rruh - Libri mbi shpirtin”. Prandaj, qëllimi i kësaj hyrjeje është definimi i saktë i mendimit rreth validitetit të një përfshirjeje studimore islame me tematikë shpirtëroren dhe realitetet e saj. Kurse, sa i përket mundësisë së penalizmit të ndonjë studimi ndaj shpirtërores, të bazuar në kuptimin e ajetit të lartcekur, mund të themi se në ajet nuk mund të ketë ndonjë shenjë që do të mund të aludonte në moslegalizimin e studimeve rreth realiteteve shpirtërore.(3) Kjo mund të konkludohet duke pasur parasysh disa aspekte të rëndësishme që përmban ajeti:
Aspekti i parë lidhet pikërisht me faktin se, në pyetjen që iu parashtrua Pejgamberit të Zotit, nuk pati ndonjë qortim nga shpallja. Sikur të ishte pyetja për shpirtin diçka që është në kundërshtim me mësimet e gjithmbarshme islame, patjetër që do cekej në ajet, përderisa ajeti zbriti me qëllim të shtjellimit të shpirtit si temë. Kurse mosdhënia e një përgjigjeje që definon shpirtin, siç thotë Imam Ibën Bettali (v.449 h), aludon në pamundësinë dhe nevojën e pashmangshme për ndihmën e Zotit, për të njohur njeriu qoftë edhe realitetin e vetvetes. Imam Kurtubiu (v.671 h), thotë se përderisa njeriu nuk ka mundësi ta njoh realitetin e shpirtit që e posedon, si ka mundësi të definojë realitetin e Qenies së Zotit xh.sh.?!
Aspekti i dytë ka të bëjë me atë se Kurani, nuk hesht, kur parashtrohet pyetja rreth shpirtit. Por, në fakt, Kurani jep përgjigje rreth asaj që pyetet. Përgjigja e ajetit është shumë e thuktë dhe e shkurtër: “Thuaj: “Shpirti është vepër (krijesë) e Zotit tim.” Shprehja në ajet është e barasvlershme dhe identike me shprehjet e ngjashme në pyetjet tjera kudo në Kuran, ku përdoret pyetja: “të pyesin” dhe përgjigja: “thuaj”. Dijetarët islamë kanë konsensus të plotë - ixhma, se shpirti është krijesë e Zotit.
Aspekti i tretë, ajeti në fjalë nuk mohon çdo lloj të dijes rreth shpirtit. Përkundrazi, ajeti pranon se ne kemi një nivel njohurish rreth shpirtit, veçse ato janë të pakta. shtoja kësaj, faktin se njohuritë mund të zgjerohen me një vazhdimësi në kërkime shkencore, ani pse nuk guxon të pretendohet se ato do të definojnë realitetin e plotë të shpirtit. Thënë shkurt, me studimet rreth shpirtit, assesi nuk synohet të definohet çdo aspekt që ka të bëjë me realitetin e tij si entitet, por, meqenëse, është faktori kryesor në vetë njeriun, patjetër që duhet t’i qasemi me studime në aspektet të cilat lejojnë studimet shkencore të kenë qasje rreth tij, në mënyrë që të njohim më mirë efektet e tij, balancën, etj., duke mos cenuar aspektet e gajbit që mbesin të panjohura për njeriun. Kurse në ato aspekte, ku nuk arrin dot mendja të përpilojë ixhtihad rreth aludimit të teksteve, si dhe të bëjë sinkronizimin në mes praktikës njerëzore dhe tekstit fetar, pa dyshim që edhe dijetarët islamë shfaqin përmbajtje të rreptë dhe nuk lëshohen në diskutime nga hamendja. Vetë tekstet fetare nga Kurani dhe hadithet profetike tregojnë shumë aspekte që kanë të bëjnë me shpirtin, siç është çështja e vendndodhjes së shpirtit pas vdekjes, shpirtrat e dëshmorëve, gjallëria e tyre, se shpirtrat kur pajtojnë mes vete afrohen dhe anasjelltas. Të tëra këto aspekte janë të shtjelluara nga tekstet fetare.
Përveç kësaj, studimet që u bënë rreth shpirtit me kalimin e kohës themeluan shkencën e rëndësishme të psikologjisë,(4) dhe disiplinat e saj.


Identiteti i shpirtit te filozofët islamë


Te filozofët islamë, shpirti definohet si: “Substancë abstrakte që bashkëvepron me trupin në një nivel të caktuar dhe formë të caktuar.” Shpirti, sipas pikëpamjeve filozofike nuk është trup. Ata e quajnë – “Substancë abstrakte ose e zhveshur”, që ka për qëllim thjeshtësinë dhe jo përbërjen. Në disa nga emërtimet që i bëjnë shpirtit, vërehet edhe togfjalëshi: puro substancë-substancë e thjesht?”, që në kuptimin filozofik, është diçka që nuk i përket botës lëndore, e cila njihet si “bota e komponimit dhe shpërbërjes”. “Bota e komponimit
dhe e shpërbërjes” përfshin çdo ekzistent që gjendet nën orbitën e Hënës.(5) Shpirti, ani pse bashkëvepron me trupin, ai nuk i përket kësaj bote, por është me esencë mbi këtë
orbitë. Si i tillë, shpirti nuk është diçka që shkatërrohet, por është ekzistent i përjetshëm, që nuk pranon zhdukjen ose shpërbërjen. Shprehja: i thjeshtë - puro”, ka këtë kuptim në filozofinë islame, diçka që nuk pranon as komponim, e si rezultat as shpërbërje. Komponimi dhe shpërbërja janë karakteristikë e trupave që janë të komponuar nga “katër elementet”(6), kurse shpirti nuk është diçka i tillë.


Identiteti i shpirtit sipas dijetarëve të akides (mutekeliminëve)


Te dijetarët e akides ka një llojllojshmëri në mendime rreth përkufizimit të shpirtit. Ata përfaqësohen kryesisht në dy grupime kryesore:
Grupi i parë përfaqësohet nga Imam El Gazali, Imam El Asbehani, Rraziu dhe disa dijetarë të tjerë, të cilët pajtojnë me supozimin e filozofisë islame se shpirti nuk është trup, por është «substancë abstrakte». Këta dijetarë bëjnë dallimin në mes shpirtit «nefs” dhe shpirtit “rruh”. “Nefs” është po kjo substancë abstrakte, kurse “rruh” është një lloj “avulli abstrakt që ngritët nga zemra deri në trurin e njeriut dhe pastaj shpërndahet në gjithë trupin përmes enëve të gjakut».(7) Imam Gazaliu e paraqet shpirtin (rruh) si një lloj korenti që kurdo që është prezent në trup, i jep atij një lloj energjie për lëvizje që ne e quajmë gjallëri.(8) Këtë mendim e përkrahin edhe një mori e autorëve bashkëkohorë.
Kurse grupi tjetër që përbën shumicën e dijetarëve të shkencës së Kelamit, supozojnë se “shpirti është “trup i tejdukshëm”, i cili rrjedh në trupin e njeriut përmes një funksioni të veçantë”.(9) Pra, shpirti sipas shumicës së mutekeliminëve është trup që ndërlidhet dhe bashkëfunksionon me trupin tonë si udhëheqës i trupit dhe komandues i tij.

Forcat e shpirtit

Filozofët islamë, me theks të veçantë, i atribuojnë shpirtit forca të ndryshme, të cilat dallojnë nga forcat trupore në shumë aspekte. Ato dallojnë si për nga natyra, po ashtu edhe për nga aspekti i kapacitetit. Forcat shpirtërore sipas pikëpamjes filozofike, nuk kanë kufizim, mirëpo kur shpirti lidhet me trupin, ato forca sikur i detyrohen kësaj lidhjeje dhe kapaciteti i tyre zbret në nivelet e kufizimit trupor. Shpirti ka forca bimore, që ndihmojnë në rritje e zhvillim, forca shtazore, që synim kanë realizimin e pasioneve dhe forca të larta që synim kanë ngritjen e njeriut në aspektin shpirtëror, moral dhe shkencor. Disa nga forcat shpirtërore edhe pas lidhjes së shpirtit me trupin ruajnë pakufishmërinë dhe jokufizimin, siç janë forca e të menduarit, të dëshirës, imagjinatës etj. Kurse shumica e mutekeliminëve, përfshirë Gazalin, Raziun e disa të tjerë, këto forca njerëzore ua përshkruajnë edhe trupit, gjegjësisht bashkimit të trupit me shpirtin.

Përjetësia e shpirtit

Te filozofët islam, shpirti jo që nuk vdes dhe as shkatërrohet, por ai nuk pranon fare zhdukjen, sepse shpirti në definimin filozofik qëndron si substancë e thjeshtë, e cila siç u cek, nuk mund të pranojë shkatërrim e as vdekje.(10) Ky qëndrim i filozofëve islamë kuptohet si një reflektim i një ndikimi direkt i filozofisë greke dhe jo vetëm, tek mendimi filozofik islam. Pra, se shpirtrat janë substanca të thjeshta dhe si të tilla nuk ka mundësi t’i nënshtrohen zhbërjes, sepse në fakt ata nuk janë të përbërë, por janë të thjeshtë. Duke u nisur nga pozicioni që gëzon shpirti në relacion me trupin sipas pikëpamjeve filozofike, në momentin kur shpirti ndahet nga trupi, shpirti fiton një liri të paparë, e cila realizohet me thyerjen e kufijve trupor në të cilët shpirti kufizohej sa ishte në trup.(11) Ky është momenti kur shpirti kalon në përjetësi i pavarur nga trupi në çfarëdo kohe të ardhme dhe nuk kthehet më të bashkohet me trupin. Kjo përjetësi me këtë pavarësi, i mundëson shpirtit realizimin e lumturisë së përhershme.
Kurse te dijetarët e akides islame, shpirti është krijesë e Zotit, ka fillimin e vet dhe si i tillë pranon edhe shkatërrimin. Mirëpo shpirti është i përjashtuar nga shkatërrimi në Ditën e Kiametit, me Vullnet dhe Dëshirë hyjnore. Ky është mendimi unanim i gjithë Ehli Sunetit. Ibën Abasi r.a., e përmend shpirtin në mesin e krijesave të cilat nuk do të shkatërrohen Ditën e Kiametit.(12)
Në bazë të asaj që cekëm më lartë, vërehet se ka dallime bukur të mëdha ndërmjet qëndrimeve të filozofëve islamë dhe dijetarëve të akides – mutekeliminëve në tematikën e shpirtit, dhe ky dallim i përcjell dy shkollat gati në secilën pikë të kësaj teme. Dallueshmëria në mes dy shkollave qëndron edhe në faktin se filozofia islame ndërton qëndrimet rreth tematikës së shpirtit, duke u bazuar përskaj teksteve islame edhe në fjalët e filozofëve jo islamë. Thënë më mirë, ajo mundohet të bëjë një gërshetim në mes mendimeve të mëhershme filozofike dhe teksteve islame, duke mos pranuar të heq dorë tërësisht nga asnjëri prej këtyre dy burimeve. Përderisa te mutekeliminët, kjo çështje është prej çështjeve të gajbit dhe si rezultat, konsiderohet se mbështetja e vetme valide është ajo në tekstin fetar, thënë më ndryshe në ixhtihadet që për bazë kanë vetëm gërshetimin në mes ajeteve dhe haditheve profetike.

Përfundim

Pra, siç e cekëm më sipër, shumica e dijetarëve të akides islame arsyetojnë kërkimet rreth realiteteve që kanë të bëjnë me shpirtin si entitet, brendapërbrenda njeriut, në aspektet që nuk janë gajb. Ndërsa shkolla e filozofisë islame e konsideron si një ndër temat kryesore të studimit, në përpjekje për të definuar drejt realitetin jetësor. Dallimi në mes dy qasjeve, të asaj filozofike islame dhe akaidologjike, fillon kryesisht nga vetë definimi, duke vazhduar pastaj deri te shumica e detajeve. Shkencat që studiojnë shpirtin, nuk e studiojnë atë nga aspekti anatomik, por nga aspekti i efekteve dhe natyrës së bashkëveprimit të forcave dhe animeve të nefsit – shpirtit, në mënyrë që besimtari të dijë se si të bashkëveprojë me natyrën e vet shpirtërore.


_________________________
1 Shih: Ibrahim el Lekkani, Umdetul murid sherh xheuhereti tevhid, (Dar Nurul mubin, Aman 2016), vëll. 3, f.1322.
2 Ebu Hamid el Gazali, Mearixh el kuds fi marifeti medarixh en nefs, (Darul Afak el Xhedideh, pa vit, Bejrut,) f.17.
3 Sepse vetë tekstet islame nga Kurani dhe hadithet profetike, janë të rruh. shumta në elaborimin e disa aspekteve rreth shpirtit, qoftë si nefs apo
4 Shprehja psikologji rrjedh nga gjuha greke që do të thotë: “shkenca rreth shpirtit”.
5 E gjithë kjo strukturë e definimit të këtyre botëve dhe dallimet në mes tyre, janë huazim i përpiktë nga filozofia greke.
6 Me “Katër elementet” në filozofi është për qëllim dheu, ajri, uji dhe zjarri. Nga komponimi i tyre formohet shtresa e ekzistencës e gjendur nën orbitën hënore.
7 Gazali, Mearixhu nefs”, f. 17.
8 Po aty.
9 Shih: Adudedin el Ixhij, Kitabul Mevakif,vëll. 2, f.474. Sadudin Teftazani, Sherhul mekasid, vëll. 2, f. 474. Lekkani, Umdetul Murid sherh xhevhereti tevhid, vëll. 3, f. 1322. etj.
10 Shih: Ebu Nasr el Farabij, Resail El farabi, f.135. Ibën Sina, El Ud-huvijetu fil mead,f.143. Jakub El Kindi,Resail felsefije lil Kindi vel farabi ve Ibën Baxheh ve Ibn Arabij, f.11.
11 El Kindi, Resail El Kindi, f.273.
12 Shih: Muhamed Nuvejhi, El Xhenetu ve Naru, (El Mexheletu el Urdunije fi Dirasat el Islamijeh, nr.3, vell. 11, Jordan 2015,) f.144.



Dituria Islame 386-387


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi