Një historik i shkurtër mbi zhvillimin e shkencës së hadithit në trojet shqiptare

Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. dhe hadithit të tij

Angazhimi i dijetarëve shqiptarë në shërbim të Sunetit buron nga besimi se Muhamedi a.s. është i dërguar i Allahut dhe komunikues i Fjalëve të Tij. Suneti përkrah Kuranit është burimi i dytë i Islamit dhe ai paraqet gjithë atë që na është transmetuar nga Muhamedi a.s., duke përfshirë këtu thëniet, veprimet, pëlqimet e tij e po ashtu edhe cilësitë personale dhe virtytet morale të tij. Allahu na ka urdhëruar që t’i besojmë Pejgamberit a.s. dhe t’i nënshtrohemi atij në gjithë ato që urdhëron ose ndalon, duke na e bërë të qartë se tek ai kemi shembullin më të mirë. Ai është dërguar si mëshirë e përgjithshme, lajmëtar dhe qortues para se të ndodhë shkatërrimi total i kësaj bote. Ai është udhëzues i mirëfilltë, që u dërgua për t’i nxjerrë njerëzit nga terri i injorancës në dritën e besimit. Allahu thotë: ”Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; (t’i nxjerrësh prej errësirës) në rrugë të Fuqiplotit, të të Falënderuarit”.(1)
Gjithashtu, ky angazhim buron nga bindja se Allahu e ka dërguar me fenë e vetme që Ai pëlqeu, e ishte vula e vargut të profetëve dhe me të përfundoi shpallja, pasi u plotësua tërësisht, dhe Allahu ishte i Kënaqur që Islami të jetë feja e vetme. Muhamedi a.s. e komunikoi ashtu siç e kishte urdhëruar Allahu xh.sh.. Me plot besnikëri barti amanetin, në mënyrë shumë të denjë këshilloi Ymetin, komunikoi Shpalljen dhe vazhdimisht bëri përpjekje që të përhapte Fjalën e Allahut. Për realizimin e misionit të tij ai përdori të gjitha mundësitë e lejuara. Para daljes nga kjo botë, e bëri të qartë rezultatin e mundit të tij duke thënë: ”Unë po u lë në një rrugë të ndritur, nata e saj është si dita. Pas meje nga ajo mund të devijojë vetëm ai që është i prishur”.(2)
Kjo përkujdesje buron gjithashtu nga besimi se Muhamedi a.s. është vula e gjithë profetëve. Është dërguar mëshirë për mbarë njerëzinë dhe ai është ndërmjetësuesi, i cili, në Ditën e Gjykimit, do të bëjë shefatin. ”Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush I paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.”(3)
Allahu na urdhëron që t’i bindemi Pejgamberit a.s.: ”O ju që besuat, bindjuni Allahut, bindjuni të dërguarit dhe respektoni përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (te libri i Tij) dhe tek i dërguari, po qe se I besoni Allahut dhe Ditës së Fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.”(4)
Gjithashtu kjo përkujdesje është fryt i besimit në faktin se Muhamedi a.s. është dhuntia më madhore për gjithë besimtarët: ”Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre, dërgoi të dërguar, që atyre t’u lexojë Shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’u mësojë Kuranin dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin krejtësisht të humbur”.(5)
Në ajetin e Kuranit na bëhet e qartë se, që të na dojë Allahu dhe të na falë mëkatet, duhet të pasojmë Pejgamberin a.s.: ”Thuaj: Nëse E doni Allahun, atëherë ejani pas meje, që Allahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë”.(6)
Edhe ne jemi pjesë e Botës Islame, pjesëtarë të “ehli sunetit”, prandaj në mënyrë të patundur besojmë se Syneti është baza e dytë e Islamit. Ky besim është shumë i tematizuar në ajetet e Kuranit, të cilat na urdhërojnë për besim, bindje, nënshtrim, dashuri dhe përfillje ndaj gjithë asaj që ka të bëjë me Pejgamberin a.s..(7)
Ne besojmë se edhe Syneti i Pejgamberit a.s. në një formë ka për burim Shpalljen nga ana e Allahut xh.sh. dhe se atij, së bashku me Kuranin, i është dhënë i ngjashmi me të; Syneti.(8)

Shkenca e hadithit në trojet shqiptare

Kjo tematikë nuk është studiuar në mënyrë të veçantë, prandaj më është dashur të hulumtoj të dhëna të ndryshme rreth temës, që kapin periudhat e mëhershme e shtrihen deri në ditët e sotme. Për të ndriçuar sado pak temën, jam përpjekur të lexoj gjithë ato që janë shkruar në lidhje me Hadithin.
Pastaj, kam kërkuar ndihmë nga studiuesit e fushave të ndryshme, duke u konsultuar në lidhje me studimin, duke shpresuar se fijet e ndryshme do të bënin një lidhje që do ta ndriçonte sado pak materien e dëshiruar. Më në fund, dëshmitë sjellin argumente të ndryshme, të cilat formojnë një brumë të mirë.
Qëllimi bëhet më i qartë kur bashkohen të dhënat, të tubuara nga literatura burimore apo anësore.
Për realizimin e këtij synimi është shumë i rëndësishëm edhe leximi në mes rreshtave. Megjithatë, trashëgimia e mëhershme dhe ajo që është shkruar rreth saj, nuk e shuajnë etjen e një studiuesi ngase shumëçka është fshehur me kalimin e kohës. Shumë fakte i ka shlyer historia, ndërsa injorimi i faktorit islam dhe mohimi i tij, situatën e bëjnë edhe më të rëndë. Ky studim më ka mësuar se një thesar shumë i çmuar është varrosur me përpjekjet që të harrohet sa më shpejt.
Me gjithë faktin se në kohët e fundit është publikuar mjaft shumë nga shkenca e hadithit, ajo i përket një natyre profesionale dhe nuk thellohet në trajtimin e temës në aspektin që po studiojmë ne.
Si rezultat i përpjekjes për t’i bërë një shërbim kësaj çështjeje, para lexuesve ofroj mundin tim, me qëllim që sado pak të zbardh këtë segment të panjohur për lexuesit tanë. Në të njëjtën kohë dëshiroj të nxis kureshtjen e studiuesve të tjerë për të hulumtuar edhe më shumë. Mendoj se përparësia qëndron në faktin se në një tunel të gjatë kam arritur të hap dritare, të cilat japin sado pak dritë në errësirën e krijuar me kalimin e kohës.
Kahet orientuese më kanë detyruar që fillimisht të ofroj një pasqyrë të shkurtër rreth pozitës së arsimit në pushtetin osman, pjesë e të cilit kemi qenë edhe ne.

Pozita e arsimit në pushtetin osman

Pushteti Osman, duke u mbështetur në parimet e Kuranit dhe Hadithit, arsimit i kushtonte një rëndësi shumë të veçantë. Islami e obligon myslimanin që të mësojë dhe të përhapë diturinë duke i kushtuar një vëmendje të veçantë në shumë ajete të Kuranit dhe hadithe të Muhamedit a.s..
Ne do të mjaftohemi me disa prej tyre:
1. ”Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.”(9)
2. ”Allahu lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.”(10)
3. ”Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët.”(11)
Edhe hadithet e Pejgamberit a.s., që ngrenë vlerën e dijes dhe dijetarëve, janë të shumta. Ato meritojnë të trajtohen në vëllime të veçanta dhe këtë shërbim e kanë bërë shumë prej dijetarëve duke kontribuar me penat e tyre. Meqë kemi shumë hadithe, kjo përbën një krenari të veçantë, ne do të mjaftohemi të cekim një hadith në të cilin Pejgamberi a.s. ka folur për vlerën e atij që kërkon dije dhe të dijetarit.
Muhamedi a.s. thotë: ”Kush merr një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’ia lehtësojë atij një rrugë nga rrugët e Xhenetit. Melekët shtrijnë krahët e tyre (vihen në shërbim) në shenjë pëlqimi me atë që bën kërkuesi i diturisë. Për dijetarin kërkojnë falje të gjithë ata që janë në qiej dhe në tokë. Këtë e bëjnë edhe peshqit në thellësi të detit. Pastaj, vlera e dijetarit ndaj një adhuruesi (besimtari të rëndomtë) është sikur vlera e hënës kur është e plotë(12) ndaj planetëve të tjerë. Gjithashtu, dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve, ata nuk kanë lënë për trashëgimi ndonjë dinar a dërhem, por kanë lënë trashëgimi diturinë. Prandaj kush e merr këtë trashëgimi, ka marrë hisen e plotë”.(13)
Bazuar në këto mësime të Islamit, pushteti osman i kushtonte një rëndësi të veçantë arsimimit dhe objekteve për përhapjen e diturisë.
Përkujdesja ndaj objekteve të adhurimit ishte nga veçoritë kryesore të pushtetit osman. Me të hyrë në ndonjë vend, ata ndërtonin xhaminë dhe, afër saj, gjithsesi ngrinin mektebet si objekte mësimore, ku merrnin njohuritë e tyre njerëzit e të gjitha shtresave, dhe sidomos njiheshin si vende për mësimin e fëmijëve. Për këtë shërbim caktohej mësuesi dhe, nëse e kërkonte nevoja, angazhohej edhe ndonjë tjetër.
Në të gjitha vendet islame të Ballkanit medreseja paraqiste një shkallë shumë të zhvilluar të arsimit. Aty nxënësit thelloheshin në studimin e shkencave të ndryshme të gjuhës dhe letërsisë, mësoheshin lëndët kryesore si shkencat gjuhësore, poetike dhe retorike. Në shkencat fetare mësohej jurisprudenca islame (fik’hu), tefsiri, hadithi, akideja etj.. Duhet cekur se shumica e materies ishte në gjuhën arabe, kjo për shkak të tretmanit të gjuhës arabe në mesin e myslimanëve si gjuhë e Kuranit dhe shkencave fetare islame.(14)
Arsimimi nuk ishte i kufizuar vetëm për myslimanët; aty mësonin të gjithë ata që donin, qofshin bij të Islamit apo të tjerë.
Për ndriçimin e kësaj periudhe kontribut shumë të çmuar ka dhënë edhe Jashar Raxhepagiq(15), i cili në një kohë shumë të vështirë nën trysnitë e sistemit monist, ka ofruar një qasje shumë reale në lidhje me zhvillimin e arsimit në ato periudha të hershme. Disa teza pjesërisht janë të paqëndrueshme, por marrë në përgjithësi, e tërë çështja që shtrohet, ka një kahje pozitive që u mungon shumë prej atyre që sot merren me studimin e së kaluarës. Në këtë kontekst ai thotë se është e nevojshme që të korrigjohen disa qëndrime, sipas të cilave shkollat turke kanë vetëm e vetëm karakter fetar, gjegjësisht nuk kanë kurrfarë vlere arsimore. Ai në vazhdim thotë se në shekullin njëzet feja nuk duhet të jetë arsye për dallime; arsimi është arsim ngado që të vijë, nga Lindja apo Perëndimi. Këto fakte ai i ofron për të luftuar bindjen se shqiptarët në të kaluarën nuk kishin vijuar kurrfarë shkollash. Në vazhdim ai tregon mbi shkollat e kohës dhe shtrirjen e tyre nëpër vendet e ndryshme. Mbështetur në atë që thotë, mund të vlerësojmë se kishte një bazë të strukturuar arsimimi.

Hadithi lëndë parësore në të gjitha periudhat

Nuk është punë e vogël të ndërtohen objekte mësimore pranë çdo xhamie, e për zhvillimin e procesit mësimor të caktohen persona të autorizuar. Mbështetur në pozitën e hadithit në tematikat fetare, mund të përfundojmë se ka qenë një nga lëndët përbërëse të institucioneve arsimore të kohës.
Të gjitha dëshmitë janë tregues i qartë se hadithi ishte pjesë përbërëse e të gjitha planprogrameve mësimore.
Me gjithë dëshmitë që hadithi është mësuar dhe është kultivuar si trashëgimi e Pejgamberit a.s. dhe ka gëzuar një përkujdesje meritore, nuk ekzistojnë dokumente të shkruara, të cilat do të na dëftonin, në mënyrë të saktë, në lidhje me rrugët e arritjes së hadithit në trojet shqiptare, ose për ekzistimin e institucioneve speciale për mësimin e hadithit.
Marrë në përgjithësi, nuk dihet sa ishte numri i përgjithshëm i shkollave të asaj kohe, ngase burimet nuk sjellin shënime konkrete. Nga referencat e pakta, së paku deri tash, në lidhje me këtë, është udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebi. Meqë në udhëpërshkrimin e Evlija Qelebiut(16) dhe në burimet e tjera mungojnë të dhëna mbi shkollat në këto vende, është vështirë të dihet numri i përgjithshëm i mejtepeve në Maqedoni, Kosovë dhe në Malin e Zi. Mund të thuhet me siguri se në këto territore kishte më se 150 sosh.(17)
Udhëpërshkrimi i Evlija Qelebiut është një vepër në disa vëllime dhe e një rëndësie të veçantë. Pjesa që ka të bëjë me Kosovën dhe Shqipërinë, është përkthyer në gjuhën shqipe, por unë në të nuk kam gjetur asnjë tregues në lidhje me hadithin a shkollat e veçanta për mësimin e hadithit.

Si ka arritur shkenca e hadithit në trojet tona?

Në krahasim me trojet e tjera shqiptare, me keqardhje duhet të themi se, sipas hulumtimeve të deritashme, Kosova në këtë aspekt ka qenë shumë e varfër. Në anën tjetër, vendet përreth kanë pasur një zhvillim shumë produktiv.
Me gjithë vështirësitë, është detyrim yni që të hulumtojmë rrugët e arritjes së hadithit në trojet shqiptare dhe mësimit të tij, qoftë në institucionet zyrtare ose në ato private, qofshin ato kontribute shoqërore apo angazhime private në shërbim të Synetit.
Gjatë kërkimit që kam bërë në lidhje me arritjen e shkencës së hadithit në trojet tona, kam arritur të identifikoj disa tregues, të cilët do të dihmojnë për të ndriçuar sado pak këtë fushë studimi. Mendoj se janë pika që tregojnë rrjedhën e mundshme të një burimi.
Si rezultat i hulumtimit kam konstatuar disa faktorë që kanë ndikuar në arritjen e hadithit në trojet tona.
1. Nuk ka dyshim se turqit osmanlinj, me të arritur në këto troje, ndër të tjera, me vete kishin sjellë edhe masën intelektuale-ulematë, të cilët kishin obligim që njerëzve t’ua mësonin parimet fetare dhe t’u ofronin njohuritë e domosdoshme. Të gjithë studiuesit pajtohen se segmenti i arsimit gëzonte një kujdes të veçantë. Për arsimimin e masës ata dërgonin personelin përgjegjës edhe në fshatrat më të largëta. Sipas studiuesve, mësoheshin njohuri të ndryshme, po elementi fetar ishte parësor. Duke marrë parasysh këtë fakt dhe duke njohur rënd sinë e hadithit si bazë e dytë e Islamit, mund të themi se mësimi i tij zinte një vend shumë me rëndësi. Mund të themi se hadithi mësohej si lëndë e veçantë, nganjëherë e përbashkët me materie të tjera. Këtë realitet e dëshmojnë plan-programet e shkollave të hershme dhe prezantimi i njësive mësimore. Sistemi mësimor fetar në kohën e halifatit osman i referohej shumë materies origjinale, që do të thotë se mbështetej në Kuran dhe hadith. Për këtë dëshmojnë kritikat që i adresoheshin sistemit mësimor të asaj kohe, për shkak se, kinse, tërë vëmendja i kushtohej elementit fetar.
2. Studimet dëshmojnë se institucionet mësimore më me rëndësi në periudha të ndryshme kohore kanë qenë shkollat speciale për mësimin e Kuranit - “Durul Kur’an” dhe ato të hadithit - “Durul hadith”.
Këto shkolla gëzonin një respekt të veçantë dhe aty hadithi mësohej në nivel shumë profesional. Edhe shteti ndaj tyre kishte një trajtim të veçantë. Një element me rëndësi është porosia e disa vakëfdhënësve, të cilët në shumë raste tregonin interesimin personal për mësimin e hadithit, dhe në bazë të plotësimit të këtij kushti, ofronin ndihmën e tyre.
3. Në një periudhë të mëvonshme nxënësit morën rrugët për të kërkuar dituri drejt qendrave të njohura të Botës Islame, si në Stamboll, Kajro, Damask, Edrene e vende të tjera. Atje mësonin shkencat e ndryshme fetare dhe më pastaj ktheheshin në vendin e vet, ku viheshin në shërbim të mësimit të Islamit. Pa dyshim që kjo ka qenë edhe një rrugë e arritjes së hadithit dhe zhvillimit të tij, që prodhonte një ngritje profesionale në njohjen e shkencës së hadithit.
Edhe në ditët e sotme jetojnë njerëz që tregojnë se ndonjëri nga të parët e tyre kishte studiuar në qendrat e njohura të Botës Islame.
4. Vakëfdhënësit luanin një rol të madh në sjelljen e literaturës islame dhe pasuronin fondet e mektebeve të ndryshme. Pa dyshim që librat e hadithit zinin një vend të veçantë për shkak të pozitës së Synetit në Islam. Ndihmesat e tilla me karakter humanitar ishin të shumta. Ky dhurim më shumë ndodhte me rastin e themelimit të medreseve të ndryshme, kur vakëfdhënësi, në kuadër të institucionit arsimor, themelonte edhe mekteben, e cila duhej të plotësonte nevojat e nxënësve dhe kuadrit mësimor apo edhe të lexuesve të tjerë.
Një nga bamirësit më të mëdhenj në këtë fushë ka qenë Isa Beu(18), i cili medresesë së Shkupit me të njëjtin emër i dhuroi të gjithë librat që kishte në pronësi.
Si dëshmi e kohës ekziston “vakfija”, lista me emrat e librave që i kishte dhuruar në shërbim të medresesë. Ai kishte themeluar një mektebe me libra të ndryshëm, e cila u quajt “Isa Beu”(19), sipas emrit të tij; një numër i konsiderueshëm i librave kanë të bëjnë me shkencën e hadithit. Do të përmendim titujt e librave të hadithit sipas vakfijes:(20)
1. Sahihu i Muslimit (katër vëllime)
2. Sahihu i Buhariut (katër vëllime)
3. Sahihu i Buhariut (kopje tjetër- një vëllim)
4. Sahihu i Buhariut me koment nga Kermani (pesë vëllime)
5. Sahihu i Buhariut me koment nga Zerkeshi (një vëllim)
6. Sahihu i Muslimit me koment (katër vëllime)
7. Xhamiu el Usul (dy vëllime)
8. El Mesabijh, i plotë (një vëllim)
9. El Mesabijh (kopje tjetër, një vëllim)
10. El Mesabijh (kopje tjetër, një vëllim)
11. El Mesharik (një kopje)
12. El Mesabijh me koment nga Zejn el Arab (i plotë, një vëllim)
13. El Mesabijh me koment nga El Kadi el Bejdavi (një vëllim)
14. Xhamiu es Sahijhejn (një vëllim)
15. El Mesharik me koment nga Ibën Fersheteh (një vëllim)
16. Eshifa fi neati el Mustafa (version i shkurtuar, një vëllim)
17. Kenzu el Ebrar (një vëllim)
18. Sahihu i Buhariut, version i shkurtuar (dy vëllime)
19. Buhariu (kopje tjetër, një vëllim)
20. Mishkatu el Mesabijh (një vëllim)
21. Kadi Ijadu ed Dijn(21) (një vëllim)
22. El Mesharik me koment nga Ekmeluddijn (një vëllim)
23. El Mesharik me koment nga Ekmeluddijn (kopje tjetër, një vëllim)
24. Sahihu i Buhariut version i shkurtuar (kopje tjetër, një vëllim) Shembuj të tillë të dhurimit të librave ka pasur edhe në medresetë që kanë funksionuar në Kosovë. Kjo bëhej me rastin e themelimit të medreseve ose themelimit të institucioneve të tjera arsimore.(22)
5. Një nga rrugët e konfirmuara të arritjes së hadithit në trojet shqiptare janë edhe misionet shkencore-arsimore, që arrinin në trojet tona për qëllime ilimuniste. Gjatë studimit kemi hasur në dëshmi mbi misionet e dijetarëve të ndryshëm, të cilët në mënyrë profesionale kanë ushtruar mësimin e hadithit.
Si dëshmi burimet cekin misionarin e hadithit Ahmed bin Mustafa bin Haliil err Rrumi, i njohur si Tashkubri Zadeh.(23)
Ai ka deklaruar se kishte ardhur në Shkup për të mësuar hadithin, pasi më parë kishte arritur një pregatitje të lartë profesionale në shkencat e hadithit dhe kishte “ixhazet” të konfirmuar gojor e me shkrim për mësimin e hadithit. Këto dëshmi ai i kishte marrë meqë kishte marrë mësime nga dijetarët e njohur të kohës së tij. Ixhazeti dëshmonte pjekurinë profesionale dhe aftësimin për mësimin e lëndës shkencore të hadithit në mënyrë të pavarur. Këtë dëshmi (ixhazetin) Tashkubri Zade e kishte marrë nga shumë dijetarë.
Për rrugëtimet e tij mësimore ai thotë: ”Më pas, në fillim të muajit Dhulhixhe të vitit 936 h. u bëra mësues në medresenë “Is’hakije” të Shkupit. Shkova atje dhe ua mësova librin “El Mesabijh” të tërin, prej fillimit deri në mbarim. Po ashtu thekson se në Shkup kishte mësuar edhe librin “El Mesharik”, që nga fillimi deri në mbarim. Tashkubri Zade shkruan se në medresenë “EL Is’hakije” kishte mësuar edhe disa libra të tjerë.(24)
Nuk ka dyshim se një dijetar i një kalibri të tillë hadithin e kishte sjellë dhe mësuar nga një pikëpamje shkencore që përmbush kriteret profesionale. Sipas asaj që shënon ai vetë, kishte mësuar libra shumë të njohur që në shkencën e hadithit njihen nga burimet kryesore të lëndës. Ai bëri komentimin e librave të tillë në qytetin e Shkupit, që ishte një vatër shumë e rëndësishme shkencore dhe që në atë kohë mund të krahasohej me qendra të mëdha islame. Në këtë pikëpamje udhëpërshkruesi Evlija Qelebi e ka krahasuar me Sarajevën, Halebin dhe Bagdadin.(25)
Qyteti i Shkupit, në ato periudha të hershme, ishte fanar i diturisë. Në aspektin shkencor islam printe në tërë rajonin. Aty gjendeshin dijetarë shumë të njohur, të cilët vinin shpesh nga vendet tjera islame. Shpeshherë bëheshin edhe këmbime kuadrosh, dijetarë nga qendra të ndryshme të Botës Islame vinin në Shkup dhe, në anën tjetër, kishte dijetarë shkupjanë që mbanin mësime në qendra shkencore të Botës Islame. Is’hak Çelebiu shërbeu si myderriz në Edrene, Shkup, Brusë, Iznik. Në vitin 933/1526 ligjëroi në Darul Hadith në Edrene të Turqisë.(26) Ishte i aftë të ligjëronte në qendra të rëndësishme arsimore, në vende të ndryshme, prandaj është shumë e logjikshme të themi se populli i tij dhe ithtarët e dijes kishin përfituar prej tij më shumë se të tjerët.
6. Sistemi arsimor në pushtetin osman i kushtonte rëndësi të veçantë mësimit të Kuranit dhe hadithit. Për këtë qëllim ata themeluan institucione të veçanta që u njohën si “Duru el Kur’an” dhe “Duru el Hadith”. Këto shkolla gëzonin një respekt të veçantë nga pushteti, prandaj sosh kishte si në territoret turke, ashtu edhe në vendet ku ata bënin përhapjen e Islamit. Në trojet e Ballkanit kishte një numër të konsiderueshëm medresesh të tilla. Këto shkolla funksiononin si vazhdim i medreseve tradicionale të hadithit, që lindën nga gjiu i shoqërisë së parë islame. Si të tilla, ato paraqisnin modelin më të mirë dhe shtruan rrugën për një qasje serioze që konsistonte me referimin e çështjeve drejt trashëgimisë së mirfilltë të Pejgamberit a.s.. Në këtë pikëpamje besojmë se ishin të barabarta me ato që formuan të parët tanë, dhe kishin po atë qëllim.
“Në Botën Islame u hapën daru’l hadithet, për të studiuar në mënyrë të veçantë hadithet e Muhamedit a.s.. Osmanlinjtë, të cilët e çuan më tej këtë traditë, themeluan medrese të pavarura me të njëjtin emër, për të nxitur studimin e zhvillimin e kësaj shkence.
Dar’ul Hadithi i parë tek osmanlinjtë është ndërtuar në kohën e Muratit I në Iznik, nga ana e Çandarllë Hayretin pashait. Më pas, në prillin e vitit 1435 u ndërtua edhe një medrese tjetër pranë lumit Tunxha në Edrene. Pas këtij fillimi, në botën osmane nisën të shtoheshin daru’l hadithet.
Në Stamboll, daru’l hadithi i parë u hap në kohën e sulltan Sulejmanit (Kanunit). Pas këtij, numri i medreseve pësoi një rritje të dukshme. Kështu, sipas një statistike të regjistrimit të popullsisë në vitin 1300 h. (1882 m.) (Ergin, “Turk Maarif Tarihi”, Stamboll 1977, I, 141) në Stamboll gjendeshin këto daru’l hadithe: Haxhi Beshir Aga, Izzet Efendi, Misli Ali Efendi, Hulusi Efendi, Bosnevi, Baba Mahmud Bekir Aga, Papazzade, Damad Ibrahim Pasha, Hasan Aga, Sulejmanije (1), Sulejmanije (2). Të gjitha së bashku - njëmbëdhjetë daru’l hadithe.
Në daru’l hadithet osmane, përveç hadithit dhe shkencave të lidhura drejtpërdrejt me të, studioheshin edhe shkencat e tjera islame. Myderrizët që jepnin mësim në ato medrese, quheshin “muhaddithë”. Për të hyrë si student në ato medrese, kërkohej që, më parë, të ishin plotësuar studimet në medrese të tjera, në të cilat zhvilloheshin mësime të përgjithshme. Edhe daru’l hadithet, nga ana e tyre, ndaheshin në nivele të ndryshme.(27)
Prezantuesi i këtyre të dhënave thotë se nga medresetë “Sulejmanije” më e madhje ishte daru’l hadith.(28)
Me shndërrimin e Edrenesë në kryeqendrën e shtetit më 851 h. (1447 m.) Medreseja e Madhe dhe Daru’l hadithi u bënë medresetë më të njohura të kohës.
Rrjedhat e kohës reflektonin ndryshime pozitive në favor të afrimit të institucioneve të hadithit drejt trojeve shqiptare. Kryeqyteti i shtetit islam, Edrene tash ishte bërë çerdhe për mësimin e hadithit dhe shkencave të tij. Në distancën kohore dhe largësinë hapësinore, ajo ishte porta më e afërt me trojet shqiptare, prandaj, duke marrë parasysh faktorët e tillë, mund të themi se Edreneja ishte qendra e transmetimit të hadithit dhe rrugë e arritjes deri tek ne. Në favor të këtij konstatimi ishte ofruar edhe misioni shkencor i Tashkubri Zadeh, për të cilin folëm më herët.

Shkolla të tjera të hadithit përreth trojeve shqiptare

Historia dëshmon se kryeqyteti serb, Beogradi, në një kohë ishte qytet islam. Aty vëreheshin të gjitha tiparet e kulturës dhe civilizimit islam. Dukuri të tilla shiheshin ngado. Aty kishte shumë xhami, medrese dhe shkolla të ndryshme profesionale në fushën e islamistikës. Ndër të tjera, aty kishte “Duru el kurra” - shkollë për mësimin e Kuranit, dhe “Duru el hadith” - shkollë për mësimin e hadithit.
Shkolla e hadithit në këtë vend ishte një zinxhir tjetër i shkollave speciale, ku mësohej trashëgimia e Muhamedit a.s.. Sipas udhëpërshkruesit Evlija Qelebi, në pjesën e dytë të shekullit XVII, numri i k tyre shkollave kishte arritur në nëntë sosh. Evlija Qelebi thotë se mësimi i hadithit në këtë vend kishte nisur me arritjen aty të “shejhul islamit”, Abdurrahim Efendi. Pas përfundimit të detyrës zyrtare si “shejhu el islam”, autoriteti më i lartë fetar, pjesën e mbetur të jetës së tij ai e kishte kaluar në Beograd. Aty kryente detyrën e myftiut dhe njëkohësisht ishte edhe mësues i hadithit. Abdurrahim efendiu vdiq dhe u varros në këtë qytet, afër xhamisë së quajtur “El Imaretu”.(29)
Angazhimi i një autoriteti aq të lartë për mësimin e hadithit dëshmon për kujdesin ndaj tij dhe pozitën që ka pasur Beogradi si qendër e mësimit të shkencave fetare.
Sigurisht që hulumtuesit e mëvonshëm të kësaj fushe do të zbardhin edhe fakte të tjera që ndriçojnë aktivitetin në fushën e shkencës së hadithit, nëpër qendrat e ndryshme përreth trojeve shqiptare. Shembujt e ofruar mëtojnë të jenë një nxitje për thellimin e studimeve. Qasja në dokumente zyrtare që flasin mbi zhvillimin e arsimit islam në Ballkan dhe veçanërisht në trojet shqiptare, do të jepnin një pasqyrë shumë të qartë rreth mësimit të hadithit dhe institucioneve bartëse të kësaj shkence. Në konsultimet e ndryshme që kam pasur në lidhje me temën në fjalë, më është thënë se shkollat e hadithit në Beograd janë vetëm një hallkë e tyre, sepse nëpër qytetet e ndryshme ka pasur edhe shumë shkolla të tjera të hadithit. Në këtë kontest është cekur se edhe në Kriva Pallanka ka pasur shkollë të hadithit, por unë, për arsye objektive, nuk kam pasur mundësi të hulumtoj këtë fakt, edhe pse natyra e studimit tim kërkon studimin e zhvillimit të kësaj shkence. Megjithatë, besoj se kjo punë hulumtuese, për arsye të shumta, u mbetet studiuesve shqiptarë.

Shkollat e hadithit në territorin e Maqedonisë së sotme

Qyteti i Shkupit paraqiste një vatër arsimore islame për tërë rajonin. Ajo ishte qendra kryesore për të gjithë. Drejt saj synonin nxënësit e poashtu edhe mësuesit. Burimi i dijes shuante etjen e të gjithëve, sepse të gjitha nivelet mbuloheshin nga dijetarë shumë eminentë, qofshin ata vendës apo të ardhur për qëllime mësimore.
Ky det i madh i diturisë shpërthente me burimet e veta edhe në qytete të tjera të rajonit, në atë masë sa secili prej tyre përbënte një qendër arsimore. Mësimit të hadithit i kushtohej një kujdes i merituar.
Sipas udhëpërshkruesit Evlija Qelebi, në Shtip të Maqedonisë ka pasur një shkollë hadithi, që quhej “El Muradije”. Ajo gjendej përballë xhamisë së “gazi” Muratit I, ku një mësues mbante tërë procesin mësimor. Edhe në Ohër ka pasur një medrese, ku nxënësit mësonin nga libri Sahihu el Buhari.(30)
Kam pasur një qasje shumë serioze rreth kërkimit në lidhje me ekzistimin e medreseve të tilla në territorin e Kosovës, por nuk kam arritur në një përfundim që rezulton me pohimin a mohimin e një fakti të tillë.
Të dhënat ekzistuese nuk konfirmojnë faktin nëse në Kosovë kanë funksionuar shkolla të tilla apo, së paku, ndonjë prej tyre. Nuk mund të protendoj se nuk ekzistonin medrese të tilla, të ngjashme me ato që u cekën më lart, por mund të them se literatura e publikuar, që më ka rënë në dorë, dhe konsultimi i atyre që kam konsideruar se duhet të jenë të njohur me të dhënat dhe dokumentacionin, nuk më ka sjellë në ndonjnë fakt konkret. Në të gjitha rastet “udhëpërshkrimi” i Evlija Qelebut është burimi kryesor. Pjesa mbi Kosovën dhe Shqipërinë është e përkthyer në gjuhën shqipe, por në to nuk ka kurrfarë dëshmie. Ai nuk përmend asgjë për ekzistimin e medreseve të tilla. E tëra që kam mundur të konfirmoj, është fakti se lënda e hadithit është mësuar në të gjitha medresetë e kohës dhe ka qenë nga lëndët kryesore.
Është me rëndësi të ceket se ekziston një literaturë bukur e vëllimshme që i përket lëndës së hadithit. Këtu kemi parasysh vetëm atë që sot gjendet në dorëshkrim, e tubuar në bibliotekat e ndryshme në Kosovë. Unë kam pasur rastin që të kem qasje në të dhe ta shfletoj duke identifikuar gjëra shumë me vlerë. Të gjitha këto i kam bërë publike në temën e magjistraturës ”Kontributi i shqiptarëve në shkencën e hadithit”, ku kam bërë një studim të veçantë mbi zhvillimin e kësaj shkence në trojet shqiptare dhe kontributin e shqiptarëve në shërbim të hadithit.


_____________
1. Suretu Ibrahim 1.
2. Hadithin e shënon Imam Ahmedi në Musnedin e tij, 4/136.
Kjo pjesë është shkëputje nga një hadith i gjatë, që e transmeton sahabiu Irbad bin Sarijete, dhe përmban një këshillë shumë të rëndësishme që dha Pejgamberi a.s., të cilën të pranishmit e menduan si “këshilla e lamtumirës”, prandaj e lutën që t’ua sqaronte porositë e tij.
3. Suretu es Shuaraë 88-89.
4. Suretu en Nisaë 59.
5. Suretu Ali Imran 164.
6. Suretu Ali Imran 31.
7. Në lidhje me këto tematika kanë shkruar shumë dijetarë, në mesin e tyre Abdulgani Abdulhalik në librin e tij “Huxhijjetu es Sunneti”, ku në mënyrë shumë të shkoqitur ka folur për ajetet e Kuranit që kanë të bëjnë me Pejgamberin a.s.. Kjo tërësi tematike në librin e tij ofrohet shumë e ngjeshur me argumente fetare dhe logjike, e po ashtu studiohet nga aspekte të ndryshme. Argumentet fetare që na obligojnë për besueshmërinë e Synetit, ai i ka ndarë në shtatë kategori. Në radhë të parë ka vendosur ajetet e Kuranit duke i ndarë në pesë kategori, sipas përmbajtjes së tyre. Mendoj se njohja me një studim të tillë është shumë e domosdoshme për të gjithë studiuesit dhe ata që punojnë në fushën e thirrjes islame.
8. Në lidhje me këtë domethënie Ebu Davudi, në sunenin e tij 5/10 nr. 4604, shënon hadithin: ”Vini re! Mua më është dhënë Kurani dhe së bashku me të i ngjashmi me të (Syneti).Vini re! Do të vijë koha kur një njeri i ngopur, ulur në kolltukun e tij, do të thotë: Përmbajuni këtij Kurani! Atë që e gjeni në të të lejuar (hallall), lejojeni, e atë që e gjeni në të të ndaluar (haram), ndalojeni …”
- Gjithashtu, e transmeton edhe Tirmidhiu në Es Sunen 5/36 nr.2663 me një domethënie të përafërt.
- hadithi është transmetuar me tekste të ndryshme dhe po ashtu edhe nga burime të ndryshme të hadithit, por ne i jemi referuar Sunenit të Ebu Davudit.
9. Suretu ez Zumer 9.
10. Suretu el Muxhadale 11.
11 . Suretu Fatir 28.
12. Hëna e plotë është në natën e saj të katërmbëdhjetë.
13. Buhariu e ka shënuar në version të shkurtuar në “Kitabu el Ilm” duke e titulluar me hadithin vetë kapitullin 1/192.
- Hadithin e shënon edhe Ebu Davudi 4/56-57 nr. 3641. - Tirmidhiu 5/47 nr.2682.
- Ibn Maxhe në “El Mukadime” 1/81 nr. 223.
- Hadithin e shënon edhe imam Ahmedi në Musned 2/202.
14. Muhamed Mufaku, “Tewrih Belgrad el islamijeh” (Historia Islame e Beogradit) f. 48. Duhet cekur se libri është i përkthyer në gjuhën shqipe, i botuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, në version pak më të shkurtuar nga origjinali.Unë gjatë punës sime i jam referuar botimit në gjuhën arabe.
15. Shih librin e tij: ”Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”, f.30. Ky studim është shumë i rëndësishëm dhe në librin e tij fillon nga faqe 30 deri 44 duke trajtuar problemin me argumente logjike e materiale.
16. Evlija Qelebi ka qenë udhëpërshkruesi më i njohur turk nga gjysma e dytë e shekullit XVII. Ka lindur në Stamboll në vitin 1020h. apo 1611m. dhe nuk dihet saktë viti i vdekjes së tij. Është e sigurt se ka jetuar deri pas vitit 1093h. apo 1682, ngase ky është viti i fundit kur ai cekte ndodhit e kohës. Si përcjellës i vezirëve turq, ai udhëtoi shumë nëpër vendet aziatike dhe evropiane. Udhëpërshkrimi i tij (Sejahatnamesi) është vepër në disa vëllime, që është shkruar në vitet 60 të shekullit XVII.
17. Jashar Rexhepagiq (vepra e cituar, f. 360).
18. Ky është i biri Is’hak beut, një personalitet shumë i njohur. Në vitin 1439m. ishte vali i Prishtinës, ndërsa në vitin 1448m. e zëvendësoi babain e tij si vali në Shkup. Ishte shumë bujar, tërë pasurinë e tij e pati dhuruar në rrugët e bamirësisë. Në shërbim të myslimanëve ka lënë shumë vakëfe, si medrese dhe mektebe. Këtë e ka bërë në shumë vende të Ballkanit. Vakëfet e tij edhe sot janë një sadaka, e cila në emër të tij do të rrjedhë deri në Ditën e Gjykimit. Në trevat tona dëshmi e gjallë është Medreseja e Shkupit, që me plot sukses vazhdon misionin. Nuk është i njohur viti i vdekjes së tij. Shih: “Hëna e re” nr. 48 (15 Shkurt 1993m.)
19. Është quajtur me këtë emër sipas vetë vakëfdhënësit. Ai bëri këtë bamirësi në vitin 874 h. apo 1469 m. Ishte nga mektebet më të mëdha në Ballkan dhe absolutisht më e madhja në tërë Maqedoninë gjatë shekullit të nëntë, duke marrë parasysh numrin e madh të librave dhe shpërndarjen në 16 shkenca të ndryshme. Kishte libra nga shkencat fetare, filologjike, logjike etj.. Gjatë periudhave të ndryshme kohore, e ndoqën shumë vështirësi dhe e goditën fatkeqësi të ndryshme, që e dëmtuan shumë rëndë deri në masën e shkatërrimit, sa të rrezikohej vetë ekzistenca e saj. Në vitin 1101 h. apo 1689 m. u kaplua nga zjarri që e dogji në tërësi, dhe, për çudi, shpëtoi vetëm një libër, i quajtur “El Emali” nga autori Kadi Han. Ky libër tani vazhdon të gjendet në vendin e vakëfit, në Shkup. Pas kësaj fatkeqësie qëndroi e mbyllur për një kohë të gjatë. Pas shumë vitesh filloi të funksiononte përsëri, por u godit edhe nga një fatkeqësi tjetër. Tërmeti që goditi Shkupin në vitin 1963, i shkaktoi dëmtime të pariparueshme. Kësaj here humbën pothuaj të gjithë librat. Ata u vodhën e u keqpërdorën, u eksploatuan dhe u shitën për interesa të njerëzve të caktuar. Në këtë kohë një numër i madh dorëshkrimesh shumë të çmueshme u morën dhe u vendosën në Bibliotekën e shtetit. Usame Xhemaili, person zyrtar në mekteben e tanishme, tregon nga zyrtari i mëparshëm i mektebes, që quhej Abdullah, i cili ka vdekur më heret, se, pas ndodhisë së tërmetit, nga kjo mektebe janë marrë rreth 4000 dorëshkrime dhe janë vendosur në Bibliotekën Universitare të Shkupit. Ato edhe tani vazhdojnë të qëndrojnë atje, pa mundësi qasjeje. Mektebja, deri vonë, ka pasur një objekt të veçantë, në qendër të qytetit, dhe funksiononte si njësi në vete në kuadër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë. Para disa kohësh, organi përgjegjës kishte marrë vendim që librat e mbetur të vendoseshin në objektin e Fakultetit të Shkencave Islame të Shkupit. Aty i është caktuar një hapësirë e veçantë dhe ajo udhëhiqet nga prof. Ruzhdi Shabani dhe Usame Xhemaili. Në kohën kur bëja kërkime në këtë mektebe, ata po bënin radhitjen dhe sistemimin e librave me përpjekjet që secili libër të identifikohej me indeks të veçantë. Programimi me kompjuter identifikonte mjaft mirë përmbajtjen e mektebes, por puna nuk kishte përfunduar ende. Besoj se që nga ajo kohë punët do të kenë ecur shumë përpara. Megjithatë, krenaria e saj i takon vetëm së kaluarës, ngase kanë ndryshuar shumë gjëra. Tani krijohet përshtypja se gjithçka ka nisur nga fillimi, sepse nga e kaluara është trashëguar fare pak. Nga ajo periudhë e hershme me plot dorëshkrime të çmueshme, sot, sipas personave përgjegjës, në të gjenden rreth 2400 (dymijë e katërqind) tituj të ndryshëm. Prej tyre afro 400 dorëshkrime në gjuhën arabe, turke dhe persiane.
Natyrisht që mua më interesonin në plan të parë dorëshkrimet e hadithit. Sipas zyrtarëve, në mektebe, duke u mbështetur në materialin e radhitur dhe përpunuar deri në atë kohë, aty nuk kishte dorëshkrime të hadithit, të cilat meritojnë ndonjë vëmendje të veçantë. Në mesin e pak prej tyre, sa ishin, mua më ra në dorë një fletushkë mbi terminologjinë e hadithit, e autorit Davud el Karisi.
20. Glisha Elezoviq: Turski spomenici u Skoplju, libri.-I vëllimi 1-2, f. 412
21. Në tekstin origjinal është cekur emri i autorit, ndërsa libri titullohet “Eshifa fi neati el Mustafa”. Në mesin e hoxhallarëve tanë është njohur si “Kitabu eshifa” dhe ka gëzuar një mbështetje shumë të gjerë.
22. Murat Pasha, i njohur si Ibn Adem Pasha, është një nga vakëfdhënësit e njohur në Kosovë. Ai banonte në Kosovë, në rrethin e Gjakovës, rajoni i Dukagjinit. Në vitin 1120 h. kishte blerë librin ”El Hidajeh fi sherh el bidaje” nga prizrenasi Jusuf Efendi, të cilin ia ka dhuruar myderrizit të Medresesë së Gjakovës. Ky tekst i vakëfdhënies është shkruar në kopertinën e brendshme të librit. Në fund është firmosur me vulën personale të Murat pashës. Ky dorëshkrim gjendet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Mbishkrime të tilla mund të hasësh në shumë dorëshkrime që gjenden në Kosovë e gjetiu, në trojet shqiptare.
23. Ka lindur në vitin 1495 dhe vdekur më 1561 m. (901-967 h.). Dijetar i njohur i medhhebit hanefi, autor i shumë librave në shkenca të ndryshme. Shumë herë mund ta gjejmë edhe me emrin Ahmed Tashkubri. Nga librat e tij më të rëndësishëm është ”Esh Shekaik en nu’manijeh fi ulemai ed devleti el uthmanijeh”.
Shekaik en nu’manijeh”.
Shih: Umer Rida Kehaleh, Mu’xhemu el muelifijn v.2/177
24. Shih: Tashkubri Zadeh, Esh shekaik en nu’manijeh… f. 328
Është me interes të cekim se një kopje dorëshkrim gjendet edhe në Kosovë, në Entin për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizeren, me shifrën D.A. 294. Një fotokopje të dorëshkrimit e posedon edhe mr. Qemajl Morina.
25. Shih: Hëna e re, datë 15 Shkurt 1993
26. Shih: Sami Frashëri, Personalitetet Shqiptare në Kamus El A’lam, f. 111 (Zgjodhi, përktheu dhe shpjegoi: Mehdi Polisi).
Is’hak Çelebiu është nga ulematë dhe poetët e kohës së sulltan Selimit dhe të sulltan Sulejmanit. Ishte nga Shkupi. Meqë posedonte kapacitete të jashtëzakonshme të zgjuarsisë, për një kohë shumë të shkurtër u bë i dalluar dhe ekspert. Në vitin 937/1530 arriti të merrte një nga titujt shkencorë. Në vitin 942/1535 u bë kadi i Shamit.
Shih burimin e mësipërm.
27. Shih: Ziya Kazici, Historia e arsimit islam, f. 77.
28. Burimi i njejt, f. 83.
29. Muhamed Mufaku, Te’rijh Belgrad el Islamije, f. 51.
30. Naser Ramadani, Depërtimi osman në Maqedoni dhe zhvillimi i arsimit islam gjatë shekujve 9-10 h. XV-XVI m f.132.
Autori i cituar i është referuar librit “Putopis”, Evlija Qelebi f. 285, 344, 345, 566.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi