Fakti që i Dërguari i Allahut e vazhdonte thirrjen në Islam pavarësisht rethanave, i tërbonte politeistët. Ata filluan të intensifikonin luftën e tyre kundër myslimanëve, sepse feja islame u prekte interesat. Idhujtarët u drejtuan tek Ebu Talibi dhe kërkuan që ta pengonte nipin e tij ose të hiqte dorë nga mbrojta e tij.
Një delegacion shkoi tek Ebu Talibi dhe i tha: “Ebu Talib! Nipi yt i ofendoi zotat tanë. E keqësoi fenë tonë. Ai tha se jemi të pamend dhe se baballarët e gjyshërit tanë kanë qenë në rrugën e gabuar. Tani, ti ose bëj që ai të heqë dorë nga këto; ose ti hiq dorë nga mbrojtja e tij.”(1) Ebu Talibi e qetësoi delegacionin me fjalë të mira dhe i largoi ata butësisht. Kurse Muhamedi a.s. vazhdoi t’i ftonte njerëzit në Islam.
Politeistët kur panë se asgjë s’ndryshoi, shkuan përsëri tek Ebu Talibi dhe i thanë: “O Ebu Talib! S’na mbeti më durim! Ti e di se biri i vëllait tënd e shan fenë dhe zotat tanë, kurse ne na fajëson për kokëtrashësi. Po që se nuk e bën tët nip të heqë dorë nga këto që bën, do të dalim kundër teje dhe atij! Ose bëje të heqë dorë nga kjo punë, ose hiqe mbrojtjen prej tij! Pastaj e dimë ne se ç’i bëjmë!”(2)
Ebu Talibi ia tregoi Pejgamberit a.s. fjalët dhe qëndrimet e politeistëve dhe i tha: “Më mbro mua dhe veten!” I Dërguari i Allahut u mërzit shumë, se mos po tërhiqej xhaxhai i tij nga mbrojtja që i ofronte. Kurse myslimanët ishin ende të dobët dhe s’kishin fuqi t’u kundërviheshin politeistëve kurejshë të tërbuar, të dhënë ndaj pasurisë dhe fuqisë! Por, me qëllim që i Dërguari i Tij të mund ta kapërcente situatën e vështirë ku ndodhej, Zoti i urdhëroi: “Po ti përmende Zotin tënd dhe plotësisht përkushtoju Atij! Zot i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë pos Tij, pra Atë merre për mbështetje.” (El-Muzemil, 8-9).
Pas kësaj, të Dërguarit të Allahut iu largua shqetësimi. Me besim të palëkundur dhe me një guxim të lartë i tha Ebu Talibit fjalët e famshme: “O xhaxhai im! Të betohem se sikur kurejshët të kenë mundësi të më japin Diellin në dorën e djathtë dhe Hënën në dorën e majtë që të tërhiqem, unë nuk do ta bëj kurrë, deri kur Allahu ta lartësojë fenë, ose deri kur unë të vdes.”(3)
Vendosmëria e Pejgamberit a.s. e preku në zemër Ebu Talibin i cili i tha: “O biri i tim vëllai! Eja dhe thuaj ç’të duash! Të betohem se s’do të të dorëzoj tek ata për asnjë çmim!” Madje, Ebu Talibi e kishte siguruar Abdulmutalibin i cili para se të vdiste, i kishte mbledhur të bijtë dhe i kishte pyetur se kush kishte për ta marrë nën mbrojtje nipin e tij. Ebu Talibi kishte thënë: “O im atë! Ti e di se unë s’jam i pasur, por, ama, jam zemërbutë dhe i dhembshur. E quaj si mirënjohje ndaj jetës sime që të kujdesem për birin e tim vëllai! Dhe po të jap fjalën për këtë!”(4)
Idhujtarët propozuan që ta këmbenin Umaren me Muhamedin a.s.
Pasi nuk e arritën që ta zmbrapsnin Muhamedin a.s. nga misioni i tij fisnik dhe kur panë se Ebu Talibi nuk po hiqte dorë nga nipi i tij, ata vendosën që ta shtonin presionin e tyre. Idhujtarët ia çuan Ebu Talibit Umaren, të birin e Velid bin Mugires, dhe i bënë një propozim të palogjikshëm: “Umare është më i fuqishmi dhe më simpatiku i të rinjve kurejshë. Merre ti dhe përfito nga mendja dhe fuqia e tij! Le të bëhet biri yt! Kurse ne do të marrim tët nip i cili del kundër fesë së etërve të vet, i cili e përçan fisin dhe s’ia dëgjon fjalën. Na e dorëzo neve ta vrasim!” Ebu Talibi u tha: “Vallahi, shih se ç ‘propozim të keq që po më bëni! Ju doni të më jepni djalin tuaj që unë ta ushqej atë, kurse unë t’ua japë djalin tim që ju ta vrisni! Kështu, ë? Kjo është punë që s’bëhet.”(5)
Muhamedi a.s. e refuzoi ofertën e idhujtarëve për sundues të Mekës
I Dërguari i Zotit vazhdoi i vendosur dhe i pathyeshëm në misionin e tij. Prandaj idhujtarët u detyruan të zhdehen nga dehja e tyre, zëvendësuan metodat e torturimit dhe bënë përpjekje që me anë të një marrëveshjeje të ndalnin Muhamedin a.s.. Pasi panë se s’nxorën gjë nga kërkesat dhe kërcënimet drejtuar Ebu Talibit, shkuan te Pejgamberi a.s. për ta marrë me të mirë. Për këtë qëllim ata dërguan Utbe bin Rebian te Muhamedi a.s., i cili i tha: “O biri i vëllait tim, ti ke një pozitë të lartë në mesin tonë, pasi që rrjedh nga një familje e mirë, por ti ke sjellë një gjë serioze me të cilën e ndave popullin tonë. E ke quajtur mënyrën e jetesës së tij të budallepsur, ke folur për zotat e tij dhe të parët e tij i ke quajtur jobesimtarë. Dëgjomë, unë do të bëj disa oferta nga paria e Mekës me shpresë se do ta pranosh ndonjërën prej tyre. Nëse pasuria është ajo që kërkon, do të grumbullojmë një pasuri nga pronat tona që të jesh më i pasuri ndër ne. Nëse do nderim, do të bëjmë zotërinë tonë dhe nuk do të marrim vendim pa miratimin tënd. Nëse dëshiron mbretëri, do të bëjmë mbretin tonë, e nëse ke problem do të gjejmë një mjek dhe do të harxhojmë pasurinë tonë derisa shërimi yt të plotësohet.”(7)
Kur Utbea i mbaroi këto oferta, Muhamedi a.s. i tha: “Më dëgjo, o baba i Velidit dhe i lexoi një pjesë të Shpalljes që sapo kishte marrë:
“Ha, Mim. Zbritje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit të madh! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kuran arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthyen shpinën, prandaj ata nuk e dëgjojnë. Ata thanë: “Zemrat tona janë të mbyllura nga ajo që ti na thërret dhe në veshët tanë kemi shurdhim të rëndë, kështu që ndërmjet nesh dhe ndërmjet teje ekziston një perde, prandaj ti vepro sipas tëndes e ne vazhdojmë tonën! Thuaj (o Muhamed): Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju; mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtojuni Atij dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh.” (Fussilet, 1-6).
Akoma pa përfunduar plotësisht Pejgamberi a.s., Utbe i frikësuar u ngrit dhe shkoi te shokët e tij. Pasi u ul ata e pyetën: “E ç’u bë? Çfarë lajme na solle?” Ai u përgjigj: “Për Zotin dëgjova fjalë që nuk i kam dëgjuar gjer më tani. Për Zotin, ato nuk janë vargje të poetit, as fjalë të magjistarit, e as murmuritje të fallxhorit. O popull, o kurejshë, bëhuni të dëgjueshëm dhe fenë e tij ma lini mua. Lëreni këtë njeri në gjendjen e tij dhe shmanguni nga ai. Betohem në Zotin se ligjërimi që dëgjova sjell porosi madhështore. Nëse arabët e refuzojnë, atëherë ajo do jetë e mjaftueshme për ju, por nëse të gjithë arabët e pranojnë atë, atëherë pushteti i tij do të jetë edhe i juaji, nami i tij do të jetë nami juaj, me të do të bëheni popull më fatlum.” Ata të tronditur i thanë: “O Ebu Velid, Muhamedi të paska bërë magji me gjuhën e tij!”(8)
Prijësit e kurejshëve e përsëritën përpjekjen duke e dërguar edhe një herë Utbe bin Rabia, bashkë me një delegacion. Shkuan te Muhamedi a.s bashkërisht.(9) I Dërguari a.s. u tha atyre: “Kjo që po e thoni nuk ka të bëjë me mua. Me këtë që jam dërguar, nuk kam ardhur që të kërkoj pasuritë tuaja, as post e as pushtet mbi ju. Allahu më zgjodhi të Dërguar dhe më zbriti librin që të jem përgëzues dhe qortues. Unë ju njoftova me mesazhet e Zotit tim dhe ju këshillova. Nëse e pranoni prej meje atë me të cilën ju kam ardhur, ajo është fati juaj në këtë botë dhe në tjetrën, e nëse më refuzoni, do të duroj në caktimin e Allahut, derisa të gjykojë Allahu ndërmjet meje dhe juve”.(10)
Ata i thanë: “Meqë nuk i pranon këto, ti e di se ne jemi shumë ngushtë për ujë e ushqim, prandaj lute Zotin tënd të na i bëjë kodrat ar, të na sjellë lumenj, të kemi kopshte dhe pallate prej ari!” Këto pyetje ishin shkak i shpalljes së ajeteve vijuese(11)
“Ata thanë: “Nuk të besojmë ty derisa të na nxjerrësh prej tokës burime”. Ose (nuk të besojmë derisa) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre. Ose (nuk të besojmë derisa) të bie mbi ne qielli copa - copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellësh Allahun dhe engjëjt pranë nesh. Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!” Thuaj: “Subhanallah - i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?” (El-Isra, 90-93).
A është e logjikshme që njeriu që pretendon pushtetin dhe udhëheqjen të heshtë përpara personit i cili gjatë negociatave të shoqëruara me frikë, shpresë e kërcenim, i ofron pikërisht atë që ai pretendon dhe në fund t’i thotë atij se me këtë që jam dërguar, nuk kam ardhur që të kërkojë pasuritë tuaja, e as postin e pushtetin mbi ju?!(12)
Muhamedi a.s. i refuzoi gjithë këto oferta dhe në vend të tyre zgjodhi më të vështirën. Këtë e përshkruan edhe James A. Michener: “Para mbarimit të jetës, Muhamedit a.s. i ofrohet mundësia që të bëhet sundimtar ose i shenjtë, por ai e refuzon edhe të parën edhe të dytën, duke insistuar në atë se ai është vetëm njeri i rëndomtë, detyra e të cilit është që t’ia komunikojë botës shpalljen e Zotit.”(13)
Pse Muhamedi a.s. nuk e pranoi kurrsesi pasurinë, famën, pushtetin, madhështinë e rehatinë? Sikur të ishte i dhënë pas kërkesave materiale, udhëheqjes e pasurisë, a do t’i refuzonte ai gjithë ato oferta?! Njeriu duhet të mendojë, doemos, përse Muhamedi a.s., veproi ashtu dhe a mund të dalin këto fjalë nga goja e një pretenduesi apo mashtruesi?!
Idhujtarët e Mekës pandehnin se do të mund ta bënin Pejgamberin a.s. të hiqte dorë nga çështja e tij me anë të pasurisë, pozitës dhe femrave që janë dobësia më e madhe e njeriut!
Ata mendonin se hz. Muhamedi nuk do t’u thoshte “Jo!” këtyre tri propozimeve që ata i kishin përdorur me sukses sa e sa herë ndaj ndonjë njeriu që e kishin vënë në shenjë. Pasuria, popullariteti dhe epshi janë tri kurthe egoiste që, në përgjithësi, e tresin vullnetin e njeriut. Mirëpo këto dhe gjëra të tjera të ulëta, nuk kishin pasur kurrë vend në jetën e ndritshme të të Dërguarit të Allahut. Në fakt, përgjigjja e hapur dhe e qartë e të Dërguarit të Allahut ishte: “Unë s’kërkoj asgjë prej jush, as mall, as pasuri, as sulltanat dhe as prijësi! E vetmja gjë që dua unë prej jush, është kjo: “Hiqni dorë nga adhurimi i idhujve dhe adhuroni vetëm Allahun që është Një!”(14)
Sinqeriteti dhe ndershmëria bëri që Muhamedi a.s. të jetë i durueshëm dhe t’i refuzojë të gjitha ofertat e idhujtarëve të Mekës. Edhe prifti dr. M. H. Duran, që u bë mysliman, thotë se njeriu duhet të mendojë, doemos, përse Muhamedi a.s., veproi ashtu, nëse dëshiron të marrë përgjigjen e duhur, për këtë çështje dhe pyet: “A mundet njeriu të përfytyrojë një shembull të sakrificës së jetës, dashurisë dhe mirësisë ndaj të tjerëve, më të lartë se ky shembull?! Ne shohim këtu një njeri, i cili flijon lumturinë e tij personale për të mirën e të tjerëve. Ndërkaq, populli, për përmirësimin e gjendjes së të cilit ai bën përpjekje maksimale, ngrihet dhe e gjuan me gurë, sillet keq me të, e izolon dhe nuk i jep mundësinë për të kaluar një jetë të qetë, madje, as në izolim. Përkundër gjithë kësaj, ky njeri, refuzon që të pushojë së punuari për të mirën e tyre. A mundet që një mashtrues, njeri i pasinqertë, të tregojë një këmbëngulje dhe vendosmëri të tillë, besnikëri ndaj parimeve dhe ndaj tyre, deri në momentin e fundit, pa kurrfarë frike? Ai nuk u tregua i dobët përballë rreziqeve dhe persekutimeve të ndryshme, që s’mund të imagjinohen. Vërtet, ky besim dhe kjo përpjekje e vazhdueshme, këmbëngulësia dhe vendosmëria me të cilën e udhëhoqi Muhamedi a.s., luftën e tij deri në fitoren përfundimtare, është argument i qartë i bindjes së tij të plotë në thirrjen e tij. Sikur të kishte në vete, madje, vetëm një fije dyshimi ose të hamendej sadopak, ai kurrë s’do të arrinte t’i bënte ballë stuhisë, e cila vazhdoi për njëzet (e tri) vjet. Pas kësaj, a duhet të kërkojmë ndonjë argument tjetër, i cili do të dëshmonte për vërtetësinë dhe sinqeritetin e plotë të qëllimit, të moralit të drejtë dhe të lartësisë shpirtërore?”(15)
Madje në kohën kur Muhamedi a.s. i tha këto fjalë, myslimanët po u nënshtroheshin torturave dhe rreziqeve të shumta. Këto fjalë Muhamedi a.s. i tha kur myslimanët dhe ai ishin në një pozitë shumë të vështirë, por bindja e plotë në Fuqinë e Zotit bënë që Pejgamberi a.s. të kishte qëndrim të paluhatshëm dhe ai nuk hezitoi për asnjë çast në vërtetësinë e misionit me të cilin e kishte ngarkuar Krijuesi i gjithësisë.
Propozimi për kompromis në adhurim
Idhujtarët nuk patën asnjë rezultat me ofertën që i bënë Muhamedit a.s. përmes Utbe bin Rebias, apo edhe nga një grup tjetër idhujtarësh, në mesin e të cilëve ishte Velid ibën Mugire dhe El As ibën Vaili.(16) Kur Pejgamberi a.s. refuzoi çdo gjë, duke këmbëngulur në të vërtetën me të cilën ishte dërguar, idhujtarët mekas dërguan edhe një propozim tjetër duke i thënë: “Atëherë pra, adhuroi zotat tanë një vit dhe ne po adhurojmë Zotin tënd një vit. Kështu shuhet kundërshtimi mes nesh!”(17)
Muhamedi a.s. e refuzoi edhe këtë dhe, në lidhje me këtë ofertë të idhujtarëve, Zoti zbriti suren El-Kafirun: “Thuaj: O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj çfarë ju adhuroni dhe ju nuk jeni adhurues të Atij që unë adhuroj. Unë nuk do të jem kurrë adhurues i atyre që ju i adhuroni dhe as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që unë adhuroj! Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time!” (El-Kafirun, 1-6).
Kjo sure vërteton se adhurimi i takon vetëm Zotit, Një e të Vetëm. Prandaj propozimi që idhujtarët i bënë Muhamedit a.s., që ai të adhurojë një vit zotat e tyre, kurse vitin tjetër ata të adhuronin Zotin e Muhamedit a.s., ishte i papranueshëm dhe i refuzuar përgjithmonë. I Dërguari i Zotit e refuzoi qartazi propozimin dhe kjo sure u shpall për ta bërë të qartë pamundësinë për kompromis dhe tregti me normat e Allahut të Madhëruar, pamundësinë e propozimit të çdo forme të sinkretizmit fetar apo të pajtimit doktrinar ndërmjet feve dhe, rrjedhimisht, ndalimin e kryerjes së çdo rituali të përbashkët ndërfetar.(18)
Këto dëshmi i mbështesin për muri të gjithë ata që supozojnë se motivi i Muhamedit a.s. në thirrjen e tij ishte dëshira për udhëheqje dhe pushtet, dhe ato vërtetojnë të kundërtën e supozimeve të tyre.
1. Safijurrahman el-Mubarekfuri, Nektari i vulosur i xhenetit, Prishtinë, 2002, f. 99.
2. Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 244.
3. Prof. dr. Ibrahim Saricam, hz. Muhamedi dhe mesazhi i tij universal, botimet e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Ankara, 2018, f. 137.
4. Ibni Hisham, 1, 276-278, sipas Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hasreti Muhamed Mustafa, Shkodër, 2012, f. 245.
5. Ibni Hisham, 1, sipas Osman Nuri Topbash, op. cit., f. 245-46.
6. Safijurrahman el-Mubarekfuri, Nektari i vulosur i xhenetit, op. cit., f. 130.
7. Martin Lings, Muhamedi alejhis selam, jeta e tij sipas burimeve më të hershme, Logos A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2011, f. 75.
8. Mevkif Utbe bin Rabiah me Resulilah, shih: https://islamstory. com/ar/artical/221
9. Prof. dr. Ibrahim Saricam, z. Muhamedi dhe mesazhi i tij universal, op. cit., f. 129.
10. Dr. Muhamed Seid Ramadan el-Buti, Fikhu Sire, studime metodologjike-shkencore për biografinë e Muhamedit alejhi selam, Shkup, 2018, f. 110.
11. H. Sherif Ahmeti, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, shih komentin në f. 337.
12. Dr. Muhamed Seid Ramadan el-Buti, Fikhu Sire, studime metodologjike-shkencore për biografinë e Muhamedit alejhi selam, op. cit., f. 112.
13 Mr. Ajni Sinani, Të tjerët për Islamin, Prishtinë, 2015, f. 127.
14. Ibni Kethir, El-Bidaje, 111, 99-100, sipas Osman Nuri Topbash, Vargu i profetëve nën dritën e Kuranit, Hazreti Muhamed Mustafa, op. cit., f. 247-48.
15. Dr. Imadudin Halil, Kalu anil islam, Rijad, 1412/1992, f. 105-106, sipas: Ajni Sinani, Të tjerët për Islamin, op. cit., f. 148.
16. Prof. dr. Ibrahim Saricam, hz. Muhamedi dhe mesazhi i tij universal, op. cit., f. 130.
17. Dr. Muhamed Seid Ramadan el-Buti, Fikhu Sire, op. cit., f. 110.
18. Prof. Hasan I. Nahi, Kurani i madhërishëm, shih komentin e sures El-Kafirun, f. 684.