Qoftë i Lartësuar Ai, i Cili zgjodhi kontekstin kohor më madhështorin për zbritjen e Librit madhështor, Kuranit fisnik. Ky zarf i kohës është muaji Ramazan. Allahu xh.sh., për zbritjen e fjalës së Tij të madhërishme, zgjodhi muajin e madhërishëm, e në këtë muaj zgjodhi natën madhështore të këtij muaji, ajo është Nata e Kadrit.
Padyshim që madhështia e këtij muaji buron nga dy anë, e para, ky muaj, respektivisht agjërimi i tij është një shtyllë kryesore nga pesë shtyllat e fesë islame, dhe e dyta, në këtë muaj zbriti Kurani fisnik, siç na tregon vetë Kurani: “Muaji Ramazan që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)." (El Bekare, 185).
Besoj që madhështia e këtij muaji buron nga e dyta, zbritja e Kuranit fisnik. Pra, mund të themi që Kurani është burimi i dy madhështive. Për këtë arsye së pari do të flasim për arsyet që e bënë Kuranin librin më të madhërishëm nga të gjitha librat e tjerë, pastaj do të flasim për Natën e Kadrit. Kurani i madhërishëm, është fjalë e Allahut xh.sh., siç dëshmon Ai Vetë për këtë: “(Kurani është) Zbritje e plotfuqishmit, e Mëshiruesit." (Jasin, 5).
Kurani është një rikujtim i bekuar që u shpall përmes një melaqeje të bekuar në një natë të bekuar te një profet i bekuar për një ymet të bekuar.
Ky libër i madhërishëm i garanton njeriut udhëzimin në rrugën e drejtë, kur njeriu para vetës ka shumë rrugë në këtë jetë, dhe e ka të vështirë, nëse nuk themi të pamundur që ta zgjedh rrugën e duhur për këtë dhe jetën tjetër. Lidhje me këtë i Lartëmadhërishmi thotë: "Është e vërtetë se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta,..." (El Isra, 9), d.m.th. nëse themi se për të arritur tek e vërteta ka shumë rrugë, atëherë mund të themi se ato nuk janë të njëjta, qoftë për nga distanca, por edhe për nga kostoja. Nga ky ajet kuptojmë se rruga, e cila na shpie me një distancë sa më të shkurtër e me një kosto sa më të ulët tek e vërteta absolute, është rruga në të cilën udhëzon ky Libër.
Madhështia e tij buron edhe nga fakti se Allahu në Kuran ka ofruar për njeriun çdo shembull që i duhet. Ai në të thotë: "Në këtë Kuran Ne shtruam çdo lloji shembulli për hir të njerëzve." (El Kehf, 54). Ai e bëri Kuranin të lehtë për nxënie: "Në të vërtetë, Ne Kuranin e kemi bërë të lehtë për këshillim, e a ka kush që këshillohet (me të)?" (El Kamer, 17). Ai xh.sh. ka bërë ftesë që të shkoqiten ajetet e tij: "A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin?" (Muhamed, 24). Allahu i Madhërishëm i ka kritikuar ashpër ata që nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin! Ai për këtë Libër madhështor, thotë se është mëshirë dhe shërim për besimtarët: "Ne të shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (El Isra, 82), por edhe për ata që nuk i besojnë, duke iu garantuar këtyre të fundit drejtësi dhe siguri: "Dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t'i shmangeni drejtësisë, bëhuni të drejtë!" (El Maide, 8). Me zbritjen e këtij Libri të madhërishëm, është pezulluar imponimi i besimit dhe i fe: "Në fe nuk ka imponim." (El Bekare, 256).
Këto pra ishin disa nga faktet e shumta që shfaqin dhe ndriçojnë madhështinë e Kuranit. Për të provuar dhe vërtetuar saktësinë e tij, dhe të vërtetën që e thotë, Kurani bën apel për sfidë për ata që nuk e besojnë: "E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kurani)." (El Bekare, 23). Kjo ftesë qëndron hapur që 15 shekuj, dhe është valide deri në ditën e Kiametit: "E mos e paçi bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen)." (El Bekare, 24). Dhe as që kanë për ta bërë ndonjëherë. Po ashtu, Allahu xh.sh. u bën ftesë të gjithë atyre që dyshojnë në të, që ta shkoqisin me vëmendje, duke thënë: "A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (En Nisa, 82).
E pas një studimi të thukët dhe pas një hulumtimi të mirëfilltë, ata do të binden se ky Libër është i zbritur nga Allahu, sepse sikur të ishte prej dikujt tjetër, pos prej Allahut, atëherë ata do të gjenin në të shumë kundërthënie. Doktor Myller(2) filloi ta lexonte Kuranin me vëmendje, me shpresë se do të gjente në të ndonjë gabim. Mirëpo, ai u trondit kur e dëgjoi ajetin e lartpërmendur: "A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kuranin? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." Prandaj, për këtë ajet ai tha: "Prej parimeve shkencore të njohura në kohën tonë është parimi i gjetjes së gabimeve në teori, derisa të vërtetohet se teoria në fjalë është e saktë, siç quhet falsification test (testi i falsifikimit). Është për t'u habitur se vetë Kurani i thërret myslimanët dhe jomyslimanët që të hulumtojnë për të gjetur gabime në të dhe nuk do të gjejnë kurrë. Pastaj thotë: "Nuk ka asnjë autor në botë që merr guximin ta shkruajë ndonjë libër e pastaj të thotë se ky libër është pa gabime. Mirëpo, Kurani është e kundërta e kësaj plotësisht, të thotë se nuk ka gabime! Bile edhe ta ofron mundësinë që të hulumtosh e të gjesh gabime dhe nuk ke për të gjetur kurrë."(3)
Ymeti mysliman është ymet madhështor për arsye se beson në këtë Libër madhështor, në Kurani kerimin. Madhështia e myslimanëve është barazim me afërsinë që kanë me këtë Libër të shenjtë. Kur afërsia e tyre me Kuranin është e madhe, atëherë edhe madhështia e tyre është e madhe. E kur distanca mes Kurani kerimit e myslimanëve rritet dhe afërsia me të zvogëlohet, atëherë edhe madhështia e myslimanëve është e vogël dhe në zvogëlim e sipër, në proporcion me distancën që kanë me këtë Libër të shenjtë. Ibën Atije ka thënë: “Ai (Allahu) që e dalloi dh
e e nderoi Ademin ndaj melaqeve, duke ia mësuar atij të gjitha emrat (dituritë), po ai e nderoi dhe e lartësoi këtë ymet përballë ymeteve të tjera me mësimin e Kuranit."(4)
Nata madhështore
E sa i përket kohës së zbritjes së këtij Libri madhështor, ajo është nata e Kadrit, në muajin e shenjtë Ramazan. Në fillim treguam se Allahu xh.sh. zgjodhi muajin Ramazan për ta zbritur Kuranin, tani ju tregojmë se në cilën natë të këtij muaji ka zbritur Kurani i madhërishëm.
Allahu në Kuran thotë: "Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se çështë nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit." (El Kadër, 1-5).
Kjo sure tregon më së miri për madhështinë e Natës së Kadrit dhe proceset që ndodhin në këtë natë, si dhe arsyet e madhështisë së kësaj nate.
Allahu xh.sh. thotë se kjo natë është e bekuar: "Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar." (Ed Duhan, 3). Për nder të kësaj nate që u bë zarf i zbritjes së Kuranit madhështor, këtë natë e bëri natë që do të caktohen procese të rëndësishme për njerëzit. Në këtë natë do të merren vendime madhështore për njerëzit, do të caktohen exhelet e tyre, se kush do të vdesë brenda këtij viti. Po ashtu, do të caktohet rrësku për secilin gjatë këtij viti që vijon pas kësaj nate. Ai xh.sh. thotë: “Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë.” (Ed Duhan, 4). Për vlerën e kësaj nate, Imam Kurtubiu, ka thënë: "Virtyti i kohës qëndron në bollëkun e virtyteve që ndodhin brenda saj. Atë natë shpërndahen aq shumë mirësi, sa që nuk gjenden në një mijë muaj, Zoti e di! Shumë komentues thanë se është më mirë të punosh në të sesa të punosh në një mijë muaj që nuk kanë Natën e Kadrit."(5)
Ebu Bekër el Verraki(6) ka thënë: "Zoti i Madhëruar i ndau netët e këtij muaji(7) sipas fjalëve të kësaj sureje, kështu që kur arriti në natën e njëzet e shtatë, ai tregoi dhe tha: “Është.” Gjithashtu, nata e Kadrit është përmendur tri herë, dhe është nëntë shkronja, pra i bie njëzet e shtatë herë.”(8)
"Vërtet, Ne e zbritëm atë në Natën e Kadrit”, që do të thotë, Ne e zbritëm këtë Kuran të mrekullueshëm në Natën e Kadrit dhe komentuesit thanë: “Ajo u quajt Nata e Kadrit për shkak të madhështisë së saj dhe nderit që ka." Ajo që nënkuptohet me shpalljen e Kuranit në këtë natë është se ai zbriti nga pllaka e ruajtur në qiellin më të ulët, siç ka thënë Ibën Abbasi: "Zoti e zbriti Kuranin të tërin nga Tabela të Ruajtura në Shtëpinë e Lavdisë deri te qielli më i ulët, pastaj e zbriti në detaje sipas ngjarjeve për njëzet e tri vjet tek i Dërguarit i Zotit a.s...”(9)
Transmetohet nga El Zuhriu se ai ka thënë: “Nata e Kadrit është një natë e madhështisë dhe nderit, nga thënia e tyre: "Filani ka peshë te filani”, që do të thotë pozitë dhe nder"(10)
Zemehsheriu për komentin e ajetit të dytë të sures El Kader, ka thënë: "Dhe çfarë të bën të dish se çfarë është Nata e Kadrit?" Do të thotë, dija jote nuk ka arritur nivelin e lartë të begatisë së saj dhe lartësinë e pozitës së saj." Pastaj tregoi se ajo është më e mirë se një mijë muaj, dhe arsyeja e ngritjes së saj në këtë pozitë madhështore është për dobitë fetare që gjenden në të që ai përmendi, si zbritja e melaqeve dhe shpirtit dhe përcaktimi i çdo çështjeje të urtë."(11)
Imam Err Rrazi ka thënë: "Dhe dijeni se caktimi i Zotit nuk ndodh në atë natë, sepse Zoti i Madhëruar i ka caktuar vendimet para se të krijonte qiejt dhe tokën në amshim (ezel), përkundrazi, ajo që nënkuptohet është se vendimet/caktimet iu shpallën melaqeve atë natë duke i shkruar ato në Tabelën e ruajtur, dhe ky mendim është mendimi i përzgjedhur nga shumica e dijetarëve?"(12)
Myslimanët përveç që janë të privilegjuar nga popujt tjerë, ata janë dhe të bekuar me këtë natë madhështore, për arsye se kjo natë, ua mundëson që të bëjnë të mira për një natë sa të tjerët nuk mund të arrijnë të bëjnë këto vepra të mira për një mijë (1000) muaj. Kështu që myslimanët duhet të përfitojnë gjatë kësaj nate, duke bërë ibadet/adhurime të ndryshme si; namaz, sadaka, lexim të Kuranit, dhikër, dhe dua-lutje! E duaja më e preferuar është të thuhet: “Allahume ineke afuvun kerimun tuhib el-afve, fe afu ani!”(13) Por, mund të bëhen edhe lutjet të tjera që janë në Kuran apo në Sunet, sikur edhe që mund të bëhen lutje e kërkesa personale për vete, familjen dhe shoqërinë.
Ibën el Xhevzi ka thënë: “Paraardhësit përgatiteshin për të, kështu që Temim ed Dari, kishte një kostum me vlerë prej njëmijë dërhemësh që do ta vishte në natën që shpresohej të ishte Nata e Kadrit."(14)
Në fund nuk na mbetet tjetër pos ta lavdërojmë dhe ta falënderojmë Allahun xh.sh. që na ka bë fat dhe na ka bë besimtarë të kësaj nate madhështore dhe të këtij Libër madhështor!
_____________
1. Ky ajet është përsëritur në këtë sure katër herë më numër: 17, 22, 32 dhe 40.
2. Gari Myller është shkencëtar kanadez, i cili e pranoi Islamin në vitin 1977, pasi e lexoi ajetin e 30-të të sures El Enbija.
3. 27/11/02, 08 :06 08:06:26 PM/www.Nusrah.tv/"Big Bang".
4. El Harurij, "Hadaiku rrevhi ve rrejhan", vëll. 28, Daru Turukunexhat, Kajro, 2001, f. 266.
5. El Kurtubi, Muhamed bin Ahmed, (671, b), "El Xhamiu li Ahkamil Kuran", Bejrut: sh.b. Darul kutub el Ilmije, Bejrut, 1991, vëll. 20, f.115.
6. Muhamed ibën Omer et Termidhij, v. 240h.
7. Ramazani.
8. El Xhamu li Ahkamil Kuran, vëll. 20, f. 119.
9. Es Sabuni, Muhamed Ali, "Safvetu Tefasir", sh.b. Mektebetul Asreije, 1997 Kajro, vëll. 3. f. 231.
10. "Mfatihul Gajb", vëll. 32, f. 345.
11. Ez Zemahshari, Mahmud ibën Omer, (v. 538 h), "El Keshaf', sh.b: Dar lhja et Turath el arabij, botimi i I-rë, 1997, Bejrut, vëll. 3, f. 223.
12. "Mefatihul Gajb", vëll. 32, f. 355.
13. Kështu e ka porositur Pejgamberi a.s. Aishen që të thotë në këtë natë. Et Termidhi, Muhammed ibën Isa ibën Surch, (v.275h), Sunen et Termidhi, kitab Ed Davat, bab: hedethena Jusuf bin Isa, nr. 3513. Imam en Nisai, "Sunen el Kubra", nr. 7712, Ibën Maxhe, nr. 3580.
14. Ibën el Xhevzi, "Et Tebsira", sh.b: Darul Hadith, 2004, vëll. 1, f. 482.