“Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo, e kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”. (Ali imran, 97).
Fjala Haxh në kuptimin etimologjik domethënë ‘të synosh diçka’, kurse në jurisprudencën islame me fjalën Haxh nënkuptojmë “vizitën e Qabesë për hir të Zotit të Madhërishëm, në kohë të caktuar, në vend të caktuar dhe me rituale të caktuara”.(1)
Norma e haxhit
Haxhi është obligim (farz) për çdo besimtar që i plotëson kushtet (të cilat do të sqarohen më vonë) një herë gjatë jetës se tij. Thotë Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë: ‘’ Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo, e kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd’.’ (Ali imran, 97). Mirëpo duhet ta kemi parasysh se Haxhi nuk është vetëm obligim, po është edhe një nga pesë shtyllat e Islamit. Thotë Pejgamberi a.s. në një hadith: ‘’ Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe vizita e Qabesë për atë person që ka mundësi të shkojë tek ajo”.(2)
Ndërsa, se Haxhi është obligim vetëm një herë gjatë jetës, kemi argument hadithin e Pejgamberit a.s., që e transmeton ibni Maxheh, se një nga ashabët që quhej Akra bin Habis, e kishte pyetur Muhamedin a.s. duke i thënë : ‘’O i derguar i Zotit: Haxhi është obligim për çdo vit apo vetëm një herë gjatë jetës? Atëherë Pejgamberi a.s. iu përgjigj: Vetëm një her gjatë jetës, ndërsa kush ka mundësi më shumë se një herë, mund ta bëjë Haxhin në mënyrë vullnetare’’.(3)
Kush e ka obligim Haxhin
Çdo mysliman që është në moshën madhore, që është i mençur dhe i aftë për t’i kuptuar obligimet fetare, i shëndoshë fizikisht, që ka mundësi financiare për t’i mbuluar shpenzimet e Haxhit, dhe që ka siguri në udhëtimin e tij për në Haxh, Haxhin e ka obligim dhe farz personal.(4)
Kur obligohet Haxhi Në Islam kemi obligime fizike, siç janë namazi dhe agjërimi, që obligohen me hyrjen e besimtarit në moshën madhore; kemi dhe obligime materiale, siç është zekati, i cili obligohet me hyrjen e besimtarit në moshën madhore5 dhe arritjen e sasisë së caktuar të pasurisë; dhe kemi obligime fizike dhe materiale, siç është Haxhi, i cili obligohet me hyrjen e besimtarit në moshën madhore dhe në një gjendje materiale të mirë. Pra, nëse ndalemi tek Haxhi dhe shikojmë me vëmendje, vërejmë qartë Mëshirën e Zotit të Madhërishëm, i Cili, përveçqë na ka obliguar me Haxhin vetëm një herë gjatë jetës, ka përjashtuar nga obligueshmëria e Haxhit edhe të gjithë myslimanët që janë në moshën madhore po janë në gjendje të keqe materiale, deri në përmirësimin e gjendjes së tyre jetësore a materiale.
Farzet dhe vaxhibet e haxhit
Edhe Haxhi, si çdo ibadet tjetër, ka farzet dhe vaxhibet e tij, të cilat kërkohet të respektohen gjatë kryerjes së ti
Farzet e haxhit janë dy:
1 - Qëndrimi në Arafat dhe
2 - Tavafu ez-zijareh – tavafi i vizitës së Qabesë.
Ndërsa vaxhibet e Haxhit janë:
1 - Sa’ji- Vrapimi mes Safas dhe Mervas.
2 - Qëndrimi në Muzdelife
3 - Gjuajtja e guralecëve
4 - Rruajtja ose shkurtimi i flokëve dhe
5 - Tavafi lamtumirës.(6)
Nëse nuk respektohen farzet e Haxhit, atëherë Haxhi nuk konsiderohet i pranuar, e nëse nuk respektohen vaxhibet e Haxhit, atëherë obligohemi të therim kurban.
Dobitë dhe mirësia e Haxhit
Për sa i përket aspektit fetar, Haxhi konsiderohet një prej adhurimeve që e forcon besimtarin më së shumti në aspektin shpirtëror, sepse njeriu, kur jeton disa ditë në vendin ku ka zbritur Shpallja nga ana e Zotit xh.sh. dhe sheh nga afër argumentet dhe vendin ku madhërohet Allahu xh.sh., sheh Qabenë dhe kiblen e tij, vendin ku ka jetuar dhe vepruar i Dërguari i tij, - e gjithë kjo duke kërkuar falje dhe mëshirë nga Zoti i Madhërishëm, - patjetër do të jetë një nxitje shpirtërore dhe morale për të që të jetë sa më afër fesë dhe praktikimit të mësimeve fetare. Po dhe në aspektin politik Haxhi konsiderohet si një kongres dhe vendtakim vjetor për myslimanët, sepse aty myslimanët njoftohen për zhvillimet, progresin, problemet e tyre në të gjitha sferat e jetës, në aspektin politik, ekonomik, ushtarak etj..
Gjithashtu edhe në aspektin social Haxhi konsiderohet një barazi dhe modesti në mes njerëzve të shtresave të ndryshme, dhe kjo duke u barazuar me një uniformë të njëjtë, me rituale të njëjta, në të njëjtin vend, pa pasur dallime kryetari nga qytetari, gjenerali nga ushtari, profesori nga nxënësi, pasaniku nga i varfri etj. etj..
Ndërkaq, për sa u përket mirësive të Haxhit në Botën tjetër, më së miri na tregon vetë i Dërguari i Zotit të Madhërishëm në hadithet e tij. Transmeton Ebu Hurejre se një sahabi kishte pyetur Pejgamberin a.s. se cila është puna më e mirë. Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: ‘ Besimi në Zotin dhe të dërguarin e Tij’ Sahabiu kishte pyetur për herën e dytë: Cila pastaj? Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: ‘Haxhi i pranuar tek Allahu xh.sh.”.(7) Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. kishte thënë: ‘’Haxhi i pranuar tek Allahu xh.sh. nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit”.(8)
_________________
1) Erkan El Islam, Vehbi Gavoxhi (4-700).
2) Buhariu dhe Muslimi.
3) Ibn Maxhe(2-963).
4) El –Hidaje esherh bidajetu el mubtedi,Imam Merginani (1-161).
5) Disa juristë mendojnë se edhe fëmija që ka pasuri, duhet ta jap zekatin.
6) El Mugni fi fikhi el haxhi ve el mreti, Seiid bin Abdul Kadir Bashinfer.
7) Buhariu dhe Muslimi.
8) Buhariu dhe Muslimi.