Islami e fton njerëzimin në një kornizë etiko-ligjore, të ndërtuar mbi urtësinë dhe drejtësinë e Zotit, i Cili si Krijues i universit dhe njeriut është i Gjithëdijshëm për çdo hollësi: "A nuk e di Ai më së miri, Ai që krijoi? Dhe Ai është i Gjithëdijshëm për çdo hollësi." (Mulk, 14).
Ky koncept mbështetet në dy parime kryesore:
1. Nevoja e njerëzimit për drejtëudhëzim sa herë që njeriu ka alternativën të zgjedhë. Pa këtë udhëzim individët dhe shoqëritë mund të humbasin në paqartësi dhe të përballen me pasoja të dëmshme të veprimeve të tyre;
2. Udhëzimet e Islamit realizojnë më të mirën për njeriun nëse kuptohen dhe zbatohen sipas kontekstit dhe rrethanave në çdo situatë, duke balancuar drejtësinë me mëshirën.
Marrë parasysh interesin që sjellë puna për njeriun, Islami inkurajon punën dhe e vlerëson atë si një mjet për të shërbyer dhe fituar. Allahu i madhëruar në Kuranin fisnik thotë: "Dhe thuaj: “Punoni, Allahu do ta shohë punën tuaj, edhe i Dërguari i Tij e besimtarët.” (Et Tevbe, 105).
Pjesëmarrja e grave në punë dhe profesione tashmë është bërë një aspekt i rëndësishëm i dinamikës së shoqërisë. Kjo qasje bashkëkohore është ndërtuar mbi parimin e barabarësisë mes gjinive në të drejta njerëzore dhe mosdiskriminim, që i jep mundësinë grave të shfrytëzojnë potencialet e tyre në fusha të ndryshme.
Edhe historia e hershme islame e ka çmuar kontributin e grave të asaj kohe. Zonja Hatixhe, Allahu qoftë i kënaqur me të, e drejtoi biznesin e saj me të Dërguarin e Zotit, a.s., ku ai e kaloi pjesën më të mirë të rinisë së tij duke punuar për të me paratë e saj. Në fushën e industrisë dhe zejtarisë ishte zonja Zejneb, Zoti qoftë i kënaqur me të, e cila punonte punë dore dhe me pasurinë që e fitonte i ndihmonte nevojtarët dhe skamnorët. I Dërguari, a.s., e lavdëroi veprimin e saj duke thënë: "Ai që e ka dorën më të gjatë (jep sadakë më shumë), do të më ndjekë mua.”(1) Këto dhe shumë raste tjera të ngjashme, shpalosin konsideratën e brezit të parë të grave myslimane që kishin për punën, si dhe theksojnë rëndësinë e rolit të grave në zhvillimin ekonomik dhe social të kohës së tyre. E drejta islame nuk e ka penguar gruan të punojë, ashtu sikurse nuk e ka obliguar, por një vendim i tillë i është lënë ekskluzivisht dëshirës dhe potencialit të saj. Madje i është lejuar edhe gjatë periudhës së pritjes, në rast divorci, të punojë nëse ka nevojë për këtë; me gjithë pa pëlqyeshmërinë e daljes nga shtëpia pa nevojë gjatë asaj kohe. Është përmendur në hadithin autentik të transmetuar nga Ebu Zubejri, se ai e ka dëgjuar Xhabir bin Abdullahun duke thënë: "Në kohën e pritjes (idetit) pas divorcit, tezja ime doli për të krasitur palmat e saj, por një burrë e qortoi që të mos dilte, andaj ajo erdhi te Pejgamberi a.s. dhe i tregoi rastin, kurse ai i tha: "Po, krasit palmat tua, se ndoshta do të japësh lëmoshë dhe do të bësh një vepër të mirë.”(2) Pra, i Dërguari i Zotit, a.s., nuk e pengoi të punonte edhe kur ishte në pritje obligative pas divorcit, që e quajmë idet, përderisa kjo punë ishte e nevojshme, sepse s'kishte kush ia kryente, ishte legjitime dhe e dobishme.
Në epokën e Profetit a.s., gratë merrnin pjesë pothuajse në të gjitha luftërat,(3) sipas nevojës, më shumë në shërbimet e prapavijës, kurse, disa herë, në rast të rrethanave dinamike edhe drejtpërsëdrejti në betejë.
Transmeton Enes bin Maliku se Ummu Atijjes që dëshironte të merrte pjesë në luftë, i Dërguari i Allahut iu përgjigj se xhihadi nuk ishte bërë obligim për gratë. Megjithatë Pejgamberi a.s., e lejoi të marrë pjesë në luftë kur pa vendosmërinë e Ummu Atjjes në dëshirën e saj dhe sqaroi se ajo mund të mjekonte të plagosurit, të përgatiste ilaçe për dhimbjet e syve, të bartte ujë për luftëtarët(4) dhe shërbime të tjera.
Disa gra sahabe, duke u mbështetur në këtë leje të të Dërguarit të Allahut, a.s., morën pjesë në beteja duke mjekuar plagët, duke qepur e arnuar, duke bartur ujë, duke përgatitur ushqim, madje, duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në përleshje nganjëherë. Ummu Umare është njëra prej grave që morën pjesë në betejën e Uhudit duke luftuar si harkëtare. Pasi u kthyen në Medinë pas beteje, Profeti tha: "Gjatë betejës, sa herë që ktheja kokën djathtas e majtas, shihja Ummu Umaren që luftonte krah meje..."(5)
Pra, puna e gruas është një element produktiv dhe me efekt në zhvillimin e familjes dhe shoqërisë. Të shtyrë nga ky fakt, shumë legjislacione kanë marrë në konsideratë kontributin e saj në shtëpi si pjesëmarrëse financiare e asaj që fiton bashkëshorti pas martese.(6)
Kriteret e punës
Dijetarët myslimanë përmendin dy lloje kufizimesh mbi të drejtën e gruas për punë në të drejtën islame:
a) Kufizimet e përgjithshme për të gjitha daljet publike, që është respektimi i rendit dhe etikës publike të Sheriatit në veshje, komunikim dhe në mosvetmim me gjininë e kundërt të nënkuptuar në ajetet vijuese kuranore: "Mos tërhiqni vëmendjen me të folur, e të lakmojë ai, zemra e të cilit është e sëmurë, por flisni fjalë të denja serioze. Të rrini në shtëpitë tuaja dhe mos ekspozoni bukurinë tuaj si dikur në kohën e injorancës." (El Ahzabë, 33); "Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre. të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre." (En Nur, 30-31).
b) Kufizimet e veçanta për marrëveshje, së paku të nënkuptuar, me kreun e shtëpisë ku jeton për të punuar dhe rregulluar marrëdhëniet pasurore për të ardhurat nga puna.
Mirëpo, meqenëse kriteri i parë vlen për të dy gjinitë në çfarëdo kohe dhe ambienti, e nuk lidhen drejtpërsëdrejti me punën, ajo që vlen me të vërtetë të sqarohet dhe shqyrtohet është vetëm kriteri i dytë me dy nënpikat e tij, të cilat janë:
- Marrëveshja për të punuar me kryefamiljarin, nëse gruaja ka familjarë dhe jeton me ta, siç është babai për beqaret, ose bashkëshorti për të martuarat. - Si rrjedhojë, marrëveshja rregulluese e marrëdhënieve pasurore për të ardhurat që rrjedhin nga puna.
Marrëveshja me kryefamiljarin
Kjo çështje ndërlidhet me mirëkuptimin ose keqkuptimin e kavames, përgjegjshmërisë së burrit në familje, se mbi çfarë arsye bazohet ajeti i 34-të i sures En Nisa kur thotë: “Burrat janë përgjegjës (kavvam) për gratë me aq sa u ka dhënë Allahu përparësi (faddale) njërës palë ndaj tjetrës dhe për shkak se ata shpenzojnë pasurinë e vet.”
Kuptimi i dukshëm i fjalës "faddale", i përkthyer nga akademik Feti Mehdiu si përparësi, nënkupton edhe preferencë, favorizim e të ngjashme dhe mund të ngrejë dyshime për diskriminim midis burrave dhe grave. Megjithatë, me një shqyrtim pak të kujdesshëm të kuptimit të fjalës "faddale" te komentatorët e Kuranit, e përmendur në këtë ajet dhe në ajetin 32 të së njëjtës sure, zbulojmë lehtësisht se "përparësia" lidhet me të dy palët, me burrat dhe gratë, në arritjen e pozitave të vlefshmërisë dhe gradave të mirësisë që fitohen me punë dhe zell, siç dëshmohet nga fraza "njërës palë ndaj tjetrës", e cila përfshinë të gjithë, pa bërë më të voglin dallim në bazë të gjinisë.(7) Dallimi në favorizimin e njërës palë ndaj tjetrës ndodhë vetëm mbi bazën e kontributit për familjen, si në mbrojtje, ashtu edhe në zhvillim, e asnjëherë mbi gjininë. Ajeti i 32-të i sures En Nisa e dëshmon edhe më qartë këtë bazë të kontributit në dhënie të përparësisë, kur urdhëron të kërkojmë shtimin e fadlit prej Zotit. Sepse, sikur fadli - vlefshmëria ose përparësia - të ishte ndarë prej Zotit mbi bazë gjinore, atëherë nuk do të jepte kurrfarë kuptimi urdhri për kërkim të shtimit, por do të kërkohej të kënaqeshim me çfarë jemi.(8)
Pra, sipas interpretimit të kreut të mufesirëve, Imam Taberiut, ky ajet jep të kuptojmë se burrat kanë një shkallë të përgjegjshmërisë mbi gratë për shkak se gratë lirohen nga disa detyrime ndaj burrave, ndërkaq burrat kanë më shumë detyrime ndaj grave në mbrojtje dhe mbajtje. Ky ajet i përgjegjshmërisë (kavames),(9) së bashku me dy ajetet simotër, ajetin mbi vlefshmërinë (fadlin)(10) dhe ajetin mbi gradën (derexhen)(11), vendosin familjen në këndvështrimin islam mbi parimin e kompletimit ndërmjet përgjegjshmërisë së burrit (kavames) dhe kujdestarisë së gruas (hifdhit), që ata të trajtojnë njëri-tjetrin në mënyrë të arsyeshme brenda fushës së konsultimit.(12)
Pasi që ata janë përgjegjës për sigurimin e alimentacionit (ushqyerje, veshmbathje e strehim) ndaj grave të tyre, dhe kjo është dëshmi se gruaja nuk është e detyruar të sigurojë të njëjtën për burrin e saj. Sepse ajeti, edhe pse ka ardhur në mënyrën kallëzuesore, e urdhëron burrin që të mbrojë dhe kujdeset financiarisht për gruan. Sistemi legjislativ i Sheriatit në vetvete është përgjegjësi (teklif) dhe nuk jep kompetenca thjesht për shkak të gjinisë, pa e ngarkuar atë kompetencë me koston përkatëse të përgjegjësisë. Mufesiri njohur Ibën Ashuri thotë: "Kavvam është ai që kujdeset për diçka, i rri gati dhe e mirëmban... Prandaj, të qenët e burrave kavvamun mbi gratë është përgjegjshmëri e ruajtjes dhe mbrojtjes si dhe përgjegjshmëri e fitimit dhe financimit.”(13) Lidhur me barazinë gjinore, aktivistja e njohur e të drejtave të njeriut, Anne Bayefsky bën këtë sqarim: Jo të gjitha dallimet në trajtim janë diskriminuese, ose thënë ndryshe barazia jo gjithmonë do të thotë trajtim identik i njëjtë; dhe se një dal.lim është diskriminues nëse nuk ka objektiv dhe justifikim të arsyeshëm, ose nuk ndjekë asnjë qëllim legjitim, apo nëse nuk është i arsyeshëm proporcionaliteti ndërmjet qëllimit dhe mjetit për ta arritur atë.(14)
Bazuar pikërisht në këtë kuptim të barazisë apo diskriminimit që përmbushë një objektiv të arsyeshëm ose mbanë proporcionalitet, gjejmë tualete të ndara sipas gjinisë, palestra sporti, madje edhe performancë fizike në testet për ushtrinë, të cilat të gjitha konsiderohen të justifikuara sipas preferencës personale dhe dallimet fizike midis gjinive.
Rregullimi i marrëdhënieve pasurore
Në të drejtën islame, lidhja e martesës nuk shkakton efekte pronësore, prandaj secili nga bashkëshortët vazhdon të mbetet titullar i vetëm në pasurinë e tij edhe pas lidhjes së martesës. Çdonjëri nga bashkëshortët ka autonomi të pavarur nga tjetri në tërë pasurinë e vet.(15)
Kurani famëlartë thotë: "Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato.” (En Nisa, 32)
Ky ajet, ndër shumë të tjerë, ka lënë të kuptohet se bashkëshortja është po sikur bashkëshorti dhe secili prej tyre gëzon autoritet të plotë në pasurinë e vet brenda kufijve ligjorë. Në lidhje me këtë "Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame" ka miratuar një vendim, ku thuhet: "Gruaja është plotësisht e kualifikuar në aspektin pasuror dhe ka autoritet të plotë financiar (sikurse burri). Ajo ka të drejtën absolute sipas dispozitave të Sheriatit në gjithçka që e fiton me punën e saj. Ka pasurinë e vet të veçantë, të drejtën e pronësisë dhe të drejtën për të disponuar me pronë. Burri nuk ka autoritet mbi pasurinë e gruas dhe ajo nuk ka nevojë për lejen e burrit për të pasur pronë apo për të disponuar me atë."(16)
Mirëpo, sipas të të njëjtës Akademi, bashkëshortët mund të bien dakord në lidhje me pasuritë e tyre të fituara gjatë martesës. Në vendimin e saj thuhet: "Secili prej bashkëshortëve ka pavarësinë e vet pasurore dhe bazuar në këtë fakt secilit i takon e drejta e disponimit me pasurinë dhe të drejtat e veta, me kompensim apo pa të. Nëse bashkëshortët me pëlqimin e tyre vendosin të bashkojnë pasuritë, nuk ka kurrfarë pengese fetare për këtë, por nuk lejohet t'ju imponohet me përcaktim të detyrueshëm."(17)
Me gjithë faktin se gruaja punon dhe posedon të ardhura, burrit nuk i zhbëhet detyrimi për mbajtjen e gruas dhe familjes, përveç nëse janë marrë vesh ndryshe me vullnetin e tyre. Në lidhje me detyrën e burrit për të mbajtur gruan "Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame" ka miratuar një vendim, ku thuhet: "Gruaja gëzon të drejtën për mbajtje të plotë (vendbanim, ushqim, veshmbathje, etj.) dhe të dinjitetshme, sipas mundësive të bashkëshortit, në përputhje me zakonet e mira dhe traditat shoqërore të pranuara sipas Sheriatit.(18)
Përfundim
Misioni i vazhdimësisë së jetës, kultivimi i tokës, nxjerrja e të mirave të natyrës dhe shijimi i tyre është një për të gjithë njerëzit, mashkull qoftë njeriu apo femër. Zoti i Madhëruar i është drejtuar në Kuranin famëlartë njeriut, mashkullit dhe femrës, duke i thënë: “A nuk e ke parë se Zoti të ka nënshtruar çdo gjë që gjendet në tokë." (El Haxhxh, 65); "A nuk e ke parë se Zoti të nënshtroi gjithçka në qiej dhe në tokë dhe të dhuroi të mirat e Tij, të dukshme dhe të fshehta..." (Llukman, 20).
Së këndejmi, nuk gjejmë pengesë fetare që e pengon gruan të punojë për të fituar, të ushtrojë profesion, të angazhohet për humanitet apo të ndërmarr biznes, përderisa puna që bën është përbrenda normave dhe etikes islame, standardit hallall të punës, në ambient pune në përputhshmëri me natyrën e gruas dhe pa ndikim negativ të rëndë në jetën e saj familjare. Puna është një nga të drejtat e individëve dhe çdokush ka të drejtë të ushtrojë çfarëdo lloj pune legjitime që dëshiron për të fituar jetesën e tij, për të kontribuuar për komunitetin dhe për të qenë në gjendje të jetojë me dinjitet. E drejta islame nuk bën dallim midis grave dhe burrave në këtë të drejtë, siç tha Zoti i Madhëruar: "Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti i juaj.” (El Bekare, 198); "Asnjë punëtori nga ju nuk do t'ia humb mundin e punës, qoftë mashkull apo femër - ju jeni njëri nga tjetri." (Ali Imran, 195).
Nëse dalja e gruas në punë i paraprinë martesës ose është një nga kushtet e saj, bashkëshorti nuk ka të drejtë ta pengojë të dalë në punë pas martesës. Sepse, kontrata e punës e lidhur mes saj dhe vendit ku ajo punon u bë si një kusht i paracaktuar, për çfarë ka dhënë pëlqim të nënkuptuar, sikurse nuk i lejohet të shkelë kushtin e pranuar. Ndërsa, nëse para martesës nuk ka pasur kusht as të nënkuptuar që ajo të punojë, si për shembull nuk ka qenë gruaja në marrëdhënie pune, as duke kryer shkollim që i garanton punë, as nuk është traditë puna e grave në atë familje ose në atë vendbanim, atëherë nuk i lejohet të dalë në punë pa marrëveshje paraprake me bashkëshortin, për të shmangur konfliktin mes çiftit. Megjithatë, në rastin kur karriera e gruas dhe ruajtja e familjes nuk përputhen dot pa u dëmtuar rënd njëra prej tyre, vendimi më i arsyeshëm i një gruaje ose i një burri në këtë rast delikat është të shmangë dëmin më të madh, pasi të ketë matur me kujdes të shtuar humbjen dhe fitimin si në anën materiale ashtu edhe në përmbushjen shpirtërore.
______________________
1. Ez Zuhri, Muhamed bin Sad, Et Tabakatul Kubra, (red. dr. Ali Muhm. Umer), bot. l, Kajro: Mektebetul Hanxhij, 2001, 10/105.
2. Sahih Muslim, Muslim ibnu Hax.hxhaxh, red. Muhamed Fuad Abdul Bakij, Dar Ihjaut Turath, Bejrut, pa bot, (2/1211), nr. 1483
3. Muhamed Ez Zerkeshij, El. Bahrul Muhit fi Usulil Fikh, red. Abdul Kadir eI Anij, Ministria e Vakëfeve të Kuvajtit, bot. t 99t"
4. Sahili Muslim, (4/1447), 1812
5. Ez Zuhri, Muhamed bin Sad, Et Tabakatul Kubra, 10/386.
6. Për më gjerë shih, dr. Violeta Smajlaj, Regjimi pasuror martesor në Legjislacionin e Kosovës dhe të drejtën Islame, Edukata Islame, nr. 127-128.
7. Taberiu, Muhamed bin Xherir, Xhamiul bejani fi te'vili ajil Kurani, (red. Ahmed Shakir), bot. 1, Muessesetu err Rrisale, 2000, 8/265. Shih gjithashtu, El Hazin, Ali bin Muhamed, Lubabut te'vili fi meanit-tenzili, (red. Muhamed ali Shahin), bot. 1, Beirut: 1415 hixhri, 1/368;
8. Xhum'atu, E1 Musavatul insanijjeti fil islami bejnen nadharijjeti uet tatbik, f. 30.
9. En Nisa, 34.
10. En Nisa, 32.
11. El Bekare, 228.
12. Smajlaj, dr. Violeta, Barazia gjinore në marrëdhëniet pasurore bashkëshortore, revista Kalendar, Prishtinë: BIRK, 2021.
13. Ibën Ashuri, Muhamedettahir bin Muhamed, Et Tahriru uet-tenviru, Tunis: Ed Dar et Tunisijje linneshr, 1984, 5/38.
14. Bayefsky, A.F., "The Principle of Equality and Non-Discrimination in International Lavv", Human Rights Law Journal 1990 (11), 1-2, f. 34.
15. El Abbadi, Abdusselam, El mulkijjetu fish-sheriatil-islamijje: tabiatuha, uedhifetuha, ue kujuduha, dirasetun mukarenetun bil-kavanini uen-nudhumil-vad'ijje (Pronësia në Sheriat: natyra, funksioni dhe kufizimet e saj, studim krahasimor me të drejtën dhe ligjet pozitive), bot. 1, Beirut: Muesseturr-rrisale ue dhe Daml-Beshirë, 2000, 2/184; El Kurredagi, Ali, Mebdeurr-rrida fil-ukud: dirasetun mukarene (Parimi i autonomisë në kontrata: studim krahasimor), Beirut: Darul-beshairil-islamijje, 1/12. Vetëm sipas shkollës juridike malikite, autonomia e gruas në bamirësi është e kufizuar të jetë deri në një të tretën e vlerës së përgjithshme të pasurisë së saj, e mbi këtë vlerë burri ka drejtë ta ndalojë. Mirëpo, kjo ka të bëjë vetëm me kufizimin e disponimit me pasurinë e saj në bamirësi, e jo në tregti. Shih, lbni Abdulberr, Jusuf, El Kafi fi fikhi ehlil-medine (I mjaftueshmi në të drejtën e banorëve të Medinës), Muhamed el Muritani (rec.), bot. 2, Riad: Mektebeturr Rrijadul-hadithe, 1980, 2/731.
16. Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame, Vendime dhe rekomandime të Akademisë Ndërkombëtare të së Drejtës Islame, vendimi nr. 144 (2/16) lidhur me mospajtimet e bashkëshortit dhe bashkëshortes punonjës, seanca e gjashtëmbëdhjetë, Dubai, periudha prej 9-14 prill 2005. URL: http://www.iifa-aifi.org/2174. html.
17. Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame, Vendime dhe rekomandime të Akademisë Ndërkombëtare të së Drejtës Islame, vendimi nr. 227 (11/23) lidhur me ndikimin e aktit martesor mbi pronën e bashkëshortëve, seanca e njëzet e tretë, Medine, periudha prej 28 tetor deri 1 nëntor 2018. URL: http://www.iifa-aifi. org/4899.html.
18. Akademia Ndërkombëtare e të Drejtës Islame, Vendime dhe rekomandime të Akademisë Ndërkombëtare të së Drejtës Islame, vendimi nr. 144 (2/16) lidhur me mospajtimet e bashkëshortit dhe bashkëshortes punonjës, seanca e gjashtëmbëdhjetë, Dubai, periudha prej 9-14 prill 2005. URL: http://www.iifa-aifi.org/2174. html.