Një në tre gra do të abuzohet gjatë jetës së saj nga burri i saj ekzistues. Kjo statistikë befasuese duhet të ngre shqetësimin e të gjithëve pa përjashtim, duke filluar nga shteti, kleri fetar dhe shoqëria civile. Meqë kjo temë do të shtjellohet në aspektin socio – fetar, do të mundohem të ndalem në atë që respektivisht e trajton feja islame. Atëherë, çfarë roli luan feja në ndalimin e dhunës në familje? Për shtetin ligjor, dënimet e natyrës së dhunës - vrasjeve duhet të jenë në limitet e fundit. Komunitetet dhe udhëheqësit fetarë, nga ana tjetër, mund të ofrojnë burime themelore për të rritur ndërgjegjësimin për dëmet dhe papranueshmërinë e dhunën në familje dhe të ofrojnë mb ështetje për viktimat. Pastaj hapi tjetër dhe më i rëndësishëm në këtë drejtim përfshinë kthimin në vetë shkrimin e shenjtë. Islami nuk është strukturë shoqërore, e as shumësi besimesh, dokesh e vlerash heterogjene morale, ose me një fjalë, shumësi praktikash. Që do të thotë, Islami duhet shmangur nga një përkufizim të një besimi ose disa praktikave të myslimanëve. Islamin duhet lexuar si burimin më të pastër hyjnor dhe larg çdo interpretimi që do të dëmtonte vetë besimin. Sot, risitë e ndryshme të ardhura nga praktika dhe ide perëndimore rreth martesës, rolit të grave në shoqëri dhe dinamikës brenda familjes së fragmentuar, ua kanë shkatërruar shumë myslimanëve, e sidomos në qytete të mëdha, mësimet e kahershme të Islamit mbi raportin burrë – grua, që nga aspektet metafizike e shpirtërore, deri tek ato më të jashtme. Kur kësaj i shtojmë edhe faktin se çështja e “grave” në Islam ka lëvizur në maje të agjendës së Perëndimit në studimin dhe raportimin e tij mbi Islamin, bëhet posaçërisht e nevojshme të rivendoset pikëpamja islame tradicionale. Për këtë, duhet filluar me parimet metafizike që drejtojnë natyrën njerëzore dhe marrëdhënien ndërplotësusese që ekziston midis mashkullit dhe femrës në nivelin më të lartë, e rrjedhimisht në jetën e përditshme këtu në tokë. Dallimi ndërmjet dy gjinive nuk mund të jetë vetëm biologjik e fizik sepse, në perspektivën tradicionale, niveli trupor i ekzistencës e ka parimin e vet te gjendja subtile, subtile te shpirtërore, dhe shpirtërore te vetë realiteti hyjnor.
Ekzistojnë dy mënyra kryesore të interpretimit që janë zhvilluar nga studiuesit për të kuptuar Kuranin. Forma e parë përfshin shpjegimin e Kuranit brenda tekstit, ose me fjalë të tjera, lejimin e ajeteve të ndryshme nga Kurani për të sqaruar njëri tjetrin. Forma e dytë përfshin interpretimin e Kuranit bazuar në shembulli i Profetit, i cili u referua nga gruaja e tij si një “Kuran i gjallë”, madje sikur për të argumentuar sjelljet dhe fjalët e hz. Hatixhes për moralin dhe lidhjen e tij me vetë Hatixhen r.a.. Muhamedi a.s. është shembull se si menjëherë pas zbritjes së parë nga Xhibrili a.s., ai u drejtua i frikësuar dhe i lodhur për të kërkuar mbështetje pikërisht te gruaja e tij. Asaj ia besoi edhe frikën dhe sekretin më të madh.. Duke përdorur këto dy mënyra të hermeneutikës, tani mund t’i drejtohemi burimeve tona për të kuptuar se si Islami e ka dënuar vazhdimisht dhunën në familje.
Në qendër të ajeteve që diskutojnë marrëdhënien ideale ndërmjet burrit dhe gruas në Kuran është vargu i mëposhtëm: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për ata që mendojnë.” (Kuran, 30:21).
Zoti gjithashtu i urdhëron burrat në një varg tjetër që “çoni jetë të mirë me to...” (4:19). Për më tepër, këto ajete që njohin natyrën plotësuese të martesës duke i përshkruar bashkëshortët “...ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.”(2:187) dhe duke u kujtuar besimtarëve se burrat dhe gratë janë “mbrojtës të njëri-tjetrit” (9:71).
Këto ajete vendosin standardin dhe paradigmën e dashurisë, dhembshurisë dhe reciprocitetit për marrëdhëniet bashkëshortore. Islami e sheh dashurinë e burrit dhe gruas si të pandashme nga dashuria për Zotin, e cila në nivelin më të lartë shpie te Zoti. Respekti reciprok në një marrëdhënie bashkëshortore vetëm se shton harmoninë brenda familjes dhe njëkohësisht bëhet burim dashurie dhe shembull edhe për fëmijët.
Interpretimet mediatike dhe stereotipat e gabuar për t’ia mveshur besimit islam dhunën në familje
Gjatë një fjalimi radiofonik të 17 nëntorit 2001, atëherë zonja e parë, Barbara Bush, u përpoq të mblidhte mbështetje për luftën në Afganistan, duke e inkuadruar luftën kundër terrorizmit si “një luftë për të drejtat dhe dinjitetin e grave”.
Urdhri ekzekutiv i presidentit Donald Trump që kufizon udhëtimet nga 6 vende me shumicë myslimane përmban një dispozitë që kërkon regjistrimin e të ashtuquajturave “vrasje nderi” në Shtetet e Bashkuara. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut që kritikuan urdhrin argumentuan se përdorimi i termit “vrasje nderi”, kundrejt thjesht adresimit të vrasjeve në familje në përgjithësi, ishte një sulm i fshehtë i hollë ndaj myslimanëve si të prirë ndaj dhunës ndaj grave, dhe për këtë arsye shërbeu si një justifikim për këtë - i quajtur “ndalimi i myslimanëve”.
Të dy këta shembuj, të cilët në shikim të parë mund të duken përpjekje për të mbrojtur gratë myslimane nga kultura e tyre, në fakt janë të lidhura me politika dhe ideologji që në thelb i lëndojnë pikërisht këto gra. Dhe në fakt, asgjë në lidhje me këtë nuk është e re. Përbuzja e kulturave myslimane si të prira ndaj mizogjinisë dhe dhunës ndaj grave dhe si për të justifikuar shtypjen anti-myslimane, duke përfshirë dhunën shtetërore ndaj grave, ka qenë një taktikë e fuqive perëndimore dhe medias islamofobike për shekuj. T’i marrim shembull britanikët dhe francezët, të cilët, prej kohësh kanë përdorur “çlirimin e grave” dhe kinse të drejtat e tyre, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, në këto vende evropiane, gruaja ende nuk ka një pagesë të barabartë me burrin, nuk ka një përparësi në punësim, dhuna në familje është në forma të ndryshme.
Një medie e cila është e frikësuar për të ardhmen e saj mediatike dhe qëndrimin e saj më të gjatë në treg, bën përpjekje nga më të djallëzuarat, më të shëmtuarat. Ndërkohë, që lajmet e tilla islamofobike ose të pabaza dhe të paqëndrueshme ekzistencialisht vetëm se mund të shkaktojnë frustrim te besimtarët e vërtetë. Fatmirësisht, shoqëria dhe kultura jonë kombëtare nuk ka asnjë ngjashmëri me atë arabe, dhe përderisa një gjë e tillë nuk duket në horizont nuk duhet të ngacmohet për të dalë në pah. Vërehen tendencat që të nënçmohen myslimanët dhe të provokohen ndjenjat e tyre sado jo frontale, por qetësia e tyre nuk do të thotë se janë të gatshëm të pranojnë nënçmimin e vazhdueshëm. Në një mjedis të ngarkuar politikisht, objektivi i medias i përqendruar te “myslimanët ekstremist” ose bëmat e tyre, vetëm se bëhet një patericë e politikës së keqe dhe zhvendosje e vëmendjes te të “bëmat” e “ekstremistëve myslimanë” nga ku objektivizon myslimanët dhe jo politikën e keqe. Për rrjedhojë, mungesa e ekuilibruar në lajme të tilla rrit islamofobinë. Me të drejtë Edaurd Said këtë fenomen e quan “Islami si lajm”. Dhe, për rrjedhojë interpretimet mediatike që mbulojnë dhunën në familje kanë qasje me dy standarde sa i përket terminologjisë për dhunuesin që përcakton dhunuesin mysliman dhe dhunuesin e një besimi ose kulture tjetër joislame. Kjo është veçanërisht e dukshme kur të gjitha aktet e dhunës ndaj grave të kryera nga një mysliman emërtohen si “krime nderi”, ndërsa sulmet e ngjashme kundër grave në kulturën dominuese në demokracitë perëndimore quhen “dhuna në familje”. Shoqëria moderne dhe shteti modern ia arritën të krijojnë botën e tyre – botën dytësore, botën e “zgjedhjeve” dhe të “premtimeve” shterpe – si realitet të vetëm në të cilin nuk ka vend për realitetin mbinatyror, për realitetin hyjnor. Për shkak të këtij horizonti ideor, thjesht bëhemi të paaftë, të kapemi për realiteti hyjnor, ta dëgjojmë dhe ta kuptojmë Fjalën Hyjnore. Myslimanët sot janë të detyruar të jetojnë në botën e kulturave, religjioneve dhe ideologjive të ndryshme, në shoqëri pa horizont unik shpirtëror, pa moral të gjithëvlefshëm dhe etik të gjithëpranuar, d.m.th. në të ashtuquajturën shoqëri pluro – pluraliste në një shtet me bazë sekulare, të cilët zyrtarisht nuk e pranojnë sheriatin islam si normë të jetës publike. Në gjuhën zyrtare të shoqërisë moderne nuk paraqiten fjalë apo nocione të natyrës religjioze, si shpallja, mëshira, mëkati, ndëshkimi, jeta e amshueshme, shpëtimi etj..
Si duhet vepruar?
Së pari, ata që punojnë (shteti, kleri fetar, shoqëria civile), për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave duhet ta trajtojnë problemin si një sëmundje universale njerëzore, jo një sëmundje ndaj së cilës është veçanërisht e prirë ndonjë komunitet.
Së dyti, kur bëhet fjalë për komunitetet myslimane, udhëheqësit fetarë mund dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Është nevojë emergjente gjetja e një grupi punues, i cili promovon projekte madhore dhe afatgjate dhe punon për të trajnuar imamët se si të trajtojnë në mënyrë efektive çështjet e dhunës në familje në komunitetet e tyre. Ata duhet të jenë aty që me çdo rast t’u tregojnë besimtarëve cili është identiteti i tyre, cilat janë vlerat themelore shoqërore të dedikuara vetëm për ata, ndërsa të privuar për të tjerët.
Së fundi, çështja kritike e dhunës ndaj grave minohet kur ekspertët ose politikanët e shfrytëzojnë dhe e keqinterpretojnë atë për të justifikuar politikat antimyslimane që në fund të fundit dëmtojnë vetë gratë për të cilat ato pretendojnë se janë të shqetësuara. Përfundimisht sipas dijetarit irakian, Abdukerim Zejdan, lëndimi ose dhuna ndaj grave është e ndaluar, sepse, si e tillë bien në kundërshtim me aktin ligjor ku Zoti i urdhëron besimtarët të jetojnë në mirësi e dashuri. Dëmtimi i tjetrit, shton ai, është një formë shtypje, e shtypja si e tillë është e ndaluar dhe e urryer te Zoti.(1)
Përfundimi
Kjo tokë e jona nuk është tokë lumturie, sepse këtu lumturitë nuk gëzohen. Në të gjithë pesë raportet kyçe që njeriu në përgjithësi i ka – raportin ndaj vetvetes, ndaj Zotit, ndaj të afërmit, ndaj natyrës dhe ndaj të parëve – tregohet se ai është tjetërsuar. Në qoftë se nuk ka vetëdije për identitetin e vet, nëse në të ka “vdekur zoti”, nëse tjetrin e shikon si rrezik, nëse e ka ndotur natyrën dhe i ka harruar të vdekurit – ai nuk ka shpëtim. Nëse kjo është kështu, e shumë hulumtime e dëshmojnë këtë, atëherë na kanoset rënia në një barbarizëm të ri. Shoqëritë tona janë të sëmura për vdekje – të gjithë ne gjendemi buzë humnerës. Shikuar përmes syrit të një teologe, pamja e shqiptarëve nuk dallon shumë nga ajo e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë: mjerim, mos arsimim, kulturë e ulët shëndetësore, imoralitet, dhunë. Cituar sipas studiuesit prof. Milazim Krasniqi, barbaritë si këto ndaj femrës ndër shqiptarë, të evidencuara nga Nopça dhe nga studiues e vëzhgues të tjerë, janë të shumta, të tmerrshme. Fatkeqësisht, disa nga normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit kanë qenë aktive edhe në hapësirat e Kosovës, veçmas në sferën e gjakmarrjes dhe të diskriminimit brutal të femrës. Regjimi serbomadh do ta ketë nxitur të mbahej Kanuni sa më aktiv, sepse prodhonte dhunë, tragjedi dhe fragmentim social ndër shqiptarë, me çka mbajtja e tyre nën okupim sigurisht ka qenë e lehtësuar. Pra, edhe gjatë periudhës së gjatë të sundimit serb e jugosllav (1999-1912), shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të duhura të shkëputjes nga trashëgimia primitive ndaj femrës, as liri veprimi për transformimin dhe emancipimin e mirëfilltë të individit, të familjes e të shoqërisë.(2)
Çështja e dhunës në familje përfundimisht i kapërcen shqetësimet e besimit fetar dhe shikuar n; aspektin psikologjik e ka origjinën në zhvillimin personal të vetë dhunuesit. Prandaj, na takon neve si individë dhe si komunitete fetare të sigurojmë rrjeta sigurie për viktimat e abuzimit dhe të edukojmë besimtaret tanë mbi dëmet dhe ndalimet e dhunës në familje. Këto thirrje për ndryshim dhe ndërgjegjësim kanë rezultuar të frytshme. P.sh. në Filadelfia, një komunitet myslimanë ekspozon abuzuesit e dënuar dhe refuzon të celebroje martesat e tyre të ardhshme. Organizata të tjera dhe udhëheqës myslimanë janë zotuar të qëndrojnë kundër dhunës në familje dhe kanë punuar për të ndërtuar strehimore dhe shërbime të ndryshme sociale për të marrë pjesë drejtpërdrejt në ndihmën ndaj viktimave të abuzimit dhe dhunës në familje.(3)
_______________________
1. Abdulkarim Zaydan, El Mufassal ft ahkam el mar’a wa-al-bayt al muslim (Bejrut: Mu’ assasah al-risalah, 1993).
2. Milazim Krasniqi, “Burimet e dhunës ndaj grave”. Shih; (https:// www.epokaere.com/burimet-e-dhunes-ndaj-grave/.
3. Shih: Salma Abugideiri, “A Perspective on Domestic Violence in the Muslim Community,” www.faithtrustinstitute.org, 2010.
Dituria Islame 403