Shqiptarët, feja dhe konvertimet

 


„Konvertimet masive“ të muslimanëve në të krishterë që po ndodhin në Kosovë kohëve të fundit, po e irritojnë mbarë popullin shqiptar, natyrisht shumicën muslimane. Tentimet dhe ftesat publike për braktisje kolektive të Islamit, fillimisht për në ateizëm apo shqiptari (sikur ky të ishte një term që shpreh një fe të caktuar) e pastaj për në krishterim, vetëm se e përskeqin raportin vëllazëror dhe e sëmurin indin kombëtar të shqiptarisë, të kultivuar me kujdes të veçantë ndër shekuj.


Si çdo popull, edhe shqiptarët si pasardhës të ilirëve, kanë pasur një fe a besim, që i ka orientuar ata në jetë. Fillimisht si paganë, besues në shumë zota, sidomos në Diellin, e më pas me ndikimin e kolonive helene dhe romake, huazues të perëndive të lashta greke e romake, ilirët qysh në fillim të herës njoftohen me krishterimin apostolik. Vetë Shën Pali ka deklaruar se ka predikuar, ndër të tjera, edhe në Iliri: „Kështu, e kam shpallur plotësisht ungjillin e Krishtit, nga Jerusalemi e përqark deri në Iliri.“ (Letër Romakëve, 15:19). Kur u nda Perandoria Romake, në vitin 379, Iliria i përkiste politikisht pjesës lindore, por nga ana fetare mbeti nën Kishën e Romës. Pas skizmës së vitit 1054, pjesa dërmuese e tokave shqiptare mbeti nën juridiksionin politik dhe fetar të Perandorisë Bizantine dhe të Kishës Ortodokse, kurse veriu mbeti nën Perandorinë Romake dhe katolike. 


Shënimet historike flasin se qysh para ardhjes së osmanlinjve në Ballkan, ndaj edhe në tokat shqiptare, feja islame është përhapur pjesërisht në dy drejtime: në bregdetin ilirik-shqiptar nëpërmjet tregtarëve muslimanë dhe në pjesën e brendshme nëpërmjet mistikëve (sufive) nën orientimin e Baba Sari Salltukut. Tek në shek. XVII fillon përhapja e Islamit ndër shqiptarët, tanimë shumë më herët të nënshtruar nën Perandorinë Osmane. Fillimisht Islamin e pranojnë aristokratët shqiptarë dhe bijtë e tyre, që jetonin nëpër qytete, e më vonë edhe pjesët rurale të tokave shqiptare. Arsyet për konvertim janë politike, sociale, ekonomike dhe sigurisht fetare, por gjithsesi jo me dhunë e shpatë, siç pretendohet zakonisht. 


Me dobësimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe me marrjen hov të përpjekjeve për pavarësim nga e njëjta dhe me krijimin e kombeve të reja, në tokat shqiptare i shohim iluministët shqiptarë të fesë islame dhe krishtere, se si ndërveprojnë ngushtë e shumë natyrshëm për krijimin e kombit shqiptar dhe ruajtjen e vlerave tradicionale shqiptare, krahas ruajtjes së diferencave fetare që i kishin. 


Duke qenë se shumica e shqiptarëve ishin dhe akoma janë muslimanë, detyrimisht përfundojmë se shumica është ajo që mund ta destabilizojë ose ta mbajë të qetë një vend dhe një popull. Rrjedhimisht, shqiptarët muslimanë janë faktori kryesor paqeruajtës, pa e mohuar edhe kontributin e shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë. Shqiptarët muslimanë këtë e bëjnë në radhë të parë për shkak se kështu i mëson feja e tyre, Kur’ani dhe Sunneti i Muhammedit a.s. si dhe tradita shumëshekullore e muslimanëve anekënd botës.


“Islami në Shqipëri ishte tolerant dhe e mbronte tempullin e çdo feje, si kishat ashtu edhe xhamitë”, shkruan Roberto della Roka.


Studiuesi i mirënjohur, Hajrudin Muja, tregon me fakte se: “Udhëpërshkruesi Italian Pagafeta (1568) kishte parë vetë se si murgjit e krishterë jetonin të lirë në mesin e muslimanëve, kurse udhëpërshkruesi francez Palerine (1582) ishte habitur me kallogjerët që kishin pasuri të madhe, liri të plotë e mbrojtje nga muslimanët!”


Frang Bardhi përmend ndihmën që i kishin dhënë shqiptarët muslimanë në ndërtimin e kishës së shembur të Kabashit, kurse dhjetë shtëpitë e islamizuara të fshatit Kalvaç jepnin ndihmë vjetore për të mbajtur priftin e katundit.


Kryemyftiu i Shqipërisë, Vehbi Dibra, në Kongresin Musliman Shqiptar të mbajtur më 1923, duke u treguar delegatëve për gjendjen fetare dhe duke theksuar se vëllazërimin dhe bashkimin kombëtar duhet mbajtur mbi gjithçka, thotë: “Sikurse e dini zotëria juej, popullsia e Shtetit tonë përmbahet prej tre elementesh, d.m.th. mysliman, katolik dhe ortodoks, po në pikëpamje të kombësisë në mest kemi një vëllaznie të plotë e të patundshme, e nuk mund të thohet e të kuptohet asnji send qi e tund atë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e sejcilli asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet.“


Kurse Molla Idris Gjilani shprehet se „kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut“.


Ndërkaq Fan S. Noli këtë dukuri tolerante të shqiptarëve e sqaron si më poshtë: “Prej gjithë akuzave, paragjykimeve dhe gabimeve, me të cilat kërkojnë të rëndojnë supet tona, kjo është më e padrejta dhe më e pabaza. Megjithëqë elementi mysliman ka shumicën në Shqipëri, nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojë aq, gjer në indiferentizëm, tolerancë feje, sa në Shqipëri. Prova e faktit, për të cilën me të drejtë krenohen të gjithë shqiptarët, është, që në krye të Qeverisë së sotme jam unë, një peshkop ortodoks, dukuri e panjohur edhe për shtete ortodokse”.


Pashko Vasën, megjithëse një i krishterë, Perandoria Osmane e kishte emëruar për qeveritar të Portës së Lartë në Liban!Ai, më vonë, duke parë rrezikun e përçarjes dhe copëtimit të shqiptarëve, do ta thurrë të famshmen poemë: „O moj Shqypni, e mjera Shqypni“:


„O moj Shqypni, e mjera Shqypni, 


Kush te ka qitë me krye n’hi?


Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, 


Ndër nji qind çeta jeni shpërnda; 


Ca thone kam fè, ca thonë kam din; 


Njeni: “jam turk”, tjetri: “latin” 


Do thonë: “Jam grek”, “shkje”- disa tjerë, 


Por jemi vllazën t’gjith, more t’mjerë!


Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, 


Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, 


E mos shikoni kisha e xhamia: 


Feja e shqyptarit asht shqyptaria!“


Sidomos dyvargëshi i fundit shpesh është përdorur dhe përdoret akoma, fatkeqësisht, si një pretekst për jofetarinë ose ateizmin. Këtë metaforë të autorit për bashkëjetesë dhe bashkëveprim në kohë krizash, e kanë marrë fjalë për fjale dhe mundohen ta zbatojnë për qëllime të errëta anti-shqiptare. Autori katolik nga Shkodra nuk ka qenë as ateist e as anti-musliman, por e ka vënë, bashkë me rilindasit e tjerë, dimensionin kombëtar mbi dimensionin fetar të identitetit shqiptar. 


Akademik Mark Krasniqi, në lidhje me këto vargje të Pashko Vasës thotë: “Së këndejmi vargjet e Vaso Pashë Shkodranit “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk janë shprehje e patriotizmit romantik të shek. XIX, por konstatim i së vërtetës, dëshmi e vetëdijes së lartë kombëtare. Këto vargje shumëkush i keqkupton si shprehje e mendimit ateist, antifetar. Poeti ynë ka qenë besimtar katolik dhe patriot, ai nuk ishte kundër fesë, por ishte i mendimit se për shqiptarët, sikurse edhe te popujt e tjerë, mbi të gjitha duhet të jetë interesi kombëtar, duhet ta duam kombin me një dashuri të ngritur në shkallën e dashurisë ndaj religjionit dhe feja të mos jetë element ndasie në asnjë mënyrë në mes të shqiptarëve, por kusht i vetëm për ekzistencë kombëtare shqiptare”.


Është e qartë se fetë kanë elemente të përbashkëta dhe përbashkuese, por edhe të ndryshme dhe ndarëse. Kjo vlenë edhe për fetë me libra hyjnorë, si hebreizmi, krishterimi dhe Islami. Ekstremistët e të gjitha feve i theksojnë dallimet dhe mbi këto dallime të feve e ndërtojnë pastaj fanatizmin e tyre për fenë e vet, duke përjashtuar, nënvlerësuar dhe anatemuar çdo gjë nga fetë e tjera. Të moderuarit ose mesatarët ndërkaq, të vetëdijshëm për dallimet midis feve, ata i gjurmojnë dhe i theksojnë elementet e përbashkëta dhe përafruese, me çka krijojnë një bashkëjetesë të harmonishme me ithtarët e feve të tjera. Këtë e kanë bërë gjithnjë ata që Zoti i ka destinuar të jetojnë bashkë ose afër me pjesëtarët e feve të tjera. Ata kanë arritur që, përskaj dallimeve në disa pika të feve të tyre, mbi të përbashkëtat të krijojnë apo të mbindërtojnë shtresa të tjera të një identiteti të përbashkët kombëtar ose kulturor. Këtë rast e gjejmë te shqiptarët, te arabët dhe te shumë popuj e kombe të tjera. 


Në veçanti sot kur, falë globalizimit, bota është zvogëluar e shndërruar në një „fshat“ heterogjen, sa asnjë shtet nuk mund të pretendojë homogjenitetin e asnjë lloji brenda kufijve të tij, bashkëjetesa e elementëve të ndryshëm mbi një platformë të përbashkët vlerash është më se e domosdoshme se asnjëherë më parë. Prandaj, shtetet moderne, të mbështetura në parimin e sekularitetit, që nuk nënkupton armiqësi të pushtetit ndaj fesë, por baraslargësi të tij ndaj bashkësive të ndryshme fetare, fetë dhe ndikimet pozitive të feve i shohin si një mundësi shtesë për krijimin e një bashkëjetese të harmonishme midis qytetarëve të tyre. 


Duke qenë se Republika e Kosovës është një shtet akoma i brishtë, jo i formuar dhe i njohur ndërkombëtarisht sa duhet, i kërcënuar në vazhdimësi nga shteti serb, o sot o kurrë ka nevojë për një kohezion dhe afërsi e mbështetje më të madhe midis qytetarëve të saj. Kjo në radhë të parë vlen për shqiptarët atje, pavarësisht se cilës fe apo riti fetar i përkasin. Politikanët, intelektualët, shkrimtarët, artistët, gazetarët dhe mediet e tyre, por mbi të gjitha, përgjegjësit e bashkësive fetare me imamët, priftërinjtë dhe pastorët e tyre shqiptarë, duhet ta kenë këtë të qartë dhe duhet të bashkëpunojnë fuqishëm, sikurse rilindasit tanë të shek. XIX-XX, për ruajtjen e kohezionit brenda shtetit. Këta faktorë relevantë nuk duhet të lejojnë që këtë kohezion e harmoni ta dëmtojnë ekstremistët e asnjërit kënd, të cilët janë të aftë të manipulojnë me mësimet fetare dhe ta instrumentalizojnë fenë për arritjen e synimeve të tyre të errëta. Përndryshe, pasojat do të jenë fatale, siç i kemi parë në të kaluarën, por edhe tash, në vende të ndryshme të botës. Fuqia pozitive e fesë mbi ndjekësit e saj, në rast të keqpërdorimit nga ana e ekstremistëve, shkakton dëme të paparashikueshme për mbarë shoqërinë.


T’i kthehem sërish temës së konvertimeve. Në fjalinë e parë të këtij artikulli e përdora në thonjëza togfjalëshin „konvertime masive“, për të vënë në dukje se konvertimet e këtilla të kohëve të fundit nga i ashtuquajturi “Grupi i Deçanit” nuk duken se janë konvertime të mirëfillta dhe as nuk janë masive. 


Secili njeri, në shtetet moderne, ka të drejtë të jetë besimtar i një feje ose tjetre ose edhe të mos jetë fare fetar. Secili ka të drejtë të besojë se feja dhe besimi i tij është më i drejtë, më i saktë, më i vërtetë. Mirëpo këtë të drejtë për ta besuar e thënë të njëjtën gjë për fenë e vet, duhet t’ia njohë edhe tjetrit, atij që i takon një feje tjetër, si dhe atij që pohon se është ateist. Secili pastaj ka të drejtë, për arsye të ndryshme, ta ndërrojë besimin, fenë ose mosbesimin. Nga një fe të kalojë në një fe tjetër ose në ateizëm, ose edhe nga ateist, të kalojë në një fe të caktuar. Këtë nuk ka të drejtë ta kontestojë askush.


Mirëpo, instrumentalizimi nga medie e grupe të caktuara i konvertimeve, duke e njollosur e përulur fenë e vëllait tjetër shqiptar, është dukuri e pështirë që po merr përmasa gjithnjë e më pezmatuese, në këtë rast te komuniteti shqiptar musliman. 


Unë personalisht gjithnjë kam qenë dhe jam kundër publikimit të rasteve kur individë të caktuar konvertohen në fenë tonë islame. Gjithnjë e kam mbrojtur mendimin se çdo konvertim nga një fe apo nga një rit fetar në një tjetër është në radhë të parë një qëndrim personal dhe privat i personit apo i personave që konvertohen. Feja jetohet dhe mbrohet, ndër të tjera, edhe emocionalisht nga ana e ithtarëve të saj, prandaj secili konvertim shkakton sa gëzim te komuniteti ku kalohet, po aq edhe zhgënjim dhe hidhërim te komuniteti që lëshohet. 


Duke qenë se ne, si hoxhallarë e priftërinj, sot jemi të thirrur dhe të angazhuar në ndërtimin e urave të bashkëjetesës dhe të harmonisë ndërfetare në vend dhe në diasporë, janë shumë të dhimbshme spektaklet që organizohen për të promovuar konvertitët e akësecilës fe. Në vend të përforcimit të jetës fetare në mesin e ithtarëve dhe krijimin e një platforme të përbashkët vlerash me të tjerët, për të mbindërtuar pastaj edhe vetëdijen kolektive kombëtare, ne shqiptarët muslimanë e të krishterë, me këto gjeste e minojmë atë që na lanë trashëgim iluministët dhe rilindasit tanë. Ne po e tradhtojmë emanetin e tyre. 


Nëse edhe përskaj krejt këtij fakti të madh e të dukshëm, se me këto sjellje e lëvizje po e rrënojmë kohezionin e brendshëm të trungut shqiptar, vazhdojmë sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sikur këtu paskemi të bëjmë me lirinë e shprehjes dhe të besimit, atëherë domosdo shtohen dyshimet se këtu nuk kemi të bëjmë me konvertime të mirtëfillta e të sinqerta, porse me agjenda të rrezikshme e kërcënuese për kombin. Përgjegjësia për ta parandaluar dhe ndaluar këtë bie, në radhë të parë, mbi qeveritë, mbi politikanët, mbi intelektualët, mbi mediet dhe gazetarët e përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, si dhe, pashmangshëm, mbi udhëheqësit e bashkësive apo komuniteteve fetare bashkë me hoxhallarët e priftërinjtë e tyre.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi