Krijimi i njeriut në formën më të bukur nga ana e Allahut xh.sh., është një nga veprat më madhështore të Tij. Parimisht, krijimi i njeriut kishte për qëllim që kjo krijesë të madhërojë dhe njohë Allahun si të Vetmin Zot, Krijues dhe Furnizues. Në kuadër të falënderimit është edhe namazi (lutja), me të cilin, me bindje e respekt të plotë, besimtari i përulet Zotit, Sunduesit të gjithësisë. Namazi si lidhje dhe komunikim i drejtpërdrejtë në mes të krijuarit dhe Krijuesit, në këtë formë dhe në këtë numër, nuk mund të gjendet në asnjë fe tjetër. Ky adhurim i veçantë shtrëngon dhe forcon dashurinë në mes besimtarëve në shumë rrafshe dhe në shumë dimensione. Ai mbetet një faktor stabiliteti e progresi dhe bashkim i qëndrimeve e lehtësim për ballafaqim me sfidat që kanë kapluar këtë dynja. Në rrafshin fetar, feja islame namazin e konsideron si lutje që s’mund të kompensohet as me para e as me mjete të tjera. I dërguari i fundit i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., porosit e urdhëron në shumë hadithe dhe inkurajon besimtarin, që të mos e ndërpresë këtë lidhje dhe komunikim me Krijuesin e tij. “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet Allahu, u rrëqethen zemrat e tyre, kur u lexohen ajetet e Tij - u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm tek Zoti i tyre. Dhe të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me se i furnizuam Ne, ata japin. Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme”. (El-Enfalë, 2-4)
Namazi është shenjë e pastërtisë së përditshme. Resulullahu ka thënë : “Çka mendoni, sikur të ishte një lumë para derës së ndonjërit prej jush, në të cilin do të lahej për çdo ditë nga pesë herë, a do të mbetej në të ndyrësi? Thanë: -Nuk do të mbetej kurrfarë ndyrësie. Lajmëtari a.s. tha: - Ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. Allahu, me faljen e namazeve i shlyen mëkatet. Namazi, po ashtu pastron dhe shlyen mëkatet”. Pejgamberi a.s., po ashtu deklaron se Pesë namazet prej njërit deri te tjetri, namazi i xhumasë prej njërit deri tek tjetri dhe prej një ramazani gjer në ramazanin tjetër, janë pastrues të mëkateve në mes tyre, nëse ruheni prej mëkateve të mëdha. Falja e namazit, mbjell dhe ushtron dashurinë që fëmija duhet të ketë karshi prindërve, familjes, farefisit, shoqërisë dhe shtetit. Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka thënë: -“E kam pyetur të Dërguarin a.s.: Cila punë është më e dashur tek Allahu i Madhëruar? Tha: Namazi në kohën e vet. -I thashë: Pastaj cila? Tha: - Bamirësia ndaj prindërve. -I thashë: Pastaj cila? Tha: -Xhihadi në rrugë të Allahut. Po ashtu, namazi është mjeti më i sigurt dhe më garantues që, nëse kryhet me përpikëri dhe me përmbajtje, shpie drejt e në Xhenet”. Një njeri ka thënë: -O i Dërguar i Allahut, më trego për një punë që do të më shpjerë në Xhenet dhe do të më largojë nga Xhehenemi! I Dërguari a.s. tha: -Ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh asgjë, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe t’i mbash lidhjet farefisnore A dëshironi t’ju tregoj se me se shlyen Allahu mëkatet tuaja dhe me se i lartëson gradat tuaja? Të pranishmit i thanë: -Po, o i Dërguari i Allahut! I Dërguari a.s. u tha: -Marrja e abdestit edhe atëherë kur është vështirë, shkuarja e shpeshtë në xhami dhe pritja e namazit. Kjo është fortifikatë, kjo është fortifikatë”. Me namaz Muhamedi a.s, shprehte falënderimin dhe madhërimin e tij ndaj Allahut Fuqiplotë. Nëna e besimtarëve dhe njëherazi bashkëshortja e Muhamedit a.s., Aisheja r.a. ka thënë: “I Dërguari a.s. çohej natën (dhe falej) aq gjatë, saqë këmbët i qenë ënjtur, prandaj unë i thashë: Përse po vepron kështu, o i Dërguar i Allahut, kur t’i ka falur ty Allahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet? Ai tha: A të mos jem rob falënderues”? Këtë obligim, e kemi amanet nga i Dërguari Allahut, Muhamed Mustafaja, që ta mbjellim dhe përcjellim tek gjeneratat e reja me dashuri dhe respekt. Ai ka porositur që t’i urdhërojmë fëmijët tanë për namaz kur t’i kenë shtatë vjet, kurse të bëjmë presion përherë nga pak edhe duke i rrahur pak, kur t’i bëjnë dhjetë vjet. Namazi, për myslimanin mbetet eusebia në çdo kohë dhe vend.
Dituria Islame 238