Gënjeshtrat e fëmijëve janë zakonisht të padëmshme, por kjo nuk do të thotë që prindërit duhet t’i injorojnë. Nëse prindërit nuk reagojnë ndaj gënjeshtrave të vogla, fëmija mund të krijojë zakonin e gënjeshtrës. Fëmijët e vegjël shpesh nuk e kuptojnë se po gënjejnë derisa prindërit t’u shpjegojnë këtë, pasi ata ende nuk janë në gjendje të dallojnë qartë mes realitetit dhe botës së tyre të imagjinatës.
Fëmijët nuk gënjejnë me qëllim të keq; ata kanë një imagjinatë të gjallë dhe shpesh krijojnë histori që i perceptojnë si të vërteta. Roli i prindërve është thelbësor për t’u shpjeguar dallimin midis imagjinatës dhe realitetit. Shpeshherë, fëmijët shpikin histori që do të ishin të vërteta. Ata mund të gënjejnë për të tërhequr vëmendjen, për të përfituar diçka, për të shmangur ndëshkimin, për t’u dukur më të mirë ose për të impresionuar të tjerët. Prindërit duhet të kultivojnë tek fëmijët ndjenjën e së mirës dhe së keqes, pasi kjo do t’i ndihmojë të përballojnë situatat e vështira të jetës.
Fëmijët që përpiqen të duken më të guximshëm shpesh kanë mungesë vetëbesimi. Në këto raste, prindërit duhet t’i mbështesin dhe t’i ndihmojnë të ndërtojnë siguri në vetvete. Nga ana tjetër, fëmijët që përjetojnë abuzim ose neglizhencë shpesh gënjejnë për shkak të frikës nga ndëshkimi ose për të krijuar një botë imagjinare më të bukur. Ata gënjejnë gjithashtu për të tërhequr vëmendjen që u mungon dhe që e ndiejnë se e meritojnë.
Prindërit që janë tepër të rreptë nuk duhet të habiten nëse fëmijët e tyre përdorin shpesh gënjeshtra. Në këto raste, fëmijët shpesh kanë frikë të zhgënjejnë prindërit ose përpiqen të shmangin ndëshkimin.
Gjithashtu, prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos përdorin gënjeshtra para fëmijëve të tyre. Nëse fëmija sheh se prindi gënjen, ai mund ta perceptojë këtë si diçka të pranueshme. Nëse vini re që fëmija juaj gënjen, përpiquni të kuptoni arsyen pas kësaj sjelljeje. Kur e kapni fëmijën duke gënjyer, mos e akuzoni ose kërcënoni, por flisni me të me qetësi dhe inkurajojeni për të qenë i sinqertë.
Së bashku me fëmijën vendosni rregulla të qarta sjelljeje dhe qëndroni konsekuentë në zbatimin e tyre. Edhe nëse ndonjëherë një gënjeshtër e vogël mund t’ju duket e pafajshme ose qesharake, mos ia tregoni këtë fëmijës, sepse kështu mund ta nxisni të vazhdojë me gënjeshtrat. Gënjeshtrat e fëmijëve duhet të shihen si pjesë e procesit të rritjes, por është e rëndësishme t’u shpjegohet që gënjeshtrat nuk janë të pranueshme. Në të njëjtën kohë, sinqeriteti duhet të vlerësohet dhe të shpërblehet për t’i nxitur ata të jenë gjithmonë të ndershëm.