Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, pas një angazhimi të gjatë dhe të thelluar, ka finalizuar me sukses përkthimin e Kuranit “Kurani Fisnik- Përkthimi në Gjuhën Shqipe”.
Ky projekt, fryt i një përkushtimi shumëvjeçar, shënon një moment të rëndësishëm në konsolidimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të besimtarëve shqiptarë.
Përgatitja dhe redaktimi i këtij botimi kanë qenë rezultat i një pune intensive nga ana e këtij institucioni duke reflektuar një standard të lartë akademik dhe një respekt të pashoq për saktësinë e tekstit hyjnor.
Realizimi i këtij projekti ka qenë një ndërmarrje e përbashkët në mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Dianetit të Turqisë, dy institucione me një histori të pasur bashkëpunimi në fushën e promovimit të vlerave fetare dhe kulturore. Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe, një kontribut monumental i myderrizit të njohur Haxhi Sherif Ahmeti për herë të parë u botua në vitin 1988 në Prishtinë, që prej asaj kohe ky përkthim u ribotua në formate dhe edicione të ndryshme. Ribotimi aktual është rezultat i një procesi rigoroz të redaktimit dhe korrektimit gjuhësor i cili ruan me kujdes thelbin e përkthimit origjinal duke synuar përsosjen e tij përmes një qasje më të pasur gjuhësore dhe stilistike.
Në funksion të furnizimit të besimtarëve mysliman me këtë vepër të shenjtë në gjuhën shqipe pritet që në të ardhmen e afërt të realizohen tirazhe të reja të cilat do të jenë lehtësisht të disponueshme për komunitetin.
Kurani fisnik, përkthimi në gjuhën shqipe do të shpërndahet si dhuratë për institucionet dhe besimtarët duke bartur mesazhi frymëzues “Kurani dhuratë për ty”.