Ezani i parë i namazit në Beograd


Më 28 gusht të vitit 1521, ushtria e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm përfundimisht e mori Beogradin nga hungarezët. Beogradi gjatë kohës së sundimit osman, ishte fillimisht qendër e Sanxhakut të Smederevës, përkatësisht Pashallëkut të Beogradit. Ishte një prej qendrave më të mëdha tregtare në Gadishullin Ballkanik. Shënimi i parë për xhamitë është i lidhur me vitin 1521. Ai gjendet në Ditarin e ekspeditës të Sulejmanit ndaj Beogradit. Në atë ditar është e shënuar “Me ndihmën e Zotit kalaja e Beogradit sot është marrë. […] Muejzimi mbretëror nga qyteti e thërret ezanin. Më 26 Ramazan, e premte [...] Sulltani i madhnueshëm nëpërmjet të urës së ndërtuar i gëzuar kalon dhe vjen në Beograd. Ai ka pezulluar shërbimin nga e premtja.”(1)
Përkitazi me këtë Evilja Çelebiju, udhëpërshkruesi dhe historiani i njohur, duke e përshkruar Beogradi thotë se ezani i parë është kënduar në muret e Kalasë së Beogradit, që më vonë quhet Kalemegdan, të enjten më 26 ramazan të vitit 927, që do të thotë më 30 gusht të vitit 1521. Në Beograd të parët kanë hyrë: Gazi Huservbeu, san xhakbeu i Smederevës dhe Kuçuk Belibegu, beg i Bosnjës. Datën e njëjtë e thekson edhe Peçevija, ndërsa në analet e Dubrovnikut përmendët një ditë më vonë, pra, më 31 gusht 1521.(2) 
Nga Beogradi, gjatë kohës së Ramazanit, kanë shkuar një numër i madh i imamëve për faljen e namazit të taravive në këto vende:
Nish, Zrenjanin, Pançevë, Novi Sad, Veternik, Sremiçicë, Rruga ushtarake, Zemun, Beogradin e ri, ndërsa në Bajrakli Xhaminë, falja e namazit të taravive është bërë me ndërrime, është kënduar mukabele dhe çdo ditë janë mbajtur ligjëratat e rregullta. Myftiu i Beogradit shpesh është angazhuar në dhënien e fetvave (shpjegimeve), mbajtjen e vaizëve, pjesëmarrjen në akademi të përfaqësuesve diplomatik dhe ambasadave të shteteve të huaja, të akredituara në Beograd.(3) 
Sa i përket numrit të xhamive në Beograd, vështirë mund të dihet numri i saktë i tyre. Shënimet e udhëpërshkruesve janë mjaftë kon troverse njëri me tjetrin, po ashtu ka edhe pak burime arkivore. Mirëpo, Beogradi kishte një numër të madh të xhamive, mesxhideve, teqeve dhe të objekteve të tjera të kulturës islame. 
Pas pushtimit të Budimit më 1541 nga osmanët, kur Beogradi nuk ishte më qytezë kufitare filloi ndërtimi më të madhe i xhamive. Në vitin 1560, Beogradi kishte 16 xhami, nga të cilat 10 në qytezë dhe 6 në kala.(4) Në shek. XVI dhe XVII vazhdon ndërtimi i xhamive të reja. Në vitin 1673, Hans Kunc në udhë përshkrimet e tija shkruan se në Beograd kishte 30 ose 40 xhami turke, të mbuluara me plumb.(5) Në vitin 1688, në Beograd kishte 51 xhami. Në fund të shek. XII dhe në fillim të shek. XVIII janë ndërtuar edhe 4 xhami dhe 22 mesxhide. Pra, në Beograd gjatë sundimit osman, sipas këtij burimi, kishte më se 50 xhami, ndërsa sot është vetëm një.(6) Mirëpo, sipas Evlija Çelebiut, (shek. XVII) shkruan se në Beograd kishte 270 xhami. Hazim Sha banoviq, thekson se ky numër është i ek za gjeruar, dhe se në Beograd kishte rreth 80 xhami. Çelebiu përmend me emër 30 xhami në të cilat falej namazi i xhumasë në atë kohë.(7) 
Në vitin 1573, një prej udhëpërshkruesve të njohur të asaj kohe, Shtefan Gerlih, flet për Beogradi i cili që atëherë e merr pamjen e qytezës orientale. Në të, autori, udhëpërshkruesi në gjuhën gjermane sheh shumë “kisha turke”, siç zakonisht quheshin xhamitë.(8) Udhëpërshkruesi anglez Peter Mondi, në punimin e tij “Udhëtimi nëpër Evropë 1608- 1667”, në mes të tjerash, shkruan se në vitin 1620, Anglia e dërgoi në Portë ambasadorin e ri Xhon Ersin, ndërsa Pol Pinder, ambasador i deritanishëm, largohet nga Stambolli dhe niset në drejtim të Beogradit me shoqërues të shumtë dhe me bashkëpunëtorë, që ishin 56 persona. Në mesin e atyre personave ishte edhe Peter Mandi. Ky përshkruan rrugën nëpër të cilën ka kaluar Pinderi. Më 1 qershor 1620, kishte arritur në Beograd. E përshkruan gjerësisht pozitën e qytetit, popullatën etj.. Për kalanë e qytetit thotë se ishte një qytet i tërë, me xhami, me banja, me sahat etj.. Në këtë kala banonin vetëm “turqit”. Beogradi kishte 2.000 familje, nga të cilat 60-70 ishin hebreje, e të tjerat myslimane dhe krishtere.(9)
Udhëpërshkruesi i madh osman, Evlia Çelebiu, kishte qëndruar në Beograd në vitin 1660 dhe e përshkruan atë dhe shënon se në Beograd ka 270 xhami, 12 mesxhide, 7 hamame, 3 tyrbe, 160 saraje, 6 karavan-saraje, 21 hane dhe një han i imaretit, çezmat (26), sebilhane për ujë (600), dhomat e beqarëve (7), banjat publike (7), shëtitoret, kishat, varrezat, çarshinë dhe tregun, jep të dhëna edhe për popullsinë, gjuhën etj..(10) Në këtë kohë, sipas Çelebiut, Beogradi kishte 98.000 banorë, nga të cilët vetëm 21.000 nuk ishin myslimanë. 
Shoqëria mjekësore e Londrës në vitin 1669 e dërgon mjekun Eduard Braun për në Lindje. Ai në Beograd shënon një kala të madhe dhe një qytezë të madhe tregtare, si dhe jep të dhëna të tjera për Beogradin. Përkitazi me xhamitë ai shkruan: “Majat e minareve janë në qindra xhami, të cilat Beogradi i ka pasur, sipas Haxhi Kallfës në shek. XVII, banjën e mrekullueshme dhe objekte të tjera monumentale….”(11) 
Në Beograd ka ekzistuar musala ose na - mazgjahu. Këtu myslimanët gjatë peri udhës së verës, të premten dhe ditën e Bajramit, janë falur në musalë – namazgjah. Ky ishte një vend i hapur, rrethuar me minare dhe mihrib. Sipas musalës është quajtur mëhalla dhe xhamia më e afërt.(12) 
Sipas një nënkoloneli austriak, në viti 1777 në Beograd kishte rreth 1.200 serbë, 200 shtëpi jevreje, gati 20.000 turq, nga të cilët 4.000 jeniqerë.(13) 
Pas vitit 1783, në lagjet e Beogradit kishte 6.000 shtëpi “turke”(14) dhe 800 shtëpi serbe, ose 5200 familje “turke” me rreth 31.260 banorë dhe 600 familje me 5.600 banorë serbë. Pra, kishte rreth 35.160 banorë.(15) Në Beograd, më 1794 ka rënë murtaja dhe kanë pësuar 4.494 banorë.(16) 



Beogradi në vitin 1788


Në vitin 1862, Beogradi kishte 2.328 ndërtesa dhe shtëpi, nga të cilat 842 serbe dhe gati dyfish shtëpi myslimane, 1.486. Në vitin 1862, pas një rrëmuje, në Beograd, popullata myslimane ka ikur në kalanë e Beogradit, ku u vendosën rreth 600 myslimanë. Më pastaj, më 13 shtator 1862, banorët myslimanë fillojnë me të madhe të shpërngulen, e kjo vazhdon dhe pak vite, sepse pushteti serb kishte dhënë këtë urdhër që: “Myslimanët e Serbisë mund të mbesin në vatrat e tyre, që t’i mbajnë të gjitha të mirat, por me këto kushte: që të kthehen në fenë e stërgjyshërve, e nëse këtë nuk e dëshirojnë, atëherë mund të jenë serbë me fe myslimane dhe nëse as këtë nuk e duan, atëherë mund të regjistrohen si romë, po nëse as këtë nuk e dëshirojnë, atëherë duhet të shpërngulen nga Serbia”.(17)



“Bajrakli Xhamia” në Beograd


Në planin urbanistik të Beogradit në fund të shekullit XVIII janë shënuar 40 rrugë, siç janë: “Rruga e shqiptarëve” (“Arnautska ulica”), “Jahja – rruga e Pashës”, “Rruga e Çaushit”, “Rruga e Muftisë”, “Rruga e Deli Hasanit”, “Rruga e Xhamisë së Re” (Nova džamijska ulica), “Kulla e Stambollit” (“Cari - grad ska kula”), “Rruga e Bajrakut” (“Bajrak ulica”) etj.(18) Edhe mëhallët janë quajtur sipas veçorive të popullatës, si ajo shqiptare, greke, hebraike, cincare etj.. 
Sipas një rekonstruksioni letrar për gjendjen nga kalimi shek. XVIII në atë XIX: “Beogradi i atëhershëm ishte i ndarë në mëhallë të ndryshme - turke, krishtere, jevreje dhe mëhallën rome. Ato njëra prej tjetrës ishte e ndarë me rrugë të ngushta dhe të shtrembra, të cilat zakonisht ishin të rrethuara me mure të larta. Tërë ana turke është ndarë në 15-16 xhemate-lokalitet-mëhallë, dhe secili xhematë e kishte xhaminë e vetë, myezinin-hoxhën, varret e veta te xhamia dhe çashmen e vet. Tërë popullsia e tij përbëhej nga dy e treta turke dhe një e treta jo e plotë përbëhej nga të krishterët, jevrejët dhe romët. Në atë kohë kishte vetëm disa rrugë dhe dyqane... Pjesët më të rëndësishme ishin Dorqolli, Bit-pazari dhe rruga e Stambollit...”.(19)
Menjëherë pas kryengritjes së parë serbe, më 1804, filloi rrënimi i xhamive dhe objekteve të tjera të kulturës islame në Beograd dhe treva të tjera të Pashallëkut të Beogradit. Njëherësh filluan edhe vrasjet dhe dhuna ndaj popullatës myslimane dhe rrënimi i objekteve të trashëgimisë të kulturës islame. 
Në një letër, udhëpërshkruesi serb, Petar Zh. Petroviq, letra XX, datë 5 qershor 1808, për Beogradin shkruan se është qytezë e madhe, ndërmjet Savës dhe Danubit, që ia japin një bukuri të veçantë… Ka shumë xhami turke nga guri. Minaret ngrihen mbi to. Shihen nga larg dhe jo pak e zbukurojnë vetë qytetin. Vetëm në njërën prej tyre “turqit” kryejnë lutjet fetare, ndërsa të tjerat janë të shkreta. Disa prej tyre janë shndërruar në dyqane tregtare, ndërsa në të tjera, siç i kishin treguar atij, kullotnin derrat. Sipas këtij udhëpërshkruesi, në Beograd ka mjaft turq, që jetojnë në varfëri të madhe dhe mjerim. Mjerim është që të shihen ata, atyre kurrë nuk sheh fytyra të qeshura.(20) Në kështjellën e epërme të Beogradit është xhamia me arkitekturë të bukur, e cila nga gjatësia është mjaft e madhe, por brenda nuk ka asgjë.(21) 
Felix Kanitz, udhëpërshkruesi, arkeologu, gazetari dhe ilustratori austriak, duke vizituar Beogradin, shënon se në vitin 1861 kishte 15 minare. Në vitin 1887, kur e viziton herën tjetër Beogradin pohon se nga 15 xhami e ka gjetur Bajrakli Xhaminë. Më pastaj thekson se në Beograd ka ekzistuar Batal Xhamia, një ndër ndërtesat më madhështore dhe më të bukura në “Vilajetin serb”. Ai e përshkruan xhaminë dhe rrënimin e saj në vitin 1869 dhe në vend të saj ndërtohet ndërtesa e Kuvendit të Serbisë.(22) 



Batall Xhamia në Beograd, e rrënuar rreth vitit 1869, në vend të saj është 
ndërtuar ndërtesa e Kuvendit të Serbisë.


Nikolla Llazro, raportuesi special për Illustrazione Italiana, gjatë luftës në vitin 1876 thotë: “Në Beograd gjendën edhe dy xhami myslimane: njëra e mbyllur me dyer të mu rosura, e tjetra e hapur, madje edhe gjatë kohës së luftës pasardhësit e profetizuar, të lindur në Beograd kanë vazhduar kryerjen e ceremonive të pastrimit dhe të lutjeve.”(23) Më vonë, në Beograd, kishte mbetur vetëm një xhami, Bajrakli Xhamia, të tjerat të gjitha ishin rrënuar. 
Me dëbimin e myslimanëve nga Pashallëku i Beogradit, nga ata janë marrë 5 milionë hektarë tokë punuese, e cila u është ndarë serbëve, pastaj rreth 100.000 objekte ndërtimore (shtëpi, dyqane etj.). Janë shkatërruar ose janë rrënuar rreth 600 objekte dhe janë plaçkitur rreth 300.000 frymë të bagëtive etj.. Shumë raportues të huaj kanë raportuar: “Shumë pak ka popuj në botë që kanë pasur fatin tragjik sikurse myslimanët e Serbisë. Ata, sikurse Hazari, janë humbur me tërë bastionin e tyre, me tërë atë që e kanë pasur, sikurse kurrë mos të ekzistonin. Është krijuar shkatërrimi frontal e gjithë asaj që ka ngjarë me islamin dhe me turqit.” Me ndryshimin e popullatës në Serbi, ka filluar edhe procesi i ndryshimit të jetës, zakoneve jetësore dhe shprehive të mëparshme….(24)



_________________________
1. Gliša Elezović, Turski spomenici I-II, Beograd, 1940; G. Elezovic, Iz putovanja Evlije Čelebije, ICSAN I, 1-2, 1948; Prilog proučavanju starog Beograda - Bajrakli Džamija (pdfslide.net) 
2. Hamdija Jusufspahić, Istočna diaspora, Glasnik, VIS u SFRJ, god. XLII, Sarajevo, januar-februar 1979, f. 290. 
3. Po aty, f. 291. 
4. Оlga Zirojević, Rajnhold Lubeau o Beogradu i Srbiji 1587 godine, Godisnjak grada Beograda XIII, Beograd 1966, f. 49–63. 
5. Hans Kunitz, Türckhische Reiß-Beschreibung 1673–1674^ Ms. Halle. U: Михаил П. Йонов, Немски и австрийски пътеписи за балканите ХVII – средата на ХVIII в., София 1986, f. 158. 
6. Djurić – Zamalo, D. (1964-1965). Prilozi poz na vanju beogradski Džamija. Prilozi za orientalnu filologiju, 14-15, f. 123-140. 
7. Hamdija Jusufspahić, Istočna diaspora, Glasnik, VIS u SFRJ, god. XLII, Sarajevo, januar-februar 1979, f. 290. 
8. Svetlana Strugarević (Master rad) Džamije iz proslosti Beograda, Filoloski fakultet Uni verziteta u Beogradu, Beograd 2014, f. 15. 
9. Peter Mundy: The Travels of Peter Mundy in Europe and Asia, 1608-1667. Vol. I. Travels in Europe, 1608-1628, Cambrige, 1907; Zdenka Levantat, Britanski putnici u našim krajevima od sredine XV veka do početka XIX veka, Gornji Milanovac, 1989, f. 80. 
10. Evlija Čelebi, Putopis, Sarajevo, 1957, f. 75-94. 
11. Feliks Kanic, Srbija – Zemlja i stanovništvo, lib. 1, v. e c. f. 25. 
12. Aleksander Fotić, Devet priloga istorije turskog Beo grada, Godišnjak grada Beograda XXXVIII – 1991, f. 104. 
13. S. Vinaver, Tursko stanovništvo u Srbiji za vreme Prvog srpskog ustanka, Istorijski glasnik 2 (1955), 43; Jovana Šaljić Raković, Iz trurskog vakta u novo doba, Mislimansko stanovništvo Srbije 1968- 1912, Beograd, 2020, f. 18. 
14. Meqë autori popullatën myslimane e quan turke, ndonëse aty kishte edhe të nacionaliteteve të tjera, si: shqiptare, rome, boshnjake etj., fjalën turke e kam futur në thonjëza. 
15. T. P. Vukanović, Naselja u Srbiji u doba prvog srpskog ustanka…, p.i c., f. f. 87. 
16. Tih. R. Djordjević, Iz Srbije, knjaza Miloša, Stanovništvo i naselja, Beograd, 1924, f. 277. 
17. Po aty. 
18. Tatomir P. Vukanović, Naselja u Srbiji u doba prvog srpskog ustanka 1804-1813, Vranjski Glasnik, knj. XI, Vranje, 1975, f. 8 
19. Vladimir Stojančević, Gradovi, varoši, palanke i trzista pred srpsk ustanak 1804. godine, Kulturna istorijska problematika, Gradska kultura na Balkani (XV-XIX vek), Zbornik radova, SANU, Balkanološki institut, Beograd, 1984, f. 152. 
20. Petar Ž. Petrović, Putovanja po južnoslovenskim zem ljama u XIX veku, Beograd, 1934, f. 18. 
21. Po aty, f. 13. 
22. Feliks Kanic, Srbija – zemlja i stanovništvo od rimskog doba do kraja XIX veka, Prva Knjiga, Beograd, 1985, f. 73-74. 
23. Србија током рата 1876. године. Београд: Отк ровење, jan. 2006, N. Lazaro, f. 12; Svetlana Strugarević, Svetlana Strugarević, (Master rad) Džamije iz prošlosti Beograda, Filološki fakultet Univerziteta u Beogradu, Beograd 2014, f. 16. 
24. https://forum.klix.ba/progon-muslimana-srbije-1830-1867- godine-t103457.html. Qasja 2 tetor 2020.


 


Prof. dr. Jusuf Osmani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Urime për muajin e bekuar Ramazan