Transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. në një hadith kudsi ka thënë: "Unë jam i treti në partneritet përderisa nuk ka mashtrime, nëse njëri prej partnerëve mashtron tjetrin, unë tërhiqem nga ai partneritet".


Definimi i musharaka-s


Në aspektin gjuhësor fjala Musharaka rrjedh prej rrënjës së foljes shereke, që domethënë 'ndaj'. Nganjëherë kjo fjalë përdoret edhe si synonim i termit el-shirka. Kjo e fundit, el-shirka, bazuar në literaturën klasike, ka kuptim më të gjerë sesa musharaka. El-shirka përfshin në vete Shirkatul mulk, që domethënë 'pronësi e përbashkët e një pasurie të caktuar', dhe shirkatul akd që ka kuptimin e partneritetit në biznes si rrjedhojë e një kontrate të përbashkët. E termi Musharaka, ashtu siç përdoret në financat moderne, ka kuptimin e partneritetit në biznes dhe i takon një partneriteti kontraktues.(1)
Juristët kanë dhënë disa shpjegime rreth kuptimit terminologjik të Musharaka-s.(2)
Hanefijtë: musharaka është një kontratë partneriteti në mes të partnerëve në kapital dhe në fitim.
Shafiijtë: musharaka është konfirmim i të drejtave të dy a më shumë njerëzve rreth një pasurie të caktuar.
Hanbelijtë: musharaka është shkrirja e të drejtave dhe liria për të përdorur, që nënkupton se disa partnerë shkrijnë të drejtat e tyre e disa autorizohen për të përdorur pasurinë e njëri tjetrit.
Malikijtë: lejimi apo autorizimi i njërit partner për të bërë transaksione me pasurinë në partneritet, i cili në të njëjtën kohë mban të drejtën për të bërë transaksione me të njëjtën pasuri.
Nga shpjegimet e përmendura rreth domethënies së musharaka-s, është e qartë se shumica e dijetarëve atë e definojnë me kuptim më të gjerë të shirka-s. Shpjegimi i dijetarëve që i takojnë shkollës juridike Hanefite, e afron këtë më shumë me llojin e kontratave të një partneriteti modern. Ky shpjegim i përshtatet më shumë konceptit të musharaka-s të aplikuar në kohën tonë, kur fitimet ndahen në përqindje sipas marrëveshjes paraprake, ndërsa humbja ndahet në proporcion me kapitalin e investuar. Në musharaka të gjithë partnerët kontribuojnë me kapital dhe kanë të drejtën e përfshirjes në menaxhim, por nuk janë të obliguar. Dijetarët mund të kenë ndonjë dallim rreth formës, kushteve dhe detajeve të ndryshme të aplikimit, por të gjithë pajtohen për ligjshmërinë e saj.(3)


Ligjshmëria e musharaka-s


Ligjshmëria e musharaka-s si një kontratë partneriteti ka mbështetje në Kur'an, Synet dhe në konsensusin e juristëve myslimanë.
Janë disa ajete kuranore që citohen për mbështetje të konceptit të musharaka-s. Njëri prej tyre është ajeti që inkurajon ndihmën e njëri- tjetrit dhe bashkimin e aktiviteteve për qëllim të mirë:
"Ndihmoni njëri-tjetrin në drejtësi dhe devotshmëri". (El Maide, 2)
"... me të vërtet ka partner në biznes që mashtrojnë njëri-tjetrin, përveç atyre që kanë besuar dhe punojnë punë të mira, por të tillë janë pak...". (Sad, 24)
Për mbështetje nga Syneti, transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. në një hadith kudsi ka thënë:" Unë jam i treti në partneritet përderisa nuk ka mashtrime, nëse njëri prej partnerëve mashtron tjetrin, unë tërhiqem nga ai partneritet".
Pejgamberi a.s. në shumë raste ka aprovuar praktikimin e musharaka-s dhe në një rast ka thënë: 'Dora e Zotit është me ata dy partnerë përderisa ata nuk mashtrojnë njëri-tjetrin'.


Kushtet dhe elementet e Musharaka-s


Elementet e musharaka-s përfshijnë: renditjen e fjalive (ofertën dhe pranimin), palët kontraktuese (dy a më shumë palë në kontraktim) dhe lëndën e kontratës (kapitali dhe puna). Kontraktimi konsiderohet i plotë nëse palët kanë shprehur qëllimin e partneritetit; palët kontraktuese duhet të jenë persona kompetent ose duhet të jenë të autorizuar për veprim. Lënda e kontratës që është kapitali, duhet t'i plotësojë këto kushte:
- Kapitali për pjesëmarrje duhet të jetë në para të gatshme, ar, argjend apo kundërvlerë e tyre; në këtë aspekt nuk ka mospajtime në mes të dijetarëve.
- Kapitali mund të përbëhet nga mallra të tregtisë, pasuri, pajisje etj.. Gjithashtu mund të jetë edhe në formë pasurie të paprekshme, siç janë patenta, të drejtat për biznes a prodhim e të ngjashme, duke i vlerësuar ato në kundërvlerë me para të gatshme, sipas ujdisë së partnerëve.


Llojet e musharaka-s


Ekzistojnë disa klasifikime të musharaka-s, të bëra nga juristët duke u bazuar në qëllime të ndryshme. Bazuar në kushtet e partneritetit, duke pasur parasysh të drejtat dhe obligimet e partnerëve, nëse kanë apo nuk kanë të drejta të barabarta në shfrytëzimin e kapitalit dhe ndarjen e fitimit, musharaka ndahet në dy lloje: inan (partneritet me aksione të pabarabarta) dhe mufavada (partneritet me aksione të barabarta). Detajet e këtyre dy llojeve të musharaka-s janë këto në vijim:


A. Inan (partneritet me aksione të pabarabarta)


Kjo kontratë parakupton që dy a më shumë persona janë të përkushtuar për të paguar aksione të caktuara në kapital; kjo do të përdoret në tregti dhe fitimi do të ndahet në mes tyre sipas përqindjes së caktuar, për të cilën janë pajtuar. Kjo nuk kërkon barazi në investime dhe secili nga partnerët mund të jetë pronar aksionesh të ndryshme e të pabarabarta në partneritet. Gjithashtu nuk është e kushtëzuar barazia e statusit personal apo e përndarjes së fitimit dhe përgjegjësive në mes të partnerëve.
Në këtë lloj të musharaka-s, secili nga partnerët konsiderohet agjent apo përfaqësues i tjetrit në veprimet që kanë të bëjnë me kapitalin dhe transaksionet e kompanisë. Një karakteristikë e partneritetit në këtë kategori është edhe kjo, se partnerët në biznes mund të veprojnë si agjentë a përfaqësues të të drejtave të njëri-tjetrit, por jo edhe si garantues. Kjo do të thotë që asnjëri prej partnerëve nuk mund të garantojë detyrimet e partnerit tjetër dhe nuk mund të futet si garantues edhe me kapitalin e partnerëve.


B. Mufavada (Partneritet me aksione të barabarta)


Në këtë lloj të musharaka-s secili partner ka aksione të barabarta me ato të partnerëve të tij në kapital, profit dhe liri të veprimit. Barazia në investime, status personal dhe ndarja e profitit dhe detyrimeve, është kusht i kësaj kategorie. Ka mendime dhe shpjegime të ndryshme nga dijetarë të ndryshëm, në lidhje me kompetencat dhe detyrimet e partnerëve, sepse, përderisa kërkohet barazi në të gjitha aspektet, kjo është pak e komplikuar dhe jo shumë praktike për t'u aplikuar në transaksionet moderne.
Bazuar në lëndën e kontratës, musharaka është tri llojesh(4):


A. Nëse lënda e kontratës (investimi) është në formë parash të gatshme, ajo quhet shirkatul emwal, ku të gjithë partnerët investojnë një shumë të parave në një ndërmarrësi komerciale.
B. Nëse lënda e kontratës (investimi) është në formë kontributi me punë fizike, ajo quhet shirkatul amal, ku të gjithë partnerët ndërmarrin të punojnë në një projekt a shërbim klientëve dhe të gjitha të ardhurat e gjeneruara ndahen në mes tyre sipas përqindjes për se kanë rënë dakord, pa marrë parasysh faktin se sa do të ketë kontribuar secili partner.
C. Nëse lënda e kontratës (investimi) është reputacion dhe besueshmëri, ky partneritet quhet shirkatul vuxhuh, sipas kësaj kontrate palët produktet i blejnë me pagesë të shtyrë dhe i shesin me pagesë të menjëhershme. Fitimi ndahet sipas marrëveshjes paraprake.


Rregullat bazike të musharaka-s


Musharaka është një marrëdhënie e themeluar në mes të palëve përmes një kontrate të përbashkët. Prandaj të gjitha elementet kryesore të një kontrate të rregullt duhet të plotësohen dhe, përveç tyre, ekzistojnë kushte të cilat vlejnë vetëm për musharaka, siç janë: ndarja e fitimit, pjesëmarrja në humbje, menaxhimi në partneritet dhe ndërprerja e kontratës para përfundimit të biznesit.


Ndarja e fitimit


Për përqindjen e ndarjes së fitimit në mes të partnerëve duhet të dihet në fillim të marrëveshjes, para se të hyj në fuqi kontrata; nëse nuk është caktuar kjo përqindje, sipas rregullave të Sheriatit, kontrata nuk është e plotë. Përqindja e fitimit për secilin partner duhet të ndahet në përpjesëtim me akumulimin e fitimit, dhe nuk është e domosdoshme që të ndahet sipas përqindjes së kapitalit të investuar.(5) Dijetarët e shkollave juridike kanë dhënë mendime rreth përqindjes për ndarjen e fitimit: Shafiijtë dhe Malikijtë janë të mendimit se përqindja e ndarjes së fitimit duhet të jetë përqindje e shumës së investuar, ndërsa Hanefijtë dhe Hanbelijtë janë të mendimit që përqindja e ndarjes së fitimit, duke u bazuar në faktin se njëra palë mund të kontribuojë edhe me eksperiencë edhe në menaxhim, mund të jetë e ndryshme nga përqindja e investimit. Dhe ky i fundit është mendim më i përshtatshëm dhe më bashkëkohor, me të cilin veprohet në ditët e sotme. Rreth ndarjes së fitimit është shumë me rëndësi një gjë: nuk duhet të jetë shuma e caktuar si pagesë në një kohë të caktuar për asnjërin partner, duke u bazuar në shumën fillestare të investimit. Për shembull, nëse personi A dhe personi B kanë hyrë në partneritet dhe janë pajtuar që personi A duhet të marrë 1000 Euro si pagesë mujore a tremujore në emër të aksioneve të tij në biznes, ndërsa shuma tjetër i takon personit B, ky partneritet nuk i plotëson kushtet e partneritetit sipas rregullave të musharaka-s dhe është jo i ligjshëm. Ngjashëm me këtë, nëse ata janë pajtuar që personi A të marrë 10 për qind të vlerës së kapitalit të tij të investuar, kontrata është po ashtu e pavlerë. Baza e ligjshme për ndarjen e fitimit është ndarja e një përqindjeje të paracaktuar të fitimit të realizuar në biznes.


Pjesëmarrja në humbje


Ndërrmarrësia në biznes nuk sjell gjithmonë fitim, sepse ndodh të ketë edhe humbje. Në raste përfundimi të projektit me humbje, të gjithë dijetarët janë të pajtimit që secili partner duhet të marrë pjesë në humbje në bazë të përqindjes së investuar. Nëse njëri partner ka investuar 30 për qind, patjetër të marrë pjesë në humbje 30 për qind, as më shumë e as më pak. Çdo marrëveshje ndryshe nga kjo kontratë, sipas kritereve që ka musharaka, është jo e ligjshme.


Menaxhimi në musharaka


Në këtë ndërmarrësi biznesi të gjithë partnerët kanë të drejtë të marrin pjesë në menaxhim dhe të punojnë në projekt, sepse që të gjithë kanë kontribuar me kapitalin e tyre. Ekziston mundësia që partnerët të pajtohen që vetëm njëri prej tyre të udhëheqë menaxhimin, kurse të tjerët të mos marrin pjesë në këtë udhëheqje. Në këtë rast, partnerët pasivë kanë të drejtën e fitimit dhe përqindja e fitimit që kanë të drejtë ta marrin ata, nuk mund ta kalojë përqindjen e investimit në projekt, për shkak se nuk janë aktivë, mirëpo mund të jetë më e vogël sesa përqindja e investimit.


Ndërprerja e kontratës në musharaka


Biznesi i nisur në konceptin e musharaka-s supozohet të zgjasë aq sa janë pajtuar në fillim të gjithë partnerët, mirëpo ka situata kur njëri nga partnerët, për arsye të ndryshme, dëshiron ta ndërpresë partneritetin. Nëse njëri prej partnerëve dëshiron ndërprerjen, sa kohë që partnerët e tjerë dëshirojnë ta vazhdojnë atë, kjo duhet të rregullohet me marrëveshje të dyanshme. Partnerët që dëshirojnë të vazhdojnë projektin, i blejnë aksionet e personit që dëshiron ndërprerjen e punës, sepse ndërprerja ose dalja e njërit partner nga biznesi nuk i obligon edhe të tjerët ta ndërpresin partneritetin e filluar në mes tyre. Partneriteti sipas konceptit të musharaka mund të ndërpritet para kohe në ndonjë prej këtyre rasteve.


A. Secili partner ka të drejtë ta ndërpresë partneritetin në çdo kohë pasi t'i ketë informuar partnerët për këtë vendim. në këtë situatë, nëse asetet e partneritetit janë para të gatshme, ato ndahen ndërmjet partnerëve dhe secili merr përqindjen për të cilën kishin rënë dakord para fillimit të partneritetit. Mirëpo, nëse asetet nuk janë para të gatshme, partnerët mund të pajtohen t'i shndërrojnë në para të gatshme duke i shitur ose duke i ndarë asetet midis tyre. nëse ka mospajtime ndërmjet partnerëve për mënyrën se si të veprohet me asetet, të shndërrohen në para të gatshme duke i shitur, apo të ndahen ashtu siç janë, atëherë përparësi do të ketë ndarja e aseteve, sepse, pas ndërprerjes së partneritetit në musharaka, të gjitha asetet janë në pronësi të përbashkët dhe bashkëpronari ka të drejtë të kërkojë ndarjen e tyre dhe askush nuk mund ta detyrojë t'i shesë ato. Ndërkaq, nëse asetet nuk mund të ndahen, siç janë makineritë e ndryshme, atëherë ato duhet të shiten dhe të ardhurat nga shitja të ndahen në mes të partnerëve.
B. Nëse ndonjëri prej partnerëve vdes, kontrata e partneritetit e bërë me të, duhet të ndërpritet. Trashëgimtarët e tij në këtë rast kanë të drejtën të tërheqin aksionet nga biznesi ose të vazhdojnë me një kontratë të re, mbi konceptin dhe kushtet e njëjta.
C. Nëse ndonjëri prej partnerëve bëhet i paaftë për veprim, qofshin ato paaftësi psikike a fizike, që e ndalojnë të veprojë në transaksione komerciale, atëherë kontrata me të llogaritet e përfunduar.


Musharaka si një produkt financiar


Musharaka është e aplikueshme në modele të ndryshme të financimit, disa prej të cilave janë si në vijim.


Financemi i projekteve


Musharaka është një prej modeleve që mund të përdoret për financim të projekteve të ndryshme me theks të veçantë kur investimi vjen nga palë të ndryshme. Rregullat dhe kriteret për financimin e këtij grupi të projekteve janë ato që u diskutuan në nëntitullin e ndërprerjes së kontratës.


Financimi i një transaksioni të vetëm


Koncepti i financimit sipas musharaka-s mund të përdoret për financimin e një transaksioni të vetëm. ky instrument mund të përdoret për financim të importit dhe eksportit. Një importues bën një kërkesë nga financuesi ose banka për të financuar importin e dëshiruar në një transaksion të vetëm, bazuar në këtë koncept. Atëherë hapet një LC (Letter of Credit) 'Letër kredi' me një margjinë fitimi duke përdorur formën e musharaka-s pasi të dalin nga porti produktet e importuara, procedohet shitja e tyre duke ndarë në fund fitimin e arritur sipas përqindjes për të cilën do të kenë rënë dakord në fillim të marrëveshjes. Në këtë rast, financuesi ose banka ka në pronësi përqindjen e financuar të mallrave të importuara. ky transaksion ka një kohëzgjatje të caktuar dhe, nëse mallrat e importuara nuk shiten deri në kohën e caktuar, atëherë importuesi mund ta blejë përqindjen e pronësisë nga financuesi dhe kështu bëhet pronar i vetëm i tyre. Shitja e tyre duhet të bëhet me çmim të tregut ose çmim për të cilin janë marrë vesh në mes tyre palët ditën e shitjes, po nuk duhet të ketë kurrsesi çmim të paracaktuar në kohën e marrëveshjes, para se të futen në kontratën e musharaka-s.
Ngjashëm me këtë, ky koncept i financimit mund të përdoret edhe për financimin e eksportit. Një eksportues ka një kërkesë eksporti, çmimi i të cilit është i ditur paraprakisht dhe mund të bëhet një llogari fitimi, që është një gjë e lehtë për kalkulim edhe për financuesin/ bankën, dhe fitimi duhet të ndahet bazuar në përqindjen për të cilën do të kenë rënë dakord paraprakisht. Për të siguruar veten nga ndonjë neglizhencë e klientit/eksportuesit, financuesi duhet të vërë kushte që eksporti të bëhet nga eksportuesi sipas marrëveshjes dhe, nëse ndodh ndonjë neglizhencë, përgjegjësinë për këtë duhet ta bartë eksportuesi. Nëse ndodhin humbje për shkak të neglizhencës ose keqpërdorimit të eksportuesit, humbjet i bart vetë eksportuesi, por, nëse humbjet shkaktohen nga arsye të tjera dhe jo nga neglizhenca apo keqpërdorimi i eksportuesit, atëherë në humbje merr pjesë edhe financuesi, sepse koncepti i bashkëpunimit është koncept partneriteti.


Financimi i kapitalit punues


Ky koncept i financimit mund të përdoret edhe për financimin e kapitalit punues të ndonjë biznesi që është në veprim, dhe kjo mund të bëhet në këtë mënyrë. Meqë financimi në musharaka mund të jetë edhe diçka tjetër përveç parave të gatshme, në këtë veprim duhet të merret në konsideratë kjo rregull: Kapitali i biznesit duhet të vlerësohet në pajtueshmëri të dy palëve dhe vlera e biznesit trajtohet si kapital investues për palën që kërkon financim, ndërsa shuma e investuar nga financuesi/ banka si kapital investues për pjesën e mbetur. Marrëveshja e këtij partneriteti bëhet për një kohë të kufizuar, si për shembull për disa muaj apo për një vit. Të dy palët pajtohen për përqindjen që i takon financuesit, e cila nuk kalon përqindjen e investimit, sepse financuesi nuk punon për këtë biznes. Kur të kalojë koha e caktuar, të gjitha asetet e biznesit, likuide dhe jolikuide, vlerësohen përsëri dhe fitimi ndahet me përqindjen për të cilën kishin rënë dakord në fillim. Edhe pse ka mendime se fitimi nuk mund të caktohet përveç kushtit nëse të gjitha asetet shndërrohen në para të gatshme, në aspektin e sheriatit nuk ka ndonjë ndalesë specifike në qoftë se vlera e aseteve është caktuar në pajtueshmëri me të dyja palët.


Musharaka mutenakisa (partneriteti me zvogëlim pronësie)


Musharaka mutenakisa është një formë tjetër e partneritetit, e cila është zhvilluar në vitet e fundit nga dijetarët. Sipas këtij koncepti, financuesi/banka dhe klienti së bashku marrin pjesë në pronësi të përbashkët të një pasurie apo pajisje ose në ndonjë projekti komercial. Ky koncept është partneritet në të cilin banka islame pranon të transferojë gradualisht tek partneri tjetër, pjesën që e ka në pronësi, kështu që pronësia e bankës zvogëlohet, kurse pronësia e partnerit tjetër rritet në mënyrë graduale derisa ai të bëhet pronar i vetëm i asetit të financuar. Pjesa që i takon financuesit, ndahet në numër të njësive dhe është e qartë se klienti do t'i blejë ato një nga një, dhe kjo duhet të ndodhë për një interval kohor derisa t'i blejë të gjitha njësitë dhe kështu ai bëhet pronar i vetëm i pasurisë ose projektit komercial.
Ky partneritet mund të marrë forma të ndryshme, në varësi prej transaksioneve. Në vijim janë dhënë disa shembuj:


A. Përdorimi i këtij modeli për financimin e shtëpive banimi. Klienti dëshiron të blejë një shtëpi për të cilën nuk ka para të mjaftueshme. Ai kërkon nga banka që ajo të marrë pjesë në blerjen e shtëpisë së tij; banka dhe klienti merren vesh që të financojnë së bashku për blerjen e shtëpisë. Banka dhe klienti pajtohen që 20% e shtëpisë të paguhet nga klienti i cili merr atë përqindje në pronësi, kurse 80% paguhet nga banka dhe ajo merr në pronësi të njëjtën përqindje. Pas blerjes së shtëpisë, klienti përdor për banim shtëpinë dhe i paguan bankës qira për pjesën e pronësisë që ka banka.
Në të njëjtën kohë pronësia e bankës është ndarë në 8 njësi të barabarta, secila njësi përfaqëson 10% të pronësisë së shtëpisë. Klienti i premton bankës se në çdo tre muaj ai do të blejë nga një njësi prej bankës dhe kështu rrit pronësinë e vet e zvogëlon pronësinë e bankës. Sa herë që klienti të blejë edhe një përqindje tjetër të pronësisë, vlera e qirasë zvogëlohet për të, sepse do të paguajë qira vetëm për përqindjen e mbetur në pronësinë e bankës.
B. Nëse personi A dëshiron të blejë një veturë për të punuar taksi duke ofruar shërbime të transportit për biznes dhe i ofrohet personit B, i cili pajtohet të financojë për blerjen e veturës deri në 80% të vlerës së saj. Kështu veturën e blejnë bashkërisht që të dy, dhe vetura taksi futet në veprimin për se është blerë. Fitimi neto i shërbimeve të transportit ndahet sipas përqindjeve të pronësisë dhe personi B si financues e pronar 80%, merr këtë përqindje nga ky fitim, kurse personi A merr 20% të fitimit, sepse pronësia e tij është vetëm 20%.
C. Në të njëjtën kohë kur është bërë marrëveshja dhe është marrë vendimi për blerjen e veturës, përqindja e pronësisë së personit B si financues është ndarë në 8 njësi, për të cilat është dakorduar që personi A t'i blejë gradualisht nga financuesi, derisa t'i blejë të gjitha njësitë dhe të bëhet pronar i vetëm i veturës, e cila tashmë është duke punuar si taksi.


_______________________________________
(1) Razali Hj Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions, (Kuala Lumpur: CT Publications, 1999), f.156 157.
(2) Zainal Azam Abdul Rahman ed, "Shariah Rules in Financial Transactions" (text book for students), (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 310-312.
(3) Saad Abdul Sattar Al Harran, Islamic Finance: Partnership Financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993), f. 75.
(4) Nabil A. Salih, Unlawful Gain and Legitimate Profit in Islamic Law, second edition (London: Graham & Trotman, 1992), f. 113.
(5) Abbas Mirakhor & Iqbal Zaidi, "Profit and Loss Sharing Contracts in Islamic Finance", ins. Handbook of Islamic Banking eds. M. Kabir Hassan & Mervyn K. Lewis (Massachusetts: Edward Elgar, 2007), f.51.


 


Dituria Islame 267


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Akademia solemne për "Diturinë Islame", vlerësime për misionin e saj