“Antagonizmi” fe – atdhe


Islami nuk bie ndesh asnjëherë me çfarëdo vlere njerëzore, me asnjë komb, me asnjë gjuhë dhe me asnjë racë.


Bindja e thellë dhe e paluhatur se Islami nuk bie ndesh asnjëherë me çfarëdo vlere njerëzore, me asnjë komb, me asnjë gjuhë dhe me asnjë racë, na bën që të mos heshtim përballë atyre që paraqesin Islamin dhe atdheun si dy armiqtë cilët rrezikojnë ekzistencën e njëri tjetrit. Kjo bindje që kundërshton këtë antagonizëm, nuk është bindje e ndërtuar mbi emocione, por mbi argumente hyjnore të qarta dhe të pakontestuara.
Gjatë çdo feste kombëtare e shtetërore, vërejmë dy tendenca ekstreme që thërrasin apo shprehin këtë antagonizëm. Tendenca e parë vjen nga ata që, të shtyrë nga fanatizmi apo interesi i tyre, kanë për qëllim sulmin ndaj Islamit, duke u munduar ta paraqesin si fe antikombëtare. Ndërsa, tendenca tjetër vjen nga disa myslimanë praktikues, por të manipuluar, që atdheun e tyre e konceptojnë thjesht si një tokë për të shkelur mbi të, duke mos ndier asgjë për përkatësin e tyre kombëtare, ngjashëm sikur nëna të shihet vetëm si asht, mish dhe gjak.
Kjo është një padrejtësi, ngase e vërteta qëndron në atë se dashuria ndaj Islamit nuk bie ndesh asnjëherë me dashurin ndaj atdheut. Përkundrazi, dashuria për fenë mbjell, ushqen, ngjall dhe shton dashurinë për atdheun. Zoti i Madhëruar në Kuranin famëlartë krahason vrasjen me dëbimin nga atdheu, thotë: " sikur Ne t'i urdhëronim ata:" Vriteni veten!:" ose "Lini shtëpitë tuaja...!"(1) Pra, janë krahasuar largimi i shpirtit nga trupi (vrasja) me largimin e trupit nga atdheu (dëbimin). Madje, dëbimin nga atdheu e llogarit si krimin më të rëndë dhe më të papërballueshëm për Muhamedin a.s., kur i drejtohet atij: "Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar..."(2) Pra, dëbimi nga atdheu renditet si krimi më i rëndë që komplotonin jobesimtarët për Muhamedin a.s..
Gjithashtu, dëbimi nga vendlindja merret si arsye për lejimin e luftës (vetëmbrojtjes), kur Zoti i Madhëruar thotë: "Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi... ata që janë dëbuar nga vatrat e tyre padrejtësisht..."(3) E si të pohohet se dashuria ndaj fesë cenon dashurinë ndaj atdheut, pas gjithë këtyre citateve hyjnore e të këtillat që vlerësojnë lart atdheun janë të shumta në Kuranin famëlartë?!
Kujtojeni se si Muhamedi a.s pas dëbimit të tij nga vendlindja e tij (Meka) i drejtohet asaj me lot në sy: "Pasha Zotin, ti je vendi më i dashur prej tokës së Zotit, dhe sikur të mos më nxirrnin prej teje, nuk do të dilja"(4). Po të ishte ndonjë mysliman "i mirë" i kohës së sotshme e t'i thoshte Muhamedit a.s.: "Ki frikë Zotin! Si derdh lot për vendin e "tagutit"që nuk praktikon sheriatin e Zotit?!"
Shikoni transmetimet autentike në koleksionet e Buhariut dhe të Muslimit, se si gjenerata e artë (shokët e Muhamedit a.s.) thurnin vargje për luginat, gurët, rërën, kodrat, puset e Mekës, vendlindjes së tyre, ndërsa, Muhamedi a.s kur dëgjon mallëngjimin e tyre për vendlindje emocionohet, mallëngjehet dhe lutet: "O Zot, mallkoje Utbe ibn Rrebian, Shejbe ibn Rrebian dhe Umeje ibn Halefin që na larguan nga atdheu ynë! ...O Zot na e bëj Medinën të dashur ashtu siç e duam Mekën..."(5)
Po! Ata e donin dhe mallëngjeheshin për atdheun e tyre, ngase Islami ua kishte ruajtur njerëzoren e pastër. Përmalloheshin për vend lindjen e tyre, edhe pse ajo ishte e stërmbushur me idhuj dhe aty qëndronin kokat e jobesimtarëve që kishin persekutuar, torturuar, vrarë e dëbuar besimtarët. Ah, sikur të ishte ndonjë mysliman "i mençur" i kohës së sotshme e t'u drejtohej shokëve të Muhamedit a.s: "Kini frikë Zotin! Si e doni dhe si mallëngjeheni për vendin e "tagutit", ku nuk sundon ligji i Zotit?!"
Shikojeni se si Muhamedi a.s. lutet dhe mbjell dashuri për atdheun kur thotë: " Në emër të Zotit, me dheun tonë (dheun e vendlindjes), shërohet i sëmuri ynë me ndihmën e Zotit tonë"(6). Pra, ilaçi që nxirret nga dheu, bima, bari, fryti i vendlindjes është më shërues. Kjo ishte edhe teoria e mjekut të famshëm Galen, por Muhamedi a.s këtë e përmendi para 14 shekujsh.
Islami thërret në vëllazërim kombëtar pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Fatkeqësisht, disa fanatikë mundohen ta përjashtojnë nga historia jonë kombëtare çdo figurë dhe veprimtar, vetëm për shkak të islamit të tij. Gjithashtu, në anën tjetër shohim ekstremin tjetër, i cili nuk heziton për të poshtëruar figura kombëtare vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare joislame. Por, Islami na mëson të kundërtën. Porosit për vëllazërim kombëtar, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Shikojeni se si Zoti i Madhëruar e cilëson pejgamberin e Tij, Nuhin a.s. kur thotë: "Populli i Nuhit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Por, vëllai i tyre - Nuhu u tha: frikësojuni Zotit."(7) Pra, populli i Nuhit a.s. ishte mohues i Zotit, por megjithatë, Zoti i Madhëruar e cilësoi Nuhun a.s. si vëlla i popullit të tij edhe pse ishte popull jobesimtar. Ngjashëm i cilësoi edhe pejgamberët e tjerë: Hudin a.s., Salihun a.s. dhe Lutin a.s..
Jo rastësisht, Zoti i Madhëruar përmend pejgamberin Shuajb a.s., i cili qe dërguar te populli Medjen dhe populli Ejke, në dy raste, në forma të ndryshme: "Banorët e Ejketit i quajtën gënjeshtarë të dërguarit. Por, Shuajbi u tha: frikësojuni Zotit!"(8) dhe:"Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllanë e tyre Shuajbin."(9) Shikojeni se si Zoti i Madhëruar nuk e cilëson Shuajbin a.s. si 'vëlla' të popullit Ejke, ngase ai ishte i dërguar tek ky popull si pejgamber, por nuk ishte i biri i këtij populli, ndërsa e cilësoi si 'vëlla' të popullit të Medjenit, ngase ishte bir i këtij populli.
Pra, Islami thërret në vëllazërim kombëtar pa marrë parasysh përkatësinë fetare. E gjithsesi mbjell, ushqen, ngjall dhe shton dashurinë ndaj atdheut, e assesi nuk bie ndesh me të.
Një mysliman i mirë duhet të jetë doemos një atdhetar i mirë!



_________________________________________
(1) An-Nisaa: 66.
(2) Al-Anfaal: 30.
(3) Al-Hajj: 39,40.
(4) TransmetonTirmidhiu.
(5) Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
(6) Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
(7) Ash-Shuaraa: 105, 106.
(8) Ash Shuara: 176, 177.
(9) Hud: 84


 



Mr. Isa Lushaku
Dituria Islame 329