Në rrëfimet e vjetra kineze tregohet historia e një perandori që, një ditë, vendosi të shpërblente një nga qytetarët e tij.
"Do të të jap aq tokë sa të mund të përshkosh me këmbë. Gjithçka ku do të shkelësh, do të jetë e jotja", i tha perandori.
Njeriu nuk u besonte veshëve. Zemra iu mbush me gëzim. Por, në vend që të mendonte se sa tokë i mjaftonte për të jetuar mirë, në mendjen e tij lindi menjëherë një pyetje tjetër: Sa shumë mund të marr? Dhe nisi të ecte.
Fillimisht ecte me hapa të shpejtë. Pastaj nisi të vraponte. Vraponte sikur pas tij të ishte dikush që po e ndiqte. Çdo kodër i dukej një mundësi për të fituar edhe më shumë tokë. Çdo luginë i dukej një pasuri që nuk duhej ta linte pas.
Vrapoi gjatë.
Pas shumë orësh, trupi filloi t'i rëndohej. Frymëmarrja iu bë e vështirë dhe këmbët mezi e mbanin. Atëherë mendoi: "Mjaft. Duhet të kthehem te perandori. Do t'i tregoj se deri këtu kam arritur dhe kjo do të jetë toka ime."
Por, sapo u përgatit të kthehej, hodhi sytë përpara.
Edhe pak, mendoi. Edhe ajo pjesë atje. Edhe ajo kodër. Edhe ajo luginë.
Lakmia i pëshpëriste se kishte ende shumë për të fituar dhe se kthimi tani do të ishte humbje. Kështu, në vend që të kthehej, vazhdoi. Vrapoi përsëri. Sa herë që lodhej dhe mendonte të ndalonte, i thoshte vetes: "Edhe pak." Por, ajo nuk mbaronte kurrë. Ai vazhdoi të vraponte, derisa trupi i tij nuk mundi më. Dhe nuk u kthye kurrë te perandori. Thuhet se e gjetën të shtrirë në tokë, të rraskapitur deri në vdekje.
Ironia ishte e hidhur: ai që kishte nisur udhëtimin për të fituar sa më shumë tokë, në fund nuk mundi të zotëronte as hapësirën ku ra. Sepse ai që kërkon të posedojë gjithçka, mund të përfundojë duke humbur gjithçka.
Edhe ne, shpesh, bëjmë të njëjtin gabim. Vrapojmë pas pasurisë, edhe kur kemi mjaftueshëm. Kërkojmë një sukses tjetër, edhe kur kemi arritur shumë. Kërkojmë më shumë famë, më shumë pushtet, më shumë gjithçka.
Dhe gjithmonë i themi vetes: "Edhe pak." Por, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është: "Sa më shumë mund të marr?" Por: "Sa është mjaft?" Sepse lumturia nuk gjendet gjithmonë te ajo që ende nuk e kemi. Shpesh ajo gjendet te aftësia për ta parë, për ta vlerësuar dhe për ta shijuar atë që tashmë na është dhënë. Prandaj, mëso të ndalesh. Mëso të thuash: "Më mjafton."
Falënderoje Zotin për atë që ke, për gjithçka që të ka dhënë, dhe thuaji me zemër:
"Faleminderit, Zot. Kjo që më ke dhënë është mjaft."