Ministria e Arsimit e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se të gjitha shkollat publike në vend do të rezervojnë çdo ditë një kohë të posaçme për faljen kolektive të namazit të drekës, gjatë orarit shkollor.
Vendimi u bë publik në shtator të vitit 2025 përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe më pas u raportua nga mediat lokale.
Sipas Ministrisë, nisma synon të pasqyrojë rolin e shkollës jo vetëm në edukimin akademik, por edhe në kultivimin e vlerave te nxënësit. Në deklaratën e saj, ministria theksoi se "shkollat janë një shtëpi për vlerat, po aq sa janë edhe për dijen", duke e paraqitur faljen e namazit të drekës si pjesë të përditshmërisë së nxënësve në institucionet publike arsimore.
Sipas raportimeve, namazi do të falet në mënyrë kolektive, ndërsa shkollat do të vënë në dispozicion hapësira të përshtatura për këtë qëllim.
Nisma shihet nga autoritetet arsimore si një mënyrë për të ndërthurur edukimin akademik me edukimin mbi vlerat dhe identitetin fetar. Sipas Gulf News, masa lidhet me përpjekjet për kultivimin e vlerave dhe forcimin e identitetit islam te nxënësit.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit zbatohet për shkollat publike të Emirateve të Bashkuara Arabe.