Qendra Myslimane në Chicago ka organizuar një aktivitet me dyer të hapura, duke mirëpritur banorë të besimeve të ndryshme për t'u njohur nga afër me Islamin, praktikat fetare dhe jetën e komunitetit mysliman. Përmes kësaj nisme synohet të luftohen paragjykimet, të kapërcehen dallimet kulturore dhe të forcohen marrëdhëniet mes myslimanëve dhe fqinjëve të tyre.
Një xhami në qytetin e Chicagos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka hapur dyert për publikun, në kuadër të një aktiviteti që synon afrimin e komuniteteve dhe promovimin e mirëkuptimit ndërfetar.
Aktiviteti u organizua nga Qendra Myslimane (Muslim Community Center), e cila prej afro gjashtë dekadash është pjesë e komunitetit lokal. Gjatë fundjavës, vizitorët patën mundësi të njiheshin me ambientet e xhamisë, të ndiqnin faljen dhe të mësonin më shumë rreth pesë shtyllave të Islamit, lutjeve dhe parimeve të kësaj feje.
Përveç informacioneve të prezantuara, pjesëmarrësit patën mundësi të bashkëbisedonin me myslimanët e zonës, të parashtronin pyetje dhe të merrnin përgjigje për çështje që shpesh shoqërohen me keqkuptime dhe paragjykime.
"Ishte një përvojë shumë interesante. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë këtë hapje dhe mundësinë për të bërë pyetje e për të kuptuar më tepër rreth Islamit. Është e rëndësishme që të gjithë të ndihemi më të afërt me njëri-tjetrin dhe të kuptojmë njëri-tjetrin, në vend që të krijojmë barriera", tha Paula Bui, njëra nga pjesëmarrëset.
Edhe Amy Montgomery, e cila vizitoi xhaminë së bashku me një grup banorësh, e vlerësoi mundësinë për të krijuar kontakte të drejtpërdrejta me fqinjët myslimanë dhe për t'u njohur më nga afër me jetën e tyre fetare.
Një nga temat kryesore të aktivitetit ishte sqarimi i keqkuptimeve që lidhen me Islamin dhe dallimi mes mësimeve fetare dhe praktikave të ndryshme kulturore.
Sabeel Ahmed, drejtor ekzekutiv i projektit GainPeace dhe vullnetar në xhami, theksoi se njerëzit nuk duhet t'i ngatërrojnë traditat e vendeve të ndryshme me mësimet e mirëfillta të fesë islame.
"Kur njerëzit shohin disa praktika në vende si Arabia Saudite, Iraku apo Irani, mund të mendojnë se ato përfaqësojnë Islamin, por në të vërtetë bëhet fjalë për praktika kulturore. Ne duam që njerëzit ta njohin Islamin dhe të informohen për mësimet e tij", deklaroi Ahmed për NBC Chicago.
Ai shtoi se njohja e këtyre mësimeve mund t'i ndihmojë njerëzit të kuptojnë vlerat e përbashkëta dhe faktin se, pavarësisht dallimeve fetare e kulturore, të gjithë janë pjesë e së njëjtës shoqëri.
Përfaqësuesit e Qendrës Myslimane vlerësuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për krijimin e lidhjeve më të forta ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare.
"Mes nesh dhe njerëzve të besimeve të tjera ka shumë më tepër gjëra të përbashkëta sesa mund të mendohet. Është e rëndësishme t'i gjejmë këto pika të përbashkëta dhe të ndërtojmë lidhje të forta", tha Shaad Syed, kryetar i komitetit të Qendrës Myslimane.
Sipas tij, ky ishte aktiviteti i dytë i këtij lloji që organizon qendra, ndërsa është paralajmëruar që nisma të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, me një tjetër ditë të dyerve të hapura.
Përmes kësaj iniciative, Qendra Myslimane synon të krijojë më shumë mundësi për dialog, njohje dhe bashkëpunim mes banorëve, duke dëshmuar se komunikimi i drejtpërdrejtë dhe respekti i ndërsjellë janë hapa të rëndësishëm drejt një shoqërie më të bashkuar.