Prof. Dr. Mursi Seadudin: Kam shkruar dhe do të vazhdoj të shkruaj për Kosovën

Ish-Zëdhënësi i parë zyrtar i Qeverisë së Egjiptit dhe ish-Presidentit Sadat, Prof. Dr. Mursi Seadudin, priti në një takim kortezie Prof. Dr. Beqir Ismailin.

Pasi i uroi shëndet dhe jetë të gjatë, Prof. Ismaili e njoftoi Prof. Dr. Mursin për rrjedhat e ngjarjeve më të reja në Kosovë, për formimin e Qeverisë së re dhe përpjekjet e Qeverisë për të arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve, për anëtarësimin në OKB.
“Vazhdimësia e shkrimeve në rubrikën tuaj personale në gazetën Al-Ahram me qëllim mbajtjen e opinionit të përgjithshëm në korent me çështjen e Kosovës –i tha atij Prof.Ismaili- është domosdoshmëri e padiskutueshme”.
Më pas Prof. Ismaili i kërkoi Prof. Seadudinit që të ushtrojë ndikimin e tij, nëpërmjet kanaleve dhe lidhjeve personale me institucionet egjiptiane, lidhur me sensibilizimin e çështjes së njohjes së Kosovës, prej Qeverisë vendase.
Pasi e falënderoi Prof. Dr. Ismailin për vizitën, të cilën ai e quajti nder të veçantë, ish-Zëdhënësi i parë zyrtar i Qeverisë së Egjiptit Prof. Mursi deklaroi: "Është fakt se Qeveria Egjiptiane ka pasur marrëdhënie të mira me Qeverinë e ish-Jugosllavisë. Por tashmë marrëdhëniet ndërmjet popujve të Egjiptit dhe Kosovës janë më të forta, pasi i lidhin shumë fije të përbashkëta të historisë së tyre. Nisur nga ky fakt, nuk ka mbetur veçse njohja zyrtare nga Qeveria aktuale Egjiptiane. Unë shpresoj se dita kur Kosova do të ketë Ambasadën e saj në Kajro dhe anasjelltas nuk është shumë e largët. Të gjitha përpjekjet e bëra në kuadër të marrëdhënieve tregtare apo kulturore –tha ai- janë mjaft të mira, por jo të mjaftueshme. Është e domosdoshme të njihet pavarësia e Kosovës dhe të lidhen marrëdhënie diplomatike dypalëshe. Përsa më përket mua personalisht, kam shkruar dhe do të vazhdoj të shkruaj në rubrikën time, në gazetën “Al-Ahram”, për çështjen e Kosovës".
I pyetur nga korrespondenti i Alba-Press se cila ishte arsyeja që e shtyri të shkruajë për Kosovën, Prof. Seadudini shprehet: "Shtysa kryesore që më nxiti të shkruaj për çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, ishte një takim që kam pasur me Prof. Dr. Beqir Ismailin në 1999. Në atë kohë Prof. Ismaili po shkruante një libër mbi masakrat serbe në Kosovë dhe më propozoi të shkruaja parathënien e librit. Harrova të them se Prof. Ismaili është një prej miqve të mi më të afërt që e dua dhe e respektoj si intelektual dhe mendimtar të kalibrit ndërkombëtar. Duke shfletuar faqet e këtij libri, zemra mu mbush me dëshpërim për çfarë po ndodhte me shqiptarët në Kosovë. Që nga ky moment fillova t’i përcjell lajmet brutale të masakrave dhe dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve atje.
Pozicioni im, brenda qenies time, ishte disi i çuditshëm –vazhdon ai. Kisha bërë disa vizita në ish-Jugosllavi dhe kisha takuar autoritete të ndryshme jugosllave. Nga takimet me to kisha ndërtuar një mendim krejt të ndryshëm nga ajo e vërtetë e hidhur që po shpalosej tani para meje. Takimet e herëpashershme me Prof. Ismailin, kontributi i tij i madh në mbrojtje të vendit dhe popullit të tij, librat e shumtë të shkruar në këtë fushë, filluan të rrëzojnë perden e endur para syve të mi dhe fillova ta shoh realitetin me ngjyra të tjera. Vazhdova të lexoj të gjitha librat (në mos gaboj është botuar një seri me mbi 30 libra për çështjen e shqiptarëve) që do të botonte Prof. Beqir Ismaili në vite - përfundon Prof. Seadudini”.
Prof. Dr. Mursi Seadudin është një figurë kyçe për historinë e mendimit bashkëkohor dhe një thesar i mrekullueshëm për Egjiptin, gjatë shtatë dekadave të fundit. Nëntëdhjetë vjeçari intelektual, politikan dhe shkrimtar i njohur, ka sjellë një frymë të re në mendimin egjiptian gjatë sundimit të monarkisë, frymë që e ka kultivuar në universitetet britanike, ku dhe ka studiuar, për ta çuar më përpara në të ardhmen, duke u bërë një prej figurave më të njohura përkrah pushtetarëve egjiptianë.

Ai mbarti mbi vete peshë të madhe në kohën e Presidentit Sadat, duke ushtruar dy detyra shumë delikate; e para si zëdhënësi i parë zyrtar i Qeverisë së Egjiptit dhe Presidentit Sadat; e dyta si President i Përgjithshëm i Informacionit Shtetëror Egjiptian.



Alba-Press, Kairo


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme