I riu musliman dhe planifikimi

Një nga pikat e dobëta më të theksuara të botës Islame, e në këtë rast edhe të të rinjve musliman, është planifikimi dhe programi i jetës dhe veprimtarisë së tyre.

Po, këtu mund të ngutet ndonjë që sipërfaqësisht i sheh sendet dhe thotë se programi i jetës sonë është Islami, por nëse fillon ta pyesësh më hollësisht do ta shohësh se ai veprimet e veta i ka krejt të pa planifikuara dhe të pa programuara, ndërkaq Islami mëson që muslimani duhet të jetë njeri që do të ketë program të qartë të jetës dhe veprimeve të veta.

Kur jemi duke folur për rininë, duhet pasur parasysh se kjo është shtresa e cila për fat të keq më së paku i kushton kujdes planifikimit, gjegjësisht planifikimit të kohës së lirë, veprimeve, kohës së mësimit, daljes me shokët, prezantimit në aktivitete të lira etj. Nëse i riu donë të jetë i suksesshëm, atëherë ai patjetër të ketë orar të qartë të veprimeve të veta me qëllim që çdo veprim ta merr hakun e vet nga koha e tij. Vetëm me kohë dhe veprime të programuara e të planifikuara mund të shpresojmë për një të ardhme të ndritshme të umetit tonë dhe mundësisë reale për të ecur në hap me kohën dhe për tu përballuar sfidave të kohës.

Nëse kthehemi në jetën e të dërguarit të Allahut, do të shohim se planifikimi i drejtë ka qenë metodologji e veprimit të tij, apo sunet. Ja disa shembuj për këtë:

1-Hixhreti: Me rastin e hixhretit për në Medine, i dërguari i Allahut dha shembullin më të mirë të planifikimit të punëve.
Ai e planifikoi rrjedhën e hixhretit, gjegjësisht personin i cili do ta shoqërojë, personin i cili do ta zëvendësojë në shtrat, kohën kur do të dalin prej shtëpie, anën e cila do të jetë rruga e largimit të tyre prej Medine, personin i cili do t’i shoqërojë, personin i cili do t’u sjell lajme dhe ushqim, strategjinë e udhëtimit etj.

2-Formimi i shtetit: Pas arritjes në Medine, i dërguari i Allahut poashtu kishte plan të qartë të ndërtimit të shtetit, gjegjësisht i ngriti të gjitha institucionet e nevojshme për funksionin normal të shtetit. Kështu, me të ardhur e ndërtoi xhaminë, e cila jo vetëm që ishte vend për namaz, por atëbotë luajti rolin e kuvendit, qeverisë, komandës ushtarake dhe qendrës sociale.
Krahas kësaj, vëri edhe vëllazërimin e muslimanëve mekas dhe medinas me qëllim që të forcohen lidhjet mes muslimanëve.

3-Përpilimi i kushtetutës: Me qëllim që të definohen punët, i dërguari i Allahut e përpiloi kushtetutën e shtetit Islam në Medine të njohur me emrin karta e Medines ku u parapanë të drejtat dhe obligimet e gjithë qytetarëve të Medines, musliman dhe jo musliman.

Nga këto, si dhe shumë shembuj tjerë, kuptojmë se i dërguari i Allahut i ka planifikuar çështjet që nënkupton se besimtari i cili pretendon se e ndjek sunetin e të dërguarit të Allahut, duhet të planifikojë, sepse planifikimi është prej sunetit të të dërguarit të Allahut.
Nëse i analizojmë mirë disa dukuri negative të kohës, do të shohim se një prej synimeve të tyre fondamentale është që të formojnë të rij musliman i cili nuk do të ketë të planifikuara çështjet e veta, por thjesht do të jetojë pa plan dhe program për veprimet e tij, gjegjësisht do të ketë tepricë kohe dhe do ta dëgjosh duke thënë se kam dal ta vras kohën. Ai nuk do të ketë program për veprimet e veta dhe as që do ta ndajë kohën e vet ashtu si duhet. Krahas gjithë anëve tjera negative, kjo mënyrë e jetës ndikon negativisht edhe në kryerjen e obligimeve fetare dhe ngritjen fetare të të riut, sepse e gjithë kjo kohë e pa planifikuar do ta ndalojë edhe nga kryerja e obligimeve fetare që duhet të jenë preokupimi i tij kryesor, dhe poashtu vetë ato duhet të jenë forma më e mirë e planifikimit të kohës.

I riu musliman duhet ta dijë shumë mirë se popujt e ngritur këtë shkallë e kanë arritur duke e respektuar maksimalisht kohën, duke e ditur vlerën e saj dhe duke i planifikuar punët dhe veprimet e tyre. Koha në të cilën jetojmë ne është mjaft dinamike dhe patjetër të mundohemi që të përfitojmë nga dinamizmi i saj, e kjo nuk mund të ndodh pa planifikimin e kohës dhe vënien e programit të qartë për detyrat e tij. Kurse i riu musliman, krejt këtë nuk ka nevojë që ta marrë prej tjerëve, por ai duhet t’i kthehet librit të Allahut të cilit i beson bindshëm dhe të lexon se Allahu xh.sh. betohet në kohën duke thënë:<>”Pasha Kohën”.Kjo i mjafton dëshmi e qartë dhe ma e fortë që ta kupton rëndësinë e kohës.
Në këtë rast, e shoh të arsyeshme t’i përmendi fjalët e mendimtarit të shquar bashkëkohor musliman Mustafa Tahhan i cili në mesh tjerash thotë: ”Brezi i ri islam i cili tenton mbi vete të marrë synimin e reformës dhe ndryshimit rrënjësor të ummetit islam në drejtim të së mirës, medoemos duhet pasur kujdes ndaj çështjes së kohës në veprimin dhe aktivitetin e tij...Është e vërtetë se planifikimi i kohës zë vend të rëndësishëm në jetën e një besimtari musliman. Lëvizjet islame të cilat synojnë reformat thelbësore, unionet e ndryshme studentore, xhematet islame si dhe të gjitha grupet të cilat tentojnë ndryshimin e pozitës shoqërore dhe individuale dhe daljen nga dekadenca e përjetuar gjatë kohës medoemos të vënë në llogari veten e tyre, t’i përcaktojnë detyrat e tyre parësore ndërsa kohën ta radhisin në elementet më të rëndësishme të domosdoshme...

Pa dyshim se pas vlerësimit të kohës pason domosdoshmëria e planifikimit të saj, mu ashtu siç bëjnë organizatat e mëdha me buxhetet e tyre para përfundimit të çdo viti, ku me kujdes shqyrtojnë humbjet dhe fitimet, sasitë e prodhimit dhe cilësinë e tyre.

E njëjta ndodh edhe me individët seriozë, xhematet islame, unionet studentore dhe partitë politike. Që të gjitha janë të obliguara ta planifikojnë kohën dhe ta shqyrtojnë bilancin e tyre të veçantë” (Aftësimi edukativ Islam, fq.152,155,160).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi