Shumë njerëz sot do të habiteshin, por ja që kjo gjë është një fakt. Në periudhën e parë të Shtetit Indipendent Shqiptar 1920-1939 Tiranën e kanë drejtuar jo pak, por tre hoxhallarë të shquar si kryebashkiakë.
Ata jo vetëm që e kanë drejtuar Tiranën si kryebashkiakë, por edhe kanë dhënë një kontribut të gjerë në jetën sociale dhe publike të Tiranës. Ata janë Zyber efendiu, që e drejtoi Tiranën në vitet e turbullta 1913-1914, kohë kur armiqtë e këtij kombi serbo-malazezët ishin turrur nga veriu dhe grekët nga jugu për ta shkatërruar Pavarësinë e Shqipërisë të shpallur në Vlorë. Ismail efendi Ndroqi, që e drejtoi Tiranën gjatë viteve 1917-1922, një nga kryebashkiakët më jetëgjatë gjatë Shtetit Indipendent e deri në vitin 1945, kohë kur regjimi komunist filloi t’i largojë me dhunë hoxhallarët nga jeta politike dhe publike. Djali tij është dr. Shefqet Ndroqi një nga mjekët më të shquar të pasluftës dytë botërore, emri i të cilit është bërë legjendë dhe është emërtuar spitali i kurimit të mushkërive në Tiranë, ose siç njihet rëndom nga tiranasit sanatoriumi i dr. Ndroqit. I treti është Ali efendi Dërhemi nga familja e mirënjohur bujare tiranase e Dërhemëve. Ali efendiu përveç të qenit kryebashkiak ka qenë një bamirës i njohur dhe ka marrë mirënjohjen e Monarkisë Shqiptare të Ahmet Zogut, duke u dekoruar me dekoratën e lartë urdhrin Skënderbej të klasit të parë. Ndërkaq regjimet vijuese kanë heshtur për kontributin e madh të këtyre tre hoxhallarëve, të cilët nuk kujtohen aspak. Ata përmenden me emrat e tyre të zakonshëm, por jo ashtu si njihesh hafiz Ismail efendiu, apo hoxhë Zyber efendiu. Ajo që i ka dalluar këta hoxhallarë dhe kryebashkiakë nga të gjithë të tjerët nuk kanë qenë thjesht vetëm aftësitë e tyre për menaxhimin e situatave të vështira, me të cilat u ballafaquan ata, por edhe besnikëria në punë ndaj amanetit të Zotit, që ata kishin marrë përsipër. Ata nuk e shfrytëzuan pozicionin e tyre në dëm të bashkësisë dhe në dobi të interesit të tyre personal, por u përpoqën maksimalisht për të mirën e përgjithshme të qytetarëve tiranas. Me keqardhje vërejmë, se është kthyer në tendencë për të heshtur ndaj kontributit të tyre të jashtëzakonshëm dhe nuk përmenden në jetën publike për t’i shuar nga kujtesa kolektive. Për këto kontribute që përmendëm, si dhe shumë të tjera, të cilat janë evidentuar tashmë nga botime të ndryshme historike e enciklopedike asnjë prej tyre nuk ka marrë mirënjohjen e Shtetit Shqiptar në këto festime të bujshme të 100 vjetorit. Në vijim do të gjeni nga një profil të shkurtër të këtyre figurave tiranase për të pasur një pamje të kompletuar të jetës dhe veprimtarisë së tyre shoqërore, e cila nuk ka qenë e kufizuar vetëm në aktivitetin e tyre si kryebashkiakë.
Zyber efendi Hallulli – (1842-1927)
I biri i Mehmetit, lindi në Tiranë në një familje me tradita të zhvilluara fetare. Studimet e para i kreu në vendlindje dhe pastaj i vazhdoi studimet e larta në Stamboll. Pasi i mbaron studimet kthehet në Tiranë, ku fillon shërbimin e tij fetar. Pas ngritjes së flamurit në Tiranë dhe në Vlorë zgjidhet në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, gjithashtu ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe. Më 28 nëntor 1917, ishte njëri ndër iniciatorët për hapjen e strehës së parë vorfënore, ku u zgjodh edhe drejtues i Këshillit të kësaj strehe. Kjo strehë pati edhe mbështetjen e gjerë të parisë së Tiranës, ku tregohej një kujdes i veçantë për jetimët aty, numri i të cilëve erdhi duke u shtuar. Zyber efendiu veç të tjerash ndihmonte edhe vajzat e familjeve të varfra, duke iu siguruar atyre pajën e martesës. Ai ndihmonte edhe në lagje familjet me jetimë, duke i furnizuar me ushqime dhe veshmbathje. Ai vazhdoi ta administrojë Strehën Vorfnore qysh nga themelimi i saj e deri sa ndërroi jetë dhe për këtë gjë u mbiquajt edhe “Babai i jetimëve”. Një fushë tjetër e veprimtarisë së tij ka qenë edhe ajo patriotike. Bashkë me patriotë të tjerë tiranas ai është përpjekur për shkollën shqipe, merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912, ngre zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve etj. Kështu ai është nënshkruesi i parë në telegramin-kërkesë, që i dërgohet Esad Pashë Toptanit, deputeti i Durrësit në Stamboll më 25 korrik 1912, ku në formë kërkese parashtrohet: “se shqiptarët presin prej një qeverie të tillë (qeverisë xhonturke), që t’i marrë parasysh me kujdes të drejtat dhe kërkesat e arsyeshme të tyne”. Ky telegram bëhet nga e gjithë paria e Tiranës, nënshkruar në emër të popullit nga 21 veta, ndër të cilët: Zyber Haxhi- kryetar bashkie, Ismail Ndroqi- myderriz, Xhemal Pazari- myderriz, Murat bej Toptani, Masar bej Qorraliu, Xhemal agë Beshiri, Muharrem aga Karapici, Fan Koja etj. Para se të vdiste edhe atë pasuri që kishte në zotërim ua la jetimëve të Strehës Vorfnore. Ndërroi jetë në 25 dhjetor 1927. Për veprimtarinë e tij patriotike dhe bamirëse ka marrë disa tituj e medalje falënderimi. Me vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës Shtëpia e Fëmijës ka marrë emrin “Zyber Hallulli” dhe është dekoruar nga presidenti Sali Berisha në vitin 1995 me medaljen për “Veprimtari Patriotike”[1].
Ismail efendi Ndroqi – (1878-1944)
Ka lindur në Tiranë në vitin 1878, me origjinë nga Ndroqi dhe vdes po në Tiranë më 4 mars 1944. Pasi mbaron mejtepin dhe klasat e para të Medresesë së Tiranës i vazhdon ato më tej në një nga medresetë e Stambollit. Më pas vazhdon studimet e larta teologjike po në Stamboll. Kur u kthye nga Stambolli më 1910 fillon aktivitetin e tij fetar si myderriz (arsimtar i lartë) në Medresenë e Tiranës. Ai njihej nga të gjithë si patriot i orëve të para në Tiranë, ku edhe merr pjesë në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912. Shpejtimi i ngritjes së flamurit me dy ditë përpara Vlorës është i vetëkuptueshëm tashmë duke parë rrethanat politiko-historike në të cilat po kalonte vendi asokohe. Në ato çaste luftërat ballkanike kishin arritur kulmin, ku serbët ishin në luftë me turqit dhe kishin arritur të hynin në Shqipëri deri në Lezhë dhe synonin të merrnin edhe Elbasanin deri në Shkumbin. Ismail efendiu ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet e turbullta 1917-1922. Në këtë periudhë ai ka kryer një veprimtari të zellshme patriotike, shoqërore dhe demokratike. Ai ishte një nga nismëtarët kryesorë për mbledhjen e Kongresit të Tiranës në mbarim të Luftës I Botërore më 1918. Gjithashtu ai ka qenë delegat në Kongresin e Durrësit me Abdi Toptanin e të tjerë. Po ashtu ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen e Kongresit të Lushnjës dhe për vendosjen në Tiranë të qeverisë së dalë prej tij, pa u trembur aspak nga bajonetat italiane, që i kërcënonin ata. Më 22 prill 1920 organizon një miting me 30,000 banorët e Tiranës dhe nënshkruan një protestë në emër të tyre, e cila dërgohet në Konferencën e Paqes në San Remo, ku kërkojnë pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve të saj etnikë. Ai u shqua në organizimin e vullnetarëve të Tiranës për të shkuar në Luftën e Vlorës më 1920. Ai pati një veprimtari të gjerë në fushën e bamirësisë, ku ndihmoi në ngritjen e spitalit dhe të strehës vorfënore, njëkohësisht përkrahu Kryqin e Kuq etj. Veprimtaria e tij shoqërore karakterizohet për luftën e tij për një Shqipëri të pavarur dhe etnike me një shtet të fortë demokratik. Ai ka qenë anëtar i shoqërisë “Dituria” dhe më vonë i partisë popullore “Xhoka”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliun. Gjatë periudhës 1913-1917 ai ka qenë myfti i Shijakut e më pas i Kavajës. Në vitin 1928 tërhiqet nga jeta politike dhe i kushtohet plotësisht shërbimit fetar. Gjatë periudhës 1928-1939 shërben si Myfti i Durrësit. Ndërron jetë në mars 1944[2].
Ali efendi Dërhemi (1850 – 1938) –
Familja DËRHEMI mendohet se ka ardhur në Tiranë nga kalaja e Ndroqit dhe madje shumë herët gjatë viteve 1830 - 1850. Pjesëtarët e saj janë të njohur gjithmonë për vlerat miqësore dhe qytetare, ku në shumicën e tyre kanë ushtruar sidomos profesionin e nënpunësit dhe të tregtarit. Aliu lindi në Tiranë në vitin 1850 dhe ai u njoh shumë shpejt nga bashkëqytetarët si Ali efendiu. I ati Hasani (1800 – 1870), jurist i njohur i kohës kishte detyrën e inspektorit të gjyqeve për vilajetin e Shkodrës, prej nga varej dhe Tirana. Vetë Aliu pasi mbaron medresenë e Tiranës i mbaroi studimet e larta në universitetin e Kajros, Egjipt. Kur u kthye në vendlindje sikurse dhe i ati, edhe ai po ashtu filloi inspektor, por për problemet financiare dhe duke punuar sidomos në qytetet e Durrësit, Kavajës dhe Shijakut. Duke qenë për vite me radhë edhe mësues për lëndën e matematikës në medresenë e Tiranës, ai aktivizohet kështu me sukses në detyrën e edukatorit. Gjatë karrierës së tij, falë dhe përgatitjes teologjike që kishte, ai ka patur dhe detyrën e zëvendëskryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar, e tamam në atë kohë kur institucioni i sapothemeluar drejtohej nga i mirënjohuri Haxhi Vehbi Dibra. Me formimin profesional të tij Aliu drejtoi me sukses aktivitetin financiar të këtij institucioni, duke filluar që nga evidentimi dhe inventarizimi i pasurisë së patundshme e deri te problemet e tjera të kësaj fushe. Falë personalitetit dhe qytetarisë së tij ai u zgjodh disa herë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ndërsa në vitet 1923 – 1924 edhe kryetar i Bashkisë. I bindur për nevojën e ligjshmërisë Aliu kishte besimin dhe përkrahjen e regjimit mbretëror dhe të drejtimit të mbretit Zog. Prej tij ai ishte dekoruar me urdhrin e Skënderbeut të klasit të parë. I njohur në publik gjithnjë si Ali Efendiu ai ishte njëherësh njeri bamirës dhe bujar. Revista e kohës "Zani i Naltë" në numrin 2-3/1933, nën titullin “Veprat shpirtërore të Haxhi Ali Dërhemit, ndihmës i kryemyftiut" ka shkruar “Hirësia e tij, i frymëzuar nga shpirti i naltë i vet ka vendosë që pasunine që i ka falë Zoti, ta shpenzojë po në rrugë të Zotit...” Pjesëmarrja e madhe në ditën e varrimit të tij, kur ai vdiq më 1938 tregoi më së miri respektin dhe vlerësimin që kishte populli i Tiranës për këtë personalitet të shquar[3].
Roald A. Hysa
________________________________________
[1] Të dhënat janë furnizuar nga mbesa e Zyber Efendiut, Zenepe Hakiraj (Hallulli).
[2] Ndroqi, Shefqet. “Një jetë për jetën”, sh.b. Dritëro, Tiranë 1998.
[3] Demneri, I. Rreli, Sh. Tafaj, A.- Tirana personalitete, 3-Intelektualë të hershëm; Tiranë 2009, fq. 21.